Albspirit

Media/News/Publishing

LAPIDARI I RI PËR DËSHMORËT E FSHATIT VAJZË

 

 

(Përgatitur në kuadrin e ditës së 5 Majit, ditës së Dëshmorëve, si dhe ditës së përurimit të  lapidarit të ri të dëshmorëve të fshatit Vajzë, lapidar memoristik i ringritur në vitin e  80 vjetorit  të çlirimit të Atdheut. Lapidari u kushtohet lavdisë së 27 dëshmorëve të shpallur dhe të njohur fshatit Vajzë: Perlat Rexhepi (1919-1942) hero dhe dëshmor;  Axhem Veselaj (1905-1944); Faik Shakaj (1926 – 1944); Fehtah Resulaj ( 1915- 1946); Gani Resulaj (1924 -1944); Hasan Zenelaj (1913 –1944); Haxhi Deraj (1921 – 1944); Jetulla Kapaj (1919-1943); Isa Veselaj (1922-1943); Jonus Karemani (1915- 1943); Lelo Habilaj (1928 – 1943); Maliq Habilaj (1924 – 1944); Mete Sulçaj ( 1927-1944); Mustafa Bellaj (1917-1942); Qëndro Bellaj (1925 –1944); Refat Kaçaj (1909-1943); Sadik Brahimaj (1895-1943); Sheremet Çaushaj (1924 –1944); Teki Goxhaj (1910 -1943); Rexhep Shakaj (1918-1943); Zihni Rexhepi (1915 –1943); Fehti Boraj (1905 – 1944); Begë Hitaj (1885-1920); Shako Nazaj (1892-1920); Feçor Lulo (1892- 1920); Mezan Beqari (1892-1920); Muhamet Maska (1892-1920), si dhe 12 të rënëve të tjerë që janë në proces të shpalljes me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”:  Ferik Zagoll Bilbilaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Beqir Hasho Osmani, Abdyl Hasho Osmani, Shaho Barjam Selimaj, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizi, Azbi Nurçe Hitaj, Hito Zenel Hitaj, Resul Beqo Resuli/(Onjea)/ Manaj).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Lapidarët – pjesë e memories historike të Kombit shqiptar

Lapidari i parë i fshatit Vajzë i përket periudhës së viteve 1945-1990, (i ngritur rreth viteve ’70-të), ku sikurse në gjithë Shqipërinë u ngritën dhe morën jetë mjaft lapidarë në kujtim të heroizmit masiv të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për t’u mbajtur e gjallë epopeja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, sikurse në çdo qytet e fshat të Shqipërisë, ku ishin zhvilluar luftime dhe ishin kryer beteja, por dhe që kishin rënë dëshmorë për lirinë e vendit u ngritën lapidarë për të treguar historinë e heroizmit masiv dhe gjakun e derdhur në këtë luftë për çlirimin e Shqipërisë.

Lapidari i fshatit Vajzë është një ndër rreth 700 lapidarë dëshmorësh që ka sot Shqipëria. Në vitet 70-të nga të dhënat arkivore e dokumentare të publikuara gjejmë se në Shqipëri ka pasur “..rreth 500 lapidarë, 320 pllaka përkujtimore, 140 buste, 27 monumente e përmendore”. Në fakt më vonë këto u shtuan në mbi 600 lapidarë dhe në mbi 600 pllakata të formave të ndryshme, por duhet përmendur edhe në mbi 2900 emërtime instituciones e rrugësh, apo sheshe me emra dëshmorësh. Të dhëna vijnë edhe nga libri “Lapidarët” në tre vëllime, “Albanian Lapidar Survey”, i vitit 2014. Tek “Lapidarët” në Vëllimin II, III me indeks emrash, vendesh, data, njësi ushtarake bazuar në Historinë e LANÇ-it të popullit shqiptar, ku pasqyrohen dhe 651 foto të vendndodhjeve, nga Veriu në Jug të vendit.

Lapidarët tregojnë vendosmëri, forcë, vitalitet, në mënyrë masive me tytat e armëve të drejtuara lart dhe të zbukuruara me yje, por dhe me flamur kombëtar me imazh tepër solidë të betonizuar fuqishëm që flasin qartë për kujtimin e jetëve të humbura. Lapidarët dominojnë peizazhin shqiptar, flesin për ngjarje madhore lufte, për triumfin e lirisë, për shenjtëri kujtese pasi cdo lapidar ka një ngjarje, një histori lufte, një ideal e mbi të gjitha gjithcka është e lidhur me lirinë. Kundërshtarët e luftës antifashiste kërkojnë gjetje tek “përmendoret e betonit me flamur në valëvitje”, gjë që të ashtëquajtura “risi demokratike” për t’i dalë krah dobive të fashizmit po bëhen gjithënjë e më shumë bajate dhe të pavlera përballë të vërtetave reale të luftës dhe uraganit çlirimtar antifashist. Lapidarët e memorialët janë kujtimi i gjallë i dëshmorëve që na kujtojnë të gjithë bijtë e bijat më të mirë të popullit që ranë për të mbrojtur atdheun prej pushtimeve fashiste italiane e gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Monumentet, lapidarët e  bustet nuk e humbasin kurrë vlerat, fokusin e së shkuarës së pasur dhe të lavdishme të kombit shqiptar që lidhet në radhë të parë me “betejat e përjetshme të çlirimit kombëtar”. Tashmë lapidarët janë pasuri historike e kombëtare, pjesë e krenarisë së përligjur të fitimtarëve në luftra. I tillë është padyshim edhe lapidari plotësisht i rinovuar i Dëshmorëve të fshatit Vajzë të Bashkisë së Selenicës.

Lapidari i ri për dëshmorët e Vajzës plotësisht i rinovuar

Përurimi i Lapidarit të ri të Dëshmorëve në fshatin Vajzë në ditën e dëshmorëve është një ngjarje bazale për përkujtimin e gjakut të dëshmorëve që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë. Ky lapidar që lartësohej për më shumë se pesë dekadash këtu në Vajzë dhe ky përurim i ri të memorialit të kujtesës për dëshmorët e Vajzës  tregon se nuk jeni harruar dhe nuk ju harrojmë.

Dëshmorët kanë hipotekuar një pronë të çmuar të historisë duke lënë për brezat modelin më të mirë të atdhetarisë, emblemën e krenarisë kombëtare të heroizmit partizan.

Fshati Vajzë ka 27 yje-meteorë të shndritshëm që mbajnë titullin e lartë “Dëshmor” i Atdheut. Ata janë rrënja e lirisë dhe që vijon të frymëzojë brezat për qëndresën, luftën, pathyeshmërinë dhe lumenjtë e gjakut që fshati derdhi veçanërisht gjatë luftës antifashiste Nacionalçlirimtare.

Sot është një ditë nderi dhe krenarie për fshatin Vajzë dhe për gjithë Shqipërinë dhe nderimi për dëshmorët është nderim për kombin dhe shqiptarinë. Fakt është se dëshmorët i nderon gjithë bota dhe dëshmorët janë vetë historia e kombeve, pasi dëshmorët janë luftë, gjak dhe histori. Këtu në Vajzë, përmes këtij lapidari dëshmorët u flasin të gjallëve, u flasin përmes këtij lapidari nga më të mirët në Labëri. Ky është një zgjatim i monumentit “Nënë Shqipëri” në fshatin e Perlat Rexhepit dhe 39 të rënëve. Le të sjellim në vëmëndje nderimin që bota ju bën dëshmorëve. Kështu në një ndër varrezat e fqinjve tanë në Itali është shkruar ky epitaf: “O të gjallë, që vizitoni këto varreza: nëse nga ju nuk zgjatet e nuk rritet lavdia e atdheut, ne kot paskemi vdekur”. Ky lapidar nuk lë asnjë mëdyshje për fjalë, pasi dëshmorët e fshatit Vajzë janë dëshmi e përjetësisë e historisë së kombit tonë. Çurçilli thoshte “Betejat janë gurët kilometrik më të rëndësishëm të historisë”, dhe nëpër betejat shqiptare gjaku u derdh lumë për lirinë e vendit, edhe këtu në fshatin Vajzë. Dëshmorët e këtij fshati i takon në këtë përmendore në këtë lapidar madhështor, në emra rrugësh, në emra shkollash.

Në Luftën e dytë Botërore kombi shqiptar si viktimë e parë e agresionit fashist u përfshi në LANÇ, përkrah vendeve të koalicionit antifashist botëror. Ishte koha kur lavdia e kombit matej me gjakun e derdhur në fushën e betejave.

Zëri i dëshmorëve të Vajzës sikurse gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar është një zë perëndie, pasi vepra e tyre është shembull i lartë frymëzimi. Dëshmorët janë në varrezat e dëshmorëve, por gjallojnë në bëmat e tyre. Dëshmorët e Vajzës si gjithë dëshmorët e atdheut janë apostuj të shenjtë të Tokës dhe të Qiellit. Sa e sa plumba u derdhën mbi bijtë e bijat e fshatit Vajzë por dhimbja e plumbave nuk ishte aq e rëndë sa dhimbja që kishte kllapuar mbarë kombin shqiptar, prandaj dhe nderimi për të rënët është detyrim brezash. Dëshmorët janë frymëzim na japin besim e shpresë, na japin krenari dhe nder, janë lavdi dhe substanca materiale e historisë kombëtare. Dëshmorët janë themelues dhe mbrojtësit më të mëdhenj të së ardhmes kombëtare.

Ne jemi sot këtu në nderim, respekt por detyrim mbarëkombëtar për ditën e 5 Majit, ditën e madhe të njerëzve të pavdekshëm. Populli, njerëzit e thjeshtë e atdhetar kanë kënduar dhe do të vijojnë të këndojnë për dëshmorët e Vajzës dhe gjithë Shqipërisë: “Ju kish rritur nëna për një botë të re,/Lule more trima që ratë për Atdhe!”. Ishin të gjithë bij të lirisë të Vajzës, të Labërisë, të hallemadhes tonë shekullore, Shqipërisë sonë të dashur. Vajza ishte fshati që e mbështeti luftën partizane me shpirt, ndau kafshatën e gojës me luftëtarët e lirisë

Bashkëpunëtorët e fshashizmit, që nuk mungojnë edhe në Shqipërinjë tonë të dashur duan ta mohojnë gjakun e dëshmorëve, ta minimizojnë deri në shuarje LANÇ-in, të kalkulojnë  shifra e denigrojnë luftën antifashiste, edhe pse sovrani popull ka një shprehje të larë në dritën e diellit: “Kush nuk respekton të rënët, nuk mund të dojë as të gjallët”. Fshati Vajzë përngjan sot se ka veshur një vello të trëndafiltë, që shpreh një agim lirie të përjetshme, pasi respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e qartë e pjekurisë, mençurisë dhe fuqisë së një kombi, është respekt për të kaluarën e lavdishme dhe investim për të ardhmen.

 

Historia nuk harron: “E drejta zhytet por nuk mbytet”!

Gjeneral Maliq Sadushi: “Padrejtësitë ndaj të rënëve duhen korigjuar”.

Fshati Vajzë nuk ka 27, por 39 dëshmorë, pasi në Ministri i Mbrojtjes në Departamentin e dëshmorëve gjenden 12 dosje për 12 të rënë të fshatit Vajzë me një volum të konsiderueshëm faqesh, dokumentash dhe shkrimesh në dhjetra gazeta e revista brenda e jashtë vendit. Gjithcka për të rënët e pashpallur të fshatit Vajzë. Dosjet e të rënëve të Vajzës janë në proces për t’u shpallur me titullin e lartë “Dëshmor” pasi që të gjithë plotësojnë kriterin e Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” dhe besojmë se afati i miratimit të tyre duhet të jetë 29 Nëntori i këtij viti që përkon me 80 vjetorin e çlirimit.

Respekti dhe nderimi i të gjallëve për veprën e dëshmorëve është evident, sepse nën drejtimin e SHKA “Vajzë” e posaçërisht të kryetarit të saj Irfan Birbilaj që ju qep me “bukë në trastë”, Shoqatës së Historianëve Ushtarakë Shqiptarë, me qëllimin e mirë që për një vit rresht të mund të përfundoheshin gjithë procedurat dokumentare e publicistike të vinin në një linjë me atë që kishte shkruar nga biri i shquar i fshatit Vajzë Gjeneral Maliq Sadushi, i cili në librin e tij “Fshati ynë i mirë”, botuar në vitin 2002, i cili nuk ka shkruar vetëm në libër por ka lënë një testament brezash që thotë: “Një numër jo i vogël patriotësh vajziotë janë ekzekutuar me pushkatim. Padrejtësisht këta patriotë nuk janë shpallur dëshmorë të luftës nacionalçlirimtare. Kjo padrejtësi duhet korigjuar”.

Në fakt djemtë e fshatit Vajzë me mbështetjen e Shoqatës së Historianëve Ushtarakë Shqiptarë janë në rrugën e korigjimit të plotë të kësaj padrejtësie në bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe faktorët që ta mundësonin ligjërisht të drejtën e bijëve dhe bijave të fshatit Vajzë të ekzekutuar me pushkatim nga nazifashistët. Ata kanë përgatitur sipas standardit më të mirë të mundshëm të dosjeve që kërkohen për t’u shpallur dëshmorë. Në vëmëndje të shtetit në këtë 80 vjetor i kanë dërguar në strukturat përgjegjëse të Prefekturës së Vlorës dhe më tej edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dokumentacionin për 12 dëshmorë të pritshëm. Është rasti t’i kujtojmë emër për emër gjithë të rënëve që nuk e kanë emrin në këtë lapidar lavdie dhe që kanë derdhur gjakun që derdhën para 80 vjetësh: Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Beqir Hasho Osmani, Abdyl Hasho Osmani, Shaho Barjam Selimaj, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizi, Azbi Nurçe Hitaj, Hito Zenel Hitaj (1830-1878) i LSHP rënë më 1878 dhe Resul Beqo Resuli/(Onjea)/ Manaj (1869-1897) që ra në Luftën III për Janinën më 1897.

Ndërmjet të pushkatuarve të fshatit Vajzë janë edhe dy gra, dëshmi e një fronti të gjerë antifashist ku në rreshtat partizane kishte mbi 6.000 vajza dhe gra shqiptare që sakrifikuan deri në flijim për Kombin dhe lirinë e Atdheut. Dëshmorët dhe të rënët në beteja përfshi edhe ata që u ekzekutuan me pushkatim nga nazifashistët jetojnë në flatrat e flamurit në valë, mbeten në piedestal të historisë së kombit, në kujtesën e përjetësisë dhe sakrificës në emër të atdheut dhe interesave të kombit. Dëshmorët ngelen përjetësisht në këngë, sepse vetë Vajza dhe krejt Labëria është një djep i këngës. Bijtë e Vajzës mbollën këngën si ilaç dhe melhem shërues të shpirtit. Edhe në vitet 1943-44, kur vajziotët si gjithë shqiptarët me shami mblidhnin lotët dhe brengat përsëri nuk u mposhtën, nuk u thyen dhe nuk u përgjunjën. Misioni i shqiptarëve në përjetësi është përçuarja e idealeve të dëshmorëve dhe transmetimi i amanetit të lirisë së kombit nëpër breza. Kemi një lutje për gjithë familjarët e dëshmorëve që të mbështesin grupin organizator me fotografi ose skica të dëshmorëve dhe çdo dëshmi tjetër që t’ju ngelet trashëgimi fshatit nëpërmjet librit të ardhshëm të 39 dëshmorëve të fshatit Vajzë “YJE MBI BEUN”,  kushtuar dëshmorëve të fshatit Vajzë, në të gjitha periudhat historike dhe luftrat e shqiptarëve kundër pushtuesve.

Vepra e dëshmorëve ishte dhe mbeti me erë baroti e krisma maliheri, me flakë të kuqe luftarake antifashiste me të kuqe gjaku të prushëzuar, një vepër madhështore e trupëzuar dhe çimentuar me lirinë e shqiptarëve.

Lufta e përgjakshme dhe heroike e forcave partizane të Vajzës, Labërisë, Shqipërisë është pjesë e vlerave historike të fshatit Vajzë të trevës vitale të Labërisë dhe të mbarë kombit shqiptar që nuk mund të mos i sjellim në vëmëndje të brezave për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, pasi në themele të lirisë së shqiptarëve qëndron i çimentuar gjaku i dëshmorëve. Nderimi për dëshmorët dhe të rënët e fshatit Vajzë, sikurse për të gjithë dëshmorët e Shqipërisë ka qenë, është dhe do të ngelet nderim për të rënët e kombit shqiptar, është vlerësim e nderim për identitetin shqiptar dhe kulturën tonë historike.

Please follow and like us: