Albspirit

Media/News/Publishing

Një historik njësie ushtarake i LANÇ-it me vlera të veçanta

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Familja fisnike Xhixho e Suhës në Gjirokastër

Në kuadrin e 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, Familja Xhixho nga Suha e Gjirokastrës, e cila i dha Atdheut djalin e saj: dëshmorin Pano Xhixho, si dhe kuadrot: gjeneral Thoma Xhixho, Kristaq Xhixho, Vasil Xhixho dhe Foto Xhixho, përsëri pasardhësit: Piro e Sokol Xhixho, bënë të mundur daljen në dritë të Historikut të Brigadës XIX Sulmuese (BrXIXS). Një përvojë dhe një shembull prej kësaj familje se si mund dhe duhet të kontribohet për Atdheun, për të pasqyruar historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Me ndjenjën e krenarisë dhe të sakrificave të bëra në luftë, pasardhësit dhe më i riu Besian Xhixho, që prej SHBA-së, në hyrje të historikut shkruajnë: “Për dëshmorët e Brigadës XIX Sulmuese, për partizanët dhe partizanet e kësaj brigade. Gjithashtu, për ata drejtues e udhëheqës në radhët e UNÇSH, që shkulën brinjë nga merita, egoja dhe lavdia e tyre personale duke i bërë ato gurë e tulla pa emër për themelet dhe ngrehinën e shtetit shqiptar; e i hodhën si qymyr, zjarr, ajër e hi në furrën ku gatitej çeliku i parzmores së historisë së luftës së popullit tonë për mbijetesë, liri, pavarësi dhe dinjitet”.

Një mesazh që përsëritet nga brezi në brez prej kësaj familje të madhe atdhetare, e cila në histori hyri si një bazë e fuqishme e antifashizmit shqiptar në vitet e zymta të pushtimit të vendit, por që kontribuoi me shpirt për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Sot ajo është krenare për rrugën e ndjekur nga të parët e saj dhe pasardhësit po bëjnë çmos që të pasqyrojnë me saktësi dhe me dokumenta historinë e njërit prej formacioneve më të lavdishme të asaj ushtrie partizane të lavdishme që luftoi për popullin dhe i dha lirinë.

Siç ka vënë në dukje H. W. Tilman se “Historia e Shqipërisë është një rekord i pathyer pushtimesh, shtypjeje, dhe keqbërjeje nga turqit, grekët, austriakët, italianët, serbët, bullgarët, dhe gjermanët. Pak vende mund të jenë kaq të dërrmuara dhe kaq të ballafaquara me shtypjen në duart e fqinjëve më të fuqishëm, dhe prapë të kenë ruajtur të pathyer vullnetin e tyre për pavarësi siç kanë bërë shqiptarët për 500 vjet, që nga koha kur Skënderbeu, heroi i tyre i madh kombëtar, korri i pari suskes ndaj turqve osmanë”.

Antifashizizmi motivi kryesori brigadës së vllazërimit

Historiku i BrXIXS i shkruar nga një komision me kryetar gjeneralmajor Thoma Xhixho, është shkruar vite më parë, ka parë dritën e një botimi të thjeshtë në vitin 2000. Duke ruajtur me korrektësi punimin e historikut, përsëri ai përbëhet prej tre kreve: Kreu i parë përfshin veprimtarinë luftarake e politike të reparteve partizane para formimit të brigadës, në zonën e Konispol-Delvinë-Dropull, në periudhën mars-nëntor 1943. Kreu i dytë përfshin formimin e Grupit IV Partizan “Çamëria” (GrIVP), ku përshkruhen luftimet në Libohovë, Dangëlli, në Konispol dhe në zonën e Vurgut, etj. Kreu i tretë organizimi, përbërja dhe veprimet luftarake të BrXIX, operacionet për çlirimin e Konispolit, të Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës, etj.

Historiku i BrXIXS përshkruan rrugën luftarake të këtij formacioni, duke na dhënë faqe të lavdishme të historisë së Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare të organizuar dhe të udhëhequr nga PKSH në luftën kundër ushtrive pushtuese nazi-fashiste dhe tradhëtarëve të vendit për liri, pavarësi e çlirim shoqëror, për vendosjen e pushtetit të demokracisë popullore.

Historiku paraqet në detaje formimin dhe të gjithë veprimtarinë luftarake të BrXIXS me veçoritë e saj specifike. Brigada u formua mbi bazën e GrIVP “Çamëria” dhe të gjithë veprimtarinë e saj luftarake e zhvilloi në zonën Konispol, Sarandë, Dropull, në pjesën bregdetare dhe bashkëveproi ngushtë me forcat e Zonës së Parë Operative (ZIOp).

Si rregull brigadat partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare (UNÇSH) u formuan nga partizanë, çeta e batalione partizane nga krahina të ndryshme të vendit, ndërsa kjo brigadë, si vijuese e traditave të mira dhe luftarake, u krijua me luftëtarë të GrIVP që ishin në territorin e tyre. Partizanët dhe kuadrot e saj ishin luftëtarë me përvojë të fituar në njësite luftarake, në çeta dhe në batalione partizane, si dhe në formacionin e veçantë si të GrIVP “Çamëria”, me një përvojë dhe traditë luftarake në mjaft aksione e beteja të zhvilluara në zonë.

Efektivi i brigadës përbëhej nga partizanë shqiptarë dhe partizanë minoritarë grekë nga fshatrat e Konispolit, Dropullit, të Vurgut e të Pogonit, duke e quajtur këtë njësi, brigadë të vllazërimit midis popullit shqiptar dhe minoritar grek; vëllazërim ky i mbrujtur e i çimentuar me gjak në luftën kundër pushtuesve të huaj e tradhëtarëve të vendit.

Repartet e brigadës në çdo situatë dhe kohë zbatuan direktivat e Partisë Komuniste dhe të Komandës e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, si dhe bashkëvepruan me repartet e ELAS-it në luftë kundër armikut të përbashkët dhe dhanë një kontribut të dukshëm në vëllazërimin e popullit shqiptar me popullin grek.

Një historik për t’u marrë si model

Në historikun e BrXIXS pasqyrohen dokumente të Arkivit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (AQPPSH), të Arkivit Qendror të Ushtrisë (AQFA), Arkivit të Qarkut të Gjirokastrës, si dhe kujtime të ish-partizanëve e kuadrove të brigadës. Kontribut të veçantë kanë dhënë me kujtime e shënime dhe luftëtarët kuadro Pipi Mitrojorgji, Petrit Islami, Vasil Nika, Fadil Meleqi, Foto Papaj, Thoma Budri etj.

Përgatitja e Historikut të BrXIXS nga Komision filloi në vitet 1968-1971, vijoi më tej në vitet 1974-1977 duke marrë dhe mendimin e Komiteteve të Veteranëve të LANÇ-it të rretheve Sarandë e Gjirokastër, për të përfunduar në vitet 1980-1984 edhe nën kujdesin e Akademisë Ushtarake (AU). Punimi i fundit ishte në periudhën gusht 1999-maj 2000, kur dhe pa për herë të parë dritën e botimit.

Në botimin e dytë të Historikut të BrXIXS, viti 2024 është ruajtur tërësisht materiali i botimit të parë. Janë bërë disa korigjime për t’u përshtatur në kohën dhe në fjalorin e përdorur, të termave ushtarak, janë bërë shkurtime dhe shkurtesa, shtuar në historik këndi i dëshmorit me të dhënat e gjetura për çdo dëshmorë e foto të tyre, janë bërë disa skema të reja të luftimeve, është bërë plotësimi me të dhëna të plota për dëshmorët e brigadës, për listën e partizanëve, si dhe të literaturës së përdorur në historik.

Botimi i dytë i librit “Brigada XIX Sulmuese, historiku” është përgatitur për botim nga studiues ushtarak, të cilët kanë pasqyruar momentet më kryesore të luftimeve, vendosjen e forcave, idenë e të dy palëve luftuese, dinamikën e zhvillimit të luftimeve, si dhe gjendjen e forcave pas përfundimit të luftimeve.

Libri jep të dhëna të dokumentuara të formacioneve luftarake të kësaj njësie sulmuese, të dhëna për mjaft kuadro drejtues, si dhe vendet e luftimeve dhe të rënies së dëshmorëve të këtij formacioni luftarak. E reja e këtij historiku është saktësimi i plotë i emrave të dëshmorëve, por dhe i efektivit të partizanëve pjesëmarrës në këtë formacion luftarak.

Redaktori dhe korrektori i librit Besan Xhixho, nipi i gjeneral Thoma Xhixhos, ka punuar me mjaft kujdes dhe me përkushtim, duke prurë një punim në kohë dhe me një gjuhë të pastërt dhe të mbështetur me një fjalor të terminologjisë ushtarake. Ky është dhe një nder që nipi ka bërë për gjyshin dhe formacionin luftarak që ai ka drejtura.

Familja Xhixho edhe këtë radhë, pas botimit të librave “Gjeneral Thoma Xhixho, i pari komandant i Akademisë Ushtarake Shqiptare” dhe “Koncepte për Artin Ushtarak”, me punimet teorike dhe praktike të gjeneralit, përsëri bëri të mundur për të parë dritën e botimit historiku, me shpenzimet familjare. Është një rast që duhet vlerësuar e përgëzuar nga shoqëria dhe shteti.

Familje të tilla i bëjnë nder vendit dhe lënë gjurmë me vlera për sot dhe për të nesërmen.

Please follow and like us: