Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: NGA VIJMË DHE KU PO SHKOJMË!

Kur duam të zgjedhim nuk mund të zgjedhim me sy të mbyllur, por duam t’i bëjmë mirë llogaritë sepse nuk duam të shpërdorojmë e të mos na dalin hesapet. Por jeta që bëjmë sot, na ka vënë përpara një dileme të madhe! A dimë të llogarisim mirë në ditët e jetëve tona, pasi kjo jetë po na krijon defiçite e po na e zbraz shpirtin nga bollëku i begatisë dhe i lumturisë njerëzore? Dashurinë e kemi humbur, lumturinë e kemi zëvendësuar me produkt fallco, dinjitetin e kemi zëvendësuar me ojna që nuk i duhen kërkujt, e njeriu nuk di nga ka ardhur e ku po shkon!!
Me lindjen e një fëmije shpaloset brenda shpirtit njerëzor dashuria, e cila është dhurata më e bukur që njeriu merr dhe e gëzon falas. Nëpërmjet kësaj dhurate, shpërblehet duke shijuar jetën brez pas brezi. Jeta e ka rrënjën e saj, e kjo rrënjë është familja, nga ku buron gjithçka që njeriut i vlen në jetë. Por çfarë po ndodh sot me familjen? Cila dorë po e shkul rrënjën e saj, duke u përpjekur ta zëvendësojë ekzistencën e familjes me bashkëjetesë? Bashkëjetesa nuk ofron të mirat që ofron familja, sepse detyrimet nuk quhen përgjegjësi, por përgjegjësia që kemi ndaj njëri-tjetrit në familje, na bën të përgjegjshëm për të përballuar nevojat e ditës, kalit respektin për punën që bashkëndajmë, për idetë, qëllimet, duke rritur dhe forcuar dashurinë, e cila ushqen si një gjenerator i fuqishëm marrëdhënien njerëzore.
Mungesa e përgjegjësisë çon në ç’ekuilibrim të marrëdhënieve, duke i shërbyer kështu ftohjes së ndjenjave, si dhe duke rritur neglizhencën, e cila krijon hendeqe ku rrëzohesh pa kthim.
Mirëqenia sociale nuk vjen si produkt i dembelizmit dhe i neglizhencës, por vjen nga bashkëpunimi që prodhon standart cilësor në bashkëndarjen e mendimeve fitimprurëse. Kur kemi standart jetësor do të thotë, që puna që kryejmë është kurorëzuar nga inteligjenca, nga përgatitja shpirtërore, koordinuar me vyrtyte njerëzore, nga motivi që shoqëron çdo mendim që shpie në marrëdhënie të shëndetshme.
Në jetën e përditshme po ndeshim ç’rregullim të këtyre marrëdhënieve, të cilat shpien në dëm të moralit njerëzor, në dëm të jetës së shëndetshme, në dëm të edukimit të shëndetshëm, në dëm të interesit publik shoqëror, mbi të gjitha, në dëm të ekzistencës së një familje të qëndrueshme. Rreziku i këtij ç’rregullimi është përhapur si një sëmundje që po gangrenizon mendjet e të rinjve, të cilët nuk e duan sistemin që prodhon atë mirëqenie, e cila zhvillohet vetëm nëpërmjet rrugëtimit mbi shinat e moralit njerëzor. Dalja nga këto shina krijon rreziqe të panumërta, dalja nga këto shina tregon mënyrën se si udhëhiqemi, mënyrën se si sistemi edukativ është në falimentim, tregon cilësinë e shëndetit mendor, i cili nuk po prodhon mirëqenie por degradim, i cili po serviret si produkt që ushqen shoqërinë e sotme. Pasojat e ketij degradimi janë evidente. Njeriu nuk mund të jetojë i ç’ekuilibruar, njeriu nuk mund të jetojë pa rregullat që e udhëheqin në rrugën e jetës. Pa këto rregulla nuk mund të quhemi qënie me inteligjencë kreative në të mirë të vetë jetës dhe të shoqërisë ku bashkëndajmë gjithçka të mirë me njëri-tjetrin.
Provimi i jetës na çel shumë dritare nga ku shohim atë që na bën të ndihemi njerëzorë në shërbim të dashurisë, sepse burimi i të gjitha të mirave që vjelim nga kjo jetë vilet nga burimi ku nuk shterron dashuria. Kjo mrekulli është nëpërkëmbur, duke u zëvendësuar me interesa të paskupullta që e kanë shëmtuar deri në degjenerim njeriun. Kjo shëmti ka zënë vend e nuk po shkulet për ata që i janë nënshtruar këtij degradimi.
Të njollosësh shpirtin është njësoj si ta burgosësh atë. Nga ky burg përfiton vetëm vuajtje, duke mohuar lirinë, e cila të shëtit nëpër kopshte ku dehesh nga bukuria dhe dashuria. Të mohosh ekzistencën e dashurisë ke mohuar prejardhjen tënde. Të luftosh dashurinë ke mohuar jetën. T’i shërbesh antivlerave i je nënshtruar të keqes që të lidh e nuk të lëshon nga thonjtë e saj. Të vuash pasojat e këtij nënshtrimi është padituria më e madhe që ekziston sot në jetën shoqërore.
Mungesa e dijes për përvetësimin e ligjeve dhe zbatimit të tyre në shërbim të jetës së shëndetshme, është humbja më e madhe që ka varfëruar jetën dhe qënien njerëzore. Të mbetesh i varfër brenda dijes, quhet mungesë vullneti për t’i shërbyer dashurisë, e cila dhurohet nga Krijuesi ynë i Gjithëpushtetshëm!
13 Maj 2024.
Please follow and like us: