Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi romanin “Hije që mbesin” të Ardita Lajçi Gjocaj

Denada Cipi Troce

– Shënime për romanin “Hije që mbesin” të Ardita Lajçi Gjocaj –

Romani “Hije që mbesin” i romancieres së re Ardita Lajçi është shpërndarë në duart e lexuesve. Njeri prej tyre jam edhe unë. Nuk e njoh autoren në fjalë, por nëpërmjet leximit njoha dhe njoh portretin e personazheve. Njoh sonetet e Vivaldit që rrjedhin ëmbël nga violina e penës së saj.
Pa dashur të flas me fjalë të mëdha mund t’i them lexuesit se, në këtë roman që lind nga Troja e lashtë me Helenën, zbret në tragjetitë e Eskilit, nga krijuesi i Hamletit dhe deri në ditët tona. Po shprehem kështu, sepse ky roman, pa dashur, hyn në shpirtin e çdo lexuesi që e merr në duar dhe shikon në të një histori sa të lashtë, po kaq të re. Ai fillon me një ndjenjë të ëmbël dhe të brishtë rinore, për të marrë udhëtimin e gjatë të një luftë sa shpirtërore individuale personale, po kaq kombëtare dhe ndërkombëtare, po të kemi parasysh vitet që jetojmë. Aty brenda është dashuria dhe dëshirat e mëdha për jetën, lufta me të shkuarën, lufta me besimin fetar. Hipokrizia, si pjesë e qënies njerëzore, mirësia dhe deri te dramat e rënda që të mbajnë dhe të bëjnë të mos e lëshosh nga dora romanin që nga ora që e merr në duar për ta lexuar.

Po çfarë bie në sy në këtë roman që po i bën kaq elozhe, mund të thotë dikush?

Dhe unë përgjigjem:

GJUHA E NJË ROMANI QË TË LË MBRESA

Autorja në fjalë, brumin e fjalës së saj, të mbrujtur në traditën shekullore e ka të thjeshtë kur i duhet, të vrazhdë kur i cenohen vlerat dhe identiteti, thikë kur dikush e meriton atë dhe melodi të ëmbël mirëkuptimi dhe ndjenje. Ajo di të bëjë fjalën penel dhe ngjyrë kur flet pranvera, por ta bëjë dhe sinfoni të nëntë të Bethovenit kur pianos së shpirtit dikush mundohet t’i prishi akordimin dhe tingujt e bukur, që dalin nga shpirti i personazheve dhe u flasin lexuesve.

Gjuha e fjalës së saj, edhe pse në një roman prej 200 faqesh është e zgjedhur, e situr dhe e pergatitur për miellin e romanit.

Për këtë duhet të besoj se autorja e ka të trashëguar këtë fjalor dhe mënyrë të komunikimit ndërmjet personazheve, sepse qoftë dhe në asnjë vend të vetëm nuk e gjen atë të thyer në mendim, në vlerë dhe në bukurinë që ajo ka. E di që autorja jeton jashtë trojeve dhe ajo prej shume vitesh është e larguar, por gjuhën e folur e të shkruar e ka marrë ashtu të pastër, të kthjellët si flladi i bjeshkëve të Kosovës. Ajo fryn ndër lisa dhe ndër pisha. Gjuha e saj i ngjan Drinit të vrullshëm herë herë, por edhe pse turbullohet nga dramat e mëdha që ndodhin në skenën e romanit, mendimi rrjeth i pastër, pa u turbulluar apo i përzier me burime të rrëmbyer të keqdashjes që të tjerët duan të hedhin baltë mbi të.

Përsa i përket gjuhës, autorja shkruan në fjali të shkurtra. Kjo e bën që çdo fjalë të zërë vendin e vet në kalanë murale artistike të romanit.

Kjo mënyrë e zgjedhur prej saj, apo që është pjesë e zgjedhur për të shprehur botën dhe shpirtin e personazheve, e bën të thjeshtë, të rrjedhshëm, dhe melodioz e me ritëm leximin. Kur lexon, të ngjet se ritmi i ngjan një kali që, kalëron lëndinave apo dhe luginave të romanit në fjalë.

Fjala për autoren është forca e të shprehurit, por një kohësisht nëpërmjet saj ajo pikturon shpesh herë natyrën, bukurinë e personazheve dhe mendimet e tyre, qofshin këto të dhimbshme, sipas dramës, apo të bukura dhe lirike të një gjëndje shpirtërore të dashuruar.

Romani i saj është i njëtrajtshëm në rrjedhën e tij, por ashtu si vetë Drini, herë bie në një ujvarë e copëzohet në mijra yllësime ujore, herë shkon vrullshëm për në detin e madh e të pa fund të romanit. Sipas rastit ai shpërthen në zhurmë, oshëtin ashtu si shpirti i një personazhi, apo bëhet i kaltër si vetë e bukura dashuri kur mban në duar ndjenjën e brishtë.

PORTRETIZIMI ARTISTIK I PERSONAZHEVE

Një armë tjetër për të cilën vlen të vlerësohet romani dhe vetë autorja është portretizimi artistik i personazheve. Ky personifikim, ka të bëjë në radhë të parë me aftësinë krijuese të autores, me këndveshtrimin e saj për ta portretizuar çdo personazh në funksion të dramës që ajo ndërton.

Këtu dua të besoj dhe flas me siguri nga përvoja ime se, autorja ka një aftësi që e bën të shkruaj me lehtësi një dramë, pasi kjo gjini ka të bëjë më shumë me portretizimin e personazheve vetëm nëpërmjet fjalës.

Këtë e them nisur edhe nga dialogët që ndërtohen në roman. Nga monologët, që shumë herë autorja u jep personazheve të saj rolin e një aktori, që drejton bisedën me fjalën e mendimin, duke dhënë portretin e secilit. Këtu mund të them se, qoftë dhe njëherë të vetme ajo as nuk i ngatërron portretizimet e tyre dhe as nuk i huazon nga njëri tjetri. Kjo më jep të drejtë të them se Ardita si një regjizore, apo libret-shkruese, i ka të ndara dhe shumë të sakta në mendimet e saj, për rolet që duhet të luajë gjithsecili në skenën e romanit.

Këtu mundem edhe ta ilustroj duke lidhur mendimet e mia me protretizimet e saj.

Ajo tjetër veshje artistike dhe shpirtërore i bën Anës, dhe tjetër shoqes së saj. Tjetër shpirt i dhuron Gjergjit, personazhit kryesor dhe tjetër Benit, që i shtyrë nga xhelozia tronditet në shpirt dhe flet dhe vepron pa menduar.

Ndërtimi i prindërve të Gjergjit është shumë i kujdesshëm. Në njërën anë ata janë të varfër ekonomikisht, por janë të pasur shpirtërisht.

Po kështu babai i Anës dhe njerka e saj, janë diametralisht të kundërt në karakter, mendim dhe në botën shpirtërore të tyre.

Aftësia e penës së saj qëndron edhe në ndertimin dhe parapërgatitjen skenike të bisedave. Përpara çdo dialogu, monologu apo mendimi për ngjarjen e ndodhur, ajo e përgatit lexuesin për një të papritur të re. Kjo e bën tërheqës vetë librin, por dhe lexuesin për të mos e shkëputur atë nga dora.

Bashkë me këtë, ajo ka aftësinë që në çdo mbyllje të kapitullit të lërë një temë të hapur për të shtyrë lexuesin drejt faqeve në vazhdim, për të ndjekur si një zagar gjahun e ngjarjes, por që kurrë nuk arrin ta kapi deri sa vetë autorja të mendojë për ta bërë që të pushojë diku.

NDËRTIMI I BOTËS SHPIRTËRORE TË PERSONAZHEVE

Edhe këtu autorja Arditë, me majën e daltës së saj të mendimit, ndërton për teatrin e saj roman, një botë të madhe për të gjithë, me një mesazh të qartë, por aktorë të ndryshëm, me nga një botë po të vogël e të veçantë. Herë të bukur dhe fjalë ëmbël si te shoqja e Anës, që jep shpresë dhe kshilla të duhura në të gjitha momentet.

Të vëllait të saj Trimit, një personazh i cili ka të skalitur kulturën brenda vetes, pjekurinë dhe mendimin e pastër dhe të qartë. Ka ndërtuar në mënyrën më të përkryer botën e njerkës së saj, e cila përpara interesit nuk shikon gjë tjetër. Ajo don të gjithë t’i shikojë të vdekur, mjafton që uji të rrjedhi në arat e saj të interesit, për të vaditur jetën dhe dy fidanët e saj.

Autorja fut e nxjerr nga skena personazhet dhe i përdor ata shumë bukur për dramën që ajo ka përgatitur në roman. Ata fjalët i kanë me pikatore, por me peshë në mendim, apo dhe një bombë me sahat për të shkatërruar gjithçka si në rastin e njerkës.

Një gjë shumë e rëndësishme është tema dhe tematika mbi të cilën është ndërtuar vepra.

Kjo i jep në mënyrë të veçantë vlera romanit të saj.

Ngjarja shpaloset në luftën e Kosovës të viteve 1999. Në ato vite sipas mendimit tim, autorja ka qënë një adoleshente, e cila e ka përjetuar nga afër luftën dhe tragjedinë që shkaktoi ajo në jetën e njerëzve në ato vite. Por ndonëse e re, ajo sot i përshkruan skenat aq me vërtetësi, me saktësi, sikur të kenë ndodhur sot. Dhe në fakt, këtu qëndron vlera e saj. Sot bota po vuan të njëjtën dhimbje si në Kosovë.

Romani për mendimin tim ka një veçori. Autorja qëndron gjatë gjithë romanit në rrjedhen e ngjarjes dhe jetës së dy personazheve kryesore. Pa hapur vatra të tjera të cilat do të prishnin dëshirën e lexuesit për vazhdimësinë, por dhe do shpërqëndroheshin duke kaluar në tema të tjera, ashtu si ndodh shpesh nëpër romane. Sot ka ardhur koha që ngjarja e një romani të jetë e koncentruar, dhe shkrimtarja më duket se ia njeh shijet lexuesit të sotëm.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga ngjarja e romanit, sot ajo eshte e prekshme dhe e dhimbshme njëlloj në Ukrahinë, në Gaza etj.

Pra…

Kjo tregon se shkrimtarja Arditë nuk shkruan një roman sa për të dhënë një ngjarje, por ajo pasqyron egërsinë që njeriu mban brenda. Padrejtësitë që njeriu i lig i ka në shpirt dhe deri sa të egzistojë bota romani i saj do ketë të njëjtën dëshirë leximi, të njëjtin mesazh për dhimbjen njerëzore nga padrejtësitë.

Autorja i sakrifikon personazhet e saj sipas një mënyre të vërtetë jetësore, por në fund ajo bën një mbyllje të mënçur me një mesazh të thellë. Njeriu vdes, por duke lënë vazhdimësinë e tij për t’i treguar botës nëpërmjet gojës së rilindur atë që iku dhe atë që bota duhet të dëgjojë dhe mësojë prej saj.

Në mbyllje dua të shtoj se, romani i saj është një vepër artistike e shkruar me shije dhe vërtetësi dhe prandaj mendoj se, vepra e saj është një roman që lexohet me kënaqësi.

Please follow and like us: