Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: “EL PLATINI DEL PROLETARIADO” mbush 60 vjeç…

 

Në shtator 1979, në Finlandë zhvillohet Kampionati Evropian U 15, ku merr pjesë edhe Shqipëria.

Ky kampionat evidentoi disa talente që do të linin shenjë në futbollin botëror… midis tyre ishte edhe “një farë” Marco Van Basten.

Por edhe një futbollist shqiptar do të tërhiqte vëmendjen e specialistëve të futbollit. Ky futbollist 15-vjeçar, i lindur më 15 maj 1964 në Tiranë, me një talent të madh quhej Sulejman Demollari që në pak vite do të bëhej Sulejmani i Madhërishëm i futbollit shqiptar dhe një gazetë spanjolle do ta quante  “El Platini del proletariado”…

Para disa muajsh Federata Rumune e Futbollit e vlerësoi pas një votimi Sulejman Demollarin si një nga futbollistët e huaj më të mirë të të gjitha kohërave që kanë luajtur në kampionatin rumun.

Brezi im është me fat që e kemi ndjekur “live” yllin e shndritshëm të futbollit shqiptar…

Talenti i tij i jashtëzakonshëm, vizioni i lojës, teknika e rafinuar dhe shënimi i golave e bëjnë Demollarin lojtarin më të madh shqiptar të viteve 80-90’.

Ndoshta mund të jetë edhë me i madhi i të gjitha kohërave. Por kjo e fundit është pak e vështirë të pranohet nga tifozëria kryeqytetase e Partizanit apo e Tironës…

Po të ishte lojtar i Tironës… do të kishte monument në qendër të Tiranës… ndërsa po të ishte i Partizanit, vetë gjigandët Resmja dhe Pano do i hapnin rrugën…

E kam ndjekur talentin e tij të dukshëm  që kur ishim fëmijë, kur luante me klasat sportive.

Kemi qenë më pas shokë në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Kam patur fatin që edhe kam luajtur si amator me Demollarin në vitet e gjimnazit.

Shumë sportistë të shquar shqiptarë kanë dalë nga gjimnazi “Qemal Stafa”, por më të mëdhenjtë mbeten Agim Fagu dhe Sulejman Demollari…

Demollari ishte dhe mbeti një njeri model, shumë i thjeshtë dhe shumë modest megjithëse ishte një yll futbolli që në moshën 15 vjecare.

■ Debutoi me gol i në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar në rang klubesh në vitin 1981 në ndeshjen Besëlidhja -Dinamo (0-1)

■ 45 ndeshje (1 gol) me përfaqësuesen shqiptare gjatë viteve 1983-1995

■ Ka debutuar me ekipin përfaqësues më 27 prill 1983 në një ndeshje për eleminatoret e Evropianit 1984, kundër Irlandës së Veriut (0-1).

■ Ka qenë në 18 ndeshje kapiten i skuadrës përfaqësuese.

■ Golin e vetëm me fanellën kuqezi e ka shënuar më 14 prill 1993 në Žalgirio stadionas, Vilnius, Lithuani, kundër Lituanisë (1-3), në një ndeshje për eleminatoret e Botërorit 1994.

■ Ndeshjen e fundit me përfaqesuësen e ka luajtur më 7 tetor 1995 kundër Bullgarisë (0-3) në Sofie, kur hyn në fushë në 86′ në vend të Eduart Abazit.

Në nivel klubesh ka fituar:

☆ 2 Tituj kampion të Shqipërisë: 1985–86, 1989–90

☆ 2 Kupa e Shqipërisë: 1985–86, 1989–90

☆  1 Superkupa së Shqipërisë: 1990

☆  1 Titull kampion të Rumanisë me Dinamo București: 1991-1992

■ 250 ndeshje (100 gola) me Dinamon e Tiranës në vitet 1981- 1991

■ 6 herë  fituesi i anketës së gazetës “Sporti Popullor”, si lojtari i vitit 1983, 1985, 1991, 1992, 1993, 1994.

Vite më parë, në Ministrinë e Shëndetësisë kisha zyrën përballë një këshilltari të OBSH që ishte rumun.

Dr. Havriluk, një personalitet në Rumani, ishte njeri shumë i gjallë dhe me shumë interesa edhe jashtë mjekësisë.

Bisedonim shpesh për letërsinë, kinemanë rumune apo edhe për “karikaturat” e politikës rumune të kohës së Causheskut  që ai  i tregonte me shumë  art…

Më përmendte emra rumunësh të mëdhenj me origjinë shqiptare si Dora D’Istrian dhe familjen e saj shumë të famshme Gjika, historianin e madh rumun Nikolla Jorga, aktorin e madh Jon Karamitru (që u bë ministër I Kulturës në vitet 1996-2000) apo Viktor Eftimiun,  dramaturgun e madh rumun, të lindur në Boboshticë të Korcës… por vinte  veton kur e “ngacmoja” për origjinën e Emineskut.

Kuptohet edhe futbolli kishte vendin e vet në bisedat tona. Një ditë pasi ishte kthyer nga Rumania, gjatë kafes së mëngjesit më foli për Demollarin… Kishte parë një ndeshje derbi midis  Dinamo Bukuresht –Steaau në prill 1993. “Eternul derbi” kishte   përfunduar në barazim…

“Demollari po eklipson Dumitraken” (lojtarin më të madh të historisë së Dinamos së Bukureshtit)  më thotë.

“Është një fenomen, po të ishte pak më i ri patjetër do të ishte në ligat më të mira evropiane”.

Më solli edhe një gazete rumune sportive  ku ishte fotoja e Sulës sonë duke shënuar kundër Steaua në tetor 1991 në fitoren e Dinamos 1-0,  si dhe parrullat e tifozerisë së Dinamos: “Demollari omoara militarii” (“Demollari mbyti ushtarët”).

Atë sezon (1991-1992)  Demollari ishte shënuesi i dytë më i mirë i Kampionatit rumun me 18 gola, pas shokut të tij të skuadrës Gábor Gerstenmájer (rumun me origjinë etnike gjermane si ish portieri Helmuth  Dukadam).

“Nuk kam parë lojtar të tillë mesfushor në kampionatin rumun, shprehej dr. Havriluk… Është më i mirë se Nikolae Dobrin, më i mirë se Ilie Balaçi… Vetëm Hagi është më i madh se Demollari… por e dua shumë Demollarin… ai  është  Viktor Eftimiu i futbollit rumun…”

Me Dinamon e Bukureshtit, në kampionatin rumun,  Demollari luajti 99 ndeshje (36 gola) në tre sezone ku mori vetëm një karton të verdhë…

Ma ka treguar vetë Demollari historinë e këtij kartoni…

Luhej ndeshja Ceahlaul Piatra Nemt-Dinamo Bukuresht, ku vendasit kryesonin  1-0…

Brenda zonës, Demollari pretendon për një 11-metrësh, por Ion Cracinesku, (një ndër arbitrat më autoritarë të Rumanisë, i FIFA-s  që do të drejtonte edhe  finalen e Champions League Milan-Ajaks (0-1)  në Vjenë),  vazhdon lojën.

I nervozuar Demollari e ka ndjekur dhe, në protestë e sipër, e tërheq nga fanella. Ai ka ndaluar lojën duke e ndëshkuar me karton të verdhë kur dihej që një veprim i tillë ishte direkt i kuq.

Pas ndeshjes, janë takuar në hollin e stadiumit dhe ai i ka thënë: “Ç’pate Demo? Të dhashë karton të verdhë vetëm se ishe ti”!

Please follow and like us: