Albspirit

Media/News/Publishing

Mesazhi i samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE: Secili të bëjë pjesën e vet të punës

Kotor (Mal i Zi), 16 maj 2024 – Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet një sinjal të qartë të përkushtimit të Bashkimit Evropian (BE) për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që po mbahet në Kotorr.

Këshilli i BE-së miratoi një plan prej 6 miliardë eurosh për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro kredi të favorshme të garantuara nga BE-ja.

Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë grante dhe 4 miliardë kredi të buta, që do t’i japë BE-ja.

Në samitin e organizuar nga Spajiq, përveç liderëve të rajonit, marrin pjesë edhe Komisionari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji dhe ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Samiti po organizohet nën sloganin: “Një rajon, vizion i përbashkët”.

Mesazhe për liderët rajonalë nga BE-ja dhe SHBA-ja

O’Brien tha se prioriteti i Planit të Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, zvogëlimi i kostove, lehtësimi i lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës:

“Mesazhet e Planit janë që për çdo pjesëmarrës, mesazhi është i qartë – bëje punën tënde dhe mos kërko nga dikush tjetër të bëjë diçka më parë, për të bërë tënden”.

Varhelji tha se Plani i Rritjes nuk është më një draft, por një udhërrëfyes, i cili është i dobishëm për rajonin përpara se të anëtarësohet në BE:

“Për shkak të Planit të Rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, agjenda e reformave dhe ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati, ose mund të jetë gati, ose mund të bëhet gati për t’u anëtarësuar në BE”.

Çfarë thanë liderët rajonalë?

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, tha se vendi ra dakord për 110 reforma nga 113 që ishin propozuar fillimisht nga BE-ja.

“Rruga evropiane është synimi kryesor i politikës së jashtme, për të cilën ka një konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Kristo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar përkushtimin e tij për reformat që duhet të bëhen për të zbatuar Planin.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital të Evropës. Individualisht, ne të gjithë u përfshimë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027”.

Ai theksoi bashkëpunimin në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, “jo vetëm midis rajoneve, por edhe midis rajoneve dhe BE-së”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Plani i Rritjes do të sjellë rezultate të mira në rajon:

“Ne vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për paratë, por më të rëndësishme se paratë, janë reformat strukturore që duhet të zbatojmë dhe këtë e vlerësojmë shumë.

Ai tha se është i bindur se vendet e rajonit nuk do të hyjnë në BE para Ukrainës.

“Inteligjenca ime më thotë se do të jetë kështu. E di që BE-ja është shumë e njohur në vendet tuaja. Jo aq shumë në të miat”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, konfirmoi se janë të përkushtuar për reformat evropiane, duke vlerësuar se për suksesin e formimit të tregut të përbashkët, është i nevojshëm zhbllokimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.

Samiti organizohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.

Në samit marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Botërore, Aleancës Atlantike, komunitetit të energjisë dhe transportit, Fondacionit të Shoqërisë së Hapur etj.

Një ditë para samitit, më 15 maj, u mbajt takimi i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisioni Evropian, Gert Jan Koopman.

Në muajt e kaluar, në Shkup dhe Tiranë janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Problemet bilaterale të vendeve të rajonit

Në samit u diskutua edhe për problemet që rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe të vendeve të rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që në fillim i bëri thirrje Serbisë që të ndjekë penalisht personat përgjegjës për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë terrorist.

“I bëj thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar që vrau Afrim Bunjakun më 24 shtator të vitit të kaluar”, tha Kurti.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon me njohje reciproke janë të nevojshme për paqen, sigurinë dhe integrimin, shtoi Kurti.

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohën pavarësinë e Kosovës.

Temë diskutimi ishte edhe Rezoluta për Srebrenicën, e cila pritet të miratohet më 23 maj në OKB, dhe të cilën Serbia dhe entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, e kundërshtojnë, duke konsideruar se popullin serb e shënon si gjenocid.

Qeveria e Malit të Zi deklaroi mbështetjen e saj për Rezolutën dhe paraqiti dy amendamente, njëra prej të cilave specifikon se faji për gjenocid është individual dhe Marrëveshja e Dejtonit është e pacenueshme.

Duke komentuar qëndrimin e Malit të Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e sheh kuptimin e Rezolutës, sepse fajësia individuale për atë krim tashmë është përcaktuar me aktgjykime (të Gjykatës së Hagës):

“Të gjithë duhet të marrin një vendim (për mbështetjen e Rezolutës) dhe ne do të veprojmë në përputhje me të”.

Sipas tij, bëhet fjalë për vendosjen e fajit kolektiv (në popullin serb).

Rezoluta do të shpallte 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë në korrikun e vitit 1995, gjë që Gjykata Ndërkombëtare në Hagë e cilësoi si gjenocid për të cilin u dënuan më shumë se 50 persona.

I pyetur nëse Mali i Zi do të votojë në favor të Rezolutës për Srebrenicën dhe nëse gjenocidi në Srebrenicë është i padiskutueshëm, Spajiq iu shmang një përgjigjeje konkrete, duke thënë se “këtyre pyetjeve u janë përgjigjur shumë herë”.

“Ne e kuptojmë dhimbjen, temat e rënda nga e kaluara, por më vjen shumë mirë që të gjithë po përballemi me të ardhmen dhe atë që na bashkon, përkatësisht ekonominë dhe integrimin evropian”, tha Spajiq.

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe që mbështesin Qeverinë e Spajiqit dhe që e kundërshtojnë Rezolutën për të njëjtat arsye si Serbia, kanë paralajmëruar se do të propozojnë miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Jasenovac.

Jasenovaci është një kamp në Kroaci, ku sipas të dhënave zyrtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë gati 48 mijë serbë, 16 mijë romë dhe mbi 13 mijë hebrenj.

Me atë rast, Kroacia i dërgoi një notë proteste Malit të Zi, duke e vlerësuar nismën si politizimin e Jasenovacit dhe manipulimin e viktimave.

I pyetur nëse Mali i Zi ka nevojë për një zgjidhje për Jasenovacin, Varhelji tha se ai nuk dëshiron të ndikojë në çështjet e brendshme, por theksoi se Ballkani mund të kthehet lehtësisht në shkatërrim kur diskutohet historia.

Spajiq tha se mendon se “në të ardhmen do të zgjidhen të gjitha problemet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.

Varhelji theksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për çdo kandidat për anëtarësim në BE.

(Radio Evropa e Lirë)

Please follow and like us: