Albspirit

Media/News/Publishing

INTERVISTA E DIELLIT- 7 PYETJE PËR IRIS HALILI

Në intervistën e radhës, gazetarja Marjana Bulku, sjell historinë e intelektuales Iris Halili, e cila si qindra mijëra shqiptarë la Atdheun për një jetë më të mirë, duke emigruar në Florida, SHBA. Iris ka përfunduar studimet me Medalje Ari në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji. Pas studimeve ajo u emërua pedagoge e Letersise Moderne aty ku studio. Po si rrodhi jeta e saj më pas? Ndiqeni intervistën:

Marjana Bulku: Zonja Iris, ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009. Çfarë do të thotë për dikë që ka invenstuar aq shumë intelektualisht ta nisë jetën në një tjetër vend?

Iris Halili: Historia e ardhjes sime në SHBA është më shumë një imponim i fatit sesa një zgjedhje e shumë kërkuar. Në vitin 1994 pasi përfundova me medalje ari studimet në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji u emërova pedagoge e Letërsise Moderne po aty. Ishte realizimi i asaj që unë kisha ëndërruar përpara se të hyja në fakultet, vite kur babai im mjek përpiqej të më mbushte mëndjen të studioja mjekësi, por unë ndoqa pasionin e letërsisë pasi e dija që do shkëlqeja në këtë degë te cilën e kisha dhe e kam vërtet për zemër. Në vitin 1996- të një mikja ime e ngushtë që kishte ardhur në NY, SHBA më ofron mundësine të vija këtu me studime masteri në kuadër të projekteve për Europën Lindore, studime që ajo vete kishte mundur t’i realizonte. Unë nuk e mora seriozisht në konsideratë këtë ftesë pasi në atë kohë nuk mendoja të vija në Amerikën që më dukej shume e largët. Aq e vërtetë është kjo sa edhe kur mu dha mundësia  të zgjidhja një qytet të botës për të studiuar në kuadër të bursës një vjeçare që fitova si ambasadore e Rotary Club për vitet 1999-2000 unë zgjodha Romën (Italinë) dhe jo SHBA. Ishin vite të bukura për Shqipërinë fillimet e viteve 90, ishin vite me shpresë, me idera  utopike dhe optimiste për një Shqipëri për të cilën të gjithë mendonim se shumë shpejt do të bëhej si gjithë Europa.

Por sikur sygjerojnë teoritë e fateve, çfare do të besh nuk i shpëton dot destinit tënd të shkruar. Në vitin 1998,  babai im më thotë “Provoje dhe ti fatin e llotarisë amerikane moj bijë”. Kështu në vitin 1999 unë e fitova “Green Card” dhe ardhja ime ne SHBA u nis si për të provuar fatin. E konsiderova këtë shans për gati 9 vjet si një vizë turistike që më sillte shpesh tek vendi i parë i botës, por pa menduar se do jetoja në të, ndonëse djali i vetëm kishte lindur këtu. Por ja që në 2009 erdha ku destini kishte vendosur tashmë. Nëse në 1998 applikova jo se nuk shihja shpresa tek vendi im, në 2009 ika pa pasur ndonje  iluzion se ai po përparonte  me hapet që ne kishim ëndërruar; ika me shpresa të vrara. Unë isha 37 vjeç kur lashë vendin. Jo shumë e re për ta nisur nga hiçi por jo aq e vjetër për të mos patur ambicje vazhdimësie. Emigrimi kudo të jetë është një aventurë e njerëzve të guximshëm, pasi ne dime se çfarë lëmë por ne nuk dimë se çfarë gjejmë. Çështja është se kur shkon vizitë turistike në një vend të huaj apo jeton dy a tri muaj atje, njeriu njeh vetëm majën e ajsbergut të kulturës së vendit mik, atë anë të dukshme dhe që në përgjithësi është eksituese, por kur fillon dhe jeton, atëherë ndeshesh me dy anët e tjera të ajsbergut kulturor që antropologu Eduard Hall do t’i quante pjesën e padukshme kulturore dhe bërthamën kulturore. Janë pikërisht këto dy anë të panjohura të kulturës së vendit mikpritës që e bëjnë emigrimin shumë të vështirë. Kultura që ne mbartim që kur lindim së bashku me gjuhën që ne flasim përbëjnë shumatoren thelbësore të asaj si ne reagojmë apo realizojmë vetveten në një mjedis si të njohur si të panjohur. Të emigrosh do të thotë të shtypësh dhe ndrydhësh pak nga pak forma të kulturës tënde dhe të fillosh të reagosh sipas kulturës/kulturave dominuese të vendit mik dhe kjo është pak a shumë hapi i parë që të bën të mbijetosh larg vendit tënd. Këto “shtypje” nëse do të përdornim këtu gjuhën Frojdike, janë eksperienca të provuara prej çdo emigranti.

Marjana Bulku-E integruar më së miri në jetën amerikane a mund të na përshkruani këtë proces parë nga prizmi personal?

Iris Halili: Emigrimi të le mundësinë të zgjedhësh një nga tri rrugë:  Ose do të asimilohesh, ose do të margjinalizosh, ose do të  integrohesh. Asimilimi është qesharak dhe nëse do të duhet të dallojmë një emigrant të tillë pikasim ata indvidë që hiqen sikur kanë ardhur nga një planet tjetër. Këta besoj unë kanë edhe neurozat më të larta pasi është krejt e pamundur të përthithësh kulturën e vendit mik deri në bërthamë  apo të “shtypësh” në maksimum kulturën tënde pa pësuar apo provuar një stres të brëndshëm. Nga ana tjetër margjinizuesit janë ata që përçmojnë  vendin mik/pritës nga mëngjesi deri në mbrëmje. Edhe këta janë në dramë neurotike pasi janë as këndej as andej dhe bëhen të besdisur jo vetem me veten por dhe me të tjerët rreth e qark, pasi edhe ata vetë nuk i besojnë ata që thonë dhe mbi te gjitha edhe po të shihet në aspektin etik apo moral nuk funksionon asnjëherë të urresh mjedisin ku pi ujë, pasi asnjëri nuk të ndalon të kthehesh atje ku uji të duket më i pastër dhe njerzit më të mirë.

Une mendoj se integrimimi është edhe hapi më i arrirë që duhet të realizojë çdo emigrant dhe besoj se integrim do të thote adaptim me kulturën vendase por pa përjashtuar as kulturën tënde. Në proçesin e integrimit transferojmë natyrshëm kulturën e vendit nga vijmë por njëkohësisht përpiqemi të adaptohemi me kulturën ku jetojmë dhe punojmë pa mohuar dhe përjashtuar vlerën e asnjërës, pasi nuk ka kulturë të mirë apo të keqe, ka vetem kulturë që e kuptojmë apo jo. Këtu do të shtoja se për një emigrant në SHBA integrimi nuk është më pak i vështirë se një vend tjetër. E di që kjo do të duket paradoksale, por le të marrim një shembull që besoj do tju bind. Çështja është se emigrantit nuk ia lehtësojnë jetën aq shumë ligjet antiraciste dhe gjithëpërfshirëse të qeverive sesa kontakti i përditshëm me njerëzit. Kjo do të thotë se duke qenë një vend ku jetojnë qindra kultura, sapo del nga dera do të ndeshësh jo me një kulturë por me gjithçfarë lloj kulturash që kanë emigruar këtu. Kjo të çon në konkluzionin se “shtypja” e kulturës mëmë dhe konflikti mes kulturave tek një emigrant që jeton në SHBA është shumë më i madh se e një tjetri që jeton fjala vjen në Greqi.  Mua më qëllon të punojë me më shumë se 15  kultura të ndryshme dhe të ndaj mënyrën si shpreh mendimin në forma të ndryshme pasi ajo që quhet normë për amerikanët nuk është për latinët, apo zezaket apo aziatikët. Dhe i gjithe ky adaptim është në veprim 24/7 në çdo ditë të vitit, jetës, punës , shoqërimit, komunikimit, etj.

Nga ana tjetër duhet thënë se ka dy kategori emigrantësh, ata që kanë emigruar duke lënë një të shkuar të arrirë në vendin amë dhe ata që nuk e kanë lënë një të tillë.  Kur emigron ti sjell me vete gjithë çke qënë, por drama që përjeton në fillesat e emigrimit është se ti duhet të njehsohesh si gjithë emigrantët e tjerë paçka se çfarë ti apo ata përfaqësoni individualisht! Kështu që rrjedhimisht të duhet shumë punë, investim tek vetja dhe familja apo vite shkolle dhe rritje profesionale që të imponohesh në realitetin e ri. Çdo gjë qe ke bërë më parë është në letra e respektuar, por vetem kaq.

Integrimi është proçes i gjatë që nuk rresht kurrë dhe të suprizon në çdo çast. Sikur fëmija që çdo ditë që rritet mëson diçka të re edhe emigranti sa më shumë jeton në një kulturë tjetër ndeshet me diçka të re krejt të paditur më parë. Emigranti është kështu një adult që kur emigron i duhet të ripërsëris në një farë mënyre proçesin e fëminisë së tij pasi çdo ditë i duhet të mësoje diçka të re nga kultura e vendit mik/prites apo kultura e njerëzve përreth. Sot flitet apo vlerësohet por edhe anatemohet shume globalizmi, por në thelb çdo emigrant nuk është gjë tjetër vetëm se një globalist që në momentin që ka vendosur të ndërtojë jetën e tij përtej asaj ku është rritur, vendos t’i bashkojë/pranojë kulturat dhe jetojë mes tyre në harmoni. Globalizmi është pranim, afrim, sheshim por edhe shtypje se nuk mund të pranosh tjetrin por nuk hoqe pak nga vetja. Unë mendoj se kjo botë e sheshtë në të cilën po jetojmë do i afrojë njerzit më shumë se çdo kohë e mëparshme dhe mendoj se kështu si po ndërtohen hapjet mes kulturave dhe vendeve emigranti i pas 100 viteve nuk do i ketë më veçoritë e emrit që sot e përcakton si të tillë.

Ndërkohë pyetjes a kam bërë mirë që kam emigruar, do ti përgjigjesha pozitivisht, pasi unë mendoj se në SHBA konkurrenca funksionon në një hapësirë më të madhe se në Shqipëri, ose të paktën krahasur me si po funksionojnë gjërat së fundmi atje. Si rezultat edhe mundësitë individuale ne SHBA janë më të mëdha. Plus komoditetet, mundësitë dhe dijet që të ofron jeta këtu janë padiskutim më të arrirat në botë, kështu që edhe shpresat duket sikur nuk vdesin kurrë.

Duhet pranuar se ne këtë jetë gjithkush lufton me të përditshmen, dikush për mbijetese fiziologjike, dikush për atë psikologjike e dikush për atë të vetëafirmimit personal, seicili sipas fatit të tij, llojit të tij apo zgjedhjes së tij. Unë mendoj se plotësimin final në jetë nuk ta jep vetem vendi ku jeton por më shumë ajo çka çdo njeri ka ndërtuar apo ndërton brenda vetes, ka vendosur në raportin me veten, të tjerët dhe botën e jashtme si dhe sa mundohet t’i shmanget faktorëve determinues që tentojnë të pengojnë progresin e tij personal.

Marjana Bulku: Iris, studente ekselente, pedagoge, këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studiuse e letërsisë. Çfarë ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që ju i keni ezauruar në Shqipëri? 

Iris Halili: Të gjitha kanë mbetur vitale, asgjë nuk është shuar. Unë nuk besoj tek teoria e shuarjes por thellësisht besoj tek teoria e transferimit. Dashuria për letërsine është trensferuar në çdo gjë timen, në pasionin që unë kam për çdo disiplinë humane dhe për humanizmin si të tillë, apo në  mënyrën si jetoj, mendoj, flas, shkruaj, komentoj,ndiej etj.  Prej saj duket të jetë marrë përshëmbull rëndësia që unë i vë detajeve, kuptimi dhe interpretimi që u bëj karaktereve jetësore dhe mbi të gjitha shfaqet tek natyra ime pasionante të cilën kurrë nuk e kuptova nëse  ishte kjo natyrë që më çoi tek letërsia apo ky ishte një proçes i kundërt. Po kështu puna në qeveritë shqiptare dhe pranë presidentit si dhe mundësia që mu dha kësisoj për të takuar shumë liderë botërorë dhe qenë e pranishme në shumë tavolina ku luhej politika më rriti kërshërinë të studioja master dhe doktoratë për lidership në SHBA. Falë këtyre studime isha në gjëndje të hyja në tregun e punës amerikane duke realizuar kështu aspiratat që kisha. Tek këto studime hasa gjithashtu se letërsia dhe teoritë e lidershipit kanë një të përbashkët thelbësore: të dyja merren me karakterin e individit apo natyrën e rrethanave që përcaktojnë zgjedhjet apo vendimet e tij, si dhe të dyja përpiqen të zbulojnë edhe detajet më të vogla pas të cilave fshihen veprimet më sinjifikante. Të gjitha këto dije apo eksperienca janë transferuar dhe transferohen tek unë në forma nga me të ndryshmet, herë vetvetishëm e herë pavetvetishëm. Në rastin tim une as nuk dua te shkëputem nga a shkuara ime, por as nuk dua të jetoj me të; sikur nuk dua të jetoj duke bërë planifikime të detajuara për të ardhmen. Unë ndjek porosinë e Virginia Vulfit: jetoj momentin, pasi jeta në fund përmblidhet si një grusht momentesh, përqëndrohem tek e tashmja dhe mendoj se çdo ditë e jetuar me dashuri për jetën është një ditë e bekuar.

Marjana Bulku: E bindur që jeni nga ato që i mbani sytë nga Shqiperia, si do na i përshkruani atë që sheh sot syri juaj i mprehtë, kritik , vizionar?

Iris Halili: Shqipëria sot është në një stanjacion korruptiv. Kjo ka shumë arësye: nga të gjitha anët kemi një lidership të dështuar që ka ndërtuar një mjedis  të korruptuar; një lidership aspak frymëzues apo transformues. Nga ana tjetër kemi një shoqëri shqiptare që prej shumë vitesh është  gënjyer dhe zhgënjyer deri në palcë. Kjo ka ashpërsuar zemrat e shqiptarëve dhe i ka bërë ata të bien në apati, pasi duket se çdo zgjedhje e tyre përfundon po njëlloj në qeveri të korruptuara. Shqiptarët janë dorëzuar ndaj çdo lloj force për veprim apo aq më keq akoma kanë humbur dëshirën për veprim, shtoji këtu faktin që si kulturë ne kemi qënë gjithmonë të ngadaltë në pranimin e ndryshimit dhe e kemi parë veten shumë larg nga pushteti.

E hapur tashmë tërësisht ndaj botës, realitetitit shoqëror shqiptar i është imponuar edhe një fenomen bashkëkohor. Njerëzit sot kudo që jetojnë duket sikur shqetësohen vetëm për suksesin, famën  dukjen  personale dhe sillen të gjithë sikur të jenë zotër,  por në fakt më shume janë kthyer në sende pasi ajo çka i frymëzon apo i bën të veprojnë është posesimi i sa më shumë sendeve. Njerëzit kanë humbur komunikimin shpirtëror mes njëri- tjetrit. Teknologjia ka pjesën e vet të përgjegjësise në këtë dramë kolektive. Gjithkush nga ne e vërtit jetën e tij tek drejtëkëndëshi kompjuterik, apo drejtëkëndëshi telefonik! Sapo ngrihemi në mëngjes gjëja e parë që ne bëjmë është t’i drejtohemi telefonit drejtëkëndësh; pyesim Aleksën si është moti pasi përtojmë të dalim deri ne ballkon e ta vlerësojmë vetë atë!  Shkojmë në zyrë dhe përpara se të përshëndesim kolegët hapim fillimisht kompjuterin po drejtëkëndësh.  Kthehemi në shtëpi dhe komunukimin e parë e kemi tek hapim TV po drejtëkëndësh. Lidhemi me të dashurit apo miqtë, të afërmit apo kolegët sërisht e gjithmonë e më shumë me tekste nëpërmjet hapjes së nje drejtëkëndëshi telefonik që duket sikur mbart brenda gjithë jetën tonë inorganike, që në fakt është jeta e cila drejton gjithë ditën tonë dhe të cilës ne i kushtojmë pjesën më dërmuese të kohës. Vetvetishëm jeta jonë është futur në një drejtëkëndësh nga i cili unë se di se si do të mund të dalim dot. Ne rendim të ushqehemi me ushqime organike, kur ndërkohë kemi humbur të komunikuarit apo reagimin organik. Ne të gjithë këtë përqëndrim drejtëkëndor ajo që ka humbur më shumë është dashuria organike në çdo drejtim të fjalës, ajo vëllazërore, miqësore, për fqinjin, për vendin, për kolegun, për tjetrin, etj etj.  Kjo mos kërshëri ndaj dashurisë organike i ka kthyer  njerzit në makina, i ka bërë ata  apatikë. Çdo gjë e zgjidh një algoritëm, një inteligjencë artificiale që e ben mëndjen humane dembele dhe jo pjesëmarrëse. Mbi të gjitha këto forma kanë zbehur dashurinë njerzore, pasi dashuria pikë së pari është emocion gjallor, komunikim real me shumë se virtual. Ne jemi kthyer padashur në sllever të atyre institucioneve apo normave që i kemi krijur apo lejuar po vetë të na drejtojnë dhe sot institucioni qëndror që determinon jetën tonë është teknologjia dhe social mediat që ajo ka prodhuar. Kriza e pandemisë së Covidit i dha një shtysë edhe më të fortë kësaj jete mekanike pasi e largoi edhe më shumë njeriun nga njeriu. Sado i madh determinizmi që na ofrohet ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe të mos lejojmë të humbin njeriun brenda nesh dhe te mos lejojmë zvetnimin e tij. Sot ndoshta askush nuk e parashikon qartazi si do të jetë e ardhmja, por unë i besoj teorisë  që njerëzit që të arrijnë një farë ekuilibri në ekzistencen e tyre kurrë nuk duhet të heqin dorë apo humbasin atë çka e bën njeriun – njeri dhe  ky është vetëm humanizmi si i tillë, veprimi i zemrës dhe shpirtit njerzor ku dashuria ka vlerën më të lartë. Në çdo shkallë që ka arritur njeriu është shoqëruar gjithmonë me shumë hapa të panjohur dhe shumë kundërshti ambigue, por sërisht ai ia ka dalë dhe kjo kur ka vendosur pikë së pari si prioritet ruajtjen e species së tij.

Po t’i kthehemi rastit shqiptar duhet thënë se vendi nuk ishte apo është i përgatitur për këtë krizë post moderne të komunikimit pasi ai ende nuk i ka kaluar fazat e kapitalizmit modern apo post- modern. Ka shumë shance që edhe si rezultat i kthesave  te tilla që po jeton, shoqëria shqiptare të jetë bërë edhe më apatike dhe njëkohësisht edhe më ashpër sikur ndodh shpesh kur të duhet të hasesh me eksperienca jetike të parakohshme, apo të menjëhershme apo që nuk kalojnë natyrshëm të gjitha fazat.

Une mendoj se për aq kohë sa shoqëria shqiptare nuk do të dalë nga apatia, të sfidojë ashpërsimin që i ka pllakosur zemrat dhe të mos shkojë në zgjedhje për të vendosur “të keqen e mirë”, fatkeqësisht këtë situatë do të duhet ta shikojmë gjatë.

Marjana Bulku: Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta  quajme ‘ të humbur’ I ’90, ka një rol të madh në shembjen e komunizmit. A mendoni se ka ende hapësirë dhe mundësi për ta zhvilluar vizionin e mbetur përgjysmë?

Iris Halili: Unë nuk besoj se ne jemi një brezi i humbur, përderisa me kohën tonë lidhen shumë momente kyçe të historisë botërore dhe ne nuk ishim thjesht spektatorë por aktorë aktive të saj.

Ne jemi gjenerata X (1964-1980), pikërisht ajo gjeneratë që pasuam të ashtuqujturën gjeneratë të “baby boomers”. Ne u rritëm në paqe me prindërit qa na varnin çelësin në qafë! Kjo na bëri një gjeneratë të përgjegjshme, që di si ta ruajë çelësin dhe si të hapë derën atëherë kur dhe si duhet. Në 1990 ne dolëm të gjithë në sheshe dhe kërkuam “Shqipërinë si e gjithë Europa”, ne hapëm derën e Shqipërisë së lirë dhe ky mbetet akti ynë më i arrirë dhe me sa duket në Shqipëri kjo mbeti fitorja jonë më e madhe, pasi më pas duket sikur ne i lëshuam fatet në dorë të “baby boomers”, ndoshta ngaqë ata na u dukën më të përgjegjshëm.

Ne jemi brezi që mbijetuam në të gjitha shkallët e revolucionit teknologjik. Shkollën e ndoqëm duke marrë leksione me penë në fletore 5 lekëshe, por punën e filluam kur u desh të shkruanim me kompjuterin që sapo ishte zbuluar dhe më pas vazhduam pa ndërprerë kur na u desh të komunikonim me email dhe tani jemi forcë e rëndësishme e integruar e tregut të punës dhe në gjendje të aplikojmë çdo të re teknologjike që na ofrohet. Të mos harrojmë se dhe kokat e teknologjisë post- moderne janë të gjithë pak a shumë nga gjenerata X.

Ndonëse ne jemi sërisht të lidhur shpirtërisht me vendin, unë mendoj se tashmë më e mira për Shqipërinë është të vijnë në drejtim, gjeneratat e reja pasi janë ata që nuk mbartin zhgënjimet dhe ashpërsinë e të shkuarës dhe si rezultat do i bashkojnë më shumë shqiptarët drejt një të ardhmeje të shumëpritur dhe do të mund të sjellin një lidership transformues.

Marjana Bulku: Sa herë ka festa unë hedh sytë nga Irisi, zonjë, amvisë, klas, plot shije e sharm ku nuk është vetëm cilësia e jetës ajo që bie në sy. Është gjithë ky rregull, finesë e trashëguar apo kultivuar? 

Iris Halili: Këtë model e kam parë tek gjyshja, e kam parë tek mamaja ime dhe mundohem ta përcjell në familje si tradite dhe dhunti. Mua gjithmone më kanë pëlqyer mjediset klasike pasi mendoj se mbartin apo janë në gjëndje të shprehin shumë histori dhe shume kujtime në të njëjtën kohë. Më pëlqen të udhëtojë dhe të them të drejtën edhe kam patur fatin të vizitoj në shumë vende të botes. Gjithmonë kam patur kërshëri të njoh traditat dhe zakonet e ndryshme dhe mendoj se ana festive e çdo vendi rrëfen shumë për nivelin e ndjeshmërsie në atë kulturë.

Përpiqem që çdo festë ta konsiderojë dhe organizojë deri në detaj dhe tek çdo e tillë  përpiqem të vendos një mendim apo ndjenjë. Shpesh edhe mënyra si e vendosim pecetën në një tryezë flet sa dashuri dhe mikpritje ka ne të. Festat janë pothuaj çdo vit po të njëjtat, por jo çdo vit ka qënë i njëjti për nga kujtimet që na le apo çastet që na ka sjell. Kjo do të thotë që çdo trapezë duhet të jete autentike e atij viti. Përshëmbull tavolinën në darkën e Thanksgiving 2020 unë e realizova me motive druri, dhe për këtë kisha një mesazh. Në një vit Kovidian si 2020-ta ne patëm edhe më shumë shanse të rrinim pranë dhe vetëm me natyrën dhe kështu të kuptuam edhe një herë sa e papërsëritshme mbetet ajo në energjinë që të jep dhe paqen që të afron.

Marjana Bulku: Studentëve shqiptarë jam e bindur që u mungon metodika, mjeshtëria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike. Si mund ta plotësoni këtë boshllëk?

Iris Halili: Unë gjithmonë e kam dashur audiencën dhe e kërkoj atë kudo të jem. Lidhjet me studentët i mbaj të gjalla pasi ishte një kohë që si të thuash ishim gati moshatarë dhe ne zbulonim së bashku magjinë e shpjegimit apo interpretimit letrar. Une jam shumë krenare për ta dhe gëzohem kur i shoh të realizuar në jetë dhe karrierë dhe e lumtur vë re sesi letërsia i ka ndihmuar të mbeten gjithmonë intelektualë me njohje mbi dijet humane dhe mbi të gjitha njerëz me zemër të madhe. Ndërkohë përpiqem të jem aktive në shyp dhe botoj më shumë me drejtim nga lidershipi por edhe mbi probleme sociale, politike, letrare. Përpiqem modestisht të jem prezente me artikuj, libra, analiza jo për famë por për të thënë sinqerisht mendimin tim. Nëse ikën një apo dy ditë pa shkruar, mëngjesin e tretë e ndiej se nuk kam qënë vetvetja.

Unë besoj tek shprehja hapur e të vërtetës dhe mendoj se njerëzit lartësohen sa herë nuk rreshtin së thëni atë. Këtë parim e konsideroj si shtysën kryesore në çdo rresht që shkruaj, në çdo hap që hedh apo dhe komunikim që bëj. Sikur na mëson edhe Erik Fromi: “Gënjeshtrat mund të na bashkojnë në një parti, por përfundimisht vetëm e vërteta mund ta udhëheqë njeriun drejt lirisë”. Dhe unë mendoj se vetëm një njeri i lirë është një njeri i realizuar për veten, ata që e rrethojnë si dhe mjedisin ku jeton.

https://gazetadielli.com/intervista-e-diellit-7-pyetje-per-iris-halili/?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR0v1zck3NPwuvUafgM1PgR60wUNkiNYchTFZRaVne-YOXb-2rRqJ5imqcM_aem_AXyHJcxFZO3p9vjzcyTAuowCFobZz1YqLw9VtNTk2nh4vM-KKI1EhSBIzoGsGBJhbd-CYUJF1k09hBL2woQjTWLJ

Please follow and like us: