Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Të mësojmë nga tragjedia e Ukrainës!

Pas rrëzimit të murit të Berlinit edhe populli i Ukrainës vendosi për demokracinë. Ukraina dhe Rusia quheshin deri në atë kohë si popuj vëllezër (në fakt janë shumë të afërt në gjuhë dhe zakone), kanë të njëjtën fe, faktikisht kishin të njëjtën kishë, vetëm tani pas fillimit të agresionit rus kisha e Ukrainës u nda zyrtarisht nga ajo ruse. Po të përmendnim të gjitha faktet që tregojnë afërsinë dhe ato që kanë të përbashkëta Ukraina dhe Rusia, lista do të na dilte shumë e gjatë. Megjithatë ukrainasit e njihnin mirë “vëllain e madh rus”. Për këtë arsye politikanët që ishin në pushtet ishin të bindur se e vetmja garanci për sigurinë e Ukrainës ishte forcimi i ushtrisë së saj. Ata deklaronin se ushtria e Ukrainës duhet të ish aq e fortë saqë Rusia të mos guxonte t’i sulmonte. Për këtë ata ishin të vendosur se armët atomike që ishin në territorin e Ukrainës duhet të mbaheshin, madje të modernizoheshin. Vetëm në qoftë se Ukraina do të kish armë atomike, vetëm ky fakt ishte garanci për sigurinë e Ukrainës, deklaronin ata. Ndërkohë që Rusia kërkonte me insistim rikthimin e këtyre armëve në Rusi si kusht për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Për për një kohë të shkurtër Perëndimi mbështeti Ukrainën. Por mjerisht më vonë politika e perëndimit ndryshoi. Tani de fakto politika perëndimore filloi të ndikohet nga klane që vetquheshin liberale. Këto klane mohonin hapur parimet tradicionale jo vetëm të politikës e parimeve të saj, por deklaronin se edhe konceptet tradicionale të kombit dhe të familjes ishin vjetëruar dhe duhet të ndryshonin. Në librat dhe traktatet e teoricienëve të këtij klani deklarohet se paqja e mirëqënia e vërtetë në botë do të arrihej vetëm duke zhdukur barrierat ndarëse, prandaj armiqtë e dikurshëm duhet të zhduknin barrierat, të hapnin portat. Shtetet e kombet që kishin qënë viktimat e ish Bashkimit Sovjetik tani duhet ta harronin të kaluarën. Të mos kërkonin nga ish diktatorët që të jepni llogari për krimet e tyre. Përkundrazi ata duhet tu hapnin portat në gjithçka. Kjo do të bënte që vetë diktatorët të vinin e t’u kërkonin vetë falje një ditë, të shtyrë nga ndërgjegjja e tyre. Këto teori, në fakt ishin në një masë të madhe të huazuara nga sekte e fe lindore.

Kështu nën ndikimin e këtyre ideve dolën teoritë “Wandel durch Handeln”, u krijua koncepti i marëdhënieve ekonomike midis  Europës dhe Rusisë, Kinës, etj dhe kështu do të ndryshonte natyra agresive e këtyre shteteve diktatoriale. Kina dhe Rusia ditën ta shfrytëzojnë mirë këtë verbëri të politikës Perëndimore në favorin e tyre. Këtë po e bën shumë me shkathtësi dhe efektivitet edhe sot Aleksander Vuçiç.

Diplomatët perëndimorë, në ato vite, mundën të bindin (apo të korruptonin) shumë nga  politikanët e Ukrainës se miqësia me Perëndimin ish garanci e plotë për sigurinë kombëtare të Ukrainës. Ata politikanë që nuk u bindeshin ideve të reja liberale izoloheshin dhe faktikisht u larguan nga politika. Kështu Ukraina i ndoqi me besnikëri këshillat e diplomatëve perëndimorë, dorëzoi vullnetarisht armët bërthamore dhe ‘fjeti në dafina’ duke besuar në mbrojtjen e sigurt nga Perëndimi deri sa u zgjua një ditë nga sulmi rus në Krime. Ngjarjet e mëvonshme nuk ka nevojë t’i komentojmë…. Shumë vetë sot në Ukrainë thonë: “Sa mirë do të ish sikur të kishim dëgjuar këshillat e politikanëve që na këshillonim të mbanim arsenalin e armëve atomike! Sa mirë do të ish të mos ishim përulur ndaj presionit të politikanëve perëndimorë”!

Sot Kosova e gjithë shqiptarët ndodhen nën të njëjtin presion si Ukraina dikur. Mjerisht politika perëndimore nuk ka mësuar nga dështimi tragjik në Ukrainë. Eksperimentin që dështoi në Ukrainë duan medoemos ta përsëritin edhe një herë në Kosovë e me gjithë kombin shqiptar. Diplomatët perëndimorë insistojnë që për rregullimin e marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ndiqen të njëjtat parime që u ndoqën dikur për rregullimin e marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Rusisë. Atëherë Ukrainës i bëhej presion t’i nënështrohej kërkesave të Rusisë, sot Kosovës i bëhet presion të plotësojë kërkesat dhe të kënaqë orekset e Serbisë. Rusia kërkonte që Ukraina të dorëzonte armët bërthamore, që në të ardhmen të kish mundësinë ta pushtonte ushtarakisht. Sot Serbia kërkon krijimin e asociacionit të komunave ku jetojnë serbët që më vonë të ketë mundësinë t’i shkëputë legalisht nga territori i Republikës së Kosovës, pse jo, edhe pushtojë e t’i marrë ushtarakisht këto komuna, praktikisht të gjithë Kosovën. Pregatitjet ushtarake po bëhen që sot.

Edhe ne na thonë, na garantojnë, ashtu si garantonin diplomatët perëndimorë Ukranën dikur. Na thonë mbrojtja jonë është e sigurt, pasi na mbron BE-ja. Madje siguria më e madhe është fakti se me tu futur gjithë rajoni i Ballkanit në BE gjithshka automatikisht do të ndryshojë. Politikanët që janë puthadorë ndaj qëndrimit të politikës prendimore mbështeten, ata që i kundërvihen luftohen, stigmatizohen. Bëhen të gjitha përpjekjet për ti larguar nga pushteti. Pyetja shtrohet:

A do ta lejojnë shqiptarët të manipulohen e të mashtrohen?

Cilin do të mbështetin?

A duhet t’u nënështrohemi presionit të klanit liberal të politikanëve perëndimorë sot dhe të bëhemi pre i eksperimenteve të tyre, apo duhet të rezistojmë të presim të vijnë në pushtet politikanë të tjerë që do të zbatojnë politika të tjera?

Please follow and like us: