Albspirit

Media/News/Publishing

KUVENDI MADHOR I SHQIPTARËVE NË MESIN E SHEKULLIT XX

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në çdo muaj Maj për Përmetin dhe mbarë shqiptarinë kujtohet kuvendi me aromë lufte e baroti. Çdo 24 Maj sjell në vëmëndje një ngjarje madhore të messhekullit të kaluar që është bërë simbolika e vendimmarrjes historike të formacioneve luftarake antifashiste partizane dhe drejtuesve të UNÇSH. Ky vit është i veçantë, sepse lidhet me 80 vjetorin e kësaj ngjarje. Kongresi i Përmetit ishte ngjarje vendimtare e luftës antifashiste të shqiptarëve, një kuvend që riformatoi e çimentoi vendimet dhe idetë e platformës së Konferencës së Pezës që më 16 shtator 1942. Lufta e formacioneve partizane  kishte bërë që të piqeshin plotësisht kushtet për një Kongres të Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri. Kongresi i Përmetit saktësoi direktivat për kalimin në stadin final të kësaj lufte, për çlirimin e plotë të vendit. Vizioni i Kongresit shkoi përtej çlirimit të vendit, duke hedhur themelet qeverisëse të Shqipërisë lirë, pas shporrjes së pushtuesve nga trojet shqiptare. Me vendimet e Përmetit u shkrua një copëz e historisë dhe luftës së shqiptarëve. Në kujtesën e popullit Përmeti prej 80 vitesh thirret “qyteti i Kongresit”, ndryshe sot quhet qyteti i trëndafilave dhe i mirësisë njerëzore.

Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare përballuan me sukses operacionin e dimrit (1943-1944), që ishte një mësymje e koordinuar kundër tyre nga ushtria pushtuese gjermane dhe kolaboracionistët vendas. UNÇSH mbijetoi dhe rezistoi operacioneve të dimrit dhe të qershorit që pritjej pas kongresit. Lufta u konsoliduar si forcë e rëndësishme luftarake, ndërkohë që në fillimet e pranverës 1944 ajo filloi të zgjerohej me shpejtësi dhe po shtrihej në të gjithë hapësirën  shqiptare. UNÇSH-ja ishte  shtuar fuqishëm me brigada të tjera partizane e disa batalione partizane por dhe teritoriale si dhe çeta lokale partizane.

Kongresi i Përmetit ishte një takim i drejtuesve të luftës partizane që vinte frymë lirie, erë baroti dhe zhvillohej në kulmin e luftës antifashiste nga  24 deri më 28 maj 1944. Kongresi i Përmetit zgjodhi një qeveri provizore. Ndërkohë që në kongresin e Përmetit morën pjesë 188 delegatë, që përfaqësonin gjithë trevat shqiptare nga Shqipëria e Veriut dhe e Jugut, 18 delegatë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm e të Këshillit Nacionalçlirimtar; 25 delegatë nga Korça, 48 nga zona e I Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, 15 nga zona e Berati, 8 nga zona e Elbasani, nga Tirana, nga Peza, nga Durrësi, nga Rinia antifashiste, nga Gruaja antifashiste, nga Brigada e I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, nga Brigada XII, që ishte themeluar në Sukë të Përmetit etj. Kongresi antifashist nacionalçlirimtar i Përmetit që u zhvillua në zjarrin e luftës më shumë se për gjithçka mbahet mend për rrethanat historike si dhe mbi të gjitha për zgjidhjet e pasluftës.

Cilat ishin vendimet dhe pse u quajtën “historike”? Në dokumentat themelorë të arkivimit shqiptar janë përfshirë edhe Vendimet e Kongresit të Përmetit si,“1.Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL. 2.T’i ndalohet ish-mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit. 3.Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhëtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin”.

Këshilli i Përgjithshëm vendosi: “Vendimi mbi rishikimin dhe prishjen e gjithë marrëveshjeve politike dhe ekonomike, që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar; Vendimi mbi shndërrimin e Ushtrisë NAÇL në ushtri të rregullt, me një udhëheqje të njësuar dhe me një komandë të përgjithshme; Vendimi mbi dhënien e gradave në ushtri. Vendimi për kalimin e Ushtrisë në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare. Kongresi miratoi veprimtarinë e përgjithshme të udhëheqjes së Luftës, dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL. Këto përbëjnë ligjet e para të pushtetit demokratik popullor; Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë, si dhe Kryesinë e Këshillit me 25 anëtarë: ku dr.Omer Nishani, u zgjodh president; Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare. Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli. U zgjodh Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë: Enver Hoxha, President, Myslym Peza nënpresident, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me Drejtësinë, Dr.Medar Shtylla, me Ekonominë, Ramadan Çitaku, me Fianncën, Spiro Koleka me punët botore, Dr.Ymer Dishnica, me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me Kulturën dhe Arsimin dhe Bedri Spahiu me Rindërtimin ekonomik. Kongresi zgjodhi edhe Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës. Kongresi u drejtoi përshëndetje: Popujve dhe ushtrisë Sovjetike dhe Marshallit Stalin, Presidentit Rosvelt, Kryeministrit anglez Uilson Chëchill. Marshallit Tito, EAMIT grek, Fan Stiljan Nolit për shqiptarët e SHBA, si dhe të burgosurve dhe të internuarve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kongresi shpaloste qëllimin final të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar: çlirimin e plotë të atdheut nga pushtuesit nazifashistë, garantimin e një Shqipërie të lirë e sovrane në mbarim të Luftës së Dyte Botërore dhe vendosjen e pushtetit popullor. Nga analiza e ngjarjeve të periudhës së Kongresit të Përmetit na rezulton se, Kongresi i Përmetit, por edhe Mbledhja e Beratit shënuan fillimin e marrjes së pushtetit politik nga udhëheqësit e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, duke e institucionalizuar e kristalizuar “pasluftën” që në majin e 1944-ës. Këtu u shtruan shinat e pushtetit popullor të pasluftës Nacionalçlirimtare, sikurse u shtruan edhe shinat e e pushtetit të diktaturës së proletariatit. Edhe të huajt e vështruan Përmetin dhe më tej Beratin me këndvështrimin e tyre kritik. Ishte koha kur Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar po kristalizonte marrëdhëniet me Aleatët e Mëdhenj ruso-anglo-amerikanë. Aleatët e Mëdhenj e pranuan dhe e njohën rolin e madh të LANÇ-it, si e vetmja forcë vendimtare e vërtetë e rezistencës në vend, në takimin e dy delegacioneve që përfaqësonin Shtabin Aleat të Mesdheut dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Bari të Italisë. Statusi u konkretizua me atashimin e misioneve ushtarake në Itali dhe në Shqipëri. Edhe pse anglo-amerikanët shikonin me “lupë” veprimtaritë e nacionalclirimtarëve ishin dyshues për perspektivën e ardhmërisë dhe rrugës që do të merrte Shqipëria. Sovjetikët mendonin e gjykonin ndryshe nga anglo-amerikanët, edhe pse që të tre të Mëdhënjtë e kishin njohur luftën e shqiptarëve që në fundin e vitit 1942.

Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, më 21.5.1944 kishte ftuar toger Thomas Stefanin si oficer  ndërlidhjes amerikan dhe kolonelin britanik Philip Leak, që përfaqësonte misionet britanike në Shqipëri, që të merrnin pjesë në Kongresin e Përmetit me statusin e “dëgjuesit”. Zyra e Shërbimeve Strategjike amerikane e pranoi ftesën dhe dërgoi përfaqësuesin e saj Thomas Stefanin, ndërsa kolonel Philip Leak refuzoi pjesëmarrjen. Kongresi i Përmetit dëgjoi një raport-platformë të gjatë të Enver Hoxhës që ishte në një farë mënyre platform e qeverisjes së të ardhmes si dhe ju dërguan edhe telegrame Presidentit Roosevelt, kryeministrit Churchill dhe Mareshalit Josif Stalin, por edhe shqiptarëve të Amerikës.

Aleatët patën një marrëdhënie me vështrim kritik ndaj zhvillimeve shqiptare, që pas lidhjes së nacionalistëve tërësisht me pushtuesit u bë edhe më e vështirë marrtëdhënia sepse nuk kishin “nga t’ja mbanin”. Ju ngelej mosnjohja kur Përmeti ishte i qartë në rrugën e tij, që e kishte sanksionuar juridikisht me një kuvend mbarëpopullor.

Në pah del sërsh një figurë e ndritur e Shqiptarëve ku Fan Noli një figurë poliedrike shqiptare, i cili asnjëherë nuk ka qenë “i majtë”, më 26 nëntor 1944, në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare, i dërgoi Presidentit Roosevelt një telegram, i cili parashtronte kërkesën për njohje zyrtare të qeverisë së Beratit. Ai thoshte se qeveria shqiptare kishte të drejtë që të dërgonte delegacionin e saj në konferencën e Kombeve të Bashkuara. Vendi i tij kishte të drejtë të përfaqësohej në Konferencën e Paqes dhe çdo konferencë tjetër të Kombeve të Bashkuara, të ndalohej ndarja e coptim i Shqipërisë prej fqinjëve lakmitarë dhe së fundi, të lejohej dërgimi i ndihmave për popullin e vuajtur shqiptar. Pas fitores së shqiptarëve në luftën antifashiste, në më pak se një muaj, më 21 dhjetor 1944, Enver Hoxha me cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë u propozoi zyrtarisht Aleatëve të Mëdhenj të njihnin Qeverinë Demokratike të Shqipërisë. Kërkesa zyrtare për njohjen e qeverisë së përkohshme iu drejtua Presidentit Roosevelt, Kryeministrit Churchill dhe Mareshalit Stalin. Në notën e formuluar nga Enver Hoxha theksohej, se njohja do të ishte plotësisht e merituar, sepse FNÇSH ishte i vetmi grup që i kishte rezistuar efektivisht Fuqive të boshtit nazifashist në Shqipëri, se formacionet partizane e kishin çliruar vendin pa asnjë ndihmë nga jashtë, se qeveria e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar kontrollonte plotësisht të gjithë vendin dhe se nuk ekzistonte asnjë qeveri tjetër shqiptare e formuar brenda ose jashtë vendit. Qeveria britanike u shpreh e para edhe këtë radhë, pasi ajo i propozoi qeverisë amerikane që së bashku ta refuzonin njohjen e qeverisë shqiptare. Pavarësisht zhvillimeve shqiptare dhe zhvillimeve diplomatike botërore të pas luftës, ngjarja e Kongresit ngeli në kujtesën e shqiptarëve si një emblemë-lufte vendimmarrëse, që u pasua me vullnetin e popullit, të 11 janarit 1946, ku Asambleja Kushtetuese ta shpallte Shqipërinë “Republikë Popullore”. Fakt është se Kongresi i Përmetit është pjesë e lavdisë së luftës partizane të Luftës së madhe Antifashiste të shqiptarëve.

Në këtë përvjetor në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave, u zhvillua një takim nën drejtimin e dr. Saemira Pino, ku foli Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH, Naxhi Zhupa, veteran dhe pedagog i historisë ushtarake, dr. Shaqir Vukaj, prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe akad. Pëllumb Xhufi që referoi kumtesën interesante “Viti 1944: shqiptarë mbrojtës dhe shqiptarë shitës së kufijve”. Aktivitete të ndryshme janë zhvilluar në Shqipëri për këtë ngjarje madhore, por në kohët e reja dhe ne të gjitha kohët të marra së bashku, Antifashizmi ka qenë dhe ka ngelur vlerë edhe sot e jo vetëm një vlerë historike, pasi fashizmi i ri i Putinit po përdoret për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, me sloganin e “luftës antinaziste”. Kjo është një thirrje për të gjithë aktorët e faktorët  kombëtarë e ndërkombëtarë, pasi nazifashizmi nuk është inekzistent, vijon të jetë kërcënim për popujt.

 

Please follow and like us: