Llazar Vero: VLASHI FILI, SHKRIMTARI QË PAK E NJOHIN…
Revista prestigjioze për Letërsinë Ndërkombëtare, “Mundus Artium”, i jep zotit
VLASHI FILI çmimin: “2024 MUNDUS ARTIUM PRIZE FOR LITERATURE”.
Duket paksa absurde, e kotë një thënie, si në titullin e shkrimit tillë. Shumë bashkatdhetarë e kanë dëgjuar si emër, një pjesë e mirë e tyre e njohin dhe e dinë se ka qënë për 20 vite sekretar i Shoqatës Mbarëshqiptare Patriotike e Social -Kulturore “Bijtë e Shqipes”, pra që nga dita e parë e jetës së saj, pasi ai është edhe një nga themeluesit e kësaj shoqate. Punoi ashtu heshturazi, por me këmbëngulje dhe seriozitet, thuajse për çdo ditë të javës të këtyre 20 viteve duke lënë trashëgim një pasuri atdhedashurie, serioziteti, duke dokumentuar çdo hap të jetës së shoqatës. Sado mik ta kishe, ai nuk të falte për detyrat që merrje përsipër, për shoqatën. Këtë më mirë se të gjithë e di unë që kam qenë dhe jam afër tij edhe pas 20 viteve të shërbimit të tij si sekretar. Nuk ka hequr dorë edhe pasi e dorëzoi detyrën e sekretarit të shoqatës, nga angazhimi i përditshëm në jetën e “Bijëve të Shqipes”. Ja, po u përmend, një shëmbull: Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” e kësaj shoqate, këtë vit feston 20 vjetorin e jetës së saj. Janë botuar tre libra deri tani për 10, 15 dhe 20 vjetorin e Shoqatës. Në dy të parët ai është bashkautor, kurse librin e tretë për 20 vjetorin e përgatiti vet. Si mund të rrinte indiferent për 20 vjetorin e shkollës, që përbën një nga krenaritë më të mëdha të shoqatës dhe të gjithë komunitetit shqiptar në Filadelfia dhe më gjerë?! Kështu që një mëngjes u ngrit me dëshirën dhe pyetjen: “Po sikur të përgatisim një album fotografik për këtë jubile? Dhe nisëm nga puna, që nuk ishte as e vogël dhe as e lehtë. Unë, për veten time, do të zgjidhja përsëri përgatitjen e një libri, me kujtime dhe mbresa, jo të pakta nga jeta e kësaj shkolle. Shkurt u vendos përgatitja e albumit fotografik, për të cilin ai mbajti përsëri peshën kryesore. Dhe e kryem edhe këtë punë. Tani albumi është gati për botim.
Ja pra kush është Vlashi Fili. Por e gjithë kjo është vetëm një pjesë e veprimtarisë së tij, e jetës së tij, bile do të thosha, pa mëdyshje, se është një pjesë e vogël e jetës dhe veprimtarisë së tij si atdhetar i devotshëm, si veprimtar shoqëror, si intelktual klasi, si shkencëtar dhe si krijues, si shkrimtar.
Për të gjitha këto, gjithë jetën e tij ka qenë i nderuar dhe i respektuar. Këtë nderim dhe respekt brigadat e shpimit e tregonin duke e thirrur atë sa herë kishin nevojë në përballimin e veshtirësive gjatë shpimit të puseve, e tregon edhe propozimi që iu bë në Qershor të 1980, nga kolektivi dhe drejtuesit e Sektorit Shkencor të Shpimit, ku ai jepte kontributin e tij, për t’u vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
U munduan ta thyenin atë duke e detyruar të merrte pjesë në një “Kurs Pasuniversitar” për disa vjet, si e quan ai periudhën që u detyrua të vuaj në disa burgje të kohës. E quan drejt atë periudhë ashtu, sepse mësoi shumë në atë kohë, aq shumë sa nuk mund të mësonte në një kurs të vërtetë pasuniveritar. Por edhe në ato vite megjithëse drejtuesit i thërrisnin “i dënuar” apo “i burgosur”, bashkëvuatësit e tij i thërrisnin “Inxhinier”. Asnjë nuk i thërriste me emër. Ndoshta mund të ketë patur shumë nga vashkëvuajtësit e tij që me të vërtetë nuk ia dinin emrin e saktë dhe vazhdonin ta thërrisnin “Inxhinier”. Rrallë tregon ai për këtë periudhë por më e rëndësishmja është se fjala e tij, toni me të cilin flet, asnjë herë nuk ka nota hakmarëse dhe kjo është virtyt i njeriut tolerant, të zgjuar dhe me mend. Edhe në emigracion për të gjitha vitet që ka kaluar apo edhe për librat që ka botuar të gjithë e respektojnë për vërtetësinë dhe saktësinë e ngjarjeve që ai trajton
Jam i sigurtë se edhe ata që janë shok të afërt të tij, nuk i dinë të gjitha. Nuk e dinë se deri më sot ai ka botuar 26 libra, si autor. Janë të fushave të ndryshme, histori, publicistikë, prozë e shkurtër, roman, poezi… Pra, më shumë se një botim në vit, për të gjithë periudhën kohore që jeton në Amerikë. Ka në përfundim apo ka përfunduar edhe nje vëllim poetik, një roman,…..
Pasi i hodha në letër keto fakte, më shkrepi një pyetje e çuditshme në kokë: Sa orë ka dita për Vlashi Filin? Po java, muaji dhe viti nga sa ditë kanë? Është sekreti i tij: dita ka aq orë dhe java, muaji dhe viti aq ditë sa u japim ne me punën tonë, me jetën tonë.
Por të gjitha këto janë thuajse fakte “të thata”. Vlera, e fshehta është në faqet e librave që ka botuar deri më tani. Në prozën e tij ka jetë, ka dashuri për njëriun e thjeshte të punës, në poezi ka ndjenjë të pastër për nënën, motrën, atin, shokët… dashuri për jetën, ka art, letërsi. Proza e Vlashit është e mbushur me njërëz të punës, të cilët sakrificën, bile edhe heroizmin e veshin me rrobat e punës së përditshme dhe shkojnë më tej. Gjuha që përdor Vlashi, nuk ështe e nxjerrë nga librat, por nga jeta, ndaj ajo ka aromën e bukës se thekur, të djersës së derdhur, të naftës dhe zjarrit përvëlues, të dashurisë dhe sakrificës për njëri-tjetrin. Kur lexon prozën e tij e merr me mend se çfarë do të gjesh në të, fjalën e bukur edhe ndjenjën e bukur për jetën, punën, për prindërit e sakrificave të mëdha dhe të dashurive pa fund. As proza, as poezia e Vlashit nuk bërtasin, por kanë kaq shumë jetë sa ti harron që je në faqet e librit. Edhe dashuria edhe dhimbja nuk bërtasin, ato vijnë thjesht si copza të jetës dhe ne na pëlqejnë që i takuam.
Ҫfarë të të them o Vlashi Fili, veçse të të përqafoj edhe një herë si atë ditë të 13 prillit, ku morrëm lajmit e mirë nga revista emërmadhe për letërsinë ndërkombëtare “Artium Mundus”, për dhënien e atij çmimi. Ti e meriton plotësisht! Sukseset të ndjekshin!
Filadelfia, më 16 Prill 2024.