Srebrenica dhe “ekzorcizmi” ndaj së keqes në gadishullin e Ilirisë
Artan Xh. DUKA
Lajm i mirë dhe i keq bashkë!
Miratimi në OKB i rezolutës që dënon genocidin në Srebrenicë ishte një lajm i mirë për dinjitetin e komunitetit ndërkombëtar. Respekt e ndjesë ndaj asaj që ndodhi dhe kujtesë për më tej! E thënë kjo, ndonse shtetet që votuan kundër apo abstenuan ishin pakicë, prapë ishin “shumë” kur mendon se bëhej fjalë për një ndarje të qartë mes së mirës dhe së keqes në botë. Rezoluta ishte test civilizimi e humanizmi dhe vota kundër apo abstenimi, nuk janë ogur i mirë. Një qëndrim i tillë befason sidomos kur mendon se Hungaria (e Vojvodinës), Greqia, Qipro, Sllovakia janë në BE(!) dhe vetë Sërbia po rrugëton drejt saj e kjo jo vetëm kompromenton këto vënde por përbën sfidë edhe për vetë BE.
Mizë nën kësulë!
Ndonse rezoluta ishte në parim e nuk shënjoi me gisht ndonjë shtet, kundështimi sërb dëshmoi “mizë nën kësulë”. Deri u fol për kuti Pandore për të kundërshtuar këtë rezolutë e në fakt duhet të ndodhë pikërisht kjo gjë që rajoni të bëjë më tej. Si kusht për paqe e bashkëjetesë miqësore pakthim, Gadishulli Ilirik e ka nevojë e domosdoshmëri ballafaqimin me të shkuarën, bile e ka kusht për integrim edhe nga BE!
Ata që kanë mizën nën kësulë dhe i ndruhen ballafaqimit me të shkuarën tragjike në rajon janë sot edhe Sërbia e Greqia. Kosova, Çamëria etj drama shqiptare të shkaktuar nga shovinizmi grek e sërbomadh në kohë, janë sot edhe pas qëndrimit të tyre ndaj Srebrenicës martire. E dinë se rezoluta shënoi një preçedent dhe i ndruhen asaj që mund të vijë pas.
Mohimi apo abstenimi ndaj së keqes dëshmoi se Sërbisë e Greqisë u ka mbetur ora pas dhe ky nuk është lajm i mirë për rajonin. “Rrëfimi” prej tyre do të ishte shpëtimi e rruga drejt dinjitetit dhe respektit për to por, sikurse rezoluta tregoi, e keqja është strukur thellë dhe ajo që rajoni ka nevojë sot është “ekzorcizmi” apo ndarja e gjërave pa mëdyshje nga BE e SHBA.
Të rënët janë njëlloj!
Srebrenica nuk ka qënë as e para dhe as e vetmja tragjedi njerëzore në rajon. Diskriminimi, persekutimi, degdisjet larg trojeve, masakrat etj ndaj kombit shqiptar në ish-hapësirën jugosllave (Kosovë, Luginë, Sanxhak etj), Greqi (Çamëria, arvanitasit) etj, meritojnë po aq vëmëndje sa edhe Srebrenica martire dhe bota duhet t’i dijë e quajë po njëlloj.
Nuk ka dallim mes jetëve të humbura nga dhuna e ushtruar deri në nivel shtetëror, qoftë kjo në Kosovë, Çamëri, Ruanda, Armeni, Bosnjë etj. Meritojnë njëlloj respekt e dinjitet dhe nuk duhet të harrohen në boshllëk por të jenë apel për të gjallët dhe botën ndaj të keqes mes nesh.
Greqia e Serbia patën 30 vite kohë pas rënies së Murit të Berlinit të gjenin vetveten e linin të shkuarën pas. Qëndrimi ndaj rezolutës për Srebrenicën tregoi se ato janë ende peng i së djeshmes ndaj dhe Shqipëria e Kosova duhet të bëjnë të tyren për të hapur kutinë e Pandorës përballë një Sërbie e Greqie që refuzojnë të ballafaqohen me të. Ndryshe, po nuk u zu me gojë, e keqja nëpërkëmb.
Në respekt të gjakut kuq e zi të të rënëve tanë kudo në rajon por edhe apelit për botën se nëse harrohet, historia përsëritet, Shqipëria e Kosova sot duhet të bëjnë lajm duke trokitur aty ku duhet, BE, NATO, SHBA, OKB, Hagë etj, për të denoncuar, damkosur e dënuar si persekutimin e genocidin shtetëror ndaj bashkëatdhetarëve tanë të lënë matanë kufinjve më 1913 ashtu edhe paradokset e sotme nga ligji i Luftës e mosnjohja e minoriteteve në Greqi, pabarazia mes Luginës dhe Veriut në Kosovë etj. Ndryshe, jo vetëm rolin e viktimës e luan tjetërkush por edhe rajoni nuk gjen prehje e paqtim.
Drejtësi dhe reciprocitet
Ajo që rajoni më së pari ka nevojë është drejtësia ndaj së shkuarës e më pas, reciprociteti e respekti i ndërsjelltë. Herët a vonë, Serbia e Greqia do të duhet të ballafaqohen me “demonët” e tyre dhe dinjiteti e “çlirimi” i tyre kalon nga Tirana si zemra e kombit që është martizuar historikisht prej shovinizmit grek e sërb në rajon.
Jemi ende larg asaj dite por ajo do të vijë sepse e vetmja mundësi që rajoni të bjerë rehat është vetëm kur kombi shqiptar të ndjehet i tillë si kombi më i madh, më i lashtë dhe historikisht garant i bashkëjetesës në gadishullin Ilirik.
Nuk është punë kufijsh por respekti e mirëbesimi reciprok. Ajo që rajoni lyp është rikthimi i barapeshave të cënuara gjatë sepse shqiptari matanë kufirit në Greqi e Sërbi nuk është minoritet (Greqia nuk njeh as minoritetet!) por vëndas në trojet e tij, po aq shtetformues sa edhe shqiptari në Maqedoninë e Veriut.
Guri dhe arra e “ekzorcizmit” euro-atlantik
BE vetë duhet të reagojë. Mbase Greqia e Hungaria u kanë mbetur në derë por Serbia duhet të reflektojë pa të integrohet në të. Srebrenica nuk ishte rastësi kur mendon Ukrainën, të shkuarën në rajon, trazirat në Kosovë, Banjskën, Luginën etj. Janë sfidë për BE dhe “steka” duhet mbajtur lart! SHBA e BE kanë në dorë “gurin e arrën” dhe interesa në rajon ndaj në mungesë reflektimi prej Sërbisë e Geqisë ndaj së shkuarës, duhet të kryejnë “ekzorcizëm” institucional për të përzënë “demonët” e shovinizmit e arkaizmit atje. “Vijat e kuqe” të perëndimit duhet të shënjohen aty ku duhet dhe jo si deri më tani që po merren e po ushtrojnë paradoksalisht presione ndaj Kosovës kur dihet që gjetiu lepuri fle!
Por, përtej asaj që bën bota, Shqipëria të bëjë të vetën. Gjaku i derdhur kuq e zi në Kosovë e ish-Jugosllavi, Çamëri etj, apelon po aq sa edhe ai i boshnjakut në Srebrenicë. Bota duhet ta dijë se të rënët tanë nuk vlejnë më pak e Shqipëria duhet të ndërmarrë, së bashku me Kosovën, inisiativat e nevojshme për të denoncuar e damkosur krimet e masakrat në Kosovë e Çamëri atje ku duhet, deri lart në OKB! Në respekt ndaj të rënëve e drejtësisë dhe së mirës në botë!