Valentina Hysi: Ditënetët e Mirelë J.
Fragmente nga libri “Ditënetët e Mirelë J.” i Valentina Hysit
Këtë periudhë bosh gjeta një mënyrë tjetër për të kaluar zbrastësinë që po më bllokonte. U organizova me mikeshat e mia duke bërë një tur udhëtimesh në destinacione të ndryshme jashtë vendit.
Eshtë këndshëm të shohësh botën në një shoqëri të tillë duke përfituar nga energjia e secilës. Krijohen të tjera atmosfera. Mbrëmje të këndshme, rrugë e restorante, plot njerëz dhe jetë. Fatmirësisht kishim të njëjtat shije, të njëjtin ritëm, ruanim ekuilibrat. Miqësi e sinqertë, para së cilës mund të mendosh me zë të lartë. Ishim kaq të vërteta.
Drejtuese grupi kishim Rovenën, vajzën e bukur të takave të larta. Kështu e quanim pasi gjithmonë e shihje në majë të takave, pa harruar biçikletën e saj si bashkudhëtare. E vëmendshme të gjuante ofertat turistike, korrekte, autoritare, me disiplinë të hekurt. Shpesh e quanim “furtuna me taka”. Kemi qenë shoqe kursi në fakultet.
Ersa durrsakja, mikja ime e hershme, brune shtatlartë, me një shpirt të pastër, me një fisnikëri të rrallë, piktore në profesion, energjike me humor të hollë, aktiviste e shoqërisë civile.
Anisa, arkeologe, një eksploruese e vërtetë e vendeve turistike me një bukuri melankolike dhe Klara e buzëgaztë, vajza e dashur, shembull pafajësie, pedagoge, përkushtuar historisë.
Ah, harrova t’iu tregoj, të gjitha ende beqare, vetëm njëra duket e dashuruar.
Rovena u kujdes që në ditëlindjen e secilës nga ne, të gjendeshim në një udhëtim.
Në udhëtime, mbrëmjeve vonë, do të shpërthenin diskutimet, emocionet, komentet e fotove, shijonim blerjet, këndonim, kërcenim. Një atmosferë ndezëse. U mbushëm me guida turistike, adresa, certifikata e itinerare.
Shpesh më pas u ktheheshim fotove të shkrepura, çasteve të kaluara nën mrekullinë e miqësisë tonë. Momente tepër të veçanta. Në shoqëri të mirë shkrihet çdo egoizëm në një shpirt social.
Një miku im pati shkruar: “…udhëtimet zgjerojnë gjeografinë kulturore dhe atë shpirtërore kur viziton muzeume dhe galeri, objekte kulti ose monumente të natyrës”.
Kjo më kish nxitur dhe të shkruaja për vendet ku udhëtoja. Të hidhja në letër mbresat, ndjesitë e marra.
Duhet t’i shkruash të gjitha momentet në të cilat kalon duke filluar nga ato me të thjeshtat: shijimi i një kafeje, takimi me njerëz të rinj, telefonata me miq, leximi i një libri, eksplorimi i vendeve të reja, i çdo momenti që të dhuron buzëqeshje…
Udhëtimi tjetër i radhës. Ditëlindja ime. Surprizë, Parisi. Do të lidhesha shumë shpejt me këtë qytet.
Ish dimër. Qyteti i shtrirë në dy brigjet e lumit Sena.
E kujtoj mirë atë mëngjes të parë, kur u ndodhëm përballë Kopshtit të Luksemburgut. Qenia aty dhe disa hapa më larg teatrit Odeon, nuk mund të kishte peshë krahasimi. Ditë pas dite do të ndiqnim mrekullitë nga Notre Dame, e famshmja e katedraleve e stilit gotik, Panteoni, Sheshi Elize, Harku i Triumfit, Kulla Eiffel.
Historia njihej, por tani po i shihja një e nga një.
E hutuar shpesh, e ndarë edhe nga grupi, do të fiksoja, fotografoja pa pushim.
– Mirelë ngele mbrapa. U bëmë vonë, nxito – më tërhiqte vëmendjen shpesh Ersa.
– Po Ersa erdha – i përgjigjesha e rrëmbyer, harruar fare pas pamjeve.
Kureshtja ime do të shfaqej si një poezi e palexuar ndoshta më parë. Sytë luanin me pamjet që shihja. I pata memorizuar të gjitha.
Parisi është një vend që ka një domethënie të veçantë. Këtu rindizet çdo zjarr i venitur…
Kaluan ditë pas kthimit nga Parisi, por me mendje kisha ngelur ende atje, në qytetin e të gjitha dashurive. Kisha gjithçka të skicuar dhe ende vazhdoja me vlagën e atij udhëtimi. E ndieja brenda vetes. Afërsia e fotografisë me pikturën do të ngacmonte ëndrrat e mia. Kthehesha dhe rrotullohesha me to në mendje.
Pata bërë vizatime në fëmijëri. Kisha pikturuar kot “shkarravina” mund t’i quaje, në fletë të vogla vizatimi, që dalëngadalë do të fillonin të merrnin kuptim. Ishte një mënyrë komunikimi me botën përreth. Shpesh vizatoja portrete fëmijësh, midis tyre edhe portretin tim apo dashurinë e nënës, të cilën nuk e kisha njohur kurrë. Imagjinoja nga fotografitë. Fantazoja.
Mbaj mend që im atë duke parë këtë ‘talent’ timin, filloi të më sillte atëherë edhe telajo më të mëdha. Më nxiste që në një mënyrë a në një tjetër të kuptonte, të dinte shpresat, gëzimet, ëndrrat, ankthet që unë përjetoja. Të dinte ndjesitë e mia të brendshme, abstrakte, herë-herë të pakuptimta.
Ah sikur bota të ndërtohej sipas ëndrrave dhe vizatimeve të fëmijëve, sikur…
Pata filluar së pari me penel. Pastaj vazhdova me sfungjer. Mes ngjyrave çuditërisht më pëlqente e zeza. Ndoshta ngaqë shkonte me të gjitha.
Babai më ndërhynte ndonjëherë tek ndonjë vizatim, por ishte thjesht për t’i dhënë më tepër kuptim.
Nuk kisha folur kurrë në shkollë për pikturat e mia. Askush nuk e dinte që pikturoja. Më pëlqente deti, dielli. Piktura ishte bota vetëm e imja.
Pastaj për një kohë të gjatë ndala. Pas humbjes së babait nuk më bëri zemra të kapja penel me dorë. Në vitet universitare pata ndier një nxitje për të pikturuar, hodha skica nëpër letra, që dikush po t’i shihte, nuk kishin asnjë kuptim. Kërkova një ditë punimet e mia të vjetra. Tentova të merresha me disa prej tyre. Përpiqesha të ndryshoja teknikën, por, nuk ma kishin mbushur syrin. E quajta më tepër zbavitje.
Askush nuk dinte ende asgjë për to. Ishin një sërë vizatimesh që konsumoheshin vetëm nga unë.
Në ditët pas kthimit nga Parisi, nuk e di pse kërkova pëlhurë nëpër shtëpi. Rrëmova sa munda nëpër sirtarë dhe e gjeta brenda një arke druri me disa kujtime të vjetra. Kishte kohë aty, e palosur, ish e pluhurosur, vite pa e prekur. E mora në duar. E hapa. Qëndrova përballë saj minuta të tëra, e gatshme ta tjetërsoja.
Pasiguritë gjenden strukur.
Sytë e mi heshtën, por u bënë gjithmonë e më të gjallë kur peneli filloi të rrëshqiste. Fillova të vizatoja motive abstrakte, me kombinime ngjyrash, me vija të lakuara pa fillim e pa një fund. Ndanin të verdhën nga portokallia, të kuqen nga e kafenjta.
Në këtë hapësirë pëlhure ndjesitë më dukeshin sikur peshonin ndryshe, ishte si një ëndërr e bukur. Shikoja si e kaltra bashkohej dhe shkrihej me të kuqen, me të verdhën, pak ngjyrë manushaqe dhe rozë. Mrekullisht!
Vështroja atë gjë pa formë, të cilën prej disa ditësh kisha nisur ta modeloja sipas fantazisë sime dhe qetësohesha. Një mbrëmje vonë e përfundova. Së bashku me të, plot edhe një shishe verë.
“Mëngjes dimëror parisien”. I kisha vënë titull para se ta pikturoja. Kjo do të ishte e para pikturë, imja e vërtetë, tani në rritje.
Po atë natë pata nevojë për dikë. Kishte kaluar dhe mesnata. E lodhur pata fikur dritën, lëshuar kokën në jastëkun e madh. Kam qëndruar ashtu e shtrirë në errësirë për një kohë të gjatë. E mbyllur në ndjenjat e mia, mbyllur të gjitha dyert. Do të gjendesha në një gjumë të thellë, e strukur brenda ëndrrës…
U zgjova herët, që pa gdhirë. Ç’të bëja? Ndoshta mund të konsumoja një kafe apo një sanduiç, por nuk ndieja uri. Zgjuar me ëndrra si gjithmonë.
Më ishte bërë zakon që mëngjeseve, të ulesha e të shkruaja në ditar ëndrrën e radhës. Atë bëra dhe atë mëngjes. Më kishte pushtuar një ndjenjë e tmerrshme vetmie, por u qetësova se e dija që gjithë kjo rëndesë vinte nga ëndrra që kisha parë.
U ndërgjegjësova. Duhet të filloja një tjetër ditë. Në çdo çast mund të më ndodhte diçka e re, e papritur. Mund të më sillte gëzim ose mund të më bënte të mërzitur. Nisa të këndoja diçka duke qeshur me marrëzinë time. Zëri më dridhej.
Atë ditë u përballa rastësisht me Lencin.
Po ecte me hapa të ngadalta bulevardit. E vura re që më pa, por ktheu kokën nga ana tjetër. Diçka më theri në zemër. Ç’të bëja. Në mënyrë instiktive i thirra:
– Lenci, si je? Ke ndonjë gjë për të më thënë?
Qëndroi. Buzëqeshi pak duke më parë me një vështrim të mpirë ku ndihej lodhja, vështrim i thellë, i gërryer…
– Shpesh disa e kanë të vështirë dhe verbohen kur dikush shkëlqen më tepër se ata – më tha dhe më vështroi gjatë si i humbur.
– E shohin si padrejtësi që u bëhet, sikur dikush u merr atë që ishte destinuar për ata vetë – iu përgjigja fare e qetë.
– Mirelë, kam lënë diçka në shtëpinë tënde. Një pasuri të tërë kujtimesh. Më vjen keq, nuk i marr dot më. I kam humbur – më tha dhe largua me sy të mjegulluar duke kaluar në trotuarin tjetër.
E gjitha zgjati pak minuta.
Ka disa raste kur edukata ndihet keq, ndërsa e vërteta triumfon jashtë saj duke krijuar sjellje të re sinqeriteti. Kishte ardhur momenti që unë dhe Lenci t’i linim gjërat të shkonin në rrjedhën e vet.
Ndoshta ishte e vërtetë se të gjitha dashuritë përfundojnë një ditë.
E qartë, do të dështonim. Dolëm shumë të ndryshëm në karaktere dhe kështu lidhja nuk zgjati gjatë.
Një rrahje zemre, përfundon befas në zhgënjim sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. E pata dashur siç nuk do të kisha dashur kurrë askënd. Vjen një ditë ku gjithçka kthehet në pluhur, e më pas, asgjë.
E vuajta dashurinë. Dhimbja për humbjen e saj do të më përndiqte për një kohë të gjatë. Përbrenda ndihesha e trazuar. Në fund të fundit të dy kishim humbur.
Eshtë shpirti që duhet të mësohet me humbjet, të qajë e të ringrihet, të kërkojë, të ëndërrojë.
Nga njëra anë më dukej mrekulli si kisha mundur ta përjetoja këtë ndarje. Tani isha e lirë, por çuditërisht ndieja dhe boshllëk, pasiguri, frikë. Kisha mbetur vetëm. Në fytyrë më ishte fikur vështrimi. Buzëqeshja ishte tharë. Ende e pavetëdijshme se si do të ishte jeta ime. Mbeta sërish vetëm.
Sapo kisha kaluar të tridhjetat…
Gjithë këtë kohë nuk më kënaqte asgjë. Koha zvarritej si një gjarpër i gjakosur, por nuk mund të jetoja me të shkuarën. Ndonjëherë ndihesha vite drite larg nga fëminia.
Mallëngjim për gjithçka lashë pas. Tashmë thjesht doja të jetoja, të bëja foto, të pija kafe, të udhëtoja nëpër botë, të njihja njerëz të rinj dhe të isha e lumtur…