Zonja “V” dhe “Vëllai i Madh”
Në ditët e enjte ndaj punët e shtëpisë me zonjës V., ardhur nga një qytet i jugut në Tiranën e erës “demokratike”. Ajo ka bujtur me fëmijët në kryeqendër, për një punë më të mirë e për një jetë më afër mundësive dhe modernes.
Në një nga ditët më tregonte për jetën e saj si vajzë e si bashkëshorte, ku dhuna e babait ia kishte lënë stafetën drurit të bashkëshortit, si një linjë e pandarë që e kishte ndjekur gjithë jetën. Por, megjithatë, ajo me krenari dëftonte se nuk i kishte ulur as dinjitetin të atit për t’u kthyer në derë babe kur i shoqi dhunën nuk e lëshonte paq, dhe po aq krenarinë e këtij të fundit për ta lënë mes katër rrugëve. Kështu ajo kishte fituar në kompensim, nderin dhe lavdinë në familje, fis e komunitet, si një burrneshë që di të përballojë sfidat e jetës. Një mëngjes tek hekuroste, hapte pareshtur gojën në shenjë të qartë pagjumësie.
Pyetjes se mos diçka e pakëndshme i kishte ndodhur, iu përgjigj se kishte parë deri në orën tre të mëngjesit “Big Brother” ose shqip “Vëllain e Madh” dhe nisi të tregojë me sytë ngazëllues, sharjet mes X dhe Y, apo larjen në dush që Z dhe F kishin bërë tok, apo ndonjë intimitet tjetër të kësaj natyre. Më tha se është regjistruar në “Facebook” dhe ndjekë pa ndërprerje idhullin e jetës së saj, miss-in D tek pozon me macet dhe me të dashurin e saj disa vjet më të ri.
Ndërkohë me entuziazëm tregoi se po ajo, pra, missi-i D, pas ndërhyrjeve në fytyrë kishte marrë pushimet ndërkohë që fëmijët i kishte lënë me të ëmën dhe dadot, me paratë që bashkëjetuesi i parë, biznesmeni C, i kishte lënë. Tek fliste, u përpoqa të vizatojë kurbën e kulturës dhe të moralit të zonjës V nga dhuna e pareshtur mbi trupin e saj deri te kërshëria për të parë “vëllain e madh” apo miss-in, ndonëse kurriz-rrahur dhe shpinë-thyer. Padyshim makthi m’u avit e përgjigjja nuk më dilte shtruar (!).
Zonja “R” me zotin “B” dhe “Vëllai i Madh”
Zonja R. punon në një institucion universitar, ku ndan dijen e përgatit brezat e së ardhmes. Në thelb puna e saj është mësimdhënie, por për shkak të titujve ajo quhet profesore, një definicion modest ky në krahasim me meritën e saj si akademike. Sfidat e pareshtura në kërkimin shkencor të zonjës R. ndërpriten vetëm nga dy rituale: të shkuarit te parukeria çdo mëngjes dhe lidhja e herë pas hershme me korrierin shpërndarës të një firme mode jashtë Shqipërisë, ku ajo midis një leximi e një tjetri gjen një hapësirë nga koha e saj e vyer, për të porositur çanta, veshje e tanimë edhe ndonjë linjë kozmetike për barkun paksa të kërcyer.
Në mëngjes, rituali i ditës lypset të kërkojë kafenë e parë dhe dita e solli që ta ndante me kolegun e saj, zotin B. Ky i fundit, një tjetër akademik që ecën një metër mbi tokë pasi ka studiuar jashtë shtetit, i cili thotë se në jetë më shumë ka shkruar libra se ka frymuar, është akoma më i vëmendshëm se zonja R në estetikën e tij të paraqitjes. Flokë të lyera, lëkurë të lëmuar, thonj të kuruar e mbi të gjitha ndjekës i dietës pa toksina, që e bën atë të duket ndryshe nga meshkujt e tjerë shqiptarë, të cilët po sipas tij “janë të marum”. E bërë e tëra “sy dhe vesh”, përpiqem të dëgjoj nga këta akademikë një opinion apo mendim në lidhje me aktualitetin politik kombëtar e ndërkombëtar. Veshët më dëgjojnë e mendja përpiqet të zgjerojë interpretimin e konfliktit O-G të “Vëllait të Madh” në gojën e akademikëve, në një skenë më macro, siç është fjala vjen konflikti Rusi-Ukrainë.
Edhe këtu u përpoqa të ngre kurbën e kulturës midis akademisë dhe “Vëllait të Madh”, apo më shumë akoma u përpoqa të lidh moralin e dy akademikëve me mësimet e “vëllait të madh” dhe padyshim makthi m’u avit e përgjigjja nuk më dilte shtruar (!). Ku ta kërkojmë kulturën tonë? Të gjithë pak a shumë mendojmë se përfaqësuesit e kulturës janë shkencëtarët, akademikët, artistët, profesorët dhe politikanët, pra e thënë më ndryshe ata që përfaqësojnë inteligjencën e kombit. Eventet drastike që vijuan erën post-socialiste, nuk kanë gjetur akoma një busull orientuese për shkollën dhe arsimin duke e lënë edukimin në një krizë ekzistenciale. Ideologjia e terapisë së shockut mundësoi kapërcimin nga metoda e kërkesës dhe e përgatitjes rigoroze në auditore, te blerja e gradave dhe e titujve shkencorë, padyshim me përjashtime.
Arritjet e padjersitura në kërkimin shkencor kanë pasojë mungesën e thellë të orientimit kulturor mbi çështjet sociale, politike dhe arsyetimin mbi to. Klasa intelektuale duhet të ishte orientuese e masave që jetojnë në një kaos të vërtetë moral, të paktën për t’i bërë të dallojnë modelet bazuar në traditë kombëtarë, e cila duhet konservuar. Dhe kjo është e keqja më e vogël, krahasuar me vetëpëlqimin dhe fjalorin gati pervers, që rëndom i shoqërojnë në debatet apo tryezat e televizioneve.
Rasti alegorik i zonjës R. dhe zotit B. është përditshmëria e shumëve që drejtojnë auditore dhe që nga formimi pseudo-akademik nuk kanë arritur as minimalisht t’i vënë barriera mosdijes së tyre. Por, në fakt, kultura e kombit nuk është e kufizuar vetëm këtu. Përfaqësuese e saj është edhe shtresa e të pasurve, por këtu problemi komplikohet duke nisur nga pyetja se kush është pasuruar, sepse akademikët e vërtetë kanë mbetur proletarë në të gjithë botën. Shtresa e pasur, e cila quhet edhe ajo dominuese, kulturën në e pastë, e ka në funksion të fitimit dhe të parasë. Kështu, keqpërdorimi i televizioneve të kontrolluara nga kjo shtresë, ka pasojë të drejtpërdrejtë mungesën e orientimin kulturor dhe ideologjik të masave.
E thënë më thjesht, shtresës së pasur pak i intereson nëse mediat e kontrolluara prej saj, transmetojnë kulturë apo zhveshin nga kultura, apo nëse shoqëria entuziazmohet apo pret venat nga depresioni. Çështja shtrohet se sa janë në gjendje masat të kuptojnë se metri matës i kulturës për mediat është thjeshtë xhiro e të ardhurave të tyre vjetore. Modeli i vetëm ku rrotullohet media vizive është kultura hedoniste e kënaqësisë trupore dhe e injorimit qëllimshëm të problemeve reale që ka shoqëria. Përfaqësues të kulturës janë edhe shtresat e nënshtruara, punëtorët dhe bujqërit në përgjithësi. Mendoni sa shumë njerëz nuk kanë as shkollën dhe as mendësinë për të kuptuar se çfarë luhet pas një transmetimi televiziv, dhe për pasojë çdo gjë që jepet aty e marrin pa asnjë kriticizëm si të mirëqenë, të pranueshme dhe, çka më keq, të drejtë dhe të moralshme.
Rasti alegorik i zonjës V. është emblema e dualitetit, në të cilën shumë njerëz jetojnë, pa kuptuar ku janë dhe ku duan të shkojnë dhe ku transmetimet televizive merren si modele jetese vetëm në imagjinatën e natës për t’u kthyer në realitetin e ditës e për t’u përballur me varfërinë ekstreme materiale dhe shpirtërore. Zonja V. më shumë se të projektojë veten në modelin pa bosht të miss-it apo të “vëllait të madh”, duhet të çlirohet nga nënshtrimi i pranuar në heshtje se të dhunohesh është legjitime madje edhe të fisnikëron. Çlirimi i instinkteve duke u krahasuar me modelin e pamoral, e ka destinuar ta lërë brenda labirinthit ku ajo është predominuar që në fëmijëri dhe nga i cili nuk del dot. Modeli i “vëllait të madh” apo miss-it të vogël, nuk e nxjerrin dot nga plogështia ku ka rënë, sepse nëse ajo ligjin e dhunës e ka pranuar si të drejtë, duhet ta dijë apo t’ia thotë dikush se miss-i apo vëllai i madh, kanë bërë të tyren ligjin e “xhunglës” ku në shoqërinë e konsumizmit, mbijeton vetëm ai që ka para dhe aparencë, paçka nëse me nder apo pa nder, me djersë apo pa djersë.
Ndryshimi antropologjik i kulturës sonë
Kultura jonë është e mesmja e përpjesshme e të gjitha kategorive të përmendura më sipër. Ky pohim nuk tingëllon abstrakt për aq kohë sa ajo shfaqet në sjellje dhe mënyra komunikimi të dukshme, pra me një përqasje të saj praktike. Globalizmi si filozofi, solli dy përqasje në raport me kulturën. Njëra i vuri kulturat në një luftë të vështirë të ruajtjes së autentikes nga ndërhyrjet e paevitueshme që etnitë apo komunitetet e tjera sjellin nga lëvizjet emigratore. Por kjo është përqasje pozitive për aq kohë sa kërkon në fund të fundit ruajtjen e vlerës tradicionale në kulturë. Tjetra përqasje, po në erën e globalizmit, është ndikimi i emisioneve edukative si “vëllai i madh”, të cilat janë kthyer në patenta ndërkombëtare që blihen gati nga të gjitha televizionet. Boll të kalosh kanalin në televizionin italian apo atë britanik. Çështja qëndron se gjithsesi këto vende kanë një kulturë kombëtare që përpiqen ta konservojnë me fanatizëm, dhe raportin midis etnikes dhe globales e anojnë padyshim nga ana e kulturës kombëtare. Televizioni italian nuk është imun nga emisione si “vëllai i madh”, por hapësira e këtij transmetimi është e fundit pas një serie programesh që kanë mbetur gati shekullore dhe të palëvizshme në audience për nga shijet dhe tradita italiane. E po prapë, aty ka intelektualë që ngrenë zërin dhe distancohen kulturalisht e moralisht me këto emisione. Po ashtu i njëjti televizion që shfaq “vëllain e madh” jep edhe kundër-emisionin shpotiste apo tallës të vetë “vëllait të madh”, mënyra këto për t’iu treguar ndjekësve që të përfshihen sa më pak emocionalisht e aq më pak moralisht nga mesazhet e shtrembëta të këtyre emisioneve. Kultura jonë ka pësuar një mutacion antropologjik, që në të njëjtën gjatësi vale me konceptin mbi kapitalizmin shqiptar, ka një krizë identitare. Të dehur nga fakti se ndërruam sisteme, jo vetëm harruam të mbajmë atë çfarë kishim pozitive, por kemi krijuar stereotipa sjelljesh në të cilat nuk dimë as të identifikohemi dhe aq më keq të bëjmë edhe shtresëzime kategorish sociale.
Duke nisur që nga veshja, te makina, te takat, te mungesa e një “mirëmëngjesi” nëpër shkallë e për të mos thënë deri te stereoptipi i akademikëve, që janë po aq të ngjashëm në investimet mbi formën dhe jo përmbajtjen. Ky kalim pa reflektuar mbi atë çfarë duhet të ruanim nga e kaluara, tanimë mbivendosur nga kultura globaliste e “vëllait të madh”, ka thelluar krizën mbi atë se çfarë jemi dhe se ku duam të shkojmë. Në fund të ditës, në këtë çorientim vlerash, e vetmja shoqëri e mirorientuar është “Endemoli”, ajo që shet patentën e “vëllait të madh”, ku kapitali i saj primar “loja me injorancën e masave”, është i vetmi investim që nuk njeh humbje në bursë.
Please follow and like us: