Albspirit

Media/News/Publishing

Botimi i librit me kujtime për 100-vjetorin e liceut të Gjirokastrës

Ymer Çiraku
Kohëve të fundit, ka dalë nga shtypi libri me kujtime: “Tempulli që na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën”, në përkushtim të 100- vjetorit të çeljes së liceut të Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli” (1923-2023). Botimi i këtij libri, u bë i mundur falë mbështetjes fisnike të z. Ilir Babaramo dhe z. Alket Veliu.
Gjimnazi i Gjirokastrës, fillimisht i emërtuar si Lice me orientim francez dhe më pas me emrin “Gjimnazi Asim Zeneli”, të cilin e mban edhe sot, mbushi një shekull, që nga çelja e tij. Për rolin që ka luajtur gjithë kësaj kohe shekullore, ky gjimnaz, ka fituar tashmë statusin e një institucioni me kontribute të shquara. Nga dyert e tij, për vite me radhë, kanë dalë mijra e mijra nxënës maturantë, për të shërbyer më pas anekënd Atdheut.
Ish nxënësit e saj të shumtë, kanë punuar si mjekë, inxhinjerë, mësues e profesorë, dijetarë fushash të ndryshme, diplomatë, ushtarakë, ekonomistë, shkrimtarë, artistë të skenës dhe ekranit…, disa prej të cilëve, kanë njohur deri arritje e vlerësime të niveleve botërore. Një kurorë nderi e këtij gjimnazi, është padyshim edhe plejada e atyre ish nxënësve të viteve të luftës së dytë botërore, të cilët, nën thirrjet e zërit të atdheut të pushtuar nga të huajt, lanë bangat e shkollës dhe u radhitën pa hezitim në betejat antifashiste, duke flijuar edhe jetën, mu në lule të rinisë. Gjaku i derdhur prej tyre, mbetet një amanet dhe altar i shenjtë atdhetarizmi, frymëzim për brezat e rinj, ata të sotmit dhe ata që do të vijnë. Ish nxënësi i këtij liceu, shkrimtari i njohur i humorit e satirës, Qamil Buxheli (që kishte dalë partizan me të tjerë shokë e mësues të kësaj shkolle), ishte pikërisht ai që do të shkruante dhe vargjet e këngës së njohur baladeske, kushtuar rënies së Heroit të Popullit Asim Zeneli. Që më pas, dihet se emrin e këtij heroi – do ta mbajë kjo shkollë.
Ky gjimnaz, e nisi rrugëtimin pas dekadës së parë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atëhere kur po konsolidohej dita ditës shteti i ri shqiptar, ekonomia, arsimi dhe kultura e vendit. E nisi rrugën pak a shumë në ato vite, kur ishin çelur në disa qytete të vendit: Liceu i Korçës, gjimnazi i shtetit në Shkodër dhe ai në Tiranë, të cilët, krahas Normales së Elbasanit (çelur më 1909), po luanin një rol mjaft të rëndësishëm në shkollimin dhe emancipimin e shoqërisë, e cila, tashmë përjetonte zgjimin dhe zhvillimin ekonomik e kulturor – pas pushtimit të gjatë pesë shekullor osman.
Në përkujtim dhe nderim të 100 vjetorit të gjimnazit, një grup ish nxënësish të tij, miq mes tyre dhe që gjenin kohë dhe takoheshin për kafe a një gotë verë, bënë temë të bisedave merakun se si mund të kontribuonin edhe ata – për këtë jubile të veçantë. Këta ishin: arkitekt Ibrahim Emiri, prof. Ksenofon Krisafi, dr. Kosta Goga, inxh. Shpëtim Emiri, inxh. Bujar Qirko dhe autori i këtyre radhëve, të cilëve, ua kishte ënda ta quanin shpesh grupin e tyre edhe si “pjesë e diasporës së Gjirokastrës në Tiranë”. Jo pak herë, temë e bisedave të tyre ishin problematika, që kishin të bënin me atë qytet të gurtë, atje ku kishin kaluar vitet e paharruara të rinisë së tyre – në bangat e atij gjimnazi. Kishin organizuar e marrë pjesë në takime e komunikime me intelektualë dhe me autoritetet drejtuese të bashkisë, ku sipas rasteve, kishin bërë propozime dhe kishin ofruar gadishmërinë e tyre për të kontribuar sa të ishte e mundur, në të mirë të vlerave të atij qyteti.
Duke patur parasysh jubileun e veçantë të 100 vjetorit të liceut/gjimnazit, brenda këtij grupi miqsh, lindi ideja për t`iu drejtuar edhe disa të tjerëve, ish mësues e ish nxënës të asaj shkolle – për të shkruar dhe pastaj për të gjetur mundësinë e botimit në një libër të kujtimeve dhe mbresave të tyre. Sigurisht, që kjo inisiativë u mirëprit nga çdonjeri dhe shkrimet u përcollën tek personi i kontaktit, që do tëralizonte dhe redaktimin gjuhësor, gjuhëtari Leonard Dauti.
Në krye të librit, zë vend përshëndetja e shkrimtarit të përmasave botërore, Ismail Kadaresë, dërguar posaçërisht në vigjilje të jubileut të këtij gjimnazi, ku ai ka qënë nxënës në vitet `50. E vlerëson lart misionin e kësaj shkolle si “Kështjellë e diturisë dhe e dijes”. Kjo përshëndetje është një gur fort i çmuar në vargun e shkrimeve të përmbledhura në këtë libër, krahas dhe një fragmenti të shkëputur nga kujtimet e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, gjithashtu ish nxënës i kësaj shkolle.
Më pas, vijojnë kujtimet dhe mbresat e ish nxënësve dhe ish mësuesve, të gjeneratave të ndryshme. Në renditjen e shkrimeve në libër, është ndjekur kriteri kronologjik, duke respektuar në mënyrë vijuese – vitet kur autorët e tyre kanë studiuar apo punuar në këtë shkollë.
Për këtë gjimnaz me emër, sigurisht, që nuk kanë munguar jo pak botime me dokumente dhe dëshmi historike, me krijimtari letrare dhe përshkrime – të publikuara në kohë të ndryshme. Por ky libër, përmbledh kryesisht kujtime personale mbi jetën e kaluar nëpër vite në këtë shkollë. Ndaj librit, natyrshëm që mund të ketë sugjerime, apo dhe pritshmëri të ndryshme. Por kjo, nuk kishte pse të krijonte kurrfarë droje apo frenimi për nismëtarët e përgatitjes dhe botimit të tij. Fundja, kohëve të mëpasme, sigurisht, që do të dalin botime të tjera me shkrime e kujtime për atë gjimnaz, që mbetet gurrë e pashterrur frymëzimi për gjithë ata breza, që u edukuan dhe vazhdojnë e do të vazhdojnë ndër vite, që të edukohen në ato banga mësimi.
Rrugëtimi shekullor i këtij liceu/gjimnazi: nëpër vitet e mbretërisë, të luftës së dytë botërore, të kohës së regjimit totalitar dhe me rënien e tij – në vitet e ardhjes së periudhës së demokracisë, përbën një odise e kalvar përpjekjesh e konseguencash, që lanë gjurmë në historikun e tij dhe posaçërisht në jetën e profesorëve dhe të nxënësve të tij. Në këtë historik, mund të thuhet se është e skalitur historia komplekse e vet shoqërisë shqiptare – në harkn e një shekulli.
I urojmë shekuj të tjerë kësaj “kështjelle” të Dijes e Diturisë, ndërtuar me pamjen aq solemne dhe hije rëndë – karshi “kështjellës” tjetër, asaj të qëndresës historike të Qytetit.
Please follow and like us: