Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: KUR TRETEN HIJET

Shënime për triptikun e Ibrahim Vasjarit
Është guxim të bësh një libër me poezi. Në çdo kohë. Jo vetëm tani, në veçanti në moshë e gjyshërve.
Por ai ia doli mbanë. “Kur treten hijet”, Tiranë 2024, është libri më i ri i I. Vasjarit.
Ditën, kur mora librin prej tij, ia qëlloi të jetë dita e Shën Gjergjit. Një festë që kur ishim fëmijë, gjyshet tona na i mbushnin duart me kuleçë gruri, kuleçë me mjaltë, me bulmet të ri e me lule përsipër.
Poeti Ibrahim Vasjari zbukuroi ditën e Shën Gjergjit me poezi, zbukuroi jetën tij me këtë libër të ri poetik.
E kam lexuar në dorëshkrim “Kur treten hijet”. Është një libër i tipit album me krijimtarinë më të mirë të autorit. Është një udhëpërshkrim poetik… duken aty zymtitë në rrjedhjen tronditëse të viteve. Ibrahim Vasjari i ri botonte poezi në shtypin e kohës. Por për “biografi të keqe” ia prenë me sopatë vargjet. Prapë në heshtje ai ëndërroi ta realizonte atë që ia ndërprenë në rini. Pas rënies së diktaturës, ia doli që të botojë disa libra në prozë dhe në poezi
Librat sjellin plagët e jetuara…historitë tona të rënda, jo aq të rrëfyeshme me gojë …qoftë dhe me letërsi.
Por jeta duhet jetuar, na thonë librat e Ibrahimit. Edhe në të keq
Libri “Kur treten hijet” në strukturën e tij i thyen frakturat poetike, procedimet e gjuhës dhe të mendimit në përputhje me thyerjet e jetës sonë nëpër vite.
Kujtesa është hambari që e ushqen poezinë e këtij libri. Kujtesa e një poeti është një organo që mjeshtërisht tingëllon e i kthen të ngjarat e jetës në letërsi.
I. Vasjari është ndjekës i poezisë së vargut dhe të ndërtimit klasik. Vargjet e tij mjeshtërore 7rrëshqasin me shkëlqimin e lëmuar të mëndafshit në lirikat me natyrë intime dhe në ato meditative. Vargu i tij është muzikor, i pasur me tringëllima: “Shterpon ndiku rreth nesh fushnajë e Shkretës” (poezia Makth fq. 61). Kjo poezi është e denjë për antologjitë më përfaqësuese të poezisë sonë. Si një një tablo rrënqethëse personazhi i poezisë Makth endet me një fener në dorë i rrethuar nga zogj ciatës nëpër natën e fushnajës së Shkretës. Një makth që atij i përsëritet nëpër net.
Edhe kur subjektet janë dramatike, poezia e Ibrahimit di të jetë e përmbajtur. Herë-herë, midis vargjeve rrëshqet humori i mezidukshëm.
Libri “Kur treten hijet” ka njëqind poezi, poezia “Vorbulla jete” hap librin që më tej ndahet në tre cikle me nga 33 poezi secili. Në fund të librit përfshihen rreth dyzet faqe prozë nga esetë e kumtesat e zgjedhura të autorit.
(Autori pas disa muajsh bëri një botim të ri të librit. Arsyet i sqaron në një shënim).
Në ciklin e parë Jehonë rinore vijnë poezi të natyrës lirike. Cikli fillon me poezinë Kujtimet, me tej dhe një poezi me titull Copëza jete. Kjo na flet për lëndën poetike të këtyre poezive, për atë që ato janë reflektime mbi ngjarje a çaste të jetës së dikurshme të viteve të hershme të autotit. Cikli i dytë, Mozaik nate vjen me një përbërje tematike më të pasur. Veçohen aty poezitë për Vlorën, baladat me temë historike. Për nga realizimi artistik cilësor dhe tragjizmi therës renditen disa nga poezitë me tema mitologjike si: Polifemi, Magjistarja Circe, Në Had.
Sarkastik e dramatik njëherësh, autori aludon për shnjerëzimin që pësoi nën diktaturë njeriu i mjediseve tona: “Sa ndenjëm, s’di?! Në hiçin e pamatë,/ Koha si ne gërhinte derrërisht./ Nderonim shkopin me gërreç të thatë/ Dhe na pëlqente qenia jonë me bisht”. (Magjistarja Circe)
Në ciklin e fundit të këtij libri ka një fluturim reflektimesh, një filtrim të hollë të mendimit dhe të ndjenjës. Një gjendje mendore të lartësuar mbi kohët, mbi politikat, mbi atë kimi që herë ngjiz diell e herë hedh breshër. Një si ecje në tavanin mbi retë. Kjo i jep librit një kahje kohore të pakohë. Autori është i rreshkur në tragjedi, në tallandi e dhunë. Ai na sjell poezinë, na sjell dritën e Shën Gjergjt, shenjtit përtëritës. Pas dimrave të rëndë, gjithmonë vjen kthimi përsëmbari i motit. Koha e
shtimit të zogjve e të bagëtive, koha e begatimit me gjeth e me drith të ri të maleve e të dherave pjellore. Jemi bij të këtij planeti. U nënshtrohemi ligjeve të lashta e të përjetshme të tij. Jetojmë, vuajmë, gëzojmë këtu, në tokë. Kjo është një filozofi jetësore. “U thamë përditë, u zverdhëm nëpër natë/ Nën një copë hënë me kokë të varur drapër./ Po mundin na e di veç toka-mëmë,/ toka ku mbimë, ku hodhëm rrënjë.”
Në bisedë herë me nipin, herë me gjyshin e vdekur, autori do të ngrihet mbi të përditshmet, mbi dertet e plagët, për te një filozofi e ciklit jetik që ndjek rrjedhën nga gjyshi i dikurshëm te nipi i sotëm.
Dhe… në faqen e fundit të librit vjen imazhi i një lejleku plak mbi këmbanore, i cili, mbas një ngurimi, vendos: “Po nisem me të gjallët, të ndjek jetën. Që vdekja të më gjejë në fluturim.”
Është poezi e një jete dhe aty ka shumë vargje për njerëz të afërm, për miq, siç ka dhe poezi përçmuese për kohërat që sjellin më vete brenga e padrejtësi të pangushëlluara kurrë.
Nga realizimet më të trishtuara të librit është ajo me titull “Babait”. Babai i autorit u pushkatua si “armik i popullit” dhe mbeti i tillë armik edhe i vdekur. I biri e mbart atin e vdekur e të pavarr, e ngujon në gji. Korbat e kërkojnë të vdekurin dhe kafshojnë të gjallin. Plumbat, shefat e kuadrit, përgjuesit e zinj ndjekin të birin – njësh me të atin. Kjo gjallje-vdekje e pezullt e birit me atin përbrenda pret ditën kur të dy të flenë në qetësi.
Poeti Qazim Shemaj poezinë Babait e quante një diamant… të zi.
BABAIT
Ti nuk ke varr…
Ti thellë vdekjes endesh.
Pa arkivol, pa rrasë, pa gur, pa ritual.
Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes
Mbi ç’kalë do të hipje, si do të vije, vallë?!
Ti nuk ke varr…
Ashtu, përgjakur plumbash,
Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.
Rreth meje retë nxinin përzisht si në balada
Dhe korbat krakëllinin… Ç’llahtari!
Ti nuk ke varr…
Dhe korbat të kërkonin.
Kafshonin thellë meje për të të gjetur ty.
Një vaj I largët vinte përmallshëm nga baladat
Kur korbat hanin vetulla dhe sy.
Si të varros?!
S’mund të të shkul nga gjoksi.
Unë 40 vjet të mbajta ngujuar thellë në gji.
Dosjet e kuadrit, plagët, përgjimet bashkë i kemi.
Gjersa të dy të flemë në qetësi.
Please follow and like us: