Astrit Lulushi: Fshatari
Një motër e madhe shkoi nga qyteti, për të vizituar motrën e saj më të vogëI në fshat.
E madhja ishte e martuar me një tregtar në qytet; e vogla me një fshatar. Ndërsa u ulën duke biseduar, e moshuara filloi të mburrej me avantazhet e jetës në qytet: se sa komode jetonin atje, sa mirë visheshin, çfarë rrobash të bukura mbanin fëmijët e saj, çfarë gjërash të mira hanin dhe pinin dhe si ajo shkonte në teatër, shëtitore dhe argëtime.
Motra e vogël u mërzit me këto mburrje, dhe nga ana e saj, për jetë në fshat tha: “Unë nuk do ta ndryshoja mënyrën time të jetesës për tuajën. Mezi jetojmë, por të paktën jemi të lirë nga ankthi. Ju jetoni me stil më të mirë se ne, por edhe pse shpesh fitoni më shumë sesa keni nevojë, ka shumë të ngjarë të humbni gjithçka që keni. Ju e dini fjalën e urtë; Humbja dhe fitimi janë vëllezër e motër. Ndodh shpesh që njerëzit që janë të pasur një ditë, ditën tjetër lypin bukën e tyre. Rruga jonë është më e sigurt. Edhe pse jeta e një fshatari nuk sjell shume fitime, ajo është e gjatë. Ne kurrë nuk do të pasurohemi, por gjithmonë do të kemi mjaft për të ngrënë”.
Motra e madhe tha me tallje: “Po, nëse ju pëlqen të jetoni me derrat dhe viçat – çfarë dini për elegancën apo sjelljen? Sado që njeriu juaj i mirë të jetë skllav, ju do të vdisni siç jeni duke jetuar – në një grumbull plehrash – dhe fëmijët tuaj po njësoj”.
“Epo, çfarë nga kjo”? – u përgjigj më e reja. “Sigurisht që puna jonë është e ashpër. Por, nga ana tjetër, është e sigurt; dhe ne nuk duhet t’i përulemi askujt. Por ju, në qytetet tuaja, jeni të rrethuar nga tundime; sot të gjithë mund të jenë në rregull, por nesër i ligu mund ta tundojë burrin tuaj me letra, verë ose gra dhe gjithçka do të shkojë në shkatërrim. A nuk ndodhin mjaft shpesh gjëra të tilla”?
I zoti i shtëpisë, ishte shtrirë mbi kashtë dhe dëgjonte muhabetin e grave.
“Është krejtësisht e vërtetë”, mendoi ai. “Meqenëse jemi të zënë që nga fëmijëria me Tokën, ne fshatarët nuk kemi kohë të mendojmë asnjë marrëzi për kokën tonë. Problemi ynë i vetëm është se nuk kemi tokë mjaftueshëm. Nëse do të kisha shumë tokë, nuk do të kisha frikë as nga vetë Djalli”.
Gratë mbaruan çajin e tyre, biseduan pak për veshjen dhe më pas u shtrinë për të fjetur.
Por Djalli ishte ulur pas furrës dhe kishte dëgjuar gjithçka që thuhej. Ai ishte i kënaqur që gruaja e fshatarit e kishte mbrojtur të shoqin dhe se ai kishte thënë se po të kishte tokë të bollshme, nuk do t’i frikësohej as vetë Djallit.
“Në rregull, mendoi Djalli, do të të jap mjaft tokë dhe me anë të asaj do t’ju bëj skllevër nën pushtetin tim”.
Ketë punë Djalli bën edhe qeveria e kohës, u jep tokë dhe kredi në atë masë që fshatari nuk ka mundësi ta paguajnë; toka bëhet e qeverisë dhe fshatari bujkrob i saj;
Me vendin e mbushur me mallra nga importi, fshatarit i kalben frutat e perimet; gjëja e gjallë pakësohet, ashtu si mishi, qumështi dhe vezët vendase. I mbetur edhe pa treg, në fund, i dëshpëruar detyrohet ta lërë vendin dhe të emigrojë.në dhera të huaj.