Albspirit

Media/News/Publishing

“Dosja H”, Kadare dhe ata që e lexonin dhe e kuptonin atë


(Nga blloku i kujtimeve të vitit 1990)
Nga Sakip Cami

Për të gjithë shqiptarët vitet 90 ishin të vështira. Të vështira për t’u kuptuar, për të jetuar dhe për më tepër për të aspiruar për një demokraci të vërtetë.
Shqipëria nuk është as Lindje dhe as Perëndim, deklaronte Ramiz Alia.
Kadare në vitin 1990 në librin me poezi e prozë me titull “Ftesë në studio” shkruante për kohën e pamjaftueshme dhe nënkuptonte largimin nga Shqipëria për shkak të përndjekjes së shtuar.
Dhe ashtu ndodhi. Ismail Kadare largohet dhe vendoset në Francë.
Atë ditë së bashku me kolegun Agim Lleshi do të shpërndanim distiktivat “Mik i librit” në një veprimtari kulturore në një repart mitralier buzë kufirit.
Sapo arritëm atje na njoftuan se Kadare ka “dezertuar” dhe ju duhet ta anuloni aktivitetin.
Nuk ishte çështje që zgjidhej me telefon, aq më tepër në një repart ushtarak dhe për një personalitet të letrave që dyzonte mendjet e politikës së tronditur shqiptare.
Bisedojmë me Gimin dhe e bëjmë aktivitetin. Shpërndamë shumë libra, por jo të Kadaresë. Servilët dhe sahanlëpirësit do të na raportonin akoma pa ardhur në qytetin e vogël minator.
-Unë do ta marr për vehte në shtëpi një kopje të romanit “Dosja H” që sapo
ishte botuar, i thashë Gimit.
⁃ Edhe unë, tha Gimi, Koha do të tregojë se kush ka qenë dhe është Kadare.
Kur na pyeti komisari i njësisë Gëzim Bega i raportuam se librat i shpërndamë, por dy librat e Kadaresë i mbajtëm për vete.
-Mirë keni bërë, tha Gëzimi. Kur kohërat të kullohen do ta kuptojmë Gjeniun Kadare.
Unë dhe Agimi kemi në bibliotekën tonë romanin “Dosja H” të vitit 1990 dhe e kujtojmë shpesh këtë ngjarje.
Gjeniu flet me një varg. Gjeniu flet nëpër rreshta. Gjeniun nuk e mposht diktatura.
Fat për shqiptarët që patën një shkrimtar gjeni si Ismail Kadare. Fat për brezat e rinj.

Please follow and like us: