Albspirit

Media/News/Publishing

Matteo Mandalà: Aventura editoriale e letërsisë shqipe në Itali, rasti i Kadaresë

Botuar në italisht me titullin “L’avventura editoriale della letteratura albanese in Italia: il caso di Ismail Kadare” në Marija Bradaš, Tiziana D’Amico, Cristiano Diddi (edts), Diacritici in copertina. Le letterature dell’Europa centro- e sud-orientale tra strategie editoriali e traduzione, Collana della Rivista “Europa Orientalis”, Dipartimento DIPSUM – Università di Salerno, Salerno, 2022, f. 225-235. Përkthimi i prof. Gëzim Gurga.

1. Ky studim është zgjerimi i kumtesës sime në konferencën kushtuar letërsive minore në kontekstin editorial dhe kulturor italian në të cilën më është propozuar të flisja për letërsinë shqipe dhe receptimin e saj në gjuhë të tjera, veçanërisht në italishte, si edhe t’i kushtoja vëmendje rastit të Kadaresë, shkrimtarit më të madh të sotëm shqiptar, vepra e të cilit është përkthyer në më se 40 gjuhë, më saktë, sipas të dhënave të Bashkim Kuçukut, në plot 45 gjuhë[1]. Kjo shifër shënon një rekord në letërsinë shqipe dhe na jep një çelës leximi për të kuptuar arsyet e përmasave ndërkombëtare të suksesit të kësaj dukurie letrare, sukses që konfirmohet nga lajmi i përhapur këto ditë në Shqipëri nga Ambasada e SHBA-së se Kadaresë iu akordua çmimi prestigjioz Neustadt për letërsinë, promovuar nga revista World Literature Today dhe organizuar nga Universiteti i Oklahomës[2]. Prej shumë vitesh tashmë emri i shkrimtarit shqiptar përfshihet rregullisht në listën e kandidatëve për çmimin Nobel për Letërsinë, çka dëshmon se qarkullimi i veprave të tij ka qenë vërtet i gjerë dhe kapilar. Në këto faqe do të rrekemi të rindërtojmë rrugën e narrativës kadareane nga fillimi i viteve ’70 të shekullit të shkuar deri në ditët tona, duke e përqendruar vëmendjen mbi disa çështje ende të hapura që e vështirësojnë kalimin, a më mirë të themi kalimet, nga një gjuhë në tjetrën, aspekt ky që për shkak të një paradoksi të historisë përbën një nga karakteristikat kryesore të letërsisë botërore, por edhe një problem, nga njëra anë, për studiuesit dhe kritikët, nga ana tjetër për vetë përkthyesit. Nuk është e thjeshtë të rindërtohet në pak rreshta një histori kaq komplekse, por le të fillojmë duke e përshkuar rrugën në kah të kundërt.

2. Në fakt letërsia shqipe, përveçse pak e njohur në botë, është pa dyshim edhe një letërsi e re. Dokumenti i parë i shkruar, Formula e pagëzimit, i përket fundit të shekullit XV; libri i parë i shtypur, Meshari i Gjon Buzuku, datohet konvencionalisht në vitin 1555, ndërsa libri i dytë, Embsuame e krështerë i arbëreshit Lekë Matranga u botua në vitin 1592. Këto tri dokumente bartin të njëjtat tipare strukturore që do të shoqërojnë për një kohë të gjatë historinë e qytetërimit letrar shqiptar. Së pari, ato përfaqësojnë tri areale dialektore të gjuhës shqipe: përkatësisht, gegërishten qendrore, gegërishten veriore dhe toskërishten në variantin arbëresh; së dyti, kemi të bëjmë me tekste të gjetura ose të shtypura në Itali, pra jashtë trojeve “natyrore” shqipfolëse ballkanike; së fundi dhe çka është më kryesorja, janë të gjitha përkthime shqip nga tekste origjinale latinisht ose italisht. Mirëpo nëse këto tri tekste të para përfshijnë tiparet kryesore diakronike të letërsisë shqipe dhe që hasen rregullisht në veprat e mëvonshme, s’ka dyshim se ndër to përkthimi është karakteristika më e rëndësishme e praktikës së shkrimit që ka shoqëruar kulturën shqiptare ndër shekuj.

Në traditën letrare arbëreshe përkthimi ka qenë një praktikë e ushtruar rregullisht nga vetë autorët e veprave, të cilët ishin të gjithë folës të lindur dygjuhësh dhe e konsideronin përkthimin një mjet të domosdoshëm për t’u siguruar një përhapje të përshtatshme veprave të tyre. Me këtë dukuri të veçantë “vetëpërkthimi” është marrë Francesco Altimari, i cili, duke iu referuar veprave letrare arbërisht të Jeronim De Radës, ka analizuar «zgjedhjen strategjike për t’i vënë arbërishtes përkrah edhe italishten, çka rezultoi e suksesshme jo vetëm për De Radën, vepra e të cilit krijoi një traditë gjuhësore dhe letrare që tërhoqi vëmendjen dhe admirimin e publikut edhe jashtë Italisë […] falë ndërmjetësimit gjuhësor dhe kulturor të vetëpërkthimit italisht të veprës»[3]. Analizat empirike mbi tekstet kanë vërtetuar hamendjen teorike të Altimarit, duke na lejuar të vijmë në disa përfundime të rëndësishme. Së pari, konstatojmë se bëhet fjalë për konvergjencë dhe divergjencë mes dy versioneve, arbërisht dhe italisht, çka tregon se dygjuhësia letrare shfaqet në kërkimin nga ana e autorit të një identiteti tekstor «të dyanshëm dhe të njësishëm». De Rada, sikurse një pjesë e mirë e ithtarëve të tij, përfshirë bashkëkohësit tanë, duke modifikuar vazhdimisht herë versionin “origjinal” arbërisht, herë atë “të përkthyer” italisht, në të vërtetë synonte të arrinte një «identitet tekstor (dhe kontekstor) të njësishëm, formalisht të dyfishtë e të dallueshëm, por semantikisht qarkor»[4]. Me fjalë të tjera, autori dygjuhësh arbëresh nuk sillej (dhe nuk sillet) aspak si një përkthyes “normal”, por merrte (dhe merr) në të dyja rastet rolin e “krijuesit” të dy versioneve të cilat nga ana formale mbeten “të dallueshme” dhe “të njësishme”, ndërsa nga ana semantike kontribuojnë në krijimin e një teksti të vetëm, që shkon përtej dallimeve gjuhësore dhe që mëton të kënaqë pritshmëri estetiko-letrare të ngjashme dhe ekuivalente. Kjo sjellje ngjan me atë që përshtati një tjetër autor shqiptar, Pjetër Bogdani, vepra e të cilit (Cuneus Prophetarum), ribotuar tash së fundi përmes një pune filologjike rigoroze nga Anila Omari[5], paraqet të njëjtin identitet tekstor qarkor mes dy versioneve shqip dhe italisht që vuri re Altimari për veprat e De Radës. Madje Anila Omari, bazuar në të dhënat tekstore që dëshmojnë ndikime të shumta nga italishtja, shkon deri atje sa të parashtrojë hipotezën se teksti shqip do të ketë ndjekur tekstin italisht dhe jo e kundërta, sikurse është menduar deri më sot[6].

Të dhënat historike janë vërtet domethënëse për të kuptuar rrjedhën e zhvillimit letrar të shqiptarëve, të cilët, duke qenë një popull numerikisht i vogël, e kanë pasur të nevojshëm përkthimin, fillimisht nga gjuhët e huaja në shqipe, me qëllim që të ngrinin nivelin e përgjithshëm kulturor të popullsisë, pastaj edhe nga shqipja në gjuhë të tjera, kur u ndie nevoja për t’ua bërë të njohur të tjerëve letërsinë shqipe. Nga kjo nevojë e dyfishtë lindi kulti i përkthimit, i konsideruar një art i vërtetë, që në rrjedhë të kohës ka njohur pena të shquara, mes të cilëve po mjaftohemi të përmendim Fan S. Nolin (1882-1965), i cili solli në shqipe veprat e Shekspirit, Servantesit, Ibsenit, Eskilit, Vërlenit, Bodëlerit, Haines etj. duke u dhënë kështu mundësinë brezave të ardhshëm të shkrimtarëve shqiptarë, mes të cilëve edhe Kadaresë, për të hyrë në kontakt me kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore. Pikërisht në shembullin paradigmatik të Nolit përkthimi u bë një veprimtari mjaft e frytshme që nuk është ndërprerë kurrë. Kjo traditë nuk u fashit as në vitet më të errëta të izolimit komunist, përkundrazi, për ironi të fatit u forcua nga regjimi që ishte i interesuar “të përhapte” ideologjinë e vet. Për këtë arsye pranë shtëpisë botuese 8 Nëntori u ngrit një qendër ku, sikurse na dëshmon Edmond Tupja, «përkthehej nga shqipja në tetë gjuhë: anglishte, frëngjishte, gjermanishte, italishte, spanjishte, rusishte, greqishte dhe arabishte, por dihej nga të gjithë se përkthimet tona linin për të dëshiruar edhe si nivel përkthimi, me përjashtim të atyre në gjuhën frënge që mbanin firmën e Jusuf Vrionit si përkthyes e si redaktor dhe që, sipas shprehjes së një të huaji, ishin ‘surprisingly good’»[7]. Pikërisht Jusuf Vrioni do të bëhet protagonist i fazës së parë të përkthimit frëngjisht të prozës së Kadaresë, një fazë vendimtare për njohjen dhe konsakrimin ndërkombëtar të këtij autori. Mjafton të kujtohet se falë ndërmjetësimit të versioneve frënge, vepra kadareane u përkthye në shumë gjuhë të tjera, nga ato më të përhapurat, si kinezishtja, spanjishtja, anglishtja, arabishtja deri te gjuhët e Lindjes së Largët, si koreanishtja, malezishtja dhe singalishtja.

3. Përkthimi i veprës së Kadaresë, sidomos i asaj në prozë, zuri fill aty nga fundi i viteve ’60 të shekullit të shkuar dhe qysh prej asaj kohe për gjashtëdhjetë vjet me radhë ka njohur qasje të ndryshme me rezultate po aq të ndryshme që më poshtë po i shqyrtojmë shkurtimisht. Për të pasur një ide të plotë dhe shteruese të përhapjes së veprave të Kadaresë në gjuhë të ndryshme nga shqipja kemi shfrytëzuar botimin trigjuhësh shqip-frëngjisht-anglisht të veprës së madhe Enciklopedi Kadareane, realizuar nga Bashkim Kuçuku në bashkëpunim me studiuesen e re Jorina Kryeziu[8]. Kjo enciklopedi është një mjet shumë i dobishëm që përmbledh në mënyrë analitike të dhënat mbi përkthimet e shumta të veprave në poezi dhe në prozë, duke filluar nga ato të kryera në Shqipëri kur autori sapo kishte filluar të bëhej i njohur. Është fjala për të dhëna me interes për albanologët dhe studiuesit e letërsive të krahasuara, sepse përmbajnë aspekte që shtrojnë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me cilësinë e përkthimeve, me receptimin e veprës kadareane jashtë Shqipërisë për më se gjysmë shekulli dhe, së fundi, me politikat e veçanta editoriale që, sidomos në rastin e përkthimeve italisht, kanë përcaktuar zgjedhjen e veprave që do t’u jepeshin lexuesit.

Në hullinë e kërkimeve të mia kritike mbi veprën e Kadaresë, paraprakisht mora në shqyrtim rezultatet e studimeve të kryera gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit në Itali. Mes tyre duhen përmendur tubimet shkencore kushtuar Ismail Kadaresë të organizuara në Universitetin e Venecias “Ca’ Foscari” në vitet 2006 dhe 2009 nga studiuesit Alessandro Scarsella[9] dhe Giuseppina Turano[10], nismëtarë të një projekti kërkimor mbi prodhimin letrar të Kadaresë, rezultatet e të cilit u përmblodhën në një vëllim që u botua në vitin 2012[11]. Merita kryesore e këtyre nismave qëndron në faktin se ato i dhanë hapësirën e duhur debatit kritik mbi disa tema me të cilat po merrem prej kohësh dhe sidomos mbi marrëdhëniet jo gjithmonë të qarta mes gjuhës së nisjes dhe gjuhës së mbërritjes, marrëdhënie që në rastin tonë, siç do ta shohim më poshtë, paraqesin disa probleme, sepse përkthimet italisht janë kryer jo nga origjinalet shqip, por nga përkthimet frëngjisht. Përmend këtu sa për ilustrim vërejtjet kritike që botoi i ndjeri Gianni Belluscio[12], i cili, duke analizuar përkthimet e veprave të Kadaresë[13] në tubimet e Venecias, vuri në pah një mori gabimesh përkthimi që rezultuan nga ballafaqimi i versioneve origjinale shqip me përkthimet përkatëse italisht të kryera me ndërmjetësimin e frëngjishtes. Vërejtjeve të Belluscio-s iu shtuan më pas ato të Giovanna Nanci-t, të parashtruara në tezën e saj të doktoratës[14]. Nanci, edhe mbi bazën e përvojës vetjake si përkthyese me përvojë nga shqipja në italishte, analizoi përkthimet e ndryshme italisht të romanit Kështjella, duke ballafaquar versionet e para që u botuan në Tiranë nga fundi i viteve ’60 nga përkthyesit shqiptarë me botimet në Itali në vitet ’70 të kryera nga përkthyes italianë mbi bazën e botimeve franceze.

Anomalitë që vuri në dukje Nanci hasen rregullisht thuajse në të gjitha përkthimet e tjera në italishte, prandaj ato na ndihmojnë të rindërtojmë historinë e përkthimeve italisht të prozës kadareane, në të cilën histori dallojmë qartë tri faza që po i përshkruajmë në vijim.

a) Faza e parë zuri fill në vitet ’60 të shekullit të shkuar me nismën e shtëpisë botuese 8 Nëntori, e cila ishte përfshirë në një veprimtari të dendur propagande politike me përkthimin në gjuhët e huaja kryesore të veprave të Enver Hoxhës. Grupit të përkthyesve shqiptarë që punonin pranë kësaj shtëpie botuese iu ngarkua edhe përkthimi i veprave të autorëve më të njohur shqiptarë, mes të cilëve edhe të Kadaresë, prej të cilit duke nisur nga viti 1968 u përkthyen italisht disa romane dhe një përmbledhje poetike[15]. Pa përmendur mospërkimet e shumta të nivelit mikrotekstor, të cilat me gjasa i detyrohen mosnjohjes së mirë të italishtes nga ana e përkthyesve shqiptarë emrat e të cilëve mbetën anonimë, këtu po mjaftohem të shqyrtoj vetëm titujt e dy romanëve të parë të Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Kështjella, që në vetvete shfaqin kufizimet e kësaj faze.

Gjenerali i ushtrisë së vdekur, romani që i siguroi Kadaresë njohjen ndërkombëtare, u përkthye dhe u botua në vitin 1974 me titullin Il generale dell’armata sepolta[16], pra me një dallim të theksuar kuptimor që nuk haset në përkthimin frëngjisht të së njëjtës shtëpi botuese që do ta shohim më poshtë. Vendimi për të përkthyer si sepolta [së varrosur] mbiemrin shqip së vdekur, që kuptimisht i përgjigjet italishtes morta, nuk duhet konsideruar si gabim përkthimi, por duhet parë në optikën e realizmit socialist që orientonte edhe veprimtarinë përkthimore: meqenëse bëhet fjalë për një roman që praktikisht përshkruan gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave të ushtarëve armiq të vrarë gjatë luftës për çlirimin e atdheut, zgjedhja e përkthyesit përputhet me orientimin ideologjik të regjimit. Në Shqipërinë e asaj kohe ishte e pamundur të analizohej romani i Kadaresë në këndvështrimin modernist, pra si një padi ndaj karakterit çnjerëzor të luftës ose si metaforë mbi jetën dhe vdekjen, temë kjo e fundit që në poetikën narrative të Kadaresë do të rishfaqet shpesh te romanët e tij të ardhshëm ku rimerret toposi i të vdekurit që ringjallet. Të vihet re se të njëjtën “zgjedhje” gjejmë edhe te botimi spanjisht i romanit që doli në Kubë në vitin 1976, por që në botimin e mëpasshëm të vitit 1987 u ndreq dhe iu përshtat versionit frëngjisht.

Nga ana e vet romani Kështjella, duke shfaqur një tjetër lloj anomalie përplotësuese me të parën, vë në pah një aspekt që do të rikthehet si problem në zgjedhjet editoriale pas vitit 1990, pra pas rënies së regjimit diktatorial në Shqipëri. Botuar italisht në vitin 1975 me titullin La fortezza[17], përkthimi nuk mban parasysh versionin frëngjisht që kishte dalë tre vjet më parë në Paris me titullin Les tambours de la pluie. Dallimi mes dy titujve në këtë rast nuk i detyrohet zgjedhjes së përkthyesit, por vullnetit të autorit, që u shfaq fillimisht në versionin frëngjisht, pastaj edhe në të gjitha përkthimet në gjuhë të tjera, si edhe në ribotimet shqip të romanit (Kasnecët e shiut dhe Daullet e shiut)[18]. Madje edhe botimi anglez për të cilin përkthyesi David Bellos parapëlqeu titullin The siege, i duhet atribuuar Kadaresë që jo rastësisht e zgjodhi për botimin e fundit shqip (Rrethimi).

b) Botimi në vitin 1970 në Paris nga shtëpia botuese “Albin Michel” i versionit francez të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur (Le général de l’armée morte) shënoi fillimin e fazës së dytë, më saktë atë që përcaktoi në kontekstin ndërkombëtar ndërmjetësimin e frëngjishtes për shumë përkthime në gjuhë të tjera. Merita e këtij rezultati të dyfishtë i takon punës së jashtëzakonshme të të ndjerit Jusuf Vrioni (1916-2001), përkthyesit të shumë romaneve frëngjisht (Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Daullet e shiut, Kronikë në gur, Ura me tri harqe, Prilli i thyer, Kushe  solli Doruntinën, Muzgu i perëndive të stepës, Përbindëshi, Pallati i ëndrrave, Nëntori i një kryeqyteti) që favorizuan suksesin ndërkombëtar të veprës së Kadaresë. Vrioni e njihte shumë mirë frëngjishten, që e kishte mësuar në të ri kur bashkë me familjen kishte banuar në Paris. Pas kthimit në Shqipëri kaloi thuajse dhjetë vjet në burgjet e regjimit derisa në vitin 1960, me t’u liruar, u emërua si përkthyes në shtëpinë botuese 8 Nëntori. Romani i parë që përktheu ishte Gjenerali i ushtrisë së vdekur që pastaj u botua në Paris. Në librin e tij autobiografik, duke iu referuar përkthimeve të Kadaresë, Vrioni e pranoi se puna e tij si përkthyes përkrahej nga vetë autori i cili kishte njëfarë njohjeje të frëngjishtes. Suksesi editorial qe i menjëhershëm, aq sa përkthimet e mëvonshme të veprave kadareane në gjuhë të tjera u mbështetën në një masë të madhe pikërisht te botimet franceze. Gjithsesi do thënë se, paralelisht me rritjen e famës së Kadaresë në nivel ndërkombëtar, zgjedhjet editoriale që u vunë re në vende të ndryshme shënuan dallime të ndjeshme. Kështu p.sh., në vendet anglishtfolëse disa shtëpi botuese për njëfarë kohe botuan përkthime të mbështetura te versionet franceze. Më vonë disa shtëpi botuese filluan të botonin përkthime nga origjinalet shqip të kryera nga përkthyes që e njihnim mirë shqipen. Kështu, ndërkohë që David Bellos, Emile Capouya, Derek Coltman, Barbara Bray, Jon Rothschild vijuan t’i përkthenin veprat e Kadaresë nga frëngjishtja, Peter Constantine dhe sidomos John Hodgson u bazuan te origjinalet shqip. Në Gjermani u zhvillua një traditë tjetër falë punës së albanologëve Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler, të cilët qysh në vitin 1973 e përkthyen nga origjinali shqip Gjeneralin, duke i hapur kështu rrugën njërit prej përkthyesve më të frytshëm të veprës së Kadaresë, JoachimRöhm, i cili është njëherazi edhe një nga studiuesit më të mirë të veprës së tij. Këtë qasje të re në spanjishte e nisi Ramón Sánchez Lizarralde që përktheu drejtpërdrejt nga shqipja veprat e Kadaresë dhe të shumë shkrimtarëve shqiptarë. Ndërkohë në Rumani lexuesit u njohën me veprën e Kadaresë falë përkthimeve prej origjinalit shqip të kryera nga Marius Dobrescu.

c) Kthesa e ndërmarrë në këto vende dhe në vende të tjera, ndryshe nga përpjekja e izoluar që u bë në vitin 1966 në Sofje me botimin e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur bullgarisht në përkthimin e Marina Marinowa-s, karakterizoi fazën e tretë dhe të fundit të përkthimeve të veprës së Kadaresë. Jo aq e qartë shfaqet gjendja në Itali ku ende mbizotërojnë përkthimet e ndërmjetësuara nga gjuhë të dyta. Kështu, po të përjashtojmë përkthimin nga shqipja të Komisionit të festës, kryer në vitin 1996 nga Fernando Cezzi për shtëpinë botuese Besa dhe esenë e Kadaresë mbi Hamletin përkthyer nga poeti arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio, të gjitha përkthimet e tjera italisht të botuara pas vitit 1990 (La figlia di AgamennoneIl successore, La bambola, L’incidente, La provocazione, Un invito a cena di troppo,Vita, avventure e morte di un attore etj.) janë bërë nga përkthimet frëngjisht të Tedi Papavramit, të cilit shtëpia botuese Fayard i besoi detyrën të përkthejë veprën e Kadaresë pas vdekjes së Jusuf Vrionit në vitin 2002.

Karakteri kontradiktor i zgjedhjeve editoriale theksohet nga dy prirje të kundërta: nga njëra anë, disa shtëpi botuese të Italisë së Jugut, mes të cilave vlen të përmendim BesaArgo dhe Rubbettino, kanë ngarkuar disa përkthyes italianë që e njohin mirë shqipen të përkthejnë nga origjinali veprat e shkrimtarëve më të mirë shqiptarë, si Dritëro Agolli, Mitrush Kuteli, Luan Starova, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Ylljet Aliçka, Bashkim Shehu, Agron Tufa etj. Nga ana tjetër, disa shtëpi botuese të tjera vijojnë edhe sot e gjithë ditën t’i përkthejnë italisht veprat e Kadaresë nga versionet franceze, ose përndryshe ua besojnë përkthyesve shqiptarë përkthimin italisht të disa veprave minore të Kadaresë, si p.sh. L’occhio del tiranno i vitit 2012 (përkthyer nga Beniamin Guraziu) ose La bambola (2017), La provocazione dhe së fundi Aprile spezzato (2019) (përkthyer nga Liljana Cuka Maksuti), përkthime këto të fundit që paraqesin mospërkime dhe shtrembërime të shumta të origjinalit, te të cilat është ndalur Lili Sula në një studim të posaçëm mbi përkthimin e romanit autobiografik Kukulla (La bambola)[19].

4. Nuk na takon neve të analizojmë a të komentojmë cilësinë e këtyre përkthimeve, që tashmë janë shqyrtuar në mënyrë kritike në studimet e lartpërmendura nga Gianni Belluscio dhe Giovanna Nanci; as të shprehim gjykime mbi punën e bërë nga përkthyes të veçantë ose mbi “gabimet” e tyre eventuale, çka do të na vinte në krahun e kundërt të qëndrimit kritiko-estetik të vetë Kadaresë:

«…përkthimi nxjerr si rrjedhim gabimin dhe interpreti ngre si hipotezë sakrilegjin. Kështu, mund të arrihet në përfundimin se të përkthesh është diçka e pamundur. Unë mendoj të kundërtën: Historia e njerëzimit është historia e përkthimit. Ne të gjithë jemi përkthyes, madje edhe gjatë një bisede të thjeshtë. Ne kushtëzohemi nga përkthimi; ne përkthejmë mendimet tona; ne përkthejmë fjalët e bashkëbiseduesve tanë; ne përkthejmë vazhdimisht duke folur dhe ky është fati ynë i përditshëm… Si përfundim, të përkthesh do të thotë të përpiqesh të zbusësh veçoritë specifike me qëllim që t’u qëndrosh atyre besnik. Nëse sentenca italiane traduttore traditore (përkthyesi është tradhtar) mund të kuptohet nganjëherë si metaforë, në Ballkan ndodh ndryshe. Në këto vise ajo ka njohur një dramatizim të thellë […] Përkthyesi dyshohet për tradhti: të sunduarit dyshojnë se ai është bashkëfajtor me sundimtarët dhe sundimtarët dyshojnë se ai bashkëpunon fshehurazi me ata që ata sundojnë. Nga të gjitha anët përkthyesi akuzohet për mashtrim»[20].

Ky qëndrim i autorit pasqyron narrativën në të cilën vepronte Besnik Struga, personazhi i famshëm i romanit Dimri i vetmisë së madhe, përkthyesi zyrtar që u gjend në qendër të grindjes historike mes dy diktatorëve komunistë, sovjetikut të fuqishëm Nikita Hrushov dhe shqiptarit të vogël Enver Hoxha, grindje që përcaktoi prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Struga u akuzua hapur për “gabime” përkthimi që pastaj u përdorën si pretekst për acarimin e debatit politiko-ideologjik mes dy politikanëve. Përkthyesi bëhej kështu kokë turku për paudhësitë e të tjerëve dhe i nënshtrohej denigrimit publik. Natyrisht gabimi është një përbërës i pashmangshëm në çdo lloj pune, sidomos në një veprimtari si përkthimi ku keqkuptimet mund të fshihen pas hollësive leksiko-semantike, veçanërisht në një gjuhë si shqipja që është standardizuar relativisht vonë. Kështu, në vend që të qëmtojmë gabimin si të tillë, është më e rëndësishme të përqendrojmë vëmendjen te kundërvëniet e mirëfillta që vazhdojnë të karakterizojnë përkthimet e veprave të Kadaresë dhe natyrisht të kushtëzojnë receptimin dhe analizën kritike të tyre.

5. Pas rënies së regjimit në vitin 1990, Kadare e ka rishikuar gjithë korpusin e tij letrar, duke ndërhyrë në tekste, përfshirë ato që tashmë ishin përkthyer në frëngjishte. Vepra e plotë që u botua së fundi në 20 vëllime nga shtëpia botuese Onufri është konsideruar nga vetë Kadare si testamenti i tij letrar, pra si shprehja e vullnetit të fundit të autorit. Kështu sot mund të shtrojmë pyetjen: cilat variante duhen përkthyer për lexuesin italian, ato para vitit 1990, me fjalë të tjera ato që u përkthyen nga frëngjishtja e Jusuf Vrionit, apo duhen bërë përkthime të reja mbi bazën e rishikimeve më të fundit të autorit? Në këtë rast të fundit, a duhet ndjekur rruga e dikurshme kur kishte mungesë përkthyesish nga origjinali apo duhet vepruar sipas rregullave normale që kërkojnë përkthim nga shqipja, sikurse kanë nisur të bëjnë disa shtëpi botuese angleze, gjermane, spanjolle etj.? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve është e domosdoshme të zgjidhim disa probleme të vështira, si ato që vënë në diskutim përkthimet e derisotme; që shtrojnë çështjen e besnikërisë së përkthimit, duke propozuar kështu të njëjtin diskutim që u shtrua nga Michael Orthofer[21]; apo që përmbajnë në vetvete çështje të mëtejshme në disa rrafshe të analizës letrare: në rrafshin filologjik, në atë kritiko-letrar dhe së fundi në rrafshin traduktologjik. Bëhet fjalë për qasje metodologjikisht të ndryshme, por edhe të lidhura ngushtë, sepse nga kombinimi i tyre varet qëndrueshmëria e tekstit, analiza e saktë e tij dhe natyrisht përkthimet në gjuhë të tjera. Këtyre aspekteve të fundit do t’u kushtojmë vërejtjet e mëposhtme.

Është një e dhënë që merret si e mirëqenë nga studiuesit e veprës së Kadaresë që ndërhyrjet e shpeshta të autorit gjatë ribotimit të veprave kanë sjellë ndryshime të ndjeshme në tekstet e romaneve. Është fjala për ndërhyrje stilistike dhe gjuhësore, të kryera sidomos pas viteve ’90, paçka se edhe më parë janë vënë re ndërhyrje pak a shumë të rëndësishme. Jusif Vrioni ka vënë në dukje se disa ndryshime te tekstit shqip Kadare i ka bërë mbi bazën e versioneve frëngjisht dhe se nga ky lloj përkthimi së prapthi varen shumë rishikime, si ato që vuri në dukje Gianni Belluscio për romanin Kështjella, që kanë krijuar dallime të shumta në përkthimin e veprave të para kadareane. Shumë më rrënjësore kanë qenë ndërhyrjet e autorit pas përmbysjes së regjimit, periudhë gjatë së cilës Kadare mundi t’i rishikonte lirisht veprat e tij në tërësinë e tyre, përfshirë edhe veprat e ndaluara nga censura, si Përbindëshi, ose edhe disa vepra që u shkruan gjatë viteve ’80, por u botuan së pari në Francë pas dhjetë vjetësh, si  PasardhësiVajza e Agamemnonit dhe Hija. Një operacion i tillë “rishkrimi” ka prekur në radhë të parë rrafshin gjuhësor përmes një sërë risish që Kadare shtiu në punë pikërisht në kohën kur niste të kristalizohej gjuha letrare shqipe fill pas kodifikimit të saj në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972[22].

Zakoni i Karadesë për të vënë dorë mbi librat e tij konfirmohet edhe për periudhën gjatë regjimit. Bëhet fjalë për ndërhyrje të lehta me karakter estetiko-stilistik që nuk preknin strukturën e veprave. Përjashtim bëri rasti i ribotimit të romanit Dimri i vetmisë së madhe, botimin kritik të dorëshkrimit origjinal të të cilit pata nderin ta përgatitja për shtyp[23]. Botimi i parë i këtij romani në vitin 1973 u prit me një fushatë të ashpër kritikash të organizuara nga strukturat e partisë në pushtet dhe, sipas disa burimeve të besueshme, nga vetë Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit[24]. Kritikat e detyruan Kadarenë ta rishikonte romanin strukturalisht, madje edhe të fuste disa pjesë që i sugjeroheshin nga një grup ekspertësh të ngarkuar nga censura dhe sidomos nga Nexhmije Hoxha, e cila vuri dorë drejtpërdrejt në disa pjesë që sipas saj duheshin ndrequr[25]. Në lidhje me këtë gjyq publik që iu bë një romani artistik, është e qartë se Dimri i madh (1977) që doli si rezultat i redaktimit shumëduarsh, paçka se meriton njëfarë vëmendjeje kritike, nuk mund të konsiderohet sic et simpliciter si tekst referimi për poetikën kadareane. Gjithsesi, po të vendosim ta analizojmë në atë vështrim, duhet më parë të përmbushen dy kushte paraprake: duhet të sigurohemi se ai tekst shpreh vërtet vullnetin e autorit dhe për këtë qëllim duhet ta ballafaqojmë me botimin e fundit të romanit, për të cilin autori jo më kot ka vendosur të rimarrë titullin origjinal Dimri i vetmisë së madhe. Prandaj nga pikëpamja filologjike përkthimi dhe botimi eventual në italishte duhet të mbështetet tek i vetmi version shqip për të cilin jemi të sigurt se shpreh vullnetin e autorit, domethënë te botimi i parë i vitit 1973. Bazuar në këtë domosdoshmëri Laboratori i Albanologjisë i Universitetit të Palermos ka vendosur t’ia hyjë një projekti filologjik që synon të ballafaqojë tekstet e varianteve origjinale të të gjitha veprave të Kadaresë me variantet e mëvonshme të botuara në Tiranë dhe në Prishtinë me qëllim që të verifikojë sasinë dhe cilësinë e ndryshimeve dhe të hartojë një kuadër sinoptik në të cilin të gjitha variantet filologjikisht të rëndësishme t’i nënshtrohen vlerësimit kritik.

Të dhënat që kanë dalë në dritë deri tani kanë një vlerë të dyfishtë: nga njëra anë konfirmohet plotësisht ajo çka është thënë empirikisht mbi rishikimet e autorit, pra duke qenë se bëhet fjalë për ndërhyrje të shumta dhe shpesh të rëndësishme tekstore, duhen bërë përkthime krejt të reja; nga ana tjetër, në dritën e këtyre të dhënave është e pashmangshme që të ndërmerret një rrugë krejt e ndryshme nga ajo që ka karakterizuar përkthimet e deritanishme të veprave kadareane, pra të aktivizohen përkthyes të cilët, duke e njohur mirë shqipen, të jenë në gjendje të respektojnë parimin Übersetzung ist eine Form (përkthimi është formë), në emër të të cilit Walter Benjamin kërkonte kthimin tek origjinali, një kthim që në rastin e prozës së Kadaresë bëhet i domosdoshëm edhe për arsye estetike dhe stilistike. Sot mendojmë se është konkretisht e realizueshme shpresa e David Bellos për të parë një ditë të përkthyer veprën e Kadaresë në gjuhët e botës nga përkthyes që t’i kenë ato gjuhë të nënës dhe që njëherazi ta njohim shumë mirë gjuhën shqipe[26]. Në Itali ka shumë përkthyes italianë që kanë dëshmuar se e njohin shumë mirë shqipen. Përveç përkthimeve të kryera nga kolegë të shquar, profesorë universitarë dhe intelektualë arbëreshë, përmendim këtu kontributet e Fernando Cezzi-t, Giovanna Nanci-t dhe Valentina Notaro-s. Po të mbahet parasysh se studentët e shumtë të albanologjisë pranë katedrave të gjuhës dhe të letërsisë shqipe të universiteteve të Kalabrisë, të Palermos, të Salentos, të Napolit, të Romës dhe të Venecias përbëjnë një ushtri potenciale përkthyesish të ardhshëm nga shqipja në italishte, shtëpitë botuese italiane nuk do ta kenë vështirë të gjejnë përkthyes të vlefshëm. Me këtë rast i bëjmë thirrje shtëpive botuese italiane të përkthejnë e të botojnë  edhe ato vepra të Kadaresë që lexuesi italian ende nuk i njeh dhe që janë themelore për një receptim sa më të plotë të poetikës kadareane. E kemi fjalën veçanërisht për të ashtuquajturit romanë “binjakë”, Dimri i vetmisë së madhe dhe Koncert në fund të dimrit, historitë e të cilëve gërshetohen me disa momente kyçe të historisë politike dhe civile të Shqipërisë komuniste: me prishjen e marrëdhënieve, përkatësisht, me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën maoiste. Përveç këtyre dy veprave madhore, lexuesi italian ende nuk njeh më se njëzet vepra të tjera të Kadaresë: romanë, novela, përmbledhje tregimesh, vëllime poetike[27], pa lënë mënjanë një pjesë të mirë të eseistikës që me të drejtë Floresha Dado[28] e konsideron si një nga mjetet me efikase për të njohur fazat e zhvillimit artistiko-intelektual të këtij autori.

Është fjala për një punë të madhe që shtrihet njëkohësisht në disa rrafshe, të cilat bashkohen të gjitha te figura e përkthyesit, ura e vërtetë e komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor[29]. Është e qartë që përkthyesi nuk duhet të jetë medoemos edhe studiues dhe kritik letrar, mirëpo kur kemi të bëjmë me një autor që ka jetuar në një vend të sunduar nga një vizion ideologjik dhe dogmatik i artit dhe i letërsisë, kërkohet një njohje sa më e mirë e historisë politike dhe kulturore të atij vendi, si edhe njohja e stilit vetjak të autorit në fjalë. Vepra e Kadaresë, sikurse e thamë, i është nënshtruar kritikave të ashpra, shpesh është censuruar dhe ka pësuar ndërhyrje të rënda nga ana e pushtetit, është akuzuar për “ambiguitet ideologjik”, për shprehjen e një botëkuptimi të huaj, modernist dhe dekadent, për krijimin e një bote të populluar nga fantazma që nuk përkon me vizionin optimist të pretenduar nga parimet krijuese të realizmit socialist. Për një autor të tillë përkthyesi nuk mund të mjaftohet të përkthejë tekstin nga një gjuhë në tjetrën, por duhet medoemos të përkthejë edhe një kulturë historike në një tjetër. Në këtë fushë luhet ndeshja e besueshmërisë dhe e besnikërisë së një përkthimi, sidomos e përkthimeve të ardhshme të veprës së Ismail Kadaresë.


[1]  Shih Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botës: në dyzet e pesë gjuhë, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2015.

[2]  Shih Ani Kokobobo, “Ismail Kadare and the Worldliness of Albanian Literature” në World Literature Today (Winter 2021), në faqen internet https://www.worldliteraturetoday.org/2021/winter/ismail-kadare-and-worldliness-albanian-literature-ani-kokobobo.

[3]  Francesco Altimari, “L’autotraduzione nelle opere letterarie italo-albanesi: il caso di Girolamo De Rada”, në Traduzione, tradizione. La traduzione dalle varianti linguistiche alle varianti culturali, a cura di A. Brettoni, Scutari, 5-6 giugno, 2008, Bulzoni, Roma 2009, f. 77-78. Shih edhe Francesco Altimari, “Vetëpërkthimi në veprat letrare arbëreshe” në Urat e Arbërit. Studime filologjike dhe kritiko-letrare midis botës arbëreshe dhe botës shqiptare, “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare, Tiranë 2015, f. 275.

[4]Po aty, f. 277.

[5]  Shih Pjetër Bogdani, Çeta e profetëve, botim kritik me një studim hyrës, faksimile të origjinalit, transkriptim e shënime nga përgatitur nga Anila Omari, botim i dytë i përmirësuar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2015. Shih Anila Omari, “Influenze latino-italiane nel Cuneus Prophetarum di Pietro Bogdani”, në Cinque secoli di cultura albanese in Sicilia, Atti del XXVIII Congresso Internazionale di Studi Albanesi. Palermo – Piana degli Albanesi – Mezzojuso – Contessa Entellina. 16-19 maggio 2002, a cura di Matteo Mandalà, Palermo 2003, f. 475- 481.

[6]  «Përkthimi i tekstit në italisht dhe nevoja për të barazuar paragrafët në dy shtyllat parallele solli në shumë raste edhe ndikimin e strukturës italiane në tekstin shqip»: Anila Omari, “Tipare arkaike në gjuhën e Bogdanit: përkime me të folmet e Jugut”, në Wir sind die Deinen. Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925-1992) gewidmet, Albanische Forschungen 29, Hgg. von Bardhyl Demiraj, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden 2010, f. 358.

[7]  Edmond Tupja, Këshilla një përkthyesi të ri,Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2000, f. 25.

[8]  Shih Bashkim Kuçuku – Jorina Kryeziu, Enciklopedi kadareane – L’encyclopédie kadareenne – The kadarean encyclopedia, vëll./vol. I, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2020. Jorina Kryeziu është autore e një bibliografie kadareane në dy vëllime: shih Jorina Kryeziu (Shkreta), Kadare bibliografi, Vëll. I: Vepra (1948-2010); vëll. II: Studime (1953-2010), Botime Pegi, Tiranë 2014.

[9]  Alessandro Scarsella (a cura di), Leggere Kadare. Critica ricezione bibliografia, Biblion edizioni, Milano 2008.

[10]  Giuseppina Turano (a cura di), Kadare europeo e la cultura albanese oggi, Contesti adriatici, Bulzoni, Roma 2011.

[11]  Alessandro Scarsella – Giuseppina Turano (eds.), La scrittura obliqua di Ismail Kadare (L’écriture oblique d’Ismaïl Kadaré), Balcanistica e comparatistica, Granviale editori, Venezia 2012.

[12]  Shih Gianni Belluscio, “Leggere Kadare in italiano tra riscrittura e mistificazioni” në Alessandro Scarsella (a cura di), Leggere Kadare, cit., f. 32-50.

[13]  Shih Gianni Belluscio, “NOBELesse oblige” në Giuseppina Turano (a cura di), Kadare europeo, cit., f. 45-78.

[14]  Giovanna Nanci, Problematiche traduttologiche in contesto interlinguistico del romanzo Kështjella di Ismail Kadare: analisi contrastiva e nuovi approcci traduttivi, Tesi di Dottorato – Scuola Dottorale Internazionale di Studi Umanistici, ciclo XXV, Università della Calabria. Shih Giovanna Nanci, “Romani Kështjella i Ismail Kadaresë në gjuhën italiane: disa vërejtje nga analiza e përkthimit” në Res Albanicae. Rivista di Albanologia, anno II, nr. 1, 2013, f. 141-156;

[15]  Ismail Kadare, Poemi e poesie scelte, Casa editrice “8 Nëntori”, Tiranë 1968.

[16]  Ismail Kadare, Il generale dell’esercito sepolto. Romanzo, Casa editrice “Naim Frashëri”, Tirana 1974.

[17]  Ismail Kadare, La fortezza. Romanzo, Casa editrice “8 Nëntori”, Tirana 1975.

[18]  Ngulim këmbë në vlerën e titujve të romaneve të Kadaresë pasi, duke nisur pikërisht me rastin e romanit Kështjella, ata u bënë objekt diskutimesh të ashpra mes autorit, që parapëlqente zgjedhje të karakterit estetik, dhe funksionarëve politikë të shtëpisë botuese, të cilët kërkonin tituj që të pasqyronin sa më mirë vizionin ideologjik të kohës. Në rastin e romanit në fjalë, u zgjodh titulli Kështjella sepse përfaqësonte një simbol ideologjik të Shqipërisë së kohës, një “kështjellë” e rrethuar nga armiq të shumtë revizionistë dhe imperialistë, sikurse kishte qenë Shqipëria e Skënderbeut e rrethuar nga turqit. Këtë interpretim bën Aleks Buda kur në paragrafin e fundit të pasthënies së botimit të parë italisht shkruan: «Lufta e madhe popullore që u zhvillua në shekullin XV në Shqipëri dhe që evokohet në librin e I. Kadaresë, qe një ngjarje me rëndësi të madhe jo vetëm për kohën, për popullin dhe për vendin që lindi heroin. Ajo do të mbetet aktuale kudo që të ngrihet lufta fisnike e popujve të shtypur për të mbrojtur ose për të fituar lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e mohuara»: Aleks Buda, “Nota” në Ismail Kadare, La fortezza, cit., f. 302.Në fakt Kadare për këtë roman kishte zgjedhur titullin Kasnecët e shiut, që më pas në versionin francez u bë Les tambours de la pluie, funksioni i të cilit ishte të theksonte vlerën shëlbuese të ujit, në këtë rast të shiut, që do të ndillej nga daullet. Mbi interpretimin kritik të romanit shih Matteo Mandalà, “Kështjella e letërsisë dhe themelet e poetikës kadareane”, parathënie në Ismail Kadare, Vepra, vëll. 3, Rrethimi, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2008. Matteo Mandalà, “Skanderbeg vs. Kastriota. La letteratura albanese assediata, tra revenant e doppi kadareiani”, në Monica Genesin & Joachim Matzinger & Giancarlo Vallone (eds.), The Living Skanderbeg. The Albanian Hero betëeen Myth and History, Verlag Dr. Kovač (Orbis – Wissenschaftliche Schriften zur Landeskunde, Band 16), Hamburg 2010, f. 19-39. Paçka se i një tjetër lloji, p aq i rëndësishëm është edhe rasti i titullit të novelës Lulet e ftohta të marsit që në përkthimin frëngjisht u ndryshua në Froides fleurs d’avril, me qëllim që të shmangej ambiguiteti që rridhte nga homofonia (por jo edhe homografia!) mars, që në frëngjishte, sikurse në shqipe, përveç emrit të muajit, shënon edhe emrin e planetit. Kjo zgjedhje e diskutueshme shpreh shqetësimin e tepruar të botuesit francez, që me sa duket nuk kishte besim në aftësinë e lexuesve francezë për të shquar vlerën e germës së madhe, e cila në frëngjishte përdoret për emrat e planetëve. Mirëpo më shumë të habit përkthimi italisht, i cili meqenëse u krye mbi bazën e atij frëngjisht, sjell besnikërisht versionin e titullit të këtij të fundit pa mbajtur parasysh as origjinalin shqip, as faktin se italishtja e dallon qartë emrin e muajit (marzo) nga emri i planetit (Marte). Më pak i rëndësishëm dhe vetëm pjesërisht i bazuar në vullnetin e autorit është titulli francez Le palais des rêves, nga i cili rrjedh titulli i botimit italian Il palazzo dei sogni, por që në botimet e para shqip ishte Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave: edhe në këtë rast ndryshimi i titullit ka sjellë zhvendosjen e vëmendjes së kritikës nga protagonisti, në figurën e të cilit mund të identifikojmë vetë autorin, te konteksti mbytës i regjimit: shih Matteo Mandalà, “Për një botim kritik të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave. Shënime paraprake” në Kadare, leximi dhe interpretimi (ese dhe studime në tetëdhjetëvjetorin e lindjes). Përmbledhje e përgatitur nga Ardian Ndreca, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 13-52. Së fundi shënojmë bashkë me Alessandro Scarsella-n «varësinë nga receptimi francez në përkthimet e dorës së dytë dhe në transkriptimin e emrit të autorit: Kadaré – francezizëm dhe pasqyrë e një provincializmi dashamirës, sepse ia ka dhënë mjeshtrin shqiptar komunitetit të lexuesve më të fortë (që në Itali janë ata të përkthimit), por që mund të shmangej duke ndjekur të njëjtin objektiv»: Alessandro Scarsella “Ismail Kadare in Italia” në Ismail Kadare, Anche se è aprile, un itinerario a cura di Marina Giaveri per il Premio LericiPea 2010 all’Opera poetica, Introduzione e scelta dei testi di Marina Giaveri, Prefazione di Nullo Minissi, Sangiorgio editrice, Genova, 2010, f. 101.

[19]  Shih Lili Sula, “La bambola e Kadaresë: objekti letrar dhe përkthyeshmëria”, kumtesë e mbajtur në konferencën Botët e përkthyera të letërsisë: nga përkthimi te krijimi, e mbajtur në Tiranë në vitin 2020. Vëllimi është në shtyp e sipër. I jam mirënjohës koleges Lili Sula që më lejoi të lexoj dhe të citoj dorëshkrimin e studimit të saj.

[20]  Ismail Kadare – Denis Fernandez Récatala, Katër përkthyesit, përktheu nga frëngjishtja Haki Shtabli, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 13-14.

[21]  Shih Michael Orthofer, “Twice Removed. The Baffling Phenomenon of the Translated and then Re-Translated Text”, në “Complete Review Quarterly”, në faqen internet http://www.complete-review.com/quarterly/vol4/issue4/doubletd.htm. Duke u pajtuar me vërejtjet e Orthofer, edhe përkthyesja e Kadaresë Francesca Spinelli ka shprehur të njëjtat rezerva: shih Spinelli, “A due o a quattro mani: lo strano caso dei traduttori di Ismail Kadare”, në Emma Bond – Daniele Comberiati (a cura di), Il confine liquido. Rapporti letterari e interculturali fra Italia e Albania, Besa, Lecce, 2013, f.72-84.

[22]  Për këto aspekte të shihen dy studimet e Giuseppina Turano-s: “L’arte magica del creare. Neologismi nell’opera di Ismail Kadare, në La scrittura obliqua, cit., f. 89-114 dhe “L’incrocio fecondo tra la lingua e il dialetto nella scrittura di Ismail Kadare” në Letteratura e DialettiAnno 2014 – Annata: VII – N. 7 (2014), f. 47-58. Me interes gjuhësor është edhe fjalori “kadarean” i hartuar nga Natasha Sotiri, Fjalori i gjuhës së Ismail Kadaresë. Ndihmesë pë një fjalor historik të shqipes, vëll. I: A-J, prathënie nga Shaban Sinani, Shtëpia botuese “Medaur”, Tiranë, 2007.

[23]  Shih Matteo Mandalà, Në studion Kadare. Botim kritik i dorëshkrimeve të romanit Dimri i vetmisë së madhe, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2016.

[24]  Për një vështrim historiko-kritik të veprimtarisë së Ismail Kadaresë, shih Peter Morgan, Ismail Kadare. The Writer and the Dictatorship 1957-1990, Legenda – Modern Humanities Association and Maney Publishing, Oxford, 2010, f. 115-160 dhe Matteo Mandalà, Ismail Kadare tra la verità dell’arte e l’inganno della realtà, në Studia Albanica(pjesa e parënr. 1(2016), f. 3-25; (pjesa e dytënr. 2(2016), f. 3-46, që u botua shqip me titullin Ismail Kadare mes së vërtetës së artit dhe mashtrimit të realitetit, Përktheu dhe redaktoi Gëzim Gurga, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2018.

[25]  Historia e kësaj faze të shkrimit të romanit mbetet ende për t’u sqaruar. Të shihet libri i Shaban Sinanit, Letërsia në totalitarizëm dhe Dosja K: studim monografik dhe dokumente, Naimi Shtëpi botuese dhe studio letrare, Tiranë, 2011. Kontribut të vyer për njohjen e periudhës historike, si edhe të kufizimeve të Kadaresë gjatë viteve kur ia hynte shkrimit të këtij romani përbëjnë dy vëllimet ku Dashnor Kaloçi ka mbledhur dokumente të shumta të partisë, të organeve të kontrollit dhe të sigurimit të shtetit: shih Dashnor Kaloçi, Kadare i denoncuar (32 dokumente arkivore “Tepër Sekret”, të papublikuara më parë, nga Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, parathënie nga Henri Çili, Shtëpia botuese UET Press, Tiranë, 2015; Dashnor Kaloçi, Kadare dhe regjimi komunist: 101 dokumente nga aparati diktatorial shtetëror 1959-1991, Shtëpia botuese UET Press, Tiranë, 2018. Është fjala për materiale arkivore të dorës së parë, të domosdoshme për filologët dhe studiuesit e letërsisë, prandaj të habit fakti që këta i injorojnë ato. Po ashtu të habitin përpjekjet pseudo-filologjike që rreken të analizojnë variantet e këtij romani duke shpërfillur (qëllimisht?) dokumentet arkivore që jo vetëm ndriçojnë kontekstin historik dhe kushtet e nënshtrimit absolut ndaj pushtetit në të cilat ishin të detyruar të punonin shkrimtarët shqiptarë gjatë regjimit enverist, por ofrojnë edhe të dhëna të vyera në funksion të interpretimit kritik të veprave.

[26]  «One day, I hope, a literary translator with fluent Albanian will devote a lifetime to translating the entire œuvre over again»: David Bellos, “The englishing of Ismail Kadare. Notes of a retranslatorComplete Review Quarterly, volume VI, Issue 2, May 2005, në faqen web http://www.complete-review.com/quarterly/.

[27]  Përkthimi italisht i veprës poetike të Kadaresë ka një histori sa të ndryshme aq edhe të ngjashme me atë në prozë: shih Ismail Kadare, La nuova poesia albanese, a cura di Maurizio Caprile, edizioni Il Gabbiano, Livorno 1976. Maurizio Caprile ka përkthyer poemën Përse mendohen këto male: shih Ismail Kadare, A che pensano queste montagne, tradotto e interpretato da Maurizio Caprile, Pier Luigi Rebellato editore, Venezia 1977. Cilësi tjetër kanë botimet italisht të antologjive të përgatitura nga Joyce Lussu (Tre poeti dell’Albania di oggi: Migjeni, Siliqi, Kadare, Lerici Roma 1969 dhe La poesia degli albanesi, a cura di Joyce Lussu, ERI – edizioni rai radiotelevisione italiana, Torino 1977), dhe nga Ennio Grassi në përkthimin e Rosangela Sportelli (Poeti della terra d’AlbaniaAssociazione culturale In forma di parole – Città di Castello, Bologna 2002), nga Nasho Jorgaqi (Antologia della letteratura albanese, Pellegrini editore, Cosenza 2007) dhe nga Abedin Peza (La poesia albanese nelle pagine di un’antologia: poesie scelte e tradotte, Ideart, Tiranë 2006). Vle të përmendet përkthimi nga Elvira Dones: Ismail Kadaré, Le spiagge d’inverno,Armando Dadò editore, Locarno 1996.

[28] Shih Floresha Dado, Lexuesi në kurth: eseistika e Kadaresë, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2016. Për të plotësuar të dhënat kujtojmë esetë e Kadaresë të përkthyera italisht: Ismail Kadarè, Eschilo il gran perdente, traduzione dall’albanese di Adriana Prizreni, presentazione di Raffaele De Giorgi, Besa, Controluce, Nardò, 2008; Ismail Kadare, Dante, l’inevitabile, traduzione di Francesca Spinelli, Fandango libri, Roma 2008, Ismail Kadare, Amleto, il principe scabroso, prefazione e traduzione di Giuseppe Schirò di Maggio, Unione dei Comuni Besa, Palermo 2009. Mbi rëndësinë e eseistikës kadareane dhe mbi ndikimet që kanë ushtruar te Kadare autorë si Eskili, Dante dhe Shekspiri shih Matteo Mandalà, “Kadare e të tjerët: shembuj leximesh autoriale” parathënienë Ismail Kadare, Tri sprova mbi letërsinë botërore (Eskil, Dante, Shekspir), Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2017, f. V-XV, botuar edhe italisht në Shêjzat, nr. 3-4 (2017), f. 33-42.

[29]  Shih Giuseppina Turano, “Përkthimi ndërgjuhësor dhe ai ndërkulturor. Problemi i marrëdhënies me alteritetin: rasti i romanit Prilli i thyer i Ismail Kadaresë” në Shêjzat, nr. 1-2, 2019, f. 170-182.

https://exlibris.al/matteo-mandala-aventura-editoriale-e-letersise-shqipe-ne-itali-rasti-i-kadarese/?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR3xv_vEQl1eC_LP0sEnp3nMqHahjtpjFu5j1kM2xWDYZxm6VfTVNkwxsos_aem_kdTqfJ6itsU9LrC-CWQ1GQ

Please follow and like us: