Poezia e Pushkinit vjen në shqip nga Arqile Garo
EXEGI MONUMENTUM. *
nga Aleksandër Sergejeviç Pushkin
Monument i ngrita vetës, dorë njeriu s’ e latoi,
rrugëzës për vizitorët bari kurrë nuk do të mbijë,
obelisku i Aleksandrit*, që rebelët i nënshtroi,
qafën zgjat, të më arrijë.
Nuk kam për të vdekur, jo, shpirtin, lira e lëvduar,
si thëngjillin ndënë hi do ma mbajë ndezur përjetë,
dhe lavdia do më ndjekë sa mbi tokën e bekuar,
të ketë, qoftë dhe një poet.
Fama ime do marrë dhenë në Rusinë plot madhështi,
do thonë në gjuhët që fliten: këndoi si bilbil gjizar,
krenar për prejardhjen time bir i stepës me stuhi,
kallmuk dhe Tungush, shpellar.
Dhe do jem për çdo njeri për shumë kohë i adhuruar,
se me lirën time zgjova ndjenjat, dashurinë plot hir,
për Lirinë e ngrita zërin në këtë shekull të mallkuar,
për dëshmorë dhe për martirë.
Dëgjo Zotin Muza ime, ndiqe dëshirën e tij
frikë mos ki nga ofendimet, kurrë dafina mos kërko,
si lëvdatat edhe shpifjet të një smireje janë bij,
budallenjtë? – hiç, mos i zgjo!
(1836)
Shqipëroi: Arqile Garo.
*Exegi monumentum (latinisht) ngrita monument: Epigram nga veprat e Horatit. (65 – 8 para Krishtit)
*obelisku i Aleksandrit: obelisku që i kushtohet carit Aleksandër i Parë në sheshin e pallatit Perandorak të Shën Petërburgut.