Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Lamtumirë koleg i dashur, Astrit Lulushi!

4 Shtatori më solli një lajm të rëndë për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë pasur privilegjin të punonin me Astrit Lulushin. Lajmin e zi ma përcolli i vëllai i Astritit, Albert Lulushi, gjithashtu një koleg imi i familjes së nderuar Lulushi: “Wanted to send a brief message about Astrit. He passed away this morning. Thank you for being an important part of his life”.  Astrit Lulushi e humbi betejën e fundit nga një sëmundje e rëndë në veshke që e kishte ndjekur me kohë.

Është një fjalë e vjetër ndër ne shqiptarët kudo që jemi, me shprehjen se “Të gjithë jemi bijat dhe të bijtë e vdekjes”. E vërteta e idhtë është se kjo thënje është tepër e ftohtë në çdo rast vdekjeje, por në këtë rast, të kësaj humbjeje të rëndë — siç është kalimi në amshim, mëngjesin e 4 Shtatorit, 2024, të kolegut tonë Astrit Lulushi. Kjo shprehje nuk i teri as lotët e derdhura nga familjarët dhe të dashurit e tij, miq e kolegë. As nuk zvogëlojnë aspak dhimbjet për humbjen e një kolegu të dashur për të gjithë ata që e kanë njohur si tepër të dobishëm për familjen e tij, për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, ku ka punuar për 30 vite dhe për të gjithë ata me të cilët ishte në kontakt sa ishte gjallë.  Astrit Lulushi ka lindur në vitin 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga regjimi komunist bolshevik sllavo-komunist në vitin 1985 dhe një vit më vonë filloi punë tek “Zëri i Amerikës”, ku e ndjente veten shumë të privilegjuar, ndërsa familja e tij iu bashkua disa vite më vonë, pas shembjes së Murit të Berlinit.

Vdekja është gjithmonë një ngjarje e kobshme dhe në rastin e Astritit, disi e parakohshme, pasi e mori në moshën 71-vjeçare. Por, pasi ky, përfundimisht, është fati i të gjithë ne – s’i ikim dot, por me lutje e pranojmë si diçka që i dorëzohemi, duam, s’duam.  Ndërkaq, në raste të tilla, ato që na mbeten, janë kujtimet dhe trashëgimia lenë pas — janë ato kujtime nga e kaluara që e bëjnë shkuarjen në amshim, ndoshta pak më të lehtë.

Prandaj, sot e kujtoj Astrit Lulushin si koleg të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë bashkëpuntorët e tij, gjatë periudhës që kemi punuar bashk në Zërin e Amerikës – megjithëse nuk ishim në marrëdhënie të përditshme pune. Astriti ka filluar punën në shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, në vitin 1985, pothuaj menjiherë pasi ishte arratisur nga Shqipëria komuniste. E kujtoj si një gazetar me përvojë, si producent i përpikët i shërbimit shqip për programet e radios dhe më vonë të televizionit. Por edhe si folës, përkthyes, gazetar e shkrimtar.  Ishte shumë i dashur për të gjithë.

Gjatë punësimit, tek VOA-shqip, Astrit Lulushi trajtonte lloj-lloj temash e subjektesh për transmetim, përfshirë shkencë dhe mjekësi. Ishte i njohur dhe shumë i respektuar edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ka shërbyer shpesh si korrespondent i Zërit të Amerikës, duke mbuluar zhvillimet e komunitetit dhe duke intervistuar personalitetet e dalluara shqiptaro-amerikane.

Pas 30 viteve punë, Astriti kishte vendosur të dilte në pension nga Zëri i Amerikës 5-vjet më parë, në Korrik të vitit 2019. Me atë rast, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”, për arritjet e tij profesionale.  Me atë rast Astriti u drejtoi, nga një studio e Zërit të Amerikës,  fjalët e fundit si gazetar i këtij enti të madh amerikan lajmesh,  dëgjuesve dhe shikuesve të VOA-s shqip:

“Sot është dita ime e fundit si punonjës i Zërit të Amerikës. Pas 30-vjet punë tani erdhi koha për të dalë në pension. Njeriu ikë nga vendlindja dhe vjen në Amerikë për të kërkuar liri dhe mirëqenje. Këtu, unë i gjeta të dyja. Gjithashtu ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të shërbyer në një agjenci si Zëri i Amerikës, që zë vendin e nderit mes vendeve të lira. Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj – ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës. Ju falemnderit”!

Ishin këto fjalët e Astritit në ditën e pensionimit drejtuar dëgjuesve dhe shikuesve të Zërit të Amerikës. Por duken mjaft të përshtatshme këto fjalë edhe sot që kolegu ynë i dashur, është ndarë përgjithmonë prej kësaj bote: “Në Amerikë gjeta lirinë dhe mirëqenjen” — “Largohem i përmbushur dhe i nderuar”, është shprehur ai, si një falënderim ndaj Amerikës që e ka strehuar, ashtu si edhe shumë prej nesh që kemi gjetur strehim dhe liri në këtë vend të bekuar –të arratisur nga anë e mbanë trojet shqiptare.

Edhe ne që e kemi njohur e punuar me Astritin gjatë dekadave – ndonëse të pikëlluar për humbjen e tij — ndihemi të pëmbushur dhe të nderuar që e kemi njohur.  Ai do vazhdojë të jetë me ne – nepërmjet trashëgimisë kulturore dhe një publicistike me gjallëri mahnitëse që ka lenë pas: të pakën mbi një dyzinë librash të botuar dhe qindra e qindra artikuj. Por, shkuarja në amshim e Astritit gjithsesi do të varfërojë gazetarinë dhe letërsinë shqipe jo vetëm në diasporë, por edhe anë e mban trojeve shqiptare ku ai ishte pothuaj i pranishëm, vazhdimisht.

Por megjithë këtë, zbrastia e tij do të ndjehet shumë, sidomos në rrethin e tij familjar, në radhët e kolegëve të tij gazetarë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ishte për pothuaj 50-vjet, si gazetar i Zërit të Amerikës dhe si publicist pas daljes në pension.  Familjes së ngushtë, pikësëpari bashkshortes Lilianës, familjarëve të tij në Amerikë dhe në Atdhe – u shprehi ngushëllimet më të sinqerta dhe përdhimtimet e mia më të thella – me nderim e respekt – duke u përkulur para kujtimit të paharrueshëm të Astritit.

Please follow and like us: