Albspirit

Media/News/Publishing

Mandati i Xhaçkës, BE e SHBA shprehin shqetësim për vendimin e parlamentit

Në Shqipëri Delegacioni i BE-së e konsideroi sot “një hap jo në drejtimin e duhur”, vendimin e parlamentit i cili pengoi dërgimin në Gjykatën Kushtetutese të çështjes së mandatit të deputetes dhe ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Ambasada amerikane po ashtu ndau të njejtin shqetësim pak më vonë. Ndërkohë, gjatë ditës kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali njoftoi se i ishte drejtuar Komisionit të Venecias, për të zgjidhur atë që shumica e shikon një ngërç të krijuar në marrëdhëniet me Gjykatën, për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Por për kryetarin demokrat Sali Berisha, një veprim i tillë shihet si një përpjekje për të justifikuar atë që ai e cilësoi si një puç antikushtetues.

Ndryshe nga dy herët e tjera, socialistët zgjodhën në masë abstenimin, për të arritur të njejtin rezultat: mosdërgimin në gjykatën kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes dhe ish ministres Olta Xhaçka. Një votim, i cili për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë “nuk është një hap në drejtimin e duhur”. Në qëndrimin e sotëm, përfaqësia e BE-së, vëren se dhe më parë “kemi shprehur shqetësimet tona, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje”.

Ambasada amerikane po ashtu u shpreh se ndan shqetësimin e Delegacionit të BE-së, për vendimin e parlamenti që sipas saj “shpërfilli Gjykatën Kushtetuese”. Në një postim në Facebook, ambasada po ashtu vuri në dukje se “Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën, të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”.

Rasti i mandatit të deputetes Xhaçka e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur deputetë të opozitës, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Ndërkohë që vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi i dhënë bashkëshortit të saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë.

Rasti ka çuar në një përplasje direkte me gjykatën e cila ka kërkuar shprehimisht që parlamenti t’ia përcjellë asaj shqyrtimin e papajtueshmërisë ose jo të mandatit. Por shumica i është përmbajtur qëndrimit se deputeti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar dhe se këtë liri atij ia njeh kushtetuta.

Pasdite vonë, kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, reagoi ndaj deklaratave të Delegacionit të BE-së dhe ambasadës amerikane, duke theksuar se “votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkruajti zonja Spiropali në një postim në Twitter.

Në letrën drejtuar Komisionit të Venecias, ajo vë në dukje se sipas saj, disa vendime të Gjykatës për rastet të papajtueshmërisë së mandatit kanë përplasje mes tyre. Në 5 pyetje drejtuar Komisionit zonja Spiropali kërkon interpretim mbi faktin nëse “mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?”, se “cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative” dhe se “a mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi, apo të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta?”, duke iu referuar faktit se 1 të pestës së deputetëve nuk po i njihet e drejta për të vënë direkt në lëvizje këtë Gjykatë.

Por për kreun e opozitës Sali Berisha, i cili u shfaq në një mesazh video nga banesa e tij ku ndodhet në arrest shtëpie, vendimi i parlamentit “de facto asgjësoi Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën kushtetuta shndërrohet në një letër pa vlerë. Thirrja ime për Komisionin e respektuar të Veneçias, të hedhë poshtë me përçmim këtë përpjekje kurth për të justifikuar puçin konstitucional që Edi Rama dhe komisioni Xhafaj realizuan mbrëmë ndaj Gjykatës Kushtetues”, u shpreh ai.

https://www.zeriamerikes.com/a/7783345.html

Please follow and like us: