Tri ese nga Astrit Lulushi
Pengesa
Në vitin 1997, autori meksikan Don Miguel Ruiz ndryshoi mënyrën se si njerëzit mendonin për vetëpërmirësimin, me botimin e librit Udhëzues praktik për lirinë personale. Në vend që t’u tregonte njerëzve se si të ndryshonin zakonet e tyre, ai u përqendrua në një grup besimesh shpirtërore të mbajtura nga njerëzit e lashtë Toltec që theksonin “marrëveshjet” që bëjmë me veten, me të tjerët, dhe me vetë jetën.
Sipas Ruiz, më e rëndësishmja nga këto marrëveshje, dhe shpesh më e vështira për t’u mbajtur, është ajo që bëjmë me veten. Tre marrëveshjet, siç i parashtroi Ruiz, janë:
1) Mbani fjalën.
2) Mos e merrni asgjë personalisht.
3) Bëni gjithmonë më të mirën.
Veçanërisht kur bëhet fjalë për të bërë më të mirën, njeriu mund të përqendrojë mundësitë kundrejt kufizimeve, dhe duke e bërë të drejtohet drejt pohimeve pozitive kundrejt vetëkritikës.
Sa fisnikë dhe të mirë mund të ishin të gjithë, nëse, çdo mbrëmje do të kujtonte në mendje ngjarjet e gjithë ditës dhe do të mendonte saktësisht se çfarë ka qenë e mirë dhe e keqe. Më pas, pa e kuptuar, përmirëson veten në fillim të çdo dite të re.
Ne bëjmë atë që dimë të bëjmë, dhe kur dimë më mirë, bëjmë mirë. Mos u lodh kurrë duke u përpjekur dhe mos mendo se është e pamundur. Bëhu vetvetja; nuk ka imitues të tjetrit. Ka diçka që mund ta bëni më mirë se një tjetër. Dëgjoni zërin e brendshëm. Bëj gjërat për të cilat je i shkëlqyer, thotë Ralph Waldo Emerson, ne nuk mund t’i lejojmë vetes të frikësohemi për të mos e jetuar jetën tonë… Duhet të vazhdojmë me besimin se gjërat do të përmirësohen… Dhe gjërat do të përmirësohen kur ne t’i bëjmë ato më të mira.
Kuptimi thjesht është, se çdo gjë që përpiqesh të bësh, përpiqu me gjithë zemër ta bësh mirë; se “në qëllime të mëdha dhe në të vogla, kam qenë gjithmonë tërësisht i zellshëm”, thotë Charles Dickens. Për sa kohë që përpiqeni për më të mirën, nuk jeni i dështuar. Gjithashtu nga jeta njeriu mëson se suksesi nuk matet aq shumë nga pozicioni që dikush ka arritur në jetë, sesa nga pengesat që ka kapërcyer gjatë përpjekjes për të pasur sukses.
Perandori i parë romak i huaj
Pasi u vra Kaligula, në vitin 41, kreu i gardës pretoriane, Cassius Chaerea u arrestua dhe u dënua me vdekje. Kërkesa e tij për të vdekur nga shpata u pranua.
Cassius mund të shihet edhe si tradhtar edhe si hero. Ai e tradhtoi betimin për të mbrojtur Perandorin, por i dha fund sundimit të tiranisë.
Megjithatë, kishte shumë më tepër roje pretoriane dhe të tjerë të përfshirë në komplot. Përveç Cassius-it, burimet romake nuk përshkruajnë sa komplotistët kishte, identitetin e tyre, sa u arrestuan dhe as dënimin e tyre kur u kapën. Komploti ishte me sa duket një nga shumë përpjekjet për të eliminuar perandorin Gaius (Caligula). Gaius ishte një personazh i ndërlikuar. Ndër incidentet më të famshme të mbretërimit të tij, dyshohet se u përpoq ta bënte kalin e tij konsull. Është ende mister pse në mënyrë progresive ai i largoi të gjithë rreth tij, duke përfshirë edhe truprojet.
Truproja e tij gjermane ishte afër dhe me sa duket nuk ishte përfshirë në komplotin e vrasjes. Së bashku me pretorianët ata kishin gjithashtu një përgjegjësi për sigurinë perandorake. Për çfarëdo arsye, ata nuk ishin në gjendje të mbronin Kaligulën ose gruan dhe vajzën e tij.
Megjithatë duket se garda gjermane ishte kapur në befasi. Ndoshta të zënë ngushtë nga dështimi i tyre, ata u lëshuan duke kërkuar vrasësit që përpiqeshin të fshiheshin. Ata vazhduan të kërkonin derisa pretorianë, të pa përfshirë në komplot, gjetën rastësisht Klaudin dhe e shpallën Perandor. Ai u bë i pari perandor romak i lindur jashtë Italisë, në Lyon, në vitin 10 pes. Klaudi ishte i çalë dhe deri diku shurdh, i papërfillshëm, dhe kjo e shpëtoi nga komplotistët. Kaligula kishte qenë nip i tij.
Suetonius vëren se kur ishte i qetë dhe i ulur Klaudi ishte një figurë e gjatë dhe me dinjitet. Kur ishte i zemëruar ose i stresuar, simptomat e tij përkeqësoheshin; belbëzonte, hutohej në fjalimi i tij, llomotiste dhe i rridhte hunda, kur ishte i emocionuar. Seneka thekson se zëri i Klaudit nuk i përkiste asnjë kafshe tokësore dhe se duart e tij ishin të dobëta.
Historianët pajtohen se kjo gjendje u përmirësua me ardhjen në fron. Vetë Klaudi thoshte se i kishte ekzagjeruar sëmundjet për të shpëtuar jetën e tij.
Garda pretoriane kishte anëtarë të tërhequr nga grupe etnike në të gjithë Perandorinë. Emrat e rojeve krijojnë pak konfuzion. Asnjë nuk përbëhej ekskluzivisht nga gjermanë. Perandorët i besonin Gardës së tyre gjermane më shumë se Pretoriane, sepse ajo nuk kishte lidhje keqdashëse politike ose familjare me fisnikërinë romake. Klaudi, gjithashtu, hapi rrugën që të tjerë gjeneralë romakë që kishin lindur në vende të huaja, përfshi ilirë e trakas, të bëheshin një ditë edhe perandorë.
Peshkatari
Një peshkatar me rrjeta dhe fyellin e tij shkoi në breg të detit. Duke qëndruar në një shkëmb, ai hodhi rrjetat e i ra fyellit me shpresën se peshqit, të tërhequr nga melodia e tij, do të hidheshin vetë në rrjetë. Më në fund, pasi priti dhe kjo nuk ndodhi, la mënjanë fyellin dhe duke tërhequr rrjetën, pa se ajo ishte plot me peshq që kërcenin:
“O ju krijesa të çoroditura, kur i bija fyellit, nuk donit të kërcenit, por tani që kam pushuar, e bëni me gëzim”.