Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi zhbirues i Lazër Stanit si dëshmi i origjinalitetit në prozën e shkurtër shqipe

Irena Kuka Dragoti

(Përsiatje mbi veprën e tij “Kohë për nuse”)

Cila është koha e duhur për nuse?

Në adoleshencën time e dëgjoja shpesh mes të rriturve shprehjen ”Është koha për nuse tani bir ose është koha për nuse për filan djalë, a burrë që i kishte ndodh një fatkeqësi”. Dukej sikur kjo kohë ishte e përcaktuar nga disa rregulla të pashkruara e kishte një limit si vijë e kuqe që nuk duhej kaluar sepse quheshe i mbetur dhe gërmohej për “ të metat”. Ky mendim më erdhi i pari, sapo më ra në dorë libri me tregime i Lazër Stanit “Kohë për nuse”. Me krijimtarinë e Lazër Stanit pata një kontakt të shkurtër ne vitin 2016 e më pas rrjedha e jetës e largimi nga Shqipëria më shkëputi përkohësisht nga letërsia shqip. Më pas një mik i familjes më rekomandon krijimtarinë e tij e nuk ngurova… shqiptarçe me pak fjalë, të lexoj këtë libër, më tepër se të shijoj një krijimtari doja të vërtetoj fjalët e rekomanduesit. Pak kisha gjetur vehten së fundmi në prozën e shkurtër.

Shpesh kur filloj një libër përpiqem ta mbaroj sa më shpejt pasi leximi i së tërës jep një tablo më të plotë mbi autorin apo veprën e tij. Kjo ndodhi me prozën e Lazër Stanit. Intrigues rresht pas rreshti në tetë tregimet e tij aq sa kuptova se ky shkrimtar me sjellje modeste por me penë të magjishme i paska shërbyer letërsisës së vendit tim duke mos kërkuar asgjë mbrapsh prej tij, as minimumin e vëmendjes.

E them shpesh mes miqsh që nëse një vepër më përfshin në atë stad sa të më japë ndjesinë e të qenit personazh real për mua vlen, vlen shumë. A nuk duhet te jetë ky misioni i një vepre? Përpos kësaj a nuk kërkojmë vetbesimin e autorit të tretur në çdo rresht në mënyrë që të bindemi për origjinalitetin e tij? Herë i drejtpërdrejtë në narrativën e tij dinamike e herë filozofik, herë në kufijtë e monografisë e herë në dimension kombëtar, Lazër Stani vjen i zhveshur me këtë vepër nga përfitimet apo joshja e ngutshme e lexuesit, herë- herë ndoshta i ndjekur dhe nga paragjykimet për të vërtetat e tij..

“Ne vazhduam të ecnim në errësirë nëpër një shteg të panjohur që nuk dihej se ku do na nxirrte”, shkruan autori në tregimin e tij “Të magjepsurit” duke rrëfyer në vetën e parë e duke aluduar se çdo fillim tregim nisur nga titulli do ishte i tillë një shteg plot të papritura. Titull ngacmues në çdo prozë dhe duket se perdja e syve që çelet tek njeriu pak para vdekjes, në botkuptimin e autorit ishte çelur shumë herët qysh në adoleshencë, për të parë më shumë se ata që e rrethonin, “tmerrin e ekzistencës njerëzore në sy” – thotë autori te tregimi “Përqafim në mort” ku është tejet therës ndaj ligësisë e llogarive të dashurisë dhe sarkastik ndaj injorancës dhe hipokrizisë e të jetuarit me të.

Tregimet e Lazër Stanit anojnë nga e pathëna më shumë, për ta bërë aktiv lexuesin duke shmangur shpjegime të tepërta e pa rënë në nihilizëm. Ndikohet emocionalisht nga realiteti pa u bërë idhujtar. Këte e tregon më së miri” Përqafim në mort” kur personazhin kryesor e sjell mospërfillës e krenar ndaj arrogancës . Ai nuk i jep dot shpjegim lumturisë nga injoranca.

Çdo detaj i natyrës në prozën e tij vjen në funksion të perceptimit të klimës së një shoqërie si një cikël dramatik. Duket sikur dhe vdekja vjen për të plotësuar fatin , duket sikur anarshia e mendimeve , paguximi i veprimeve kanë mbështetjen e fatit. Duket se autori vjen nga një jetë plot eksperienca, duket se narrativa e tij është ajo e një njeriu, që ishte një hap para kohës e vendit ku jetonte. Shpesh në disa tregime ndihet të jetuarit e ngjarjes kurse te “Pianisti” e të tjera ngre krye fantazia e tij prej shkrimtari.

Shumë nga tregimet e tij përmbajnë dialogë platonianë me vehten, plot nëntekste që përhapin si rrathët në ujë, befasinë. Shpesh autorin e gjen të ngujuar në përmbajtjen e krijimeve të tij, letrarisht të vetëdijshëm për strukture jo të ngurtë e kapërcime të befasishme në to.

Kur Autori në prozën e tij i bindet fatit kjo nuk do të thotë se ai tërhiqet para tij, por eshtë thjesht liria e shpirtit të tij që nuk e mposht. Ndoshta vdekja e babait të Danielës u soll në tregim për të ndaluar një dashuri e cila mund të kishte triumfuar me gjalljen e tij. Ai nuk i jep fuqi demonësh njeriut por ligjeve të natyrës

Autorit i pëlqen të vihet përballë opinionit nëpërmjet heshtjes së tij. Ai mendon se heshtja i ka frutet më të ëmbla se poterja e kundërshtisë.

Në pamje të parë heshtja mund të duket si dorëzim psh te “Pianisti” ku braktisja e Monikës, pranimi i ofertës së Pepes, martesa me të kundërtën e Monikës, Linën, por gjatë leximit lexuesi e takon heshtjen si vulosje të përbuzjes për vehten apo mëshirimin e epokës kur artistit i duhet të zgjedhë mes pasionit e mbijetesës, ku artisti shpesh mbetet peng i moskuptimit të tij nga ata që e rrethojnë. Një e evërtetë e ndërlikuar sjell dramë në kurriz të artit i cili gjithmonë ndërshkon veten jo ata që e lëndojnë. Shoqëria e para e më pas individi bën spektatorin para vrasjes së ëndrrës dhe artistit në shpirt.

Ajo që më bëri përshtypje në këtë vepër ishte mungesa e kohës së ngjarjeve përjashto tri tregime ”Me sy të fiksuar pas një ylli”, “Idioti udhëton për Amerikë” dhe “Daiza Zaharia” duke na lënë të kuptojmë aftësinë gjithëpërfshirëse të shkrimtarit dhe aftësinë për të evidentuar e psikologjisur në të gjitha kohët që ka jetuar. problemet më tipike…

Në tregimin “Kohë për nuse” shohim që limiti i martesës dorëzohet mjedisit dhe mjedisi ushqen gabimet njerëzore ku kënaqësitë seksuale kthehen në tragjedi shpirtërore brenda një familjeje. Në këtë prozë lexuesi kupton qartë problemet që ka familja e cila lundron ende mes patriarkalizmit e modernizimit të keqkuptuar. Familja mbetet gati për t’u thërrmuar sa herë bie fjala për instiktin seksual. Pse ndodh kjo? Nënteksti i autorit ne tregim rendit arsyet nërpërmjet dialogëve baba-bir, nënë-bir e djalit me Zinën. Lexuesi kupton sa lehtësisht i thyeshëm eshte morali në një familje që në këmbë e mban absurdi i frikës nga paragjykimi.

Në prozën” Idioti udhëton për Amerikë” sheh të shembet një kështjellë frike mbi forcën e shtetit diktatorial nëpërmjet arratisë larg tij. Një titull metaforik që vërtet simbolizon sesa çmenduri ishte idea e arratisë. Njëjtë me personazhin udhëton një libër në rusisht dhe dëshira për të marrë frymë lirshëm. Ngjarja kalon sërish ne vetën e parë, në kohën e diktaturës ku autori duket se e njeh mirë. Pritja ka fuqi shkatërruese citon fjalët e Alfred Malokut, personazhi ynë teksa e pret të arratisen. Ajo kalon në limitet e vdekjes kurse koha është e pamjaftueshme për të pritur. Dy djem, njëri inxhinjer pyjesh kundra dëshirës e tjetri që mbaron për filozofi marksiste, në kërkim të lirisë, të mbushur me ëndrra e bagazh evropian duket sikur shpërfillin logjikën dhe pasojat e arratisë. Inxhinjeri fatsjellë nga libri” Idioti” arriti në Amerikë ku fitoi lirinë por humbi përgjithmonë një mik që nga vonesa mbeti i lirë veç në shpirt dhe jetoi përgjithmonë në një vend pa liri.

Në tregimin ”Me sy të fiksuar pas një ylli” autori rrëfen në vetën e tretë. Ai nuk mund të marrë përsipër të flasë për një dhembje, që nuk ia di peshën reale . Jep konceptin e lirisë përmes dëshirës së fundit për të parë qiellin. Liria ekzistonte atje ku ishte Zoti i tyre për të cilën pushkatuesit i thanë: “thuaj psalmin e fundit, dhe pse zotit tënd i ka vdekur nëna”. Autori në këtë rrëfim sjell kohën e ngjarjes nëpërmjet nëntekstit , luftën ndaj fesë dhe mungesën e lirisë së shkrimtarëve. Diktatura e vënë në gojën e një pushkatuesi vjen më e egër se kurrë aq sa i tregon si medalje se është zoti i jetës, zot i lirisë së tyre. Ky rrëfim pa emra konkretë personazhesh mbështjell një regjim të tërë diktatorial ku makthi i saj fillon nga liria e fjalës e ndaj kujtdo. “Ne jemi komunistë jo vrasës”- tha më i madhi i skuadrës së pushkatimit duke i ofruar rrugën e ferrit ( të ishte gjallë) përpara shpirtit të lirë (vdekjes). Askush nuk e shet qiellin për nëntokën.

Në librin e Lazër Stanit ”Kohë për nuse” e shohim autorin në shumë role nga mjeku, te pianisti, nga adoleshenti plot ëndrra e dashuri tek studenti nga i arratisuri te shkrimtari. Duket sikur ka kapur hallkat e gjithë shoqerisë. Është aftësi që gjithë kapërcimet e tij tematike ruajnë të njëjtën gjuhë të kuptueshme për lexuesin. Me një prozë të “endur” herë nga personazhi herë nga autori, magjia vjen, si një bashkëlidhje e çasteve reale, me ato imagjinare plot denduri mendimesh, idesh, dhe figurash letrare.

Larmia narrative, të bind për një depërtim të ekuilibruar të autorit në thellësi të mendjes e shpirtit njerëzor. Narrativa në librin ”Kohë për nuse” thur realitetin letrar, si dhe zbulon enigmën, na përcjell nga kufijtë e botës së brendshme të autorit, në botën e lexuesit. Nuk bëj dot qasje për stilin e tij, me autorë të tjerë pasi ne të tetë tregimet ai shfaq një stil vetjak origjinal, por them me bindje se proza e tij është prozë aktualitet.

Dialogu me veten në librin ”Kohë për nuse” e sjell të plotë autorin në fjalë e artfjalë, në strukturë proze dhe shprehitë e artikuluara, me një etikë e filozofi, si shenjë e tërheqjes së tij nga thellësia e vetëdijes dhe e pavetëdijes.

Në prozën ”Daiza Zaharia” autori përcjell përpjekjet e diktaturës për të zhburrëruar Pjetrin, për të shkatërruar familjen e tij, besimin në Zot. Betejat absurde të diktatures ndaj fesë nuk kursyen as objekte e as përçues të saj si Antoni . Fati i njerëzve që e mbështetën fenë ishin njëjtë me atë të Pjetrit dhe Daizës por dhe fëmijës së palindur në barkun e saj.

Duke e futur veprën e Lazër Stanit, në rrafshet moderne dhe postmoderne nuk duhet lënë pa thënë se tregimet e librit të tij bartin replika të forta, ritmike dhe metaforike, të endura mjeshtërisht, prej frymëzimit origjinal të tij.

Brendia letrare e Lazër Stanit shoqërohet me karatere të besueshëm, me një rrëfim tërheqës e në shumë raste, me prani personazhesh që hyjnë si silueta e formësohen befasishëm “me penela” prej mjeshtri.

“ Kohë për nuse” do të thotë kohë e pjekurisë e maturisë dhe guximit për të përballur jetën

Mendoj se vepra e Lazër Stanit e ka atë pjekuri, maturi dhe guxim për të hyrë në shijet e çdo lexuesi.

Please follow and like us: