Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i gjeneralit Sheme Kosova për enigmat e vitit 1997

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Rrjedha e ngjarjeve të fillim vitit ‘97

Ushtaraku i lartë, gjeneral Sheme Kosova paraqitet para popullit shqiptar me shënime nga pranvera e stuhishme e vitit 1997, me librin e titulluar “Enigmat e ’97”. Libri është shkruar në formën e një ditari dhe rrëfimi të një ushtaraku madhor dhe paraqet interes të veçantë sepse ushtaraku nuk u nda nga populli që e përgatiti për ta mbrojtur nga armiku dhe jo t’i drejtonte armët popullit. E veçanta e librit është së ushtaraku madhor në çdo hap që ka hedhur në këtë post e kishte të qartë “rolin dhe detyrën e FA në mbrojtje të vendit e popullit nga armiqtë e jashtëm dhe jo të hapin zjarr ndaj popullit”. Autori librin për një paraqitje sa më të plotë të ngjarjeve dhe të zhvillimit të tyre në një kohë të shpejtë, pjesën e parë e përqëndron në rrjedhën e ngjarjeve nga muaji janar deri më 2 mars 1997. Kush e ka përjetuar këtë situatë, përgatitet të ringjallë situatën e një tmerri të pashoq, të ndodhur gjatë jetës së tij. Ishte një rrëngjethje e madhe e një populli që po përjetonte një dramë të madhe, por dhe të ushtrisë së tij, e cila u zhbë në një kohë rekord.

Rrëfimi i Gjeneral Kosovës paraqet interes sepse na tregon ato që ndodhnin në kokën e ushtrisë dhe të shtetit që ne nuk i dimë. Gjatë kësaj periudhe të shpejtë dhe rrugullisjes të shtetit dhe të ushtrisë ai sjell bisedat, përplasjet, planet, urdhrat që përgatiteshin e që jepeshin dhe që e çuan vendin në degradim. Falë kulturës ushtarake, gjenerali ka mbajtur shënime të shpejta, të thjeshta, por që sot dëftojnë nivelin dhe kulturën ushtarake të drejtuesëve të shtetit që nga ministri i Mbrojtjes, nga Presidenti i vendit, nga gjeneralë dhe komanda ushtarake… Këto shënime kanë bënë bazën e këtij libri historik dhe të vlefshëm për çdo lexues të vëmendshëm për të njohur tabllon e këtij viti të mbrapsht, por dhe thelbin e dukurive që u shfaqën në ushtri, por dhe tek kuadrot ushtarak në veçanti.

Gjatë leximit të librit na del figura e një ushtaraku i cili u përlesh në mendime dhe në ide me drejtuesit e lartë, të cilët kërkonin në çdo urdhër dhe detyrë kundërvënie ndaj një populli që kishte dalë në rrugë për humbjen e fatit të tyre nga politika e mbrapshtë që ju servil, e për demokracinë që po ndërtohej. Përballë tyre qëndronte ushtaraku i devotshëm, që të gjitha energjitë i harxhonte në mbrojtjen e ushtrisë dhe të popullit. Por nuk arriti aty ku kërkonte detyra, ndaj dhe u dorëhoq me dinjitetin e ushtarakut.

Gjenerali u largua nga detyra sepse nuk dëshironte të ishte ortak me anadollakët ideatorë dhe arkitektë të “rrugës së keqe”. Ai ndjente keqardhje për ato që ndodhnin, por moralisht ndihej i qetë në shpirt, sepse i dinte dhe i zbatonte ligjet e shtetit. Siç shprehet vazhdimisht gjatë detyrës bëri sa mundi, por i vetëdijshëm në të keqen e stërmadhe, përtej fuqive dhe autoritetit, nuk arriti që t’i ndalte në shtypjen e demostratave me armë. Autori shprehet se shefat e tij dhe ata që u vunë në krye pas ikjes së tij, ishin jo vetëm më të shumtë në numër, por dhe të vendosur për t’i shkuar së keqes deri në fund.

Kur shkruhej historia e zezë…

Autori thekson se ja arritën qëllimit duke “nxirë përfundimisht biografinë e tyre dhe duke shënuar një faqe historie të zezë që nuk ka për t’u shlyer kurrë”. Ishin Safet Zhulali dhe Bashkim Gazideden, që i qëndruan besnikë shefit të tyre Sali Berisha. Shteti kishte marrë të tatëpjetën dhe rrukullima ishte e pandalshme. Ishin Zhulali dhe Gazidedja që u larguan drejtë arratisë, duke pritur dhe shefin e tyre për t’ja mbathur, si dikur ballistët nga Shqipëria. Nga frika e hakmarrjes popullore u përgatit dhe suita e gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë për largim… Këta ishin “trimat” që do të ruanin Shqipërinë nga sulmet e armikut të jashtëm, por armikun e gjetën në Shqipëri dhe ishte populli.

Viti 1997 është bërë një histori turpi për Shqipërinë. Ai vit është i zi, dhe vite e shekuj do të kalojnë përsëri ai do të jetë një vit që nxin… në shekuj. Historia e vitit 1997, në gjithë përmbajtjen e tij, në thelbin e saj është një vepër e turpshme antipopullore dhe antikombëtare. Zanafilla kishte vite më parë që kishte nisur. Edhe shqiptarët që kanë lindur pas këtij viti, e që kanë mësuar apo dëgjuar për vitin 1997, i gjejnë menjëherë shkakëtarët e vërtetë të gjëmës së madhe. Me fillimet e demokracisë, me popullin shqiptar u luajt mjaft bukur një tragjedi që pasojat e saj vijojnë dhe sot. Çdo veprim që kryhej flitej për demokraci, por që në emër të antikomunizmit i hapi rrugë antidemokracisë. Në pushtet dhe në ushtri në krye të tyre u vërsulën njerëzit e paaftë dhe “gangsterët u veshën me pushtet dhe bënë kërdinë me këtë popull e këtë vend, me pasuritë e pallogaritshme kombëtare e me gjithçka”, do të nxjerrë një nga përfundimet e shumta gjenerali në rrëfimet e tij. Këta të gjithë në sjelljen më të keqe luajtën me idealet, me atdheun dhe me popullin. Dhe kudo flitej për demokracinë që ata na kishin sjellë.

Pjesën më të shumtë të librit, autori ja ka kushtuar zhvillimit të ngjarjeve pas vendosjes të gjendjes së jashtëzakonshme. Pas 2 marsit, shteti po rrokullisej në greminë. Ushtria që ishte përgatitur për luftë ndaj armikut, u gjend e çarmatosur. Këtu gjenerali jep refleksione dhe bën analiza për atë që ndodhi dhe pse ndodhi. Me mjaft interes janë dhe replikat që autori ka bërë ndaj qëndrimeve të ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, të veprimeve të paimagjinueshme të Bashkim Gazidedes, të rolit të SHIK-ut. Më tej shtjellon përkeqësimin e gjendjes dhe paraqet qëndrimin dhe aktet e Presidentit Sali Berishës, njëkohësisht dhe të Komandantit të Përgjithshëm të FA. Mjaft analiza si: zgjedhja e presidentit dhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, dorëzimi i shkresave dhe debate me Ademin, Çopani përplaset me Gazideden në telefo, ç’mund të bënte ushtria., etj., janë shumë të rëndësishme dhe e bëjnë më të plotë tabllonë e ngjarjeve tronditëse që po kalonte shteti shqiptar nga drejtimi i keq i kupolës së tij demokratike. Libri shpalos dhe një mision, atë që dosja e zezë e ’97-s, e cila ishte klasifikuar për të mos u hapur kurrë, tashmë ajo është plotësisht e hapur dhe e zbardhur për të gjithë.

Libri “Enigmat e ‘97” u hap dhe është një dëshmi e fortë, e qartë dhe e detajuar me personazhe konkret të kësaj dosje të zezë të vitit 1997. Gjërat janë të qarta, të dukshme, pasi dëmi është “kolosal dhe i parikuperueshëm”, përfundon autori. Autori me shqetësim në këtë libër analizë thekson se “përgjegjësit që e gatuan ‘97-n, nuk janë ndëshkuar ende”, dhe më tej “ata u lejuan të merren sërish me politikë, të vishen me pushtet dhe t’i sjellin fatkeqësi të tjera këtij vendi e këtij populli”. Demokracia që prunë në Shqipëri, e prunë me rrëmujë, me vjedhje të zgjedhjeve si në majin 1996, ndërsa sot bërtasin më shumë për votën e lirë. Në vitin 1997 kulmin u arrit me lulëzimin e firmave piramidale të fajdeve dhe e çuan vendin në një kasaphanë të vërtetë dhe rebelim popullor, të përqëndruar në jug të vendit. Kështu shkaku ishte politika e keqe, ndërsa protestat ju kundërvënë kësaj politike. Dhe pranvera e ’97-s i vuri zjarrin Shqipërisë dhe mori mijëra njerëz të vrarë.

Rrëfime të besueshme të një ushtaraku

Gazeta londineze “The Independent” do të shkruante për pranverën e vitit 1997 në Shqipëri se regjimi i Tiranës është një regjim gangsterësh, më tej vijon se sa para kanë hyrë nëpëmjet kontrabandës në Shqipëri, nuk do të mësohet asnjëherë. Në këtë vit shqiptarët humbën kursimet e tyre, ndërsa regjimi i Berishës po përmbysej, paratë e refugjatëve dhe fitimet e kontrabandës u zhdukën pa gjurmë. E ndërsa shteti, ushtria dhe atdheu i tyre, u shkërmoqën, politika këmbëngulte për shtypje të revoltave, paratë e shqiptarëve nuk hynë për të ndërtuar por t’i vënë flakën Shqipërisë. Paratë u keqpërdorur nga pushtetarët e kohës, për pasojë investimet erdhën gjithmonë duke u zvogëluar deri në ndërprerje. Infrastruktura nuk mbeti e mëparshmja, por u përkeqësua… Gjenerali të gjithë këto shkatërrime që tregon, ndodhën para syve të tij dhe të popullit shqiptar, ndaj dhe ka shkruar për të treguar. Këto rrëfime të tij janë të besueshme për faktin se ishte në një post madhor, por ai i tregon thjesht ngjarjet, faktet dhe emrat ku ka qenë i pranishëm, por se dhe populli të gjitha veprimet e ka parë me sytë e tij dhe ende i ka në memorie.

Luftë s’ishte, por lufta gjendej e pranishme në çdo hap të gjeneralit që kundërshtonte, që ju kundërvihej, për të mos ngritur krye mendimi i mbrapsht dhe jo i bazuar në rregullore, ligje dhe në kushtetutë. Libri na dëshmon se Sheme Kosova me veprimet dhe qëndrimet e tij, i ka thënë ndal të keqes së madhe antikombëtare. Gjatë leximit të librit në çdo gërmë të tij, ndjen respekt për një ushtarak të tillë, që na paraqitet me personalitet dinjitoz dhe ushtarak i përgatitur. Gjeneral Kosova edhe në libër qëndron midis nesh, i thjeshtë, i qartë dhe i përkushtuar për detyrën si ushtarak dhe jo për shpërdorimin e ushtrisë që u shfaq në atë viti nga mjaft ushtarak që e çuan ushtrinë drejt shpartallimit total.

Libri na flet për një stërmundim të jashtëzakonshëm në muajt e parë të vitit 1997, ku gjeneral Kosova u përpoq dhe luftoi për të mbrojtur ushtrinë nga shkatërrimi. Dorëheqjen si shef Shtabi, ishte një gjest fisnik, ishte paralajmërim i gjendjes së jashtëzakonshme, ishte kulmi i së keqes, ishte vula e shkatërrimit total të ushtrisë dhe shtetit. Gjatë rrëfimit gjenerali pohon në mjaft raste të takimeve me drejtuesit e shtetit për zgjidhje politike të situates dhe jo me forcën e armëve të ushtrisë. Gjendja e jashtëzakonshme u vendos, po ajo shpejtoi të jashtëzakonshme të ndodhisë që ndodhi. Dhe shkaktarët e kësaj fatkeqësie kombëtare, ndër të cilët spikasin tre vetë: Sali Berisha, Safet Zhulali dhe Bashkim Gazidede. Në këtë godinë grehinë të pushtetit gjendej siç shprehet autori “një tufë e madhe servilë dhe injorantë të paskrupullt”. Kështu, ne gjatë leximit të librit mësojmë se “shteti tregoi fytyrën e tij gjakatare, shteti iu kundërvu popullit të vet me falangat e tij të bindura dhe të verbëra si SHIK-u, policinë dhe ushtarak të paformuar dhe të pa përgatitur atdhetarisht, shteti vrau mjaft njerëz të pafajshëm, të varfër dhe të vobektë, deri sa ra edhe vetë i turpëruar, i dërrmuar, i shkërrmoqur.

Mbrojti me koseguencë figurën e ushtarakut

Këto rrëfime janë të besueshme se karriera e tij ushtarake nisi nga oficer i thjeshtë deri në shkallët më të larta të hierakisë ushtarake, të cilat tregojnë aftësitë, karakterin dhe qëndrimin e një ushtaraku që e do dhe e mbron atdheun. Ato që shkruhen në libër janë të vërtetë siç kanë ndodhur në atë kohën dhe në ambjentin e përshkruar. Gjenerali ishte një dëshmitar i të vërtetave, pasi faktet dhe ndodhitë e hidhura, i pa me sy dhe i dëgjoi me vesh e i lexoi në urdhërat copëletre, pa këmbë e pa kohë, siç ishte dhe shkarkimi i tij në këmbë dhe emrimi i një ushtaraku tjetër po aty në këmbë. Kështu u katandis ushtria shqiptare në vitin e mbrapsht në histori 1997. Ky libër rrëfimtar, është dhe një apel që i bëhet ushtarakut për të punuar me ndershmëri dhe patriotizëm, ushtria nuk të bën të pasur, por të jep fisnikëri dhe madhështi njëkohësisht. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, ushtaraku i lartë na thotë të gjithëve se “kjo ishte puna, këto ishin arritjet, na tregon vlerësimin për reformën në ushtri të kuadrove, për përkushtimin dhe dashurinë e tyre për atdheun”. Në praktikën e përditshme të punës metoda e një ushtaraku është komunikimi me eprorët dhe vartësit, gjithmonë të përkushtuar për të mbrojtur ushtrinë, për të realizuar detyrat e funksionit dhe kompetencave sipas rregullave dhe ligjit.

Në këtë libër gjejmë një pjesë të historisë së ushtrisë e cila, do të analizohet në shekuj. Në vitin e enigmave 1997, ka porosi dhe urdhra për veprime të ndryshme që nuk janë përshkruar, por që japin detaje për kuadrin e ngjarje dhe portretizim të personazheve. Kështu gjenerali polemizon dhe replikon në një mënyrë elegante me ish-kolegë gjeneralë, me politikanë dhe shkrime tendencioze. Gjatë leximit të librit arrihet në përfundim se e vërteta dhe e drejta historike gjenden tek figura e ushtarakut të lartë Sheme Kosova, dhe jo në njerëzit e tipit Berishë, Gazidete e Zhulali që e çuan vendi në greminë me urdhërat e tyre mediokër dhe antikombëtare. Gjykimi dhe mendimi i pastër dhe i logjikshëm i ushtarakut në situata mjaft të vështira, tregon pjekuri, por dhe njohje e respektim të ligjit, të kushtetutës dhe të figurës së ushtarakut. Të gjitha rrëfimet e gjeneralit të bëjnë krenar dhe të shtojnë admirimin dhe respektin ku ushtaraku shfaqet dhe manifeston dinjitet, atdhedashuri dhe personalitet.

Libri që ka publikuar gjenerali madhor është në kohë. Ai të gjitha problemet dhe shqetësimet i ka ngritur që herët, por të përmbledhur në një vëllim, tashmë i erdhi koha për t’i bërë publike dhe njerëzit të shikojnë me fakt ata që nisën të ndërtonin demokracinë, por e kthyen në të kundërt, duke i treguar dhëmbët dhe armët popullit që ai të bindej, siç kanë bërë regjimet antipopullore, pazotësi për të drejtura dhe udhëhequr një popull punëtor dhe bujar. Libri jep njëkohësisht shumë mesazhe për politikën, por në mënyrë të veçantë për ushtarakun, për njohjen dhe zbatimin e detyrës së tij. Gjenerali e mbrojti fort vendin e punës përballë politikës, nuk lejoi që nëpërmjet ushtrisë e cila mbron atdheun nga armiku i jashtëm, ta kthente ushtrinë kundër popullit, këtë e bëjnë juntat ushtarake. Gjenerali e mbrojti ushtrinë dhe nderin e ushtarakut, por servilët ushtarak më pas e shkatërruan ushtrinë, shtyllën kryesore të shtetit. Libri jep një shembull se si punohet dhe luftohet për të ruajtur dinjitetin e ushtarkut dhe për të qenë njerëzor në jetë, edhe në situate tepër të vështira.

Vlerësoj dhe çmoj punën plotë kulturë të redaktorit të librit, Xhevdet Shehu, i cili e cilëson këtë libër se “gjeneral Sheme Kosova hap dosjen e zezë të vitit 1997”. Me nota maksimale ai e vlerëson rrëfimin e gjeneralit dhe me besim se është një libër historik për politikën dhe ushtrinë, si dhe shfaq besimin se libri do të shërbejë si një burim i rëndësishëm për historinë.

Njohje me gjeneralin…

Sheme Ismet Kosova, ka lindur me 24.03.1949 në Lumas të Beratit. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në fshatin e lindjes, Lumas, vijoi shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë “Ndrec Ndue Gjoka” dhe e përfundoi të mesmen në Berat në shkollën “Babë Dedë Karbunara” me rezultate shumë të mira. Punoi mësues në shkollën 8-vjeçare për dy vite.

Më tej nisi studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të oficerave në Tiranë dhe u titullua oficer për zbulimin në dhjetor 1971. Nisi detyrën ushtarake në Regjimentin e Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, në të cilën u përgatit dhe si specialist i Parashutizmit shqiptar ushtarak. Në këtë detyrë punoi për tre vite me trupën dhe kuadrot e zbulimit të Ushtrisë. Me emrimin në Shkollën e Përgatitjes së Kuadrove Rezervist në Zall-Herr bëri detyrën e instruktorit të përgatitjes taktike, të komandantit të kompanisë të batalionit të këmbësorisë.

Në vitet 1979-1981 mbaroi Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm me rezultate shumë të larta. Në akademi u përgatit për drejtim e komandim operativo-strategjik të njësive në FA. Në vitet 1981-1986 kreu detyrën e shefit të Shtabit të Brigadës Këmbësore në Durrës, ndërsa në vitet 1987-1989 kreu detyra në njësitë ushtarake në Fier dhe në njësitët Manzës e Sukthit në Durrës.

Me ndryshimin e sistemit, në vitet 1991 u emërua në detyrën e shefit Shtabit të Divizionit në Shijak dhe më pas Komandant Divizioni me gradën ushtarake Kolonel. Në shtator 1992 u emërua nga Këshilli Ministrave drejtor në Drejtorisë Operative dhe të Stërvitjes në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitet 1991-1995 ka kryer kurse, seminare e kualifikime në Akademi Ushtarake në Turqi, Gjermani, Itali e në NATO. Ka marrë vlerësime nga eprorë si ushtarak reformator me nivel të lartë, professional, politik, organizator e partner shumë i mirë. Më datë 26.06.1994 u emërua në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA në Republikën e Shqipërisë. Në Janar 1995 ju dha grada ushtaarke “Gjeneral” (gjeneral me katër yje), grada më e lartë ushtarake në Shqipëri. Detyrën e lartë ushtaarke e kreu me përkushtim, përgjegjësi, devotshmëri duke ju përmbajtur detyrës, ligjeve, kushtetutës dhe betimit ushtarak.

Në vitin 1997 Gjeneral Kosova tregoi atdhetari, kulturë profesionale, guxim, dinjitet dhe qëndrim dinjitoz si ushtarak. Si shtetar dhe drejtues i lartë ushtarak, i papajtueshëm me urdhëra që binin ndesh me Kushtetutën dhe betimin ushtarak, me vullnet të plotë dha modelin e dorëheqjes nga detyra ushtarake më 2 mars 1997. Dorëheqjen e tij e mbështeti në pamundësinë për vazhdimin detyrës në përputhje me Kushtetutën, nderin dhe gradën e gjeneralit. Doli në lirim me vendim gjyqësor në vitin 2007 dhe në pension në vitin 2014.

Please follow and like us: