IRMA KURTI BOTOHET NË ARGJENTINË; LIBRAT E SAJ JANË BOTUAR NË 17 VENDE TË BOTËS
Një tjetër sukses përpoeten shqiptare Irma Kurti. Pas botimeve të librave të sajnë gjuhën spanjolle dhe greke gjatë vitit 2024 në Kolumbi dhe Greqi, përmbledhja poetike e titulluar “Mis estaciones” (Stinët e mia) botohet tashmënë Argjentinë. Libri është përkthyer nga Javier Prieto dhe mban logon e Shtëpisë Botuese ARTE SIN ADUANAS EDICIONES. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini. Parathënia është shkruar nga Pier Carlo Lava, drejtor dhe botues i gazetës italiane “Alessandria today”. Shkëpusim një fragment prej saj: “Irma Kurti, poete e jashtëzakonshme, na drejton në labirintin delikat të emocioneve njerëzore me përmbledhjen e saj më të fundit me poezi. Ky kapitull i ri në karrierën e saj letrare mbresëlënëse shquhet për thellësinë e reflektimeve dhe aftësinë për të prekur zemrat e lexuesve. Sinqeriteti me të cilin Kurti ndan përvojën e saj personale u shton një nivel autentik dhe njerëzor poezive të saj, duke e bërë çdo varg një përvojë të përbashkët.
Kjo vepër është një dëshmi prekëse e fuqisë së fjalës poetike në përkthimin e përvojave më të thella njerëzore. Përmes filtrit të ndjeshëm të Irma Kurtit, lexuesi zhytet në një univers emocionesh, ku poezia bëhet një mjet për të shprehur dhe kuptuar dhimbjen, dashurinë dhe bukurinë e brendshme të gjendjes njerëzore.”
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 17 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi dhe Argjentinë.
BIOGRAFIA
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar.Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.
Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe.
Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më e mirë e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban. Ajo u vlerësua me “Çmimin e Kulturës” në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 16 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.
Ka përkthyer 21 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.