Lazër Stani: Në vend të një urimi për romanin e Taip Sulkos
“I dashur Taip,
Së pari të falenderoj nga zemra për surprizën e bukur që më bëre duke me dërguar romanin tënd. Kam mbetur i befasuar, ndoshta edhe ngase nuk e njihja krijimtarinë tuaj në vazhdimësi. Unë kisha nja tre vjet pa lexuar asnjë libër shqip, madje dhe kur isha në Tiranë dy javë, pata marrë me vete një libër nga këtu.
E para, romanin tënd e kam lexuar me një frymë, çka nuk më ndodh shpesh me romanet e autorëve shqiptarë.
Unë nuk lexoj për mëshirë. Kur nuk më pëlqen një gjë, e le në gjysmë ose që në faqet e para.
Romani yt është i lexueshëm dhe kjo është një arritje jo e vogël, përkundrazi, është një arritje e madhe. Se letërsia që nuk lexohet është letërsi e vdekur. Ka dështuar në zanafillë.
Teksti yt është i rrjedhshëm, rrëfimi i gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse.Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri.
Gjuha ndërkaq është e begatë, që, pa u kthyer në qëllim në vetvete, e bën rrëfimin mbresëlënës.
Më ka pëlqyer veçanërisht perceptimi i jetës së individëve (personazheve) nën hijen kërcënuese të diktaturës, që në çdo çast përgjon si një përbindësh i gatshëm të të gëlltisë.
Eshtë një roman i shkruar për ankthin e lirisë së munguar që, me sa duket, ajo tokë nuk do ta gjejë kurrë në plotninë e saj.
Taip, edhe një herë të falenderoj dhe të uroj libra të tjerë të sukseshëm!
Lazër.