Behar Metohu: Buzëqeshja e kthyer
Tregim
Në Shqipëri 20 vjet më parë…
– Ti duhet të shkosh në spitalin amerikan, – i tha doktori ushtarak, të cilin e kishte koleg në dikasterin ku punonte. – Aty kanë ardhur aparatura të reja dhe njerëz të specializuar nga jashtë. Pastaj ata ishin ndarë dhe ishin larguar për në shtëpitë e tyre.
Hej, – tha ai me vete! Spitali amerikan në Shqipëri? Kishte disa vjet që kishte dëgjuar dhe lexuar, por edhe kishte parë kronika, dokumentarë për hapjen për herë të parë të spitalit amerikan. Dhe tani ai po dëgjonte nga miku i tij, që të bënte kontrollin e shtyllës kurrizore në spitalin amerikan, i cili ndodhej në mjediset pranë spitalit ushtarak. Aparaturat e reja mundësonin ekzaminime më të sakta.
Kur ai hyri në mjediset e pritjes të të sëmurëve pa se disa vajza dhe djem të rinj punonin me kompiuterat e shumtë dhe telefonat, të cilat jepnin pamjen e një mjedisi mjaft dinamik, ku çdo sekondë punohej. Me këtë mbresë ai u largua nga spitali edhe pasi kishte bërë pagesën ai mori edhe përgjigjet e grafive për shtyllën kurrizore. Vitet kaluan dhe dyert e këtij spitali ai nuk i pa më. U hapën, nëpër gjithë Tiranën, më pas edhe tre spitale të tjerë, të cilët u emërtuan spitali amerikan një, dy, tre. Personeli ishte kryesisht nga mjek dhe infermierë shqiptarë të specializuar në spitalet homologe në Turqi. Mjaft mjekë me përvojë shumëvjeçare po rezistonin me mjekët e rinj dhe të huaj, të cilët ishin diplomuar në disa vende të zhvilluara të Europës Perëndimore dhe Amerikë.
NË SHBA 20 vjet më vonë…
Ajo i qëndronte në kokë duke i parë sytë e tij të mbyllura, të cilat kishin rënë tashmë në qetësi. Dorën nuk ia shkupuste nga dora e tij, e cila ishte e nxehtë nga temperatura e lartë. Aparatura pulsonte në mënyrë të rregullt në mjedisin e qetë të dhomës. Nga ana e derës dëgjoheshin herë pas here hapa të nxituara dhe mërmëritje në anglisht. Ajo hidhte sytë e shqetësuar dhe priste nga momenti në moment djalin. Ai kishte shkuar tek holli poshtë për të takuar dikë që e kishte thërritur, por ajo nuk dinte gjë se për çfarë. Pas pak u hap dera e dhomës dhe hyri djali.
– Si ndjehet?! – i tha ai.
– Qetë, por temperatura duhet të jetë e lartë akoma,- u përgjigj ajo.
– Doktori i emergjencës më tha se dy-tre ditë do të qëndroj në spital dhe do bëhet shumë mirë. Infeksioni nuk ka prekur veshkat. Terapia do të jetë intesive pasi parametrat janë brenda normës.
– Mirë zemër,- mërmëriti ajo me sytë nga i shoqi.
Ai e ndjeu bisedën me zë të ulët, por vetëm lëvizi këmbën për t’u çmpirë. Por, biseda e tyre u ndërpre pasi hyri infermerja e dhomës. Ajo pyeti të sëmurin si ndjehej. Ai i tha: – Kam dhimbje koke dhe këputje. Ajo buzëqeshi pak dhe duke ndrruar serumin e vendosur pranë aparaturës së monitorimit, vazhdoi: – Edhe temperatura do të bjerë gjatë natës, mos u shqetësoni.
E shoqja, e cila ishte mjaft e shqetësuar iu drejtua djalit të saj dhe i tha në shqip:
– Ti japim ndonjë dollar.
Dhe me rrëmbim vajti tek çanta e saj për të nxjerr kuletën, por ndjeu dorën e të birit, i cili ia vuri mbi kuletë dhe i foli pak i nervozuar. – Pse ku je këtu në Shqipëri?
Infermerja tërhoqi mjetet e saj dhe duke buzëqeshur përshëndeti. Ajo u largua pa kuptuar se çfarë flisnin nënë e bir.
– Do të vij edhe tarifa e pagesës sa nuk do të kesh mundësi ta paguash, – vazhdoi djali bisedën.
– E di, e di kështu kam dëgjuar. Po u shtrove në spital këtu dhe të mos kesh asistencë apo siguracion siç i thonë paguan qimet e kokës. Pa të bëhet mirë babai, se do të bëjmë diçka, – dhe hodhi vështrimin nga i shoqi, i cili kishte mbyllur sytë përsëri.
Realitet… apo çudi?!
…Imazhi i rrëmbyer i atyre minutave vendimtare, ku çdo gjë ishte në sekonda e ndryshueshme për të lënë pa frymë si shpejtësia e garave të formula uno, të çiklistëve, skiatorëve, motorrave apo i skafeve në ujrat e kaltërta, e aviatorëve në marramendjen e reve depërtuese në lartësitë qiellore ishin ethet e temperaturës, dridhjeve dhe ankthit çfarë do të ndodhte. Dora që mbante celularin dhe që kishte formuluar 911 ishte në dridhje të vazhdueshme me zërin e tij, që dallohej qartë anglishtja e një emigranti apo vizitori të huaj. Përtej telefonit dëgjohej zëri i qetë i një gruaje që jepte vetëm shpresë. “Ne do të jemi aty sa më parë”. Pastaj ai kishte lëshuar veten dhe vetëm ngjyra dhe drita të forta, hije të thella vërdalloseshin rrotull, të cilat po i zinin frymën dhe shikimin. Ai u duk sikur po shkëputej nga e përditshmja, e rrëmujshme plot ngjyra e tinguj të fortë, të bukur apo edhe të ashpër. Ai u zhyt në qetësinë e një humnere nga ku gjithçka i vinte nga largësia, nga thellësia e sëpanjohurës, të cilën për herë të parë gati po e prekte.
Dhe më pas… sirena borish makine, rrota të nxituara dhe ai ndjeu që përplaseshin në dyert e korridoreve, ashensorët, të cilët e përmendën. Frymarja filloi t’i çlirohej, dëgjimi vinte më i afërt dhe zëra njerëzish, që flisnin me qetësi ndjeu dhe kuptoi se ishte diku në një vend të panjohur. Një dorë ishte mbi ballin e tij dhe krahun e ndjeu se si ishte ngarkuar me disa tuba. Ai hapi sytë dhe vuri re një tavan, një dritë të zbehtë në të verdhë dhe një kokë njeriu me fashë të bardhë po e vështronte. Ai apo ajo, i tha në anglisht: – Now you are with us (Tani ju jeni me ne). Ai mbylli sytë dhe ra në heshtje si për të kthyer kokën dhe vështruar apo dëgjuar atë që sapo la pas. Atë enigmën e madhe. Atë të panjohurën, që për herë të parë në jetën e tij, i kishte qëndruar pranë, e kishte tërhequr pas për ta bërë pjesë të sajën. Por, ai ishte stepur dhe instiktivisht ai ndjeu krahun që po ngacmohej në mënyrë ritmike me pickime gjilpërash, shtrëngime rrypash, me fërkime dhe përkëdhelje njerzore të mahnitshme, si për ta mashtruar apo mikluar, për ti dhënë energjinë që i duhej dhe ai rihapi sytë pas pak minutash duke kuptuar, se po luftonte me diçka të panjohur që çuditërisht po e magjepste. Me të panjohurën intriguese edhe duke u tmerruar nga ajo tërheqje e habitshme. Po vallë ç’dreqin ishte dhe pse nuk po gjente qetësinë!? Pas disa orësh rihapja e syve e rilidhi me botën që kishte gjashtëdhjet e pesë vjet që e kishte rrethuar me dashurinë e ajrit, të dritës, të ngjyrave, të tingujve e zërave njerëzorë. Ajo bota, për të cilën disa njerëz po i rrinin pranë po i jepnin frymën e fortë njerëzore me dashurinë që do ta ringrohte. Por, vallë çfarë kishte ndodhur?!
– Unë jam doktori – tha zëri i qetë dhe plot siguri. Ju jeni me një akut infeksioni urinar të një shkalle të lartë dhe për këtë ju duhet të jeni disa ditë me ne. Dua t’ju vë në dukje se ju keni shpëtuar për pak nga infeksioni i veshkave.
Ai ishte larguar duke lënë pas buzëqeshjen e qetë dhe vështrimin e vëmendshëm duke krijuar atmosferën e besimit dhe të shpresës.
* * *
Ai u përmirësua vërtet pas katër ditësh, të cilat do t’i kujtonte gjatë gjithë jetës. Ato ditë e netë ai vuri re shumë kujdes njerëzor me veshjet e bardha, por nën të me lëkurë të ngyrave të të gjithë racave njerëzore. Ai njohu mjaft persona që në fillim prezantoheshin nga firma dhe shoqëri private e institucione shtetërore. Dikush e pyeti për ndjesitë që kishte përjetuar psikologjike dikush, për çfarë mendimi kishte për të ardhmen, dikush për bindjen fetare, i cili u lut për të. Një djalë i ri i veshur bukur, me një anglishte të qartë, i cili shoqërohej edhe me një përkthyes të shqipes, një shqiptar që kishte tridhjetë vjet në Amerikë hyri në bisedë për gjendjen financiare dhe mundësitë për një asistencë. Ju deshën disa ditë pas spitalit të mbante komunikim me të. Infermierët që i shërbyen kërkuan të bënin fotografi. Ai filloi të dyshonte. Pse vallë kishte kaq interesim për të aq shumë? Më pas ai takoi përfaqësuesin e një akademie ushtarake. Ai kishte mësuar se zotëria i sëmurë kishte shërbyer në ushtrinë shqiptare. Biseda e tyre zgjati më shumë. Dhe më pas nje ekip televizioni bëri një intervistë të shkurtër, atij vet nga shtrati i spitalit, nga ku ndodhej. Po ç’ne edhe gazetarë do të vinin për të? Ai kuptoi se informacioni për të ishte rritur në maksimum. Në ditën e pestë në mëngjesin e asaj dite shoqëruesi i firmës private që përgatiste ushqimin i solli krahas gatimit për ngrënie edhe gazetën “Daily News” të qytetit. Ai e kuptoi menjëherë se gazetari kishte bërë punën e tij. Titull me gërma të mëdha “Ai pa vdekjen me sy dhe një spital amerikan i ktheu buzëqeshjen” si dhe foto e tij marrë nga Facebook e shqetësoi shumë pasi nuk donte që të bëhej kaq zhurmë. Por, kishte ndodhur dhe ai nuk mund ta besonte. Habiti edhe më poshtë nëntitull I. “Shteti amerikan nën kujdesin e shoqatës ushtarake do të mbuloj shpenzimet”. Atij ju kujtuan disa nga shprehjet që i kishte thënë djalit të ri financier me përkthyesin. Ai ishte gëzuar në çast sa nuk u ngrit nga shtrati. Por mori telefonin dhe bisedoi me përkthyesin që i kishte ardhur në spital. – Po është e vërtetë kishte folur ai përtej telefonit. “Zero dollarë për shërbimin tuaj”.
Ai ato ditë po jetonte si nëpër ëndrra dhe episodet, i vinin të shkëputura, të ndara, por kur i lidhte bashkë ai nuk donte ta besonte. Amerika kishte hyrë në fushatën elektorale. Mos ishte vallë kjo arsyeja? – Jo! – u përgjigj një nga ata që kishin ardhur nga instituti i kërkimeve psikologjike. – “Është normë, që vepron në çdo situatë, për çdo qytetar apo rezident në SHBA”.
Ra zilja e telefonit. Ishte djali i tij që po e pyeste. Ai do të vinte për ta marrë, për ta dërguar në shtëpi. Po vallë, çfarë t’i tregonte më parë atij?! Ajo ditë iku me telefonata, biseda, takime të personelit, falenderime dhe letra që do të mbushnin çantën e tij.
“Po Amerika është vend kapitalist që çdo gjë duhet paguar…”? – pyeti vetveten dhe papritmas iu prish humori, kur kujtoi se kështu i kishin thënë dikur në Tiranë, ato ditë që sapo kishte përfunduar punë me Spitalin Amerikan atje. Ai për një grafi kishte paguar një çmim që e kishte lënduar buxhetin e tij.
* * *
Ai pa qiellin blu nga dritarja e makinës së djalit, mori frymë thellë dhe mendoi se liria e këtij vendi kaq të madh të jep mundësitë. Pse mos të veprohej kështu edhe në Shqipëri?
E po ai është spitali amerikan i Shqipërisë?! Atë moment ra zilja e telefonit. Ajo vinte pikërisht nga Tirana nëna dhe motra e tij, të cilat të merakosura, çdo ditë e telefononin për të mësuar për gjendjen e tij.
12 tetor 2024, Vanderbilt- Naples, Florida.