KRISTAQ BALLI: UNIVERSI SIMBOLIK I IKONËS
In Memoriam, Kliti Kallamata
Arkitektura dhe Arti Bizantin dhe Pasbizantin në terrritoret shqiptare, veçanërisht piktura ikonografike dhe freskografike përbëjnë, ndofta, kontributet më të dalluara spirituale e artistike dhe shënojnë shpesh lartësi e nivele të lakmueshme, përfaqësuese e referuese në tërë universin e trashëgimisë së Perandorisë Bizantine edhe gjatë apo pas dekadencës së saj përgjatë disa shekujve të pastajmë. Institucionet ekspozuese, restauruese e studimore shqiptare, për më se 40 vjet janë përpjekur me mundësitë e tyre, brenda kuadrit të kufizimeve politike e ideologjike, për të ”mbajtur gjallë” një sërë prej dëshmive më të vyera e unikale, por nuk janë inkurajuar e përkrahur sa e si duhet për t’u përfshirë në procesin e publikimit masiv shkencor, teologjik e artistik të përmasave respektive, ashtu siç kanë vepruar institucione analoge të vendeve fqinje të ish territoreve Bizantine.
Vetëm gjatë 10 vjeçarit të fundit janë shtuar interesat e angazhimet e disa institucioneve, studiuesve dhe punonjësve shkencorë, kryesisht restauratorë, që, falë pasionit të tyre, kanë ndërmarrë botimin e disa katalogëve, guidave e studimeve të plota tematike, të cilat, në tërësinë e vlerave kulturore që trashëgojmë, edhe pse duhen përshëndetur si të denja, janë shumë pak, të pakrahasueshme me vlerat e paçmuara e të pafundme që posedohen. Sidoqoftë, iniciativa e autorëve të tillë që përballen me një sërë vështirësish thuajse të pakapërxyeshme konceptuale, organizative, administrative, metodologjike, ekonomike e profesionale të institucioneve shtetërore, disa herë objektive e disa herë jo, është aq këmbëngulëse, sa rrezikojnë e sakrifikojnë, mbi të gjitha, edhe dinjitetin e tyre intelektual për hir të gjetjes së rrugëve të përpjeta të botimit, pra të mbushjes sa më shpejt të atij boshllëku letrar e shkencor në këtë art madhor e identifikues.
Librave e veprave të plota të studiuesve, shkencëtarëve e restauratorëve të tillë si Th. Popa, V. Puzanova, A. Meksi, P. Thomo, E. Riza, Dh. Dhamo, V. Shtylla, S. Adhami, K. Zheku, M. Zeqo, K. Naslazi, Y. Drishti etj., u shtohet edhe emri i një prej autorëve më të rinj të apasionuar në shpërfaqjen e aspekteve shumëdimensionale të artit të kavaletit piktural e arkitekturës kristiano-lindore, ai i Kliti Kallamatës, i cili para do kohësh botoi librin e tij “IKONA (Kuptimi dhe Simbolizmi)”, prodhim i Shtëpisë Botuese “Wisdom Palace”, Athinë.
Libri mbart vlera, veçori e prioritete, të cilat janë lehtësisht të dallueshme e domethënëse:
Mund të konsiderohet i pari kontribut në gjuhën shqipe në fushën e studimit tematik krahasimor, teorik e praktik të brendisë dhe shfaqjes figurative të pikturës monumentale të artit bizantin e pasbizantin. Si i tillë meriton të përshëndetet, pasi ai përbën sprovën e parë në kolanën e botimeve tematike krahasuese.
Është një vepër specifike e origjinale në konceptimin e idesë e qëllimit të tij, strukturës së brendisë narrative dhe ilustrimit figurative me një kontigjent ikonash e freskash përfaqësuese të ikonografisë të shquar shqiptare. Duke patur në fokus synimin e krijimit të disa koncepteve kryesore të sjelljes ndaj ikonave, të bazës dogmatike dhe gjuhës shprehëse të tyre, të dualitetit religioz dhe artistik të tyre, të teknikës dhe teknologjisë së prodhimit, të variacioni tipologjik biblik dhe programit kanunor monumental e hierarkik të prezantimit në mjediset e kishës, libri arrin të shpërfaqë imazhe të besueshme e utilitare për çdo lexues.
Edhe pse në fushën e studimeve historike, shkencore e artistike të artit figurativ Bizantin e Pasbizantin, letërsia e huaj është relativisht e gjerë dhe e larmishme, libri i autorit Kallamata integrohet pasi, me mënyrën relativisht të thjeshtë, sintetike, të qartë për disa katigori lexuesish, i përkthyer pjesërisht edhe në gjuhën angleze, është lehtësisht i krahasueshëm. Bazuar në vetë idenë e autorit për ta konsideruar kontributin e tij si një prej dyerve hyrëse në odeonin misterioz ikonografik, unë do të vlerësoja pozitivisht interpretimet konçize të nocioneve shpirtërore ikonës si një argument mistik midis Qiellit dhe Tokës, midis Bariut Kryehierark dhe Grigjës tokësore mëkatare, misionin e tyre komunikativ me fenomenet spirituale të lindjes, vdekjes, sacrificës, gjykimit të përbotshëm, purifikimit e pavdekshmërisë së përtejme, apo simbolizmin arkitektonik, figurativ të trupit të Kishës lindore, së bashku me efektet që pësoi ajo në periudha të dalluara idolatrike apo ikonoklaste, si dhe kapitullin esencial përfaqësues mbi evoluimin e artit ikonografik në Shqipëri.
Të dhënat e shumta, që burojnë nga teksti e ilustrimet e tij, përbëjnë fakte po aq interesante të kuptimit e simbolizmit të pikturës ikonografike në përgjithësi, sa edhe të kontributeve më të mira të autorëve, që kanë punuar në trojet e Shqipërisë së sotme, apo jashtë saj, si anonimatët e shek. 13-14-të, më pas Onufri, Nikolla, Shpataraku, Selenicasi, Jeromonaku, Vëllezërit Zografi, Çetiri, Guga, etj. Nga ky këndvështrim unë mendoj se botimit mund t’i ishin shtuar vlerat nëse ilustrimeve me ikona apo afreske të mjeshtërve shqiptarë do t’ju bashkërenditeshin edhe programe apo skena krahasuese nga autorët më të shquar të artit ikonografik të trojeve të tjera të Bizantit, sidomos të përfaqësuesve më të njohur të shkollave maqedonase e kretase.
Nga një këndvështrim më profesional, unë mendoj se kjo vepër është mjaft e dobishme dhe pikë referimi për studjuesit, restauratorët, piktorët e artit të kavaletit pasbizantin, për shkencëtarët, specialistët, teologët e rinj, apo studentët shqiptarë e të huaj të çdo fushe të historisë së artit fresko e ikonografik. Libri emeton vlera përsa i takon, gjithashtu, informacionit të gjerë që sjell në fushën e njohjes së bibliografisë e referencave të huaja apo shqiptare, në funksion të temave dhe problemeve që ai trajton e interpreton.
“Ikonat-kuptimi dhe simbolizmi” është shprehje e prirjeve, kulturës së kultivuar dhe punës pasionante profesionale e shkencore të autorit Kallamata në lëmin historik e artistik, është akumulim dhe reflektim racional i përvojave praktike e teorike intensive në gjurmimin, hulumtimin dhe restaurimin e objekteve të kultit mesjetar. Sipas Prof. Nikolla Panos, dekan në Universitetin e Ilinoisit Perëndimor: “…libri eksploron ikonën si një aspekt të rëndësishëm në teologjinë, historinë e praktikën e besimit të Kishës Lindore dhe, gjithashtu, si një vepër arti nga një këndvështrim estetik, etik e teknik të ikonave. Ai bazohet në një gamë të gjerë burimesh të besueshme, gjë që garanton se njohuritë që përshkojnë veprën janë të bazuara.”
Së fundi, duke e cilësuar si një eveniment në fushën e botimeve shkencore, doja të nënvizoja faktin se edhe pse botime të tilla janë frut i punës, eksperiencës dhe kërkimeve të gjata vetiake apo të një grupi autorësh, ato përbëjnë së pari shembuj pozitive të kontributeve të paçmuara të historisë, kulturës e artit të kombit tonë në shekuj. Sidomos në momente kur Shqipëria dhe shqiptarët vlerësohen nën optikën fobike të lenteve të errëta, botime e ngjarje si këto, kontribuojnë jo vetëm për afirmimin e autorëve, por shumë më gjerë, në afirmimin e identitetit dhe vlerave pozitive të popullit tonë. Është kjo arsyeja që botime të tilla duhen të përkrahen, stimulohen e mbështeten moralisht e materialisht nga i gjithë opinioni i qytetëruar shtetëror e joshtetëror. Të gjithë duhet ta dinë sa kohë, mund e prestigj i ka kushtuar autorit krijimi i mundësive financiare për ta botuar atë… Ndofta, më shumë se për ta shkruar. Mirpo, trysnia e vështirësisë së botimit të ndrydh, të plogështon, ndërkohë që autori duhet të punojë për një libër tjetër.
Libra e katalogë të tjerë të vyer kanë shkruar e përgatitur ndërkohë edhe autorë të tjerë. Le të sensibilizohet i gjithë opinioni zyrtar e publik dhe të ndihmojë sadopak me mënyrat e mundshme për botimin e veprave të tilla, të cilat nuk janë vetëm pronë e autorëve por, së pari, e vlerave të vërteta civilizuese të kombit tonë.