Bislim Ahmetaj: Shqipëria vend i zhvilluar, apo vend anëtar i BE-së?!
Ka qenë pranvera e vitit 2012, kur nëpër institucionet qëndrore të qeverisë shqiptare, u krijuan grupet e punës për hartimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit, për vitet 2012-2020.
Pjesë e grupit të punës në ministrinë ku punoja atëherë, isha edhe unë.
Mbledhjen e drejtonte ministri, i cili atë ditë vinte nga mbledhja e qeverisë.
Në mbledhjen e qeverisë ishte trajtuar pikërisht ngritja e grupeve të punës për strategjinë sektoriale dhe fillimi i punës për hartimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit 2012-2020.
Mua më bëri përshtypje “preambula” e cila na erdhi e gatshme dhe ishte pak a shumë kjo “Shqipëria vend i gatshëm për tu pranuar në Bashkimin Europian”. S’mu durua, siç më ndodh gjithmonë me gjërat që s’më bien për shtat, dhe e mora fjalën. -Pse duhet ta emërtojmë strategjinë tonë të zhvillimit me këtë slogan, po sikur në vitin 2020 të jetë zhbërë BE-ja?
A nuk jemi dëshmitarë të zhbërjes së Bashkimit Sovjetik, të Jugosllavisë etj.
Pse të mos e emërtojmë strategjinë tonë kombëtare me emrin “Shqipëria vend i zhvilluar”.
Ku të kihen parasysh disa standarte të njohura ndërkombëtare, kur një vend klasifikohet i zhvilluar.
Si për shembull një nivel i caktuar për GDP-në për frymë, cilësia në arsim dhe edukim, shërbim shëndetësor dhe social, standartet e shërbimit në turizëm, zhvillimi i infrastrukturës urbane dhe rurale etj, etj.
Ke të drejtë më tha ministri, që drejtonte mbledhjen, por preambulën e strategjisë e ka vendosur kryeministri.
Kështu që ne të tjerët thjeshtë do të punojmë për ta shkruar sipas sektorëve që mbulojmë.
Me erdhi në mend ky detaj, tani që po trumpetohet si arritje historike, çelja e grup-kapitujve të parë të cilët na mundësojnë hipotetikisht pranimin me të drejta të plota në BE, brenda vitit 2030.
Po a jemi ne vend i zhvilluar, siç është për shembull Sllovenia, apo Sllovakia?? Jo dhe jo.
Pasi kusht thelbësor për zhvillim të qëndrueshëm, është liria dhe qeverisja e mirë.
Ne fatkeqësisht nuk i kemi asnjërën.
Nuk po i rendis asnjë nga pengesat që na e ndalojnë ne si vend, integrimin në BE dhe zhvillimin harmonik të sektorëve strategjik ekonomik e social për të qënë ekonomi konkuruese, shtet i të drejtës dhe i barazisë para ligjit.
Pasi të gjitha thuhen çdo ditë dhe dihen nga gjithkush e gjithëkund.
Veçse dua të sjell në kujtes atë që ndodhi një vit pas hartimit të Strategjisë Kombëtare 2012-2020.
Ndodhi rotacioni i pushtetit.
Sado mirë kishte qeverisur PD-ja në pushtet, në 2013 erdhi në pushtet bindshëm rilindja e Edi Ramës.
12 vite pas asaj kohe, jemi 20 vite mbrapa në proceset integruese. Jemi një milion e gjysëm shqiptarë më pak në Shqipëri.
Kemi ndërtuar “Republikën e 10.000 vetëve”…
E megjithatë jo vetëm që ka shpresë, por ka edhe zgjidhje.
Zgjidhja është në duart tona, duhet me çdo kusht të realizojmë rotacionin e pushtetit.
Po vazhduam me këtë qeveri arrogante dhe antishqiptare do i afrohemi edhe më shumë Rusisë së Putinit, dhe ëndrrën tonë europiane do ta mbyllim në sëndukun e Erdoganit.