Vilma Proko: NË 180-VJETORIN E LINDJES SË ZEF SEREMBES
Ka qenë një rastësi e bukur që Kuvendi i Parë i Studimeve Arbëreshe organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët më 27-28 shtator të vitit 2021 përkoi me 120-vjetorin e vdekjes së Zef Serembes, njërit prej poetëve më origjinalë dhe më fatkeq të letërsisë arbëreshe dhe, në plan të gjerë, të letërsisë shqiptare. Më këtë rast përgatita dhe kumtesën me temë: “Zef Serembe – Skicë-ide për një botim të veprës së poetit nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”, e cila ishte një përpjekje modeste për të hedhur ide e për të rihapur diskutime mbi dy probleme nevralgjike që lidhen me poezinë e Zef Serembes, një ndër poetët lirikë më origjinalë të letërsisë arbëreshe dhe në plan të gjerë të letërsisë shqiptare: Çështjen e ribotimit të poezive të tij, si edhe çështjen e një vlerësimi objektiv të kësaj poezie në disa rrafshe, të cilat do t’i paraprinin rigrupimit për arsye studimi në një botim të vetëm nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Më 11 nëntor 2021 në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë u çel edhe një ekspozitë përkujtimore “Zef Serembe (1844-1901)”- në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit arbëresh.
Zef Serembe (it.: Giuseppe Serembe) lindi para 180 vjetësh më 6 mars të vitit 1844, në një fshat arbëresh plot kontraste ngjyrash, në Strigar (San Kozmo Albaneze), Ky poet i ardhshëm, madje i shquar do t’i përkiste drejtimit letrar të romantizmit arbëresh, e që do të ishte një degë e romantizmit shqiptar të Rilindjes.
Studiuesi Vincenzo Belmonte nga dëshmitë e vet poetit dhe të të tjerëve e përshkruan kështu poetin në “Parathënien” “Si një meteor” të veprës “Kënka” (“Canti”): “I përndjekur nga fatkeqësitë dhe njerëzit, psikologjikisht i brishtë, i pafuqishëm përballë ligësisë së botës, i dashuruar me dashurinë, dëshpërimisht fetar, patriot i flaktë si ndaj Italisë ashtu edhe Shqipërisë, soditës i pareshtur i natyrës, ëndërrimtar i pashërueshëm për shkak të bredhjeve nëpër botë”.
Krijimtaria e tij do të ndryshonte shumë nga e paraardhësve, edhe për faktin që do të shkëputej nga sfondi historik karakteristik gjer atëherë i kësaj letërsie, nga forma tradicionale e vargut tetërrokësh trokaik, huazuar nga poezia popullore arbëreshe, për të kaluar në një metrikë të shumëllojshme. Poeti vijon të ndikohet jo më nga këngët tradicionale epiko-lirike të poezisë popullore arbëreshe të sjella me vete nga atdheu, po nga këngët lirike popullore njëstrofëshe të dashurisë të lëvruara në Itali, duke i dhënë një ngjyrë moderne poezisë arbëreshe.
Duke vijuar traditën e De Radës dhe të poezisë popullore, poezitë e Serembes me afsh patriotik kishin motivin konkret të nxitjes për luftë kundër pushtuesit otoman, por ndryshe nga De Rada dhe Dara, ai e lëvroi hapur motivin e dashurisë, në vetë të parë, jo më në vetë të tretë, duke e pasuruar poezinë arbëreshe dhe shqiptare me kultin e ndjenjës dhe të gruas dhe, në një afri të dukshme me romantizmin europian, sillte gjithashtu në poezinë tonë frymën e “pikëllimit botëror”, karakteristik për këtë romantizëm. Të bën përshtypje te ky poet që shkruan mbi ndikimin nga folklori me elitarizmin, guximi për të lëvruar një lloj të vështirë si soneti.
Po shtjellojmë më tej dy problemet nevralgjike të përmendura më sipër që shqetësojnë shkencën e sotme letrare lidhur me poezinë e Serembes:
Çështja e ribotimit të poezisë së tij (është fjala për vëllimin “Poezi italisht dhe këngë origjinale përkthyer nga shqipja” (1883), në të cilin letërsia e arbëreshëve të Italisë u pri pas llojeve më të përhapura lirike: këngës, sonetit, elegjisë, odës etj., duke formësuar, veç motiveve atdhetare, edhe motive të mendimit, dashurisë, peizazhit etj dhe çështja e një vlerësimi objektiv të kësaj poezie, në disa rrafshe, duke shmangur gjykimet e skajshme, shpesh rrjedhojë e formimit ideologjik dhe subjektiv të studiuesve, për ta vendosur përfundimisht Seremben në vendin e duhur në hartën e letërsisë shqipe.
Siç dihet është botuar pak nga krijimtaria e Serembes, nisur nga shkaqe të ndryshme, objektive por edhe subjektive, të cilat do t’i cekim më pas. Studiuesi i thelluar i tij, Vincenzo Belmonte, pohon se “Vepra e mbijetuar në gjuhën shqipe nuk i kalon dy mijë rreshtat”, dhe këtu përfshihen si autentike 484 vargjet e dorëshkrimeve të zbuluara e të mbledhura në Fondin Gangale të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, nga studiuesi Giuseppe Gangale në arkivat private të Arbëreshëve. Po ashtu përfshihen 140 vargje (oda për Elena Gjikën) dhe 60 vargje të elegjisë për vdekjen e patriotit nga Lungro, Pietro Irianni. Për çfarë mbetet i duhet “besuar” nipit të tij, Cosmo Serembe, i cili i mblodhi dhe i botoi, por që në titull duket ndërhyrja e tij, Vjershe, Milano 1926.
Nga tërë krijimet e tij arbërisht, Serembe mundi të botojë në të gjallë vetëm tri: një të përfshirë në përmbledhjen e Dhimitër Kamardës, botuar në Livorno më 1870 (krahas, “Dora d’Istrias-Shqiptarët” (“A Dora D’Istria–Gli Albanesi”) dhe dy të tjera në shtypin e kohës. Për sa u përket krijimeve të tij italisht, ato qenë më me fat: poeti botoi në të gjallë katër vepra poetike (njëra prej të cilave i siguroi suksesin tek intelektualët bashkëkohës të shquar arbëreshë dhe të huaj):
1. “Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese” (“Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”), 1883; 2. “Sonetti vari” (“Sonetet e shumëllojshëm”) 1890; 3. “ Il reduco soldato” (“Ushtari i kthyer”), 1893, 1895; 4. “A Dio : canto polimetrico” (“Zotit : këngë shumëmetrike” (bot. I. 1883, Cosenza, bot. II. Buenos Aires, 1897).
Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Më 1926 (pas vdekjes) u botuan në arbërisht Vjershe (gjithsej 39) në Milano, nga nipi i poetit, Kozmo Serembe, i cili pretendonte se i kish gjetur një pjesë në dorëshkrim dhe një pjesë nga dëshmitarë (të cilëve poeti ua kishte recituar në të gjallë), duke e siguruar lexuesin se i kish qëndruar besnik, me sa kish mundur, origjinalit të autorit, me përjashtim të disa “barbarizmave”… Po, shumë vite më vonë, studiuesit (në fillim Dhimitër Shuteriqi që e hedh këtë mendim qysh më 1961, më vonë Belmonte më 1976) arritën në konkluzionin që botuesi i ka cenuar vjershat e të ungjit me ndryshime arbitrare të leksikut dhe të dorëshkrimit. Në këtë përfundim ata kanë arritur nëpërmjet një krahasimi midis gjuhës së vjershave të botuara dhe të folmes së Strigarit (dihet se arbërishtja si dialekt arkaik i shqipes i ruajtur me shekuj në kolonitë arbëreshe të Italisë, nuk është unike, por e copëzuar në disa të folme). Përfundimi i mësipërm lidhet edhe me një tregues tjetër: përdorimi i disa fjalëve nga gjuha e shqiptarëve të atdheut mëmë, të cilat nuk mund të njiheshin nga poeti në kohën e shkrimit të poezive.
Në botimin e 1926-s vihet re një përpjekje për t’ju afruar gjuhës shqipe, por mendohet që nuk mund të jetë veçse fryt i përpunimit të botuesit (pavarësisht nga letërkëmbimi në të gjallë e poetit me bashkëvëllezërit shqiptarë).
Pra, përpunimi i vjershave nga ana e botuesit ka pasur, pa dyshim një synim fisnik, po pavarësisht nga kjo, botuesi i lartpërmendur nuk ka kryer më pak një krim shkencor, duke cenuar autenticitetin e krijimeve të autorit (të të ungjit). Teza e Shuteriqit dhe e Belmontes sot pranohet nga tërë studiuesit, duke përjashtuar Domenico Cassiano-n që, në botimin që u bëri vjershave të Serembes, e vë në dyshim manipulimin nga ana e nipit të origjinalit autentik të Serembes, duke u mbështetur në larminë e materialit të mbledhur nga burime të ndryshme. Madje Cassiano pohon: “Ngjan si e tepruar, e guximshme dhe – pse jo? – aspak bujare akuza si manipulues e hedhur kundër Kozmo Serembes”, duke e përkufizuar si “të skajshme dhe jo bujare” tezën e lartpërmendur.
Me daljen në dritë të dorëshkrimeve të panjohura të poetit, mbledhur në arkivat privatë të Arbëreshëve, (poezi autografe që konsiderohen më autentiket e Serembes e që i përkasin fazave të ndryshme kronologjike), siç u përmend më sipër në Fondin Gangale të Bibliotekës Kombëtare të Kopenhagës (Danimarkë) na përvijohet një panoramë më e gjerë e krijimtarisë së poetit. Të nëntë këngët e Dorëshkrimit poetik të Kopenhagës janë botuar më 1985 nga Shtëpia botuese “Rilindja” te “Vepra” 3, madje duke përfshirë edhe këngën e dhjetë “Kangjel”. Këtyre vjershave mund t’u shtohen disa krijime arbërisht që prof. Dh. Shuteriqi i mori nga studiuesi arbëresh Vincenzo Selvaggi dhe i botoi në revistën “Studime filologjike” (po për to nuk ka siguri të plotë autenticiteti).
Studiuesit shqiptarë e kanë botuar, pas vdekjes, krijimtarinë e Serembes veçse në përshtatje. Veçojmë përmbledhjet “Vjersha” (1962) të Ziaudin Kodrës që u pasua me disa variante botimesh për shkollat apo “Poezija popullore arbëreshe”, si edhe “Poezi”, përshtatur nga arbërishtja dhe të përkthyera nga italishtja nga studiuesja Klara Kodra më 2010.
Në fund të viteve ’70, nga Sektori i Historisë së Letërsisë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave u hodh ideja mbi mundësinë e një botimi kritik të vjershave të Serembes, por për shkaqe të ndryshme ky projekt nuk u realizua.
Arbëreshët nga ana e tyre nxorën në dritë tri variante botimesh të vjershave të Serembes (“Poeti i Strigarit” më 1977, më 1988 dhe “Duke kërkuar Seremben autentik” që nuk e zgjidhin problemin e një botimi të saktë shkencor sipas kritereve të filologjisë së sotme. I pari, botuar më 1977 nga Bashkia e Strigarit kishte më tepër karakter divulgativ se sa shkencor.
Po ashtu u botuan “Serembe – Poezi të zgjedhura”, Tiranë, 1999; “Serembe – Më të bukurës në Strigari”, Tiranë, 2000, të cilat plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit, por që janë destinuar për një publik të gjerë.
Me problemin e një botimi të saktë të krijimtarisë së Serembes sipas modeleve të botimeve të plota të De Radës dhe Santorit, të nxjerra në dritë nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Kalabrisë, lidhet edhe vlerësimi sa më objektiv i poezisë së Serembes, origjinaliteti i të cilit spikati që në të gjallë, po që nuk u ndriçua saktësisht dhe plotësisht nga studiuesit.
Më 1985 u botuan “Veprat” në 4 vëllime, të përkthyera nga Latif Berisha. Më i ploti nga këto botime është “Homazh Xhuzepe Serembes”, nën kujdesin e V. Belmontes (1988). Ky tekst përfshin botimet e njohura në të gjallë të Poetit, dorëshkrimet e njohura si autentike, ndonjë vjershë të mbledhur nga ndonjë studiues tjetër ose që ka qarkulluar si popullore. Belmonte në studimin e thelluar “Kozmo Serembe–portreti i një ndërshtenësi” i vihet ndërmarrjes së vështirë e gati të pamundur të rindërtimit të tekstit autentik origjinal, duke u bazuar në të folmen e sotme të Strigarit, meqë citoj: “…paraqiten fakte të ndryshme rreth ripunimeve prej të tjerësh që i janë bërë veprës së Zef Serembes. Krijimet, shumica e të cilave për fatin e tyre të keq, siç dihet, mbërritën deri në ditët tona të zhveshura nga shumë elemente që herë lidhen drejt për drejt me artin krijues, herë me kohën kur janë shkruar, herë me riprodhimin e saktë të tyre prej të tjerëve”.
Në vijim të tezave të tij, Belmonte në Simpoziumin Ndërkombëtar për Arbëreshët të 2008-ës, mbajtur në Tetovë, e përkufizon në mënyrë të goditur Seremben përmes një epiteti sintetik “bjerratekst” në referimin e tij të titulluar: “Problemi i tekstit të Serembes”.
Në Parathënien e librit “Zef Serembe/Më të bukurës në Strigari” me titull Serembe-“Gjeniu i lirikës arbërore”, f. 10 studiuesi Perikli Jorgoni e dallon Seremben si poet të madh e gjenial, krijues të poezisë lirike moderne arbërore, duke e ngritur këtë poezi në nivelet më të mira të poezisë evropiane bashkëkohore, por ndërkaq jep një citim të ekzagjeruar “Serembja e nisi udhën e poetit si poet romantik dhe e përfundoi si […] akuzonjës i tmerrshëm i padrejtësisë, i shthurjes morale, dhe i kalbëzimit të shoqërisë së kohës.
Situata që trashëgojmë dhe pritshmëritë
Serembe nisi të vlerësohej që në kohën e vet nga bashkëvendësit, shqiptarët e përtej kufijve dhe studiuesit italianë. Për herë të parë u vlerësua nga Albert Straticò e më vonë nga Michele Marchianò.
Në tekstin “Manuale di Letteratura Albanese”, botuar në Milano, në v. e largët 1896, Straticò-i thotë bukur se Serembeja “ka qenë si zogu që këndon duke fluturuar, dhe që, duke kënaqur udhëtarin, i cili e dëgjon, nuk lë pas vetes veçse jehonën e ëmbël të melodive të tij të këndshme”. Ndërsa Marchianò, në tekstin “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre (“Le colonie albanesi d’Italia e la loro letteratura”)- Ekstrakt i fashikullit të korrikut 1913, i Revistës së Italisë”, botuar në Romë më 1913, e cilëson poetin arbëresh si “gjëja më marramendëse që natyra mund të krijojë për sa i përket poezisë. Autor i një numri të madh poemash, dramash, poezish, të parat në përmasa shumë të mëdha, të dytat të pafundme në numër,….”. Po ashtu, në tekstin historiko-letrar të Giuseppe Schirò Junior, “Storia della letteratura albanese”, si pjesë e kolanës “Historia e letërsive të së gjithë botës”, botuar në Milano, 1959, Schirò-i e cilëson kështu poetin arbëresh: “Serembe është lavdia e Strigarit (San Cosmo Albanese) në krahinën e Kozencës, ku lindi më 1843 dhe pa dyshim që është mes poetëve më të sinqertë me të cilët mund të krenohet letërsia shqiptare”… “Serembe nuk njihet mirë: e ardhmja do ta vendosë mes poetëve më të mëdhenj shqiptarë këtej e përtej detit”.
Poezia e Serembes u bë objekt shkrimesh të shkurtra kritike ose eseve, kryesisht në vitet ’30 të shek. XX. Prof. Çabej në veprën “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” e mohon ndikimin e poetit nga folklori. Madje, në tekstin për shkollat e mesme: “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), prof. Çabej e klasifikon Seremben si poetin me shpirt të komplikuar dhe të përfshirë nga mal du siècle – ashtu si të tjerë poetë romantikë europiano-perëndimorë të kohës së tij.
Gjysma e dytë e shek. XX, përkundrazi, e sheh poetin e Strigarit në tekste të shkollës së mesme dhe universitare, në studime serioze shkencore si nga studiues brenda vendit ashtu edhe nga studiues arbëreshë dhe kosovarë. G. Gradilone në veprën e tij “Frymë e formë nga poezia e Xhuzepe Serembes” (“Spiriti e forme della poesia di Giuseppe Serembe”) arrin të zbulojë disa nga komponentët e formës së poetit arbëresh që përcaktojnë origjinalitetin e tij si spontaneitetin dhe autobiografizmin romantik që është për të, si cilësi, ashtu edhe e metë kur ekzagjerohet. Duke u mbështetur në metodën stilistike e duke vënë në plan të parë tekstin ai sheh lidhjet e Serembes me romantizmin europian, ndërsa lidhjet me romantizmin shqiptar të atdheut të origjinës i sheh te përbashkësia me tematikën dhe problematikën. Prof. Rexhep Qosja, duke ndërthurur metodën sociologjike me metodën psike-analitike, zbuloi anë të ndryshme të romantizmit të Serembes, atipik në krahasim me romantizmin shqiptar, tipik në krahasim me romantizmin europian. Në veprën e tij “Dialog me shkrimtarë”, 1968, arrin të zbulojë disa anë të origjinalitetit të Serembes që lidhen me biografinë e tij. Madje edhe studiuesja Klara Kodra në artikullin Romantiku atipik Zef Serembe dhe enigmat e poezisë së tij, botuar në gazetën ExLibris të datës 20 mars 2024 evidenton se Serembeja një poet atipik për romantizmin arbëresh dhe shqiptar, po tipik i romantizmit europian, për herë të parë sillte në romantizmin arbëresh (dhe shqiptar) “brengën e shekullit”, “etjen për pafundësi”, madje edhe titanizmin, të gjitha këto karakteristike për romantizmin e Europës Qendrore.
Ndër studiuesit e Serembes në Shqipëri u dalluan Ziaudin Kodra dhe Dhimitër Shuteriqi. Studiuesi Z. Kodra, duke e përcaktuar Seremben si “poet të lindur” (në kuptimin e një talenti spontan, individual) dhe duke u ndalur në begatinë e figuracionit në poezinë e tij, të cilën për herë të parë e lidh me poezinë popullore theksoi karakterin aktual dhe modern të poezisë së Serembes, duke hedhur një hap para në zbulimin e origjinalitetit të tij.
Në v. 1961, prof. Shuteriqi, ndërsa evidentoi stilin origjinal të Serembes dhe lidhjen e tij me letërsinë italiane e europiane në studimin mbi krijimtarinë e Serembes, vuri në dukje evolucionin e poetit dhe bëri një klasifikim në tri grupe tematike të poezisë së tij, duke anashkaluar ndikimin e poetit nga folklori, sidomos në etapën e dytë të krijimtarisë së tij, të karakterizuar me ulje e ngritje.
Prof. Ali Xhiku në veprën e tij “Romantizmi arbëresh” përpiqet të vërë në dukje romantizmin e Serembes, ndërsa në shkrimin e Revistës “Nëntori” të 1973-it “Mbi disa probleme botëkuptimore të poezisë së Zef Serembes” do të vinte në dukje kultin e ndjenjës dhe misticizmin e Serembes. Mendojmë se kjo tezë që ka pa dyshim, në pikënisje një bazë reale, më vonë shfaq një nga skajshmëritë në interpretimin e krijimtarisë së Poetit, përmes pohimeve “…duket sikur i vetmi realitet për Seremben është bukuria dhe dashuria e vajzës”, “dashuria për poetin arbëresh qe shndërruar në thelb të jetës, në të vetmin kuptim të saj”, “poezia e Zef Serembes nuk krijoi dot situata të fuqishme opozitare”, apo tek shprehja që Serembeja “preferon më mirë t’u shmanget konflikteve me shoqërinë”, vërejmë një shpërfillje të patriotizmit luftarak të Poetit arbëresh dhe interesit të tij ndaj çështjes së lirisë të popujve.
Po ashtu, mbledhësi e studiuesi i folklorit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, Kolë Kamësi, ndër një varg artikujsh për Arbëreshët e Italisë, të botuar kryesisht te revista “Leka” “1934–1944”, e të përmbledhur në vëllimin “Shqiptarët e Italisë”, e përmend Seremben ndër poetët arbëreshë që ditën të lëvronin në mënyrë mjaft të hijshme artin e bukur të poezisë; citoj: “Poezinë e Zef Serembes, nunës të shkruamë në dialekt të Shqytarëve t’Italis, janë mjaft të bukura e me mêndime te nalta;…”.
Më 1975 doli në dritë monografia e parë e plotë për poetin nga studiuesja K. Kodra, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Serembes, në të cilën zbulohet për herë të parë lidhja e theksuar e Poetit me poezinë popullore që mohohej nga disa studiues, flitej për disa faza zhvillimi të kësaj poezie dhe analizoheshin ndikimet e poetëve të tjerë romantikë italianë, francezë, anglezë në të. Heroin lirik të poezisë së Serembes e gjejmë në artikuj e studime të Klara Kodrës, përmes të cilave, ajo na bën me dije se te Serembe i gjemë të dy llojet e këtij heroi lirik. Madje ajo e cilëson “ tipik për romantizmin europian, por deri atëherë i panjohur për romantizmin tonë dhe dëshmon për novatorizmin e Serembes”. Edhe studiuesja ruse Serkova zbulon veçoritë specifike të heroit lirik të poezisë së Serembes që s’është më, sipas saj, heroi tribun dhe luftëtar, karakteristike për romantizmin shqiptar të rilindjes, po heroi rebel kundër shoqërisë, individi që qëndron më lart se ajo.
Në vitet tetëdhjetë Latif Berisha do ta cilësonte vlerën e madhe të poezisë erotike të Serembes si kreacion artistik që e bën atë të ngrihet dhe mbi kufijtë kohorë e hapësinor të mediumit të vet.
Në vitet nëntëdhjetë dhe dymijë vijuan studimet historiko-letrare dhe esetë e kushtuara Serembes, duke zbuluar gjithnjë anë të reja të krijimtarisë së tij. Akademik Qosja e rimerr studimin e këtij poeti origjinal që e kishte portretizuar te “Dialogë me shkrimtarë” dhe i kushtoi një kapitull të rëndësishëm të veprës së tij për romantizmin shqiptar në “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi”, vëll. 3.
Robert Elsie i jep një vend Serembes në “Historinë e letërsisë shqiptare” të 1995-ës (përkthyer në shqip më 1997), duke pranuar gjykimin e dhënë nga shumë studiues se “poezia e tij është poezia më e mirë lirike shqipe” para kohëve të reja. Ka edhe studiues si Anton Nikë Berisha që në veprën “Interpretime të letërsisë së Arbëreshëve të Italisë” priret për të vënë në dyshim vlerën estetike të poezisë së Serembes, të cilën ai e vendos më poshtë se De Rada, Dara, Skiroi, dhe se folklori arbëresh, citoj: “megjithëse arti i Serembes krahasuar me atë të De Radës, Santorit, Darës dhe Skiroit vlerësohet si më i zbehtë në disa këndvështrime përsëri, ai si poet zë një ndër vendet e nderit si përfaqësues i denjë i romantizmit shqiptar në përgjithësi e krijimtarisë së arbëreshëve të Italisë në veçanti. Ndërkaq, studiuesi Milazim Krasniqi e veçon Seremben si një poet me origjinalitet të dallueshëm qartë, pavarësisht se në çfarë forme poetike shprehet, citoj: “…poezia e Zef Serembes përgjithësisht është më lirike, më ekspresive, më e shkurtër dhe më pak narrative, se poezia e De Radës dhe e Gavrill Darës së Ri”.
Përkundrazi, studiues të tjerë e vlerësojnë poetin shumë lart: Hamit Xhaferri e ndërlidh figurën e Serembes me rilindjen e një letërsie me një krijimtari poetike të mrekullueshme; Vebi Bexheti arrin në përfundimin që Zef Serembe mbetet edhe mëtutje zëri ndër më të fuqishmit lirik të poezive arbëreshe. …. Figura e Zef Serembes …dhe veprat e tij lirike të vrullit luftarak që aq shumë janë të mëshiruara në mes veti, mbeten ndër margaritarët më të çmueshëm në mbarë letërsinë e Rilindjes Kombëtare, ndërsa Bardhosh Gaçe, duke e cilësuar ndër të tjera heroin lirik të Serembes si trim të poezisë popullore, që dashuron dhe vuan, vashën gjithashtu e vizaton me mjete stilistike popullore…., ai arrin në përfundimin se Zef Serembe përpunoi në hapësira të gjera lirikën e vet, duke shfrytëzuar përvojën e pasur të poezisë sonë popullore dhe duke dhënë përvojën e vet individuale të vjershërimit.
Është folur për qartësinë e gjuhës së Serembes. Po deri ku kjo qartësi është fryt i përpjekjeve të tij me anë të limës e deri ku i përpunimeve të të nipit? Kësaj pyetjeje s’mund t’i përgjigjesh pa bërë krahasime midis poezive që dihen me siguri si autentike dhe poezive të tjera ku ka pak siguri.
Studiuesit shqiptarë e arbëreshë vijojnë të interesohen për autenticitetin e poezive të Serembes. Poeti e studiuesi arbëresh Giuseppe (Zef) Schirò Di Maggio te artikulli “Kush do ta falë shtrembërimin e çmendur?” (“Chi perdonerà la “matta profanazione?”), botuar te revista “Filologia” (“Biblos”) më 2005, ngre problemin e një poezie të Serembes, e gjetur në Arkivin e Famullisë së Horës së Arbëreshëvet, të cilën ja kish dorëzuar Papas Jani Pecoraro. Ai në fillim shpresoi se ishte fjala për një dorëshkrim autentik, meqenëse mbante firmën e Poetit dhe historikisht ky kishte qenë në Horën e Arbëreshëvet (1886), ku kishte lënë edhe disa poezi. Prandaj, i entuziazmuar, Di Maggio e fotografoi faqen që mbante vjershën dhe e mori me vete në Seminarin Ndërkombëtar me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së De Radës, organizuar nga Katedra e gjuhës shqipe të Universitetit të Kalabrisë më 2003. Atje u takua me studiuesin Belmonte nga i cili mësoi se vjersha nuk qe autentike, po e modifikuar. Më pas, në po këtë seminar, do të zbulonte nga një kumtesë për De Radën, mbajtur nga studiuesi Giovanni M. Belluscio, se Poeti i Madh (De Rada) kritikonte ashpër drejtuesit e periodikut arbëresh “Arbëri Rii” (Sicili), pikërisht për modifikimin arbitrar të një poezie të Serembes. Doli se ishte fjala për vjershën e zbuluar nga Di Maggio. Se kush e kishte modifikuar ai e zbuloi pas kërkimesh të mëtejshme në botimin “Omaggio a Giuseppe Serembe” nga Belmonte dhe në botimin e veprave të plota Opera Omnia të Zef Schirò-it nga prof. Matteo Mandalà. Autori i modifikimit, sipas të gjitha gjasave, ishte vetë Zef Schirò-i (Plaku), një nga drejtuesit e revistës asokohe. Modifikimi në fjalë kishte ndodhur me vjershën (Këngës së Mallit) ose sipas origjinalit të Poetit (Kënk Tharosi), për t’ia bërë të kuptueshme publikut të Horës së Arbëreshëve. Studiuesi Di Maggio mendon se nuk mund të flitet për shtrembërim siç pohon De Rada, po më tepër për përmirësim, meqenëse bukuria e vjershës së Poetit nuk cenohet dhe vjersha kështu u bë popullore në Horën e Arbëreshëvet.
Në përfundim, botimi i saktë i krijimtarisë së Serembes lidhet me problemin e një vlerësimi sa më objektiv të poezisë së tij, origjinaliteti i së cilës spikati që në të gjallë të Poetit, po që ende nuk është ndriçuar saktësisht dhe plotësisht nga studiuesit. Madje, ende i pazgjidhur deri më sot është problemi i një botimi kritik të vjershave të tij që kërkon zbulimin e më shumë dorëshkrimeve autentike. Me botimin kritik të dorëshkrimeve të 9 vjershave të Serembes (1989) si edhe të poezisë kushtuar Dora d’Istrias (1986), prof. G. Gradilone ka çelur një hulli që duhet ndjekur për botimin e dorëshkrimeve të tjera që mund të gjinden si edhe rivlerësimin e botimeve që janë në qarkullim.
Kjo është një sfidë që qëndron para studiuesve të sotëm për të mundësuar botimin në shqip të veprës së plotë që do ta vendoste Poetin arbëresh në piedestalin e merituar.
Po e përmbyll këtë studim me disa poezi të Serembes marrë nga vepra “Zef Serembe, Vepra 1”, SHB “Rilindja”, Prishtinë, 1985.
KËNGA E MALLIT TË PARË
Dëgjo, vash’, këngën e par’
që ta thot’ një djal’ bujar,
Dëgjo, vash’ këtë kangjele
q’është e butë posi dele.
Një e diel ishte pagdhirë
tërë dritë e gaz të dlirë.
Dolla jashtë e s’kish njeri,
kisha helm, jo lumturi:
E një vashëzë kërkonja
po hirplote, siç e donja.
***
Mesha e madhe, ja po biJe
e nga kisha mënt i shtije;
Dola: vashëzat po vinin.
qetë e lehtë në kishë hynin.
Asnjë vash’ s’m’u duk e mirë
e asnjëra s’m’ip dëshirë,
Dhe kjo zemër psherëtinte,
se nuk gjente kë kërkonte.
Po kjo zemër u gëzua
kur një vashëz u afrua,
Kur te sheshi ajo shkonte,
tërë sheshi dritë lëshonte.
I shkëlqenin ata sy
që nuk shihnin as njeri,
Si një fluturëz e lehtë
vej në kishë e zhdukej vetë.
***
Kur e vrejta, kur e pashë,
,,Sa e bukur”! sakaq thashë.
Që ahere s’pat pushim
ky i mjeri shpirti im.
Ditë e natë un’ e kujtonj,
natë e ditë e dëshironj;
Posi hije pas i rri,
e vështronj me dashuri,
Kur më sheh e më ve re,
ndjej të madhe një hare.
Kur dëgjoj fjalën e kthyer
të Parajsës hapen dyer;
Kur më flet e më shikon,
zemrën një shigjet’ ma shpon.
E kur vjershën ajo shtije
duket se më vjen të bije!
***
E kur gjumi pra më zë
unë në paqe s’mund të flë:
Me at sy n’ëndërr më rri,
që të fshehur kan’ magji.
Se m’do fort ajo më thotë
edhe nxjerr dy pika lotë:
E tek veshi më rrëfen
se sa mall për mua ndjen.
Asaj dorëzën ja ngas,
buz’ më buzë asaj i flas,
Edhe mezin ja shtrëngonj:
duke e puthur un’ gëzonj.
Pra si nj’ëndër vete e shkon,
po në zemër më qëndron.
Kushedi a më dëgjove,
mallin tim a e kuptove?
Kushedi tek ti a foli
malli e zemrën a ta ndolli?
Me gjith’ zemrër un’ të dua,
se fort më pëlqeve mua.
Ti me mua, vashëz, eja,
se të dua si veteja.
Tok të rrojmë te ky dhe
si në zi e në hare.
Tok të rrimë në rini,
tok edhe në pleqëri.
VRULL
Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zemra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
Mërzitem në katund, në vetmi.
Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit
Aqsa vetëm pushoj kur bie në gjumë.
Arbëri matanë detit, na kujton,
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron,
Që ne turku na la pa mëmëdhe.
Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon
Por fryn era dhe akull më zë,
Se ç’ka qënë Arbëreshi po harron:
Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë.
VASHES SË LARGËT
Fati ynë është shumë i fort
Se na jep helme dhe mort,
Posi hënës, posi djellit,
Që kërkohen kot prej qjellit,
Se i shkreti fat i zbon
Edhe kurrë s’i bashkon.
Edhe i ligu mirë e di
Që është drita dashuri.
E kur fatin tim kujtoj
Derdh un’ lot e psherëtoj
Plag’ e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot:
Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare.
Nuk pushon ky helm i fort,
Që na jep përdita mort.
KËNGËTARI DHE BILBILI
Jam i vetëm në mesnatë
si bilbili i pafatë
Që me zënë e tij i thotë
sa mjerime ndjen dhe lotë
Trëndafiles dal nga gjembi
q’e ka zëmërën si shkëmbi
Fërshëllimet që këndon
Trëndafilja s’i dëgjon
Fërshëllimet që këndoj
i rrëmbeu mali e përroj
Edhe un’, këngtar i mjerë
vajtoj fshehtas heraherë
E këndoj e qaj si dua
e me lotët bëj një krua
Vashë, syt’ m’i përvëlove:
unë të desha, ti më zbove
Je si një tufan që shkrep
që rrëmben e rreh e shqep
Flaka jote më rrëmbeu
kurm e shpirt më dogji e preu
Shkove e zjarri që më le
më bën hi, më fut në dhe
Ahet që mjerimi i sjell
ngrijnë e larg era i shtjell.
FYTYRA E SAJ
Si vajza ime e bukur s’ka asnje
E prerë, e holl’ si kumbull, drejt më rri:
Kur ecën, shkon si zog e mbase më
Zërin e saj ngre plote harmoni.
I ndan flokët në mes e rrethas vë
Gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi,
I feks balli që rreze zë
Si gryka e detit ne agim’n e ri.
Te zes e tërë mend e mall të thellë,
Sytë e saja shkëlqejnë më se hënë,
Në mes faqes i qesh hunda e hollë.
Ka buzët si merxhan, është faqehollë,
Dorën dhe zverkun si alabastër vënë
Edhe, kur qesh, sikur te ngre ne Qiellë.
NJË DITË ËSHTË JETA
Po vrej si Agimi, ja, nga deti ngjitet,
Dëgjoj si era mbushet me freski:
Shoh si dheu me dritë krejt stoliset
E si dielli shtie zjarr e bukuri,
Në gjithë vëndet gumëzhima shqitet,
Jeta me shpresë qesh dhe ëmbëlsi,
E hapet gazi edhe gëzimi rritet,
Largohet mjegulla ngado që ri.
Koha shkoi e mesdita na pllakosi;
Mërzimi nëpër sheshet mbretëron,
Do të thotë se koha e mirë sosi.
Mbrëmja hapë dyert e natës edhe nxin,
Gjumi gjindjen e zë dhe s’e lëshon.
Njerinë fati ashtu në varr përpin.
TE BREGU I DETIT
Atje nga bregu i detit shoh një valë
Që me oshëtimë stuhia e degdis,
Si në mal ujët ngrihet pa u ndalë
Si për të rrahur qiellin e zi pis.
Dielli mbulohet, qielli është i zënë
Nga mjegulla që dhenë e tërë fsheh:
Dhe koha e keqe krejt pas krahve le
Helmet dhe frikën që s’kanë të thënë.
Era ra dhe tufani, ja, mbaroi,
Duke qeshur në qiell dielli dolli
Dhe natyra stoliset me hare.
Mëkata paqën e vjetër dërmoi
Edhe neve një valë helmesh na solli:
Po gjaku i Krishtit dha paqën e re.
ALI TEPELENASIT
Shkrepën malet një ditë e u qé treguar
Si dielli i Shqipërisë plot me re:
U tromaks turku e mbeti i helmuar
Kur madhërinë tënde vuri re.
Krejt bota ktheu syt’ për të shikuar
Se mos në malet tona shkrep rrufé,
Se mos raca burrërore tue lëftuar
Mirr fronin që i përkiste asaj mbi dhe
Oh, sa shpresa të kota! Si u ndërrove?
Me të rrema e me gjak ndeze atë zjarr
Që dogj lirinë në tona luadhe.
Ti burra e gra gjakose e shkatërrove
Rrodhën lotët përdhe si rrëké e madhe:
Me nëmë e turp u fute ti në varr.
Bibliografi:
- Altimari, Francesco. (2012). Gli Arbëresh d‘Italia per la rinascita dell Albania tra XVIII-XIX Secolo: paralelizmo con altre diaspore di area italo-balcanica në: “Studia Albanica”, ASHSH. Tiranë.
- Belmonte Vincenzo. (1988). Omaggio a Giuseppe Serembe, Amministrazione Comunale di S. Cosmo Albanese. “Vatra”.
- Belmonte Vincenzo. (1976). Vjershe, Strihar (San Cosmo Albanese). Tito-Linotipya GraphiSud ACR.
- Belmonte Vincenzo. (1991). Alla ricerca del Serembe autentico, Cosenza.
- Belmonte, Vincenzo. (2018). I canti (Kënka), Cosenza.
- Berisha, A. Nikë. (2013). Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. “Faik Konica”, Prishtinë.
- Berisha, Latif. (2002). Vepra, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
- Bexheti, Vebi. (2020). Studime arbëreshe, Tetovë.
- Cassiano, Domenico. Poeti i Strigharit: (Zef Serembe). Strigari, Cosenza, 1977.
- Çabej, Eqrem. (1978). Studime gjuhësore, V, Prishtinë.
- Çabej, Eqrem. (1994). Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, “Çabej” MCM, Tiranë.
- Di Maggio, G. Schirò. “Chi perdonerà la “matta profanazione”? Una poesia di Giuseppe Serembe contraffatta dai Nostri”, në: “Biblos”, Biblioteka Komunale e Horës së Arbëreshëvet – anno XII, N. 26 2005.
- Elsie, Robert. (1995). Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë.
- Gradilone, Giuseppe. (1960). “Spiriti e forme della poesia di Giuseppe Serembe”, në: Studi di letteratura albanese, “Urbinati”, Roma.
- Gradilone, Giuseppe. (1986). Zonjës madhe perëndeshë Elenës Gjika – Canto a Dora D’Istria, edizione–introduzione, trascrizione, apparato critico. Istituto di Studi Albanesi. Roma.
- Gradilone, Giuseppe. (1989). Contributo alla critica del testo dei canti di Giuseppe Serembe. Istituto di Studi Albanesi. Roma.
- Gjendja Aktuale e Studimeve për Arbëreshët. Kuvendi i Parë i Studimeve Arbëreshe. Qendra e Studimeve dhe Publikeimeve për Arbëreshët. 27–29 shtator 2021, Tiranë.
- Gjuha dhe Letërsia e Arbëreshëve. (2011). Aktet e Simpoziumit Ndërkombëtar për Arbëreshët, Tetovë, 28–29 prill 2008. Universiteti i Europës Juglindore. Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit. Tetovë.
- Historia e letërsisë shqipe. (1960). USHT, vëll. II. Tiranë.
- Kamarda, Dhimitër. (1870). Dora d’Istrias–Shqiptarët (A Dora D’Istria – Gli Albanesi). Livorno.
- Kamsi, Kolë. (2006). Shqiptarët e Italisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, “Phoenix”, Shkodër.
- Kodra, Klara. (1975). Vepra poetike e Zef Serembes, AShRSh, Tiranë.
- Kodra, Klara. (2000). Zef Serembe. Poezi. “Argeta LMG”, Tiranë.
- Kodra, Klara. (2018). Paralele dhe kryqëzime: ASA, IGJL. vëll. I. Tiranë.
- Kodra, Klara. Romantiku atipik Zef Serembe dhe enigmat e poezisë së tij, ExLibris 20.03.2024.
- Mandalà, Matteo (2006). Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe, “Çabej”, Tiranë.
- Marchianò, Michele. (2021). Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre. (Ekstrakt i fashikullit të korrikut 1913, i Revistës së Italisë), Romë, 1913. QSPA, Tiranë.
- Poezija popullore arbëreshe. (Mbledhur, përshtatur dhe vënë në gjuhën e sotme nga Ziaudin Kodra). Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1957, XXXI + 163 f.
- Proko-Jazexhiu, Vilma. (2021). Një vështrim mbi botën arbëreshe në të dy fjalorët enciklopedikë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Continuum”–Revistë e Studimeve Arbëreshe. QSPA. Viti I, 2020–2021, Nr. 1, Tiranë.
- Qosja, Rexhep. (1968). Dialog me shkrimtarë, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë.
- Qosja, Rexhep. (1986). Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi, ASHAK, vëll. 3. Prishtinë.
- Schirò, G. Junior. (2021). Historia e letërsisë shqipe. QSPA, Tiranë.
- Serembe, Zef. (1883). Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese, Cosenza.
- Serembe, Zef. (1926). Vjershe (nën kujdesin, me parathënie e shënime nga avokat Cosmo Serembe). Milano.
- Serembe, Zef. (1977). Poeti i Strigarit. Ribotim, nën kujdesin e Domenico Cassiano (botim i Amm. Comunale. San Cosmo Albanese).
- Serembe, Zef. (1985). Vepra 1. Vjersha. “Rilindja”, Prishtinë.
- Serembe, Zef. (2000). Vepra 4, Studime dhe Kritikë/Monografi, “Rilindja”, Prishtinë.
- Serembe, Zef. (2000). Më të bukurës në Strigari. “Toena”, Tiranë.
- Serkova, T. F. (1967). “Poezija italianskih Arbereshej i problemi albanskovo romantizma”, ACTES DU PREMIER CONGRÈS INTERNATIONAL DES ÉTUDES BALKANIQUES ET SUD-EST EUROPÉENNES: Sofia, 26 août-1 septembre 1966, Académie Bulgare des Sciences, Sofia.
- Studi di letteratura albanese. (1960). “Urbinati”, Roma.
- Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit. (1986). ASHRPSSH. IGJL. Tiranë.
- Shuteriqi, Dhimitër. (1961). “Mbi jetën dhe krijimtarinë e Zef Serembes”. “Buletin i USHT”, Seria e Shkencave Shoqërore, Tiranë, nr. 4.
- Shuteriqi, Dhimitër. (1973). Nëpër shekujt letrarë, “Naim Frashëri”, Tiranë.
- Shuteriqi, Dhimitër. (1980). Nga letërkëmbimi i Zef Serembes, “Studime filologjike”, Tiranë, nr. 4.
- Shuteriqi, Dhimitër. (1999). Disa vjersha që mendohet se janë të Zef Serembes, “Studime filologjike”, Tiranë, nr. 3-4.
- Xhiku Ali, (1973). Revista “Nëntori”, 4. Tiranë.
- Xhiku, Ali, (1980). Romantizmi arbëresh. “Naim Frashëri”, Tiranë.
- Xhiku, Ali, (1981). “Veçori të romantizmit në letërsinë arbëreshe”, Studime për letërsinë shqiptare, I, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH. Tiranë.
Bibliografi e pashfrytëuar për artikullin
- Aliu, Ali, “Vështrim tjetër për Seremben”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, SNGJLKSH 21/1, UP-FF & UT-FHF Prishtinë 2003: 43-45.
- Bulo, Jorgo, “Njëqind vjet pas vdekjes së Zef Serembes”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 20/2, ASH-IGJL & UP-FF, Prishtinë, 2002: 17-18.
- Gashi, Osman, Prishtinë, “Pikëtakime në poezinë e Zef Serembes dhe të Giaccomo Leopardit”, Sesioni: “Letërsia arbëreshe”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare,21/1, UPFF & UT-FHF Prishtinë 2003: 75-79.
- Hamiti, Sabri, “Zef Serembe: romantiku i vetmuar”, Tryeza: 100 – vjetori i vdekjes së Zef Serembes, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare,20/2, ASH-IGJL & UP-FF, Prishtinë, 2002: 7-15.
- Jakupi, Muharrem, “Karakteristika arbëreshe në lirikën e Zef Serembes dhe Vorea Ujkos”, Sesioni: “Letërsia arbëreshe”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 21/1, UP-FF & UT-FHF Prishtinë 2003: 66-74.
- Jorgo, Kristaq, “Serembja si problem historiografik”, Sesioni: “Letërsia arbëreshe”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 21/1, UP-FF & UT-FHF Prishtinë 2003: 47-51.
- Krasniqi, Milazim , “Sonetet e Zef Serembes”, Sesioni: “Letërsia arbëreshe”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 21/1, UP-FF & UT-FHF Prishtinë 2003: 53-65.
- Izet Bebeziqi. “Shkrimtarët arbëreshë. Zef Serembe”, Izet Bebeziqi, “Shkrimtarët arbëreshë. Zef Serembe”, “Revista letrare” Tiranë, 1944, nr.12, f. 10.