IZET DURAKU: KOHA E RILEXIMIT
Koha e shkrimeve për Ismail Kadarenë mori fund me vdekjen e tij. Pritja e interesuar e lexuesve për librin e ri, ashtu si pyetjet e pafajshme “a thua me çfarë libri do të paraqitet autori këtë vjeshtë, dimër, këtë pranverë ”, gjithashtu kanë marrë fund. Për hir të së vërtetës edhe shpresat e lexuesve shqiptarë, ndoshta edhe të lexuesve të tjerë në mbi 40 gjuhë botërore se a do ta merrte çmimin Nobel në tetorët e viteve të fundit, ishin gjithnjë e më të vakta. Akademia Mbretërore Suedeze humbi rastin të marrë urimet e lexuesve të prekur nga madhështia e veprës ismailiane. Ndoshta, e mbyllur në objektivitetin e saj të dëshiruar, kjo akademi prej kohësh ka shpërfillur ndjeshmëritë e ndjenjat e kësaj bote.
Ndërkohë vepra e tij që kapërceu me bujë kufijtë e Shqipërisë së vogël, ka zaptuar tashmë çdo kontinent të planetit. U shndërrua jo në letërsi perandorake, po planetare. Do ta forcojë kujtesën e botës kjo shtrirje apo do ta shpejtojë zbehjen e saj, si dilemë është fare herët për t’u shtruar. Kore korbash që parathonë vdekjen e poezisë, të letërsisë në përgjithësi, janë dëgjuar prej kohësh. Sikur përparimi shkencor, do t’ia marrë frymën letërsisë, se ja libri nuk e shihni po dergjet trotuareve me pluhur, bile guxojnë ta përdhosin duke e djegur dhe pastaj duke e përmbytur brenda tempullit të librit në Bibliotekën Kombëtare. Dikur lexohej në rrugë, në parqe, makina, trena, ndërsa sot me kufje në vesh njerëzit dërdëllisin rrugëve si të prishur menç.
Ismail Kadare ka shkruar herët edhe rreth kësaj pandehme. Trushpërlarja në oqeanin e stisur të marrëzisë ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjatë si bashkudhëtare me njerëzimin. Ashtu si pjesa e vdekshme me pjesën e pavdekshme njerëzore, ashtu si dëshira për jetë të pasosur ose vdekje të mënjëhershme. Sindromi vetvrasës i akrepit është gjithnjë i pranishëm. Si Shpata e Damokleut, planetit i rri mbi krye kataklizma bërthamore që e kërcënon me zhdukje. Libri, letërsia e mbrujtur prej mijra vjetësh do ta ruajë thelbin e jetës dhe vazhdimësinë e saj.
Koha e leximeve të veprës së Kadaresë ka filluar që me botimet e para. Ai erdhi në klubin e letrave me origjinalitet të spikatur për të emocionuar jo vetëm babain e tij që, ndërsa pa emrin e të birit në gazetë, u fut në klubin më të afërm për të hedhur një kupë raki. Ismaili solli mahnitjen fëminore, një mahnitje vetjake, të buruar nga shpirti. Lexuesit e ndoqën me besim se flakët e tij do të rriteshin dhe nuk u zhgënjyen. Metafora poetike e Ismailit u shkëput nga klishetë tradicionale, ndërsa proza e tij përfitoi nga poezia.
Si lexues i hershëm i Ismailit kam lexuar e rilexuar në kohë të ndryshme disa vepra të tij të njohura si “Qyteti i jugut”, ribotuar pas disa vitesh me titullin “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dimri i vetmisë së madhe” më vonë si “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Nëpunësi i Pallatit të Endërrave”, “Eskili ky humbës i madh” etj. Rileximet më kanë zbuluar vlera dhe kumte të reja. Tek njerëz të tjerë, në vështrime të nesërme leximesh, a do të zbulohen vlera apo dobësi të këtyre veprave? A do të thellohet sonda e gërmimeve vertikale, a do të interpretohet me nuanca të reja pasuria figurative apo thjesht leksikore e veprës së tij? Apo pluhuri i harresës do t’i marrë frymën? Kërleshja polemizuese që e shoqëroi autorin në gjallje të tij, mund të mos vazhdojë me intensitetin dhe dalldinë e mëparshme. Veçanërisht mohuesit ndoshta shpresojnë në magjinë e heshtjes së tyre, ndoshta e shohin vdekjen si forcë të pakonkurueshme. Kasandrat nuk do të mungojnë të shfaqen, po përmasat, tiparet, shpirti i veprës do të shkojnë besoj në drejtim të jetëgjatësisë së saj.
Raportet e veprës së Ismailit me kohën janë shqyrtuar dhe do të shqyrtohen edhe në të ardhshmen. Ka pasur qasje diametralisht të kundërta. Pala adhuruese ka vlerësuar qëndrimin dinjitoz të veprës përballë kohës dhe regjimeve, veçanërisht përballë regjimit totalitar. Të tjerë, gjithnjë e më të pakët ngulin këmbë në konformizmin e tij. Ndoshta me qëndrimin e tyre bëjnë hesap se do ta shuajnë sadopak shkëlqimin zharritës që të habit me ashpërsinë e forcës e të guximit. Në pjesën më thelbësore të teksteve ismailiane stigmatizohet pushteti i verbër i sundimtarëve qe prej faraonëve që dënohen nga librat e shenjtë, tek egërsia e pashallarëve, e oborrtarëve sulltanorë, verbëria e vezirëve, kryevezirëve, agallarëve e jeniçerëve, bylykëve të spahinjve deri te mizoria sulltanore. Dhuna e pafre, arbitrariteti, ndëshkimet makabre në zindane me ujra të pista ku të hanë minjtë, shfaqet me një gjuhë përvëluese. Njeriu i vogël në këtë botë mizore shtypet, rrëgjohet, çnjerëzohet, zhburrnohet, tjetërsohet.
Tek “Kamarja e turpit” shfaqet një personazh me një emër të frikshëm, Tunxh Hatai. Misioni i tij përmblidhej në marrjen e kokës së prerë të Ali Pashait për ta dërguar në qendrën e perandorisë në Stamboll ku do të ekspozohej për një kohë të gjatë për t’i krijuar mundësinë miletit të vinte dhe ta shihte se si përfundonin armiqtë e dovletit. Meraku i Tunxhit do të ishte konservimi i kësaj koke, ruajtja e saj me kripë e akull që të mbërrinte e padëmtuar. Ndaj duhej të shpejtonte për të përshkuar mijra kilometra përmes zonave rebele, zonave gri, te cilat po i nënshtroheshin skemave shkombtarizuese dhe zonave krra-krra, plotësisht të shkombëtarizuara. Me karrocën e tij Tunxhit i pëlqente ta zgjaste udhën e tij duke kaluar përmes këtyre zonave ku në dhjetra qendra të banuara do të ndalej sepse njerëzit, të mësuar me veprimet e tij, do t’i mblidheshin kësaj here për të parë kokën e famshme në sininë qeveritare. Ai e dinte se veprimi i tij, ndonëse në kundërshtim me udhëzimet e hapura, u pëlqente eprorëve të tij në oborrin e sulltanit, se fundja njerëzit do të mësonin nga mënxyra.
Tunxh Hatai në kohën enveriane ngjante me aparatçikët partiakë që zbrisnin nga Olimpi i Tiranës në çdo rreth, “poshtë në bazë” për të sqaruar veprimtarinë armiqësore të rastit, për të dënuar armiqtë e partisë dhe të udhëheqësit të saj, që nxirrte shpatën “që u rri te koka, gjithë armiqve që ka bota”. Vra e pre midis armiqve e miqve që ktheheshin në armiq. Tunxh Hatai nuk shpërblehej nga turmat e dikurshme që mblidheshin rreth kokës së prerë, po nga kolektiva pararojë që duartrokisnin vdekjen e armiqve e brohorisnin për jetëgjatësine e mbretit diell, faraonit të kohës.
Si mund të lexohet sot ky personazh i gërditshëm? Në banaqe televizive llomotitet pa fund për të arresturit e radhës nga “drejtësia e re” që vetëm sot “ka guximin të godasë në të mëngjër e në të djathtë armiqtë e paprekshëm”. Tunxh Hatai nuk zbulon kokën e prerë, po duke spërdredhur fjalët përpiqet të nxisë ekstazën e turmës që ngopet me gjakun e bishave të vrara.
Letërsia nuk i përket një kohe, sepse lidh kohrat duke qenë sipër tyre.
Ndonëse tejet i figurshëm, verbi ismailian është i drejtpërdrejtë. Mohuesit e veprës as nuk kanë guxuar ta përmendin këtë dimension të veprës së tij. Po pse i transferon autori ngjarjet e sotme në të kaluarën. Diakronikja e tij fliste me të sotmen, sepse vetë historia, për fat të hidhur përsëritet në mënyrë ciklike. E sotmja edhe në vendet më të ndritshme të planetit rikthen reminishenca të së kaluarës. Njerëzimi, ndonëse ka arritje kolosale në teknologjinë e prodhimit dhe në arritje shkencore, mendësia e sunduesve, udhëheqësve apo turmave që i ndjekin ato, nuk ka shkuar paralelisht me progresin teknik.
A mund të shkruante më haptas se kaq Ismaili? Përderisa ka shkruar për realitetin në dy perandoritë e kohës, në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, ai mundej që subjektet e veprave t’i vendoste në Shqipëri. Natyrisht nuk kishte redaksi të çmendur që t’i botonte. Edhe sikur marrëzia të realizohej, libri do të shkonte në karton, siç kanë përfunduar në grirëse disa libra shkrimtarësh, përfshirë këtu dhe ndonjë vepër të Ismailit. Regjimi do ta asgjësonte e grinte veprën bashkë me shkrimtarin, që do ta çonte në burg ose para togës së pushkatimit.
Disidenca e hapur ishte e pamundur në Shqipëri. Në Bashkimin Sovjetik në periudhën hrushoviane dhe pas saj, dënimi më i madh, me i rende për shkrimtarët disidentë, ishte largimi nga atdheu. Këtu të largonin nga jeta fizike. Megjithatë, edhe në këto kushte të jashtëzakonshme terrori, Ismail Kadare ishte disident, ndaj vepra e tij ka kaq shumë lexues dhe admirues.
Shkrimtari lindi me fat. U pëlqye në rininë e tij, simpatia erdhi në rritje, në Shqipëri dhe në botë. Lindi me një talent të pazakontë, nuk u përkul, nuk u tremb nga rrufetë e pushtetit, nga kërcënimet e nënkuptuara dhe brutalisht të shfaqura haptas. Shkroi ditë-natë me një mision Prometeu.
U shkollua në Tiranë dhe në Moskë, ku u njoh me shkrimtarë të mëdhenj, ra në kontakt me letërsinë e madhe botërore, një pjesë të së cilës e përktheu me mjeshtëri të rrallë. Shoqëria ka për detyrë ta ruaj trashëgiminë e tij letrare, jo duke e mbrojtur nga kritika, po duke vijuar e popullarizuar veprën e tij.
Shkrimtarë të mëdhenj si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Kasem Trebeshina u ndanë dhunshëm nga lexuesi duke mos ua botuar veprën, duke mos ua zënë në gojë as emrin. Shkrimtarë të vrarë nga regjimi si Vilson Blloshmi, Havzi Nela dhe Trifon Xhagjika janë përjashtuar nga çdo tekst mësimor. Vrasësit enveristë ende vazhdojnë hakmarrjen e tyre.