Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: ELENI MËRKURI, MAGJIA E HEDHJES PILURIOTE

Nga cikli “Korifejtë” 2

Me Eleni Mërkurin, hedhësen e famshme të këngës së Pilurit

Nuk dimë as si do të dëgjoheshin pa zërin e saj mjaft prej këngëve perla të Pilurit e as krijuesi e arkitekti i grupit Lefter Çipa ç’do të kishte bërë pa të.

Të saktë dimë se kënga piluriote brënda madhështisë së vet, brënda lavdisë që krijoi përmbi gjysëm shekulli, në jo pak maja ka edhe zërin e saj, vokalin e një prej polifoneve më të famshme të polifonisë së sotme shqiptare.

Dhe jo si do kudo, vendosur bash në një prej tri pozicioneve që kënga piluriote ashtu si edhe këngët e tjera me iso në Bregdet e Labëri e kanë si një nga tri elementët kryesorë e që të gjithë bashkë e në harmoni krijojnë perandorinë shpirtërore të zërave.

Eleni Mërkuri e nisi ta mbajë këtë pozicion kur ishte fare e vogël ndërkohë që ishte katërmbëdhjetë vjeçe kur në një koncert qeveritar në Vlorë do të këndonte këngën e parë me të mëdhenjtë.

Ishte koha kur hedhësja e deri atë kohshme Luiza Çipa kishte gjetur shokun e jetës e bashkë me vendlindjen do të linte edhe grupin me të cilin patën nisur rrugën e këngës.

Tregon Eleni:

“Lefteri më kishte aktivizuar që në fillore, bashkë ishim edhe me Ermionin, në një klasë kemi qenë, si motra.

Po mua më merrte edhe me grupin e madh kur iknin jashtë fshatit me aktivitete, më jepte parodi të vogla e këngë për fëmijë, më vonë nga fundi i tetëvjeçares më mori bashkë me Monen në grupin e madh.

Ishte koha kur në grup këndonte e madhja Katina Muço, këngëtare që kur ja merrte këngës ne më të vegjëlit e shikonim me habi.

Ajo ishte e jashtëzakonshme, as Bregu e as Labëria se ka një të dytë si ajo.

Unë qejf kisha edhe marrjen po Lefteri nuk më linte, më kishte vënë syrin për hedhëse, atë ngulte këmbë të bëja, sidomos kur u largua Luiza.

Festohej gjashtëdhjetë vjetori i Pavarësisë dhe Vlora për ca ditë bëhej kryeqytet, mbaheshin edhe shumë koncerte me këngë e valle.

Sa herë që kishte koncerte Pilurin se ndanin nga grupet më të mira.

Bëhuni gati se nesër nisemi për në Vlorë – na thotë Lefteri, i cili kishte ditë që e kishte përgatitur këngën që do këndonim dhe që hedhjen ma kishte besuar mua.

Këtu u bëmë bashkë për herë të parë edhe me Ermionin si marrëse, nuk di pse ato kohë mungonte Katina dhe Lefteri ja dha të motrës këngën.

As unë se di pse ngula këmbë për të mos vajtur, as sot se marr vesh si ja prisha atij njeriu që më donte si fëmijët e tij.

Kishim filluar të përgatiteshim për provimet e klasës së tetë dhe më dukej se mungesa për ca ditë do më linte mbrapa.

Kisha ëndërr të vazhdoja shkollën, të më delte bursa, mësoja mirë po e kisha dhe një dregëz që më pengonte.

S’kaloi dita kur në fshat ja behën me makinë Lefteri së bashku me Thoma Kolagjin, kryetarin tonë të kooperativës, erdhë dhe drejt e te shtëpia jonë, te babai.

– Për shkollën do ta marr unë përsipër, edhe për bursën – u jap fjalën, i tha kryetari babait- vetëm të shpejtojmë se na presin në Vlorë.

Ishte burrë i rrallë Thomai, nga ai dhe Lefteri e kam shkollën e mesme, zanatin e gjeometres që mësova në Korçë…

Kur dolëm në skenën e Teatrit të Vlorës kënga jonë bëri bujë të madhe.

Na kthyen prapë e s’na linin të dilnim nga skena.

Ishte hera e parë e kënga e parë që këndonim me Ermionin në një skenë të tillë e përpara udhëheqies më të lartë të kohës, të dya vetëm nga katërmbëdhjetë vjeçe.

“Bilbili që dëgjon bota” ishte kënga, vërtet e politizuar për nga përmbajtja por në realizimin melodik e strukturor mbetet nga më të veçantat e grupit të Pilurit…”

Shkollën e mesme do ta bënte në Korçë, qytet që do ti shtonte edhe më shumë vlera dimensionit të saj kulturor.

Nuk u brengos pse vajti për në shkollën mjekësore e përfuindoi në atë të ndërtimit për gjeometre, jeta kulturore e këtij qyteti do ta përfshinte me shumë të tjerë bashkëmoshatarë.

Ndër gjërat e para ishte ngritja e grupit të këngës polifonike më bashkë patriotë nga Kallarati, Bolena e të tjerë jugorë të shkollës. Siç do të aktivizohej edhe me estradë e me teatër, me të gjitha aktivitetet kulturore që aso kohe rinia shkollore merrej.

Këtu do të provonte edhe këngën polifonike të vendlindjes por edhe këngën popullore qytetare, atë vlonjate sidomos, madje me këtë të fundit do aktivizohej edhe në koncerte masive që organizonte trupa variete e qytetit.

Përpara se të merrte udhën për në Korçë ishte shpallur fituese nga konkurimi për në shkollën e muzikës në Tiranë, edhe këtu së bashku me Ermionin.

Ermioni aty vajti, për Lenin se pa të udhës i jati.

Në Pilur, në grup, në pozicionin e hedhjes ndërkohë Lefteri kishte afruar Vitori Mërkurin, një tjetër margaritar i mërkurajve të këngës.

Se grupi i Pilurit funksiononte si një “detashment” artistik, si një puntori e madhe trashëgimie shpirtërore që vetëm prodhonte këngë ë këngëtarë.

Po vinte tridhjetë vjetori i çlirimit të Atdheut dhe arkitekti i grupit që kishte marrë udhën e famës kishte përgatitur këngën që do të kthehej një monument më vehte, ashtu si monumenti i atyre që ajo u kushtohej.

Katina Muço, marrësja emblemë e grupit këmënguli që krahas kthyesit brilant Qiriako Bala në krahun tjetër i duhej Eleni Mërkuri, hedhësja që me aq sa kishte kënduar kishte vënë vulë të pa diskutueshme përsosmërie.

Do të këndohej “28 mijë yje” ndaj me porosi direkte të bregasit Mantho Bala, një nga drejtuesit e lartë të arsimit e kulturës të kohës, Eleni Mërkuri do të udhëtonte nga Korça për tu takuar me këngëtarët e tjerë ardhur nga Piluri në Teatrin e Operas dhe Baletit në kryeqytet.

Fiksuar në pozicionin e hedhësit në një nga kryekëngët polifonike të Bregut e Labërisë, vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe vajzë.

Po nga Korça, nga bangat e shkollës së mesme, do të udhëtonte edhe tjetër herë për t’u bërë pjesë e grupit në “Shko, moj shko, kuacë e kuqe”, një tjetër perlë polifonike në aradhën e këngëve lirike të grupit emër madh piluriot.

Duke folë për këto vite Eleni kujton edhe një fakt që tregon për veçorinë dhe vlerat vokale të saj prej të cilit mund të ishte bërë edhe një këngëtare e madhe e këngës popullore të muzikuar.

Në përfundim të shkollës një fjalë-leje e ka ndarë nga aktivizimi si këngëtare me trupën e varietesë të Korçës. Por ata që u interesuan nuk e hapën dot “derën” e Lefter Çipës i cili me zi e priste ta kishte në Pilurin e tij me të cilin kishte lidhur jetën.

Eleni Mërkuri tani do të jetë një nga më të rëndësishmet këngëtare në grupin e Pilurit ku Lefter Çipa e drejtonte me pasionin e tij të jashtëzakonshëm drejt majave të polifonisë shqiptare duke e kthyer këtë fshat ballkon të bregut në një kryeqëndër të këngës shqipe me iso.

Tani Eleni do të vendosej sup më sup në krahë të Ermioni Mërkurit, Qirjako Balës, Vasillo Kokës, Vangjel Gjiçalit, Margarit Kongjonit, Milto Gjiçalit e të tjerë këngëtarë të mahnitshëm të cilët me zërin e shpirtin e tyre shkruan historinë më madhështore të këngës së Bregut.

Në laboratorin krijues të rapsodit, udhëheqësit artistik e kërkuesit të pa rreshtur të vijave melodike ku asnjëra e kënduar nuk do ti ngjante tjetrës do të zinte vend edhe fuqia krijuese e Eleni Mërkurit.

Dhe në këtë korpus të madh krijimtarie ajo do të shkëlqente me hedhjen e saj si të askujt tjetri duke krijuar modelin dhe mënyrën alla Leni.

E tillë u çfaq edhe në skenën e kalasë së Gjirokastrës në vitin 1978 kur pikërisht nga ajo skenë e ajo kala do të merrtin udhë “Këngët e Atdheut tim”, këngë që shënon një tjetër kulm të krijimtarisë së Lefter Çipës e grupit të tij të Pilurit.

Këtu Ermioni Mërkuri në rolin e marrëses, Qirjako Bala në atë të kthyesit dhe Eleni Mërkuri në hedhje ndoshta përbëjnë treshen me më shumë shpirt e ekspresivitet që ka parë ndonjëherë kënga polifonike dhe ajo kala.

Këtu magjia e procesit të hedhjes së një kënge merr një tjetër kuptim, ajo bëhet sa tokësore edhe qiellore, sa njerëzore po aq edhe hyjnore.

Shpërthimi i Eleni Mërkurit këtu është si një piskamë kushtrimi lëshuar prej Maleve të Vetëtimës e duke kaluar mes gryka malesh përhapet mu aty në sheshin e kalasë së lashtë.

Dridhërimë më vehte ajo hedhje aq shumë melodioze e ato vibracione shkallë-shkallë.

Vetëm një shpirt prej artisti të vërtetë mund ta realizojë një performancë të tillë, fare e rrallë, si asnjë zë tjetër femëror në hapësirën e këngës popullore me iso.

Eleni thotë se kur këndonte grupi karakteristik i Himarës, grupi i Dhimitër Varfit, ajo sytë e veshët i mbante mbërthyer vetëm të njëri prej tyre dhe ky ishte Theodhori Goro, hedhësi legjendar i këngës himarjote. Për të ay mbetet idhulli i jetës, margaritari i Bregut të Detit.

Po edhe këngëtarët janë njerëz të zakonshëm e jeta për ta jo gjithëmonë është këngë.

Plot një çerek shekulli Eleni Mërkuri do të ndahej me këngën, tamam në kulmin e artit të saj.

E detyruar nga kushtet familjare ajo e ndali atë deri sa më pas koha si shumë të tjerë do ta hidhte në krahët e emigracionit.

Për njëzetë e pesë vite ju desh të kthehej në një dëgjuese të këngëve të saj e ti ndiqte së largu këngët e vendlindjes në të cilën qysh në rininë e herëshme kishte vënë shpirtin.

Po edhe në rikthimin përsëri te kënga ajo shënon një rast unik e të pa ndodhur kurrë më parë e që tregon për fuqinë e madhe e talentin e pa sosur që kjo këngëtare mbart.

Për shpirtin e saj të pa epur por edhe për vokalin si rast i veçantë.

Dhe është ky shpirt që e shtyn e i jep forcë Eleni Mërkurin ti kthehet përsëri shkëlqimit me të gjithë pasionin, temperamentin e me mrekullinë e vokalit të vet.

Ka rreth pesëmbëdhjetë vite që ajo është kthyer tek kënga e Bregdetit e ajo piluriote këtë herë me grupin e ri të Kristo Çipës të pagëzuar me emrin simbolik “Bejka e Bardhë”, emër që unifikon të gjitha këngët dhe këngëtarët që për mbi gjashtë dekada ka nxjerrë ballkoni i Bregut.

Dhe Eleni, këngëtarja e madhe e bregut, hedhësja fantastike e këngës së Pilurit na vjen në këngë po me atë bukuri e po me atë magji si në rininë e saj.

Ai temperament, ajo melodi, ai muzikalitet, ajo teknikë, ajo mrekulli si në kohën kur vajzëronte.

Muzikaliteti dhe potenciali interpretues i kësaj këngëtareje mbetet unik, vulosur me vulën e autenticitetit qysh kur do të dilte për herë të parë në skenë në moshën katërmbëdhjetë vjeçare.

Eleni Mërkuri, hedhësja legjendare e këngës piluriote, magjia e saj, gatuar e përpunuar në laboratorin krijues të më të madhit rapsod e organizator të këngës piluriote në shekuj i jashtëzakonshmi dhe i përherë kujtuari, Lefter Çipa.

Vlorë, 4.11.2024.

Please follow and like us: