Albspirit

Media/News/Publishing

Brenda Shaughnessy – Objekt i Pamundshëm i Lesbo-Dashurisë

Brenda Shaughnessy – Objekt i Pamundshëm i Lesbo-Dashurisë (Poezi e përkthyer, SG)

(s. guraziu – ars poetica, 2021 – pak fjalë)
Në v. 2019, me titullin e thjeshtë “Projekti Poetik”, Muzeu i Artit Modern (MoMA, New York) do e pyeste poeten laureate Robin Coste Lewis që t’i ftonte një grup poetësh për t’kontribuar me nga një poezi origjinale, krijuar nga frymëzimi i veprës së tyre favorite, dhe e cila vepër ndodhet në koleksionin e muzeut MoMA. Në vetvete ide mjaft interesante e “muzeut”, mbase diç si eksperiment.
Me këtë rast, poetja feministe Brenda Shaughnessy, duke zgjedhur veprën artistike “Objekt” të v. 1936 nga artistja gjermane (dada-iste, surrealiste) Meret Oppenheim, e sjell në jetë poezinë “Objekt i Pamundshëm i Lesbo-Dashurisë”, të cilën jam munduar ta sjell sa më “afër shqipes” së ëmbël.
Ku di, për mua vërtet simpatike dhe vetë qasja e kësollojshme poetike, edhe frymëzimi, edhe ideja, edhe gjithçka. Të vërtitesh rreth një dada-objekti (rreth një filxhani të leshtë dadaist) dhe thuase nëpërmjet filxhanit të dialogosh me krizalidën e qenies sate, gjoja t’ia falësh një filxhani leshatuk për ca çaste vetëdijësinë, inteligjencën, ndjesinë… hm, sipas meje mjaft qasje interesante, diç si fresk i kulluar ideatik-feministik : )
Gjatë leximit, afërmendsh, lexuesi duhet ta ketë të “përzemërt” se filxhanit leshatuk (veprës së Oppenheim) gjoja i takon fryma poetike, pasi tashmë e ka dhe ndjesinë, e edhe vetëdijësinë, herë shtiret t’jetë filxhan-autori, herë subjekti poetik, herë ndërgjegjia feministe e poetes Shaughnessy… herë etj. etj : )

[ ngjitur: portret i autores amerikane Brenda Shaughnessy, foto nga Janea Wiedmann – dhe djathtas vepër-frymëzimi nga koleksioni artistik i MoMA, vepra leshatuke e dadaizmit nga Meret Oppenheim (1913-1985) – “Objekt“, 1936 ]

OBJEKT I PAMUNDSHËM I LESBO-DASHURISË
Brenda Shaughnessy [ 1970, ShBA ]
1.
Jam thjesht një objekt, s’jam unë.
Jam më shumë se objekt, s’jemi duke pirë çaj.
S’jam një, as dy. Jam një treshe feministe.
Jam Dada – jo Mama, s’do jem kurrë.
Kur askush s’më përdorë, më së shumti e lirë jam.

2.
S’jam si objektet e tjera të pavetëdijshme
për vetveten, rekuizite tek i nënshtrohen dëshirës:
këndi i dhomës mendon dhoma është një-cepshe,
ajo skulpturë maceje shikon gjoja me sytë e saj.
Edhe unë jam gjitar, vjedhur nga ndjenja ime origjinale e etjes.
Gratë e dinë këtë zhdukje nga kuptimësia.
Si të gjitha triptiket lezbike, edhe unë kam ngecur.
Si të gjitha objektet e dashurisë, trekëndor, i paqëndrueshëm.
Jam treshe vetmitare, e njëtrajtshme, e shqetësuar
pasive, me apetit seksual dhe e shpërqendruar.
Pije e nxehtë, jam enë në zjarr, jam muskujt
e liruar, përzierje e brendshme, jam derdhje e vockël,
pallto në dysheme. Palltoja e leshtë në dysheme.
Dyshemeja e leshtë e lakuar sipër një rrethi tjetër
të leshtë për t’mos u prekur kurrë nga një pikë lëng, dhe fytyrë
konkave me shpinë konvekse, që nuk shtillet në vetvete.
Asgjë nga këto s’është duke ndodhur realisht.
Isha dikur dhe prore e përherë vetëm një ide,
vetëm një shaka inteligjente, devijim momental, guxim,
konvertuar nga faqe-monedha e fatit dhe koncept,
me trup, formë, flokë,
dhe një kotësi e pavdekshme
të cilën gjithë arti pandeh e posedon,
e që gratë s’i afrohen dot.

3.
Jam admirimi për të qënit krye-ideja më e keqe e artit.
Famoze për të qënit ide e pamundur,
prandaj jam dhe turp-skandaloz.
Jo ngaqë të gjithë donë të q*** filxhanin,
madje as luga s’u sjell ereksion.
Fërkim seksual i plotë frontal, disk-pjatë safike,
lakore nga brenda-jashtësores, qime-vrimë lëkurore.
Shkathtësi e lëngut është thithja, pastaj të thithesh dhe vetë.
Fati i farës duke u derdhur, pastaj duke u lëruar.
Në fund del se jemi duke pirë çaj,
por gjithçka aq e rëndë me ciklet e jetës,
aq sa madje dhe kur i qasesh lehtë, me art,
për t’marrë pak ajër, dhoma ende e errët.
Dhe jam zbrampsje-neveri, që tërheq, në fakt
premtimi i leshit të ngrohtë është i lashtë,
do e tejkalojë ritual-zjarrin dhe ujin
e çajit për trion, jo duon.
E sheh jam unë, dhe ti, dhe ne.
Kafshë-lëkurat shkrihen në një trup të ri, jo të vjetër.
Dhe ne s’kemi etje – s’kemi as të ftohtë.

4.
Unë s’jam vetëm një objekt,
sipërfaqet e mia shërbëtore,
por s’jam as më shumë se vetja.
Përfundoj në skajet e mia, i plotësoj
pikat e mia, edhe nëse i lakoj shqisat
e tua, kur jam kaq i butë.
Luga është e vogël,
filxhani, bujar, tablloja absorbuese –
histori e kryer, përtej fundit,
si një lloj gruaje me të cilën isha,
dhe kam qenë.

– – –
© B. Shaughnessy – via MoMA, Muzeu i Artit Modern – New York, ShBA.
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 202.

Please follow and like us: