Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ata e lanë me gjak çlirimin e kryeqytetit
(Në 80 vjetorit e rënies së dëshmorëve të BrIVS)
Eci në rrugën e babait…
Fetah Xheladin Myftarago, i njohur në luftë me emrin Fetah Selca, ka lindur në një familje me traditë në fshatin Selcë të Gorës së Sipërme në vitin 1912. Babai ishte komandant çete patriotike dhe kryetar i nënkomitetit të Fshehtë krahinor për lirinë e Shqipërisë, krahu i djathtë i patriotit të shquar korçar Themistokli Germenjit dhe ra dëshmor për Atdhenë. Fetahu mësoi në shkollë dhe u gjend në radhët e Luftës Antifashiste. Ishte ndër të parët që doli në mal me armë në dorë dhe u radhit në çetën e parë të Gorës, duke u bërë një ndër figurat më aktive të saj dhe të bp Gorë-Opar. Me krijimin e BrIVS, u rreshtua në radhët e saj në fillim në detyrën e komandantit të kompanisë dhe më pas në detyrën e nënkomandantit të batalionit. Brigada përballoi luftime të ashpra në operacionin e Dimrit, që vepronte ë zonat e Skraparit, Gorës dhe Oparit, i dëboi gjermano-ballistët nga krahina. Ajo luftoi në zonat e Krujës dhe të Dibrës gjer më së fundi në çlirimin e Tiranës. Në luftimet në zonën e Shijakut, në përleshje me forcat gjermane Fetah Selca ra më 10 nëntor 1944. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 102 datë 14.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.
Komisari që mbeti yll i pa shuar
Kristo Jovan Koroveshi lindi në vitin 1918 fshatin Polenë të qarkut të Korcës, në një familje me tradita patriotike. Me mbarimin e shkollës fillore, i erdhi në ndihmë familjes duke punuar këpucar në Korçë. Në prill 1939, kur Shqipëria po pushtohej ushtarakisht nga fashistët italianë, Kristo mori pjesë në demonstratat e qytetit të Korcës. Në vitin 1940 u mor ushtar në radhët e ushtrisë italiane, dhe u dërgua në frontin italo-grek, ku dezertoi dhe u kthye në fshat. Në vitin 1941, kur trupat e ushtrisë greke hynë në Korçë, e arrestojnë dhe internohet në Kretë. Kthehet nga internimi dhe u aktivizua në Lëvizjen Antifashiste. Në fillim të vitit 1942 bënte pjesë në njësitin gueril dhe mori pjesë në aksione të ndryshme. Në verën e vitit 1943 doli në mal në rreshtat partizane dhe në korriku gjend në radhët e bp “Tomori”. Në dhjetor të 1943 rreshtohet në BrIVS, me detyrë skuadërkomandant me repartin e mortajave. Në janar 1944 pranohet anëtar partie, më vonë emërohet komisar i k3p të b4p. Në luftën e Vllash-Marikaj, më 7 nëntor 1944 komisar Kristo tregoi akte guximi e trimërie dhe mbeti yll i pashuar. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 102 datë 14.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.
Organizatori i dalluar për njësitë partizane
Petraq Petro Shomolindi në Drenovë të Korçës, më 5 prill 1912. U rrit jetim. Për shkak të gjendjes së vështirë ekononike e la liceun përgjysmë dhe mësoi profesionin e rrobaqepësit. Ishte aktivist dhe aktor i grupit teatral si dhe një lojtar i dalluar i skuadrës së futbollit, gëzonte dashurinë dhe respektin e shokëve e të të rinjve fshatarë. Ishte një nga 200 komunistët e pare, duke u bërë një agjitator i ndërgjegjshëm për luftë kundër pushtuesit. Në maj të 1943-se ai hodhi shumë trakte në kazermat e ushtarëve italiane. Hedhja e këtyre trakteve e alarmoi komandën fashiste italiane, e cila forcoi rojet dhe kontrollin. Me krijimin e BrIVS u aktivizua me grumbullimin e bazës materiale për nevojat e brigadës, veshmbathje e armatime, etj. Ai u bë një organizator i mirë, këmbëngulës dhe guximtar për furnizimin e brigadës në ditët shumë të vështira të Operacionit armik të Dimrit. Aftësitë organizative të tij u dukën veçanërisht kur u çlirua Pogradeci dhe u kapën shumë materiale aty dhe në Starovë. Qendra e intendencës së brigadës u vendos në Nice, ku u ngritën punëtoritë me këpucëbërës, rrobaqepes, nallbane, samarxhinj etj. Me krijimin e DIS, u caktua me detyrën e zëvendësintendentit të divizionit, duke organizuar furnizimin si gjatë Operacionit armik të Qershorit ashtu dhe gjatë mësymjes së DIS në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Në ditët e luftës së Tiranës, Petraqi, duke organizuar furnizimin e brigadës, u vra gjatë bombardimeve me artileri që kryente armiku në kodrat e Priskës. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 102 datë 14.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.
Ra dëshmorë në vijën e parë të sulmit për Tiranën
Llazo Dhimitër Kovaçi nga Drenova e Korçës, lindi në vitin 1922. Ndoqi studimet në shkollën e mesme teknike në Korçë. Me fillimin e vitit 1942 në Drenovë u krijua organizata e rinisë, ku bënte pjesë dhe Llazi. Duke zotëruar gjuhën italiane, bënte agjitacion me ushtarët italianë që të dezertonin. Bashkë me njësitin guerril transportonin ndihma e armatime për luftën, si Moravë e në Voskopojë. Në shtëpinë e tij strehoheshin ilegalët nga qyteti, sidomos korrierët. Në gusht 1943 rreshtohet bp “Tomorri”. U inkuadrua në BrIVS me formimin e saj në dhjetor 1943 në fillim komandant skuadre, më pas komisar kompanie. Mori pjesë në shumë luftime dhe kudo la emër të mirë si komisar dhe partizan trim. Luftoi trimërisht dhe ra dëshmor në kodrat e Shën Prokopit në vijat e para të sulmit më 11 nëntor 1944. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 102 datë 14.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.
Ra dëshmorë në Tiranë të Re
Haki Isuf Bejko (Sevrani) lindi në vitin 1920. Kur ishte ushtar në Tiranë, u lidh me komunistët dhe ndihmoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte në gazermat e ushtrisë. Me lirimin nga ushtria në vitin 1942 u rreshtua në çetën e Skraparit, ku u dallua për guxim e trimëri të rrallë. Më 18 maj 1943 pranohet në PKSH. Në qershor 1943 inkuadrohet në bp “Riza Cerova” me detyrë komisar i k2p. Me krijimin e BrIS më 15 gusht 1943 në Vithkuq, u inkuadrua në radhët e saj, me detyrë komisar kompanie dhe në shkurt 1944, transferohet në BrIVS me detyrë komandant kompanie dhe me krijimin e b5p caktohet zëvendëskomandant batalioni. Në luftën për çlirimin e Tiranës, në Tiranë të Re, ra dëshmor më 12 nëntor 1944. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 17 datë 27.02.1978 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Skraparit.
Komandant Thani dhe vogëlushi
Thani Miti Adhami lindi në vitin 1914 në Grapsh. Doli partizan në shtator 1943, dhe la në shtëpi në fshatin e lindjes në Grapsh të Devollit gruan e re me djalin 3 muajsh. Në Tiranë vazhdonin luftimet rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi. Komandant Thani, djaloshi nga Devolli gjithë ato ditë i priu kompanisë në luftime dhe kishte përparuar drejt qendrës së Tiranës. Më 14 nëntor Thani me kompaninë e tij u gjend në mes dy zjarreve të armikut dhe rrezikohej seriozisht jeta e partizaneve. Ai e gjeti zgjidhjen: mori mitrolozin dhe ndërsa qëllonte sa në njerin krah e sa në tjetrin, duke tërhequr mbi vete gjithë vëmendjen e zjarrin e armikut, urdhëroi ç’vendosjen e partizanëve në pozicione të tjera. Partizant luftonin në pozicione të reja me furi, por pa komandantin e tyre. Ata e gjetën atë në pozicion me mitraloz në dorë, pa lëvizur nga vendi. Në mbarim të luftimeve partizanët e kompanisë i dërguan një letër familjes Thani në Devoll, duke i shkruar ndër të tjera: “Putheni vogëlushin nga ne shokët e Thanit dhe të rritet me shëndet në Shqipërinë e lirë”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 116 datë 17.01.1975 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.
“Mos u dëshpëroni… shokë… Liria fitohet…”
Bajram Abdulla Cara lindi më 15 qershor 1915 në katundin Bardhaj Reç Zall-Dardhë. Babai i tij, Abdullai, u vra në vitin 1921 në luftë kundër shovinistëve serb. Bajrami, bashkë me të tre vëllezërit mbetën jetimë dhe kaluan një jetë mjaft të vështirë. Më 1930 u detyrua të largohej nga vendlindja dhe të punonte bujk në çiflikun e një beu. Në vitet 1941-1943 Bajrami punoi si punëtor në një shoqëri italiane, ku ra në kontakt me të rinj komunistë, të cilët e aktivizuan në aksione të ndryshme. Meqë ra në sy të spiunëve, më 4 shkurt 1944 xhandarët e kriminelit Xhaferr Deva kërkuan ta arrestonin. Kjo e bëri që të largohej nga Tirana dhe të rreshtohet partizan në BrIVS. Shokët e thërrisnin “Harushë”, sepse ai ishte një harushë e vërtetë. Bajrami u shqua në një sërë luftimesh. Në një aksion në Qafë Kërrabë, në nëntor 1944, luftoi kundër një autokolone gjermane, dhe u shqua si luftëtar shumë i guximshëm. Me mitralozin e tij u vërsul drejit nazistëve duke qëlluar pa pushim mbi ta. Për meritat e tij si luftëtar trim e guximtar u emërua komandant toge. Më 16 nëntor 1944 Bajrami luftonte bashkë me shokë të tjerë partizanë kundër forcave armike që ishin grumbulluar te kisha e Shën Prokopit në Tiranë. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 50, datë 30.06.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Dibër.
“…duhet me luftue dhe me pushkë”
Shaqir Sali Sala lindi në vitin 1923 dhe ishte nga ata fshatarët e vuajtur të fshatit Burimi në rrethin e Dibrës. “…duhet me luftue dhe me pushkë”, mendonte Shaqiri me vete. Dhe dita erdhi, kur BrIVS kaloi në zonën e Dibrës në verën e vitit 1944, si shumë të tjerë të rinj revolucionarë dibranë, edhe Shaqiri u hodh vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu ai djalë i ri me trup të shëndetshëm e të fuqishëm, me flokë të zez e kaçurrela e me shikim fajkoi radhitet në b2p të BrIVS. Nëntor 1944 ishte muaji i sulmit vendimtar e në shkallë të gjërë kundër armikut nazist dhe shërbëtorëve të tij, ballistë, zogistë e mercenarë. Në betejën vendimtare u përqëndruan dhe BrIVS, e cila kishte treguar trimëri të rrallë në luftërat në Peshkopi, Elbasan, Bërzhitë, Qafë Kërrabë e shumë beteja të tjera. Shaqir Sala i ishte caktua detyra të çlironte kodrat e Shën-Prokopit. Duke qenë i vendosur në një pozicion dominues, bunkeri ishte bërë pengese serioze për batalionin. Ishte data 16 nëntor. Shaqiri u hodh i pari me skuadrën e sulmit, sulmoi bunkerin si luan ballas, duke i vënë gjoksin mitralozit armik, plumbi armik e goditi dhe ra në moshën 21 vjeç, bunkeri armik u asgjësua. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 50 datë 30.06.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Dibrës.
Nënës fjalë me i çue, të mos më qajë mue…
Hysni Bajram Ndreu nga Sllova e Dibrës lindi në vitin 1928. Ai ndjekur traditat patriotike e luftarake të babait Bajram Ndreut, i cili ishte dalluar për luftërat për liri në udhëheqjen e kreshnikut të Dibrës, Elez Isufit kundër ushtrisë serbe. Hysniu u rrit në varfëri dhe u rrit jetim me vuajtje, por në vazhdimësi, ai megjithëse i ri në moshë, u rreshtua në çetën partizane të Sllovës me krijimin e saj dhe u dallua në aksionet e luftërat e zhvilluara nga çeta në Sllovë, Peshkopi. Me krijimin e BrXVIIIS në Dibrën kreshnike u rreshtua në radhët e saj në 18 gusht të vitit 1944, por me porosi të shtabit të brigadës, bashkë me disa shokë shkuan në BrIVS që ishte në Dibër dhe kudo u dallua si luftëtar trim në Dibër dhe në luftimet në Tiranë. Hysni Ndreu gjatë gjithë kohës ku luftoi brigada u dallua për trimëri e vendosmëri të rrallë. Ai e dha jetën në luftën për çlirimin e Tiranës, në tetor 1944, në fshatin Kashar, në luftim trup me trup me nazistët. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 50 datë 30.06.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Dibrës.
Duhet të luftojmë, jemi pa liri…
Rukia ishte e re dhe nuk i kishte kaluar të shtatëmbëdhjetat. Ajo kishte lindur në vitin 1927 në Begjunec, në Dibër. U rrit jetime pa nënë e babë, pa vëlla e motër. Kur BrIVS çliroi Peshkopinë, në mes të partizanëve të shumtë dallohej dhe një vajzë e re që i ndriste fytyra nga gëzimi. Ishte Rukie Elez Roshi, që u inkuadrua në rreshtat e batalionit të katërt të brigadës. Rukia mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada. Ajo sulmonte, hidhej në sulm e para, kudo dallohej. Mbas luftimeve Rukia aktivizohej në grupin artistik të brigadës në këngë, në valle, etj. Më 20 tetor 1944 në katundin Kashar, luftoi kundër nazistët për të marrë pozicione dhe për të bërë rrethimin e Tiranës. Kudo Rukia printe në ballë të skuadrës, sulmoi e ra heroikisht. Edhe në çastet e fundit të jetës u thirri shokëve “Përpara!”. Rukia Elez Roshi është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 50, datë 30.06.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Dibrës.