Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ranë dëshmorë për çlirimin e Tiranës

U betua me besën e burrit…

Alush Grepcka u betua përpara flamurit për të qenë besnik deri në vdekje për lirinë e flamurit… Në prill të vitit 1944 Alushi, ishte komisar i batalionit “Tefik Lapani” dhe më pasë në luftë u rreshtua në vijat e para të BrXS. Brigada marshonin drejt Tiranës, ku do të luftonin për çlirimin e kryeqytetit. Batalioni që komandante komisar Alushi u vendos në zonën e Shijakut dhe të Vorës. Lufta bëhej nëpër rrugë. Rrugët gumzhinin nga krismat e pushkëve të partizanëve. Partizanët luftonin dhe këndonin, krahas tyre luftonte dhe komisar Alushi. Ai u jepte zemër luftëtarëve duke u hedhur i pari në sulm për clirimin e Shijakut. Luftonte bashkë me një partizan që kishte mortajë. Në luftë pëlcet një predhë e mortajës armike dhe komisar Alushi plagoset rëndë… Ai rrëzohet në tokën që aq shumë e deshte. Ishte 17 nëndori i vitit 1944. Ai ra ditën e çlirimit të Tiranës, të asaj Tirane për çlirimin e së cilës luftoi aq shumë batalioni partizan që komandonte Alushi.

Mos lëshoni pozicionin…

Eqerem Ritvan Halimi pushtimi fashist e gjeti në moshë të re, por të pjekur dhe të rrahur me hallet e jetës. Lidhja me organizatën e Rinisë Komuniste bëri që Eqeremi shumë shpejt të mësojë rrugën e vërtetë. Shpërndante trakte dhe kryente detyra që i ngarkonte organizata. Ishte 18 vjeç kur doli partizan në verën e vitit 1943, në batalionin e Çermenikës. Me formimin e BrXVIIS u inkuadrua në radhët e saj dhe luftoi trimërisht në të gjitha luftimet dhe aksionet që zhvilloi brigada. Nata e 15 nëntorit, batalionet e BrXVIIS ishin në pozicione dhe luftohej për jetë a vdekje në zonën e Kërrabës, kundër një autokolone gjermane. Detyra kërkonte që autokolona të gozhdohej në vend e të mos shkonte në Tiranë. Në pararojë në rajonin e Bërzhitës, qëndronte dhe partizani trim Eqerem Halimi. Në Ibë e Bërzhitë lufta u zhvillua afër, përballë njëri-tjetrit partizanë e gjermanë. Gjermanët mitralonin me zjarr të përqëndruar pozicionet partizane. Në mëngjesin e 16 nëntorit armiqtë filluan sulmin… Gjatë sulmit Eqeremi u plagos rëndë, por nuk lëshoi pozicion dhe vazhdoi të qëllojë. Në çastin e fundit të jetës, u dëgjua për të fundit herë zëri i partizanit të plagosur: “Mos lëshoni pozicionin, shokë…”. Eqeremi ra. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 77 datë 25.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Elbasanit.

Unë s’kam gjë… asgjësoni gjermanët

…Më 1941 Kadri Qazim Abdihoxha ishte mësues në Qafë-Murrë të Dibrës. Edukatori i filizave të rinj, u bë përhapës i denjë i ideve komuniste. Shkolla ku jepte mësim u bë qendër e edukimit atdhetar dhe vend strehimi për grupet e rezistencës. Fashistët dhe tradhëtarët i rrethuan shtëpinë, e plaçkitën dhe i arrestuan vëllanë, Hamitin. Kadriu nuk pushoi së punuari. Më 1943 gjendet në rreshtat partizane, në batalionin “Verçë-Sulovë”. Operacioni i madh i armikut i dimrit 1943-1944 e gjeti batalionin në Opar. Me formimin e BrXVIIS, Kadriu u emrua komisari i batalionit. Me sjelljen e tij kishte fituar respektin e luftëtarëve. Në betejën e Qafë-Krrabës, Kadriu tregoi guxim për 48 orë luftë të pandërprerë. Plagoset në shpatull dhe komisari i batalionit, po plaga e rëndë nuk e ligshtoi. Kur mësoi çlirimin e Tiranës, fytyrës së tij iu shtua gëzimi, mori frymë thellë e mundi të thotë: “… edhe pak dhe e tërë Shqipëria do të jetë e lirë”. Dhe kështu, me sihariqin e fitores, mbylli sytë përgjithmonë. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 77 datë 25.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Elbasanit.

Po vdes e lumtur, pasi e jap jetën për një ideal të lartë…

Bakushe Ismail Visha lindi në Tiranë në vitin 1925. Në një rrugicë të ngushtë ndodhej shtëpia e saj, ku tiranasja e vogël me shpirt revolucionar shpërndante traktet shtëpi më shtëpi. Kështu nisi fillimi për të shpërndarë komunikata dhe thirrje për luftë… Terrori nuk e trembi vajzën e re të merrte pjesë në demostratat antifashiste, ndonëse në këto demostrata e arrestuan dy herë. Vajzat dhe gratë tiranase, të mbyllura brenda katër mureve të shtëpisë, e prisnin me padurim Bakushen, që vinte tek ato si një motër e dashur dhe me fjalët e saj, mbillte në shpirtin e tyre ndjenjën e revoltës, i ftonte të përkrahnin pa rezerva luftën. Në mars të vitit 1944, Bakushe Visha doli partizane, në fillim në Grupin e Pezës dhe më vonë në BrXXIIIS. Më 4 nëndor 1944, në sulmin që bëri brigada kundër nazistëve që tërhiqeshin të mundur, trimëresha u plagos rëndë. Mortaja gjermane i preu këmbën, por luftëtarja nuk donte që ta largonin nga fusha e betejës dhe u lutej shokëve që po e merrnin: “Shokë më lini këtu mua, qëlloni mbi armikun. Unë po vdes e lumtur, pasi e jap jetën për një ideal të lartë…”! Është shpallur Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 129 datë 04.09.1947 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Tiranës. Një rrugë në Tiranë mban emrin “Rruga Bakushe Visha”.

Rruga e drejtë babë, të çon në male, te partizanët

Vesel Tug Brama hyri punëtor, dhe, me kafshën e tij, çdo ditë transportonte drutë e tregtarëve për në Tiranë. Duke punuar Veseli njohu shfrytëzimin e egër kapitalist. Ai mësoi shumë gjëra: mësoi për Partinë dhe për Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veseli doli partizan dhe u rreshtua në batalionin “Krujë-Ishëm”. Në vjeshtën e vitit 1944, BrXXIIIS, ku bënte pjesë dhe batalioni “Krujë-Ishëm”, zhvillonte luftime në rrugën e Fushë-Krujë-Mamurras. Në Borizanë, më 11-12 nëntor, brigade i kishte zënë pritë një autokolone gjermane që përpiqej të kalonte drejt Veriut. Kolona ra në pritë dhe u ndez një luftë e rreptë e cila u shndërrua në luftim trup me trup. Skuadra që komandonte Veseli luftonte me trimëri. …një breshëri automatiku bëri që skuadërkomandanti Ali Metra të binte për tokë dhe s’lëvizte, ndërsa nazisti qëllonte. Veseli e pa gjermanin dhe shtiu në drejtim të tij. Trupi i rëndë i ushtarit u drodh dhe ra. Në këtë kohë Veselin e përshkuan shumë plumba që vinin nga drejtime të ndryshme. Ashtu siç ishte në pozicion, ai mbeti i shtrirë me armën përpara, sikur do të vazhdonte ende të qëllonte mbi armiqtë… Më 15 nëntor 1944, komanda e brigadës dërgoi në shtëpinë e Veselit disa shokë partizanë me një letër, ku njoftoheshin prindërit e tij se “Veseli ra ashtu si u ka hije bijve të atdheut, për lirinë e popullit”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 78 datë 23.07.1984 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Krujës.

Në ballë të luftës për të mbrojtur shokët…

Elmaz H. Ademi lindi në katundin Bardhoc të rrethit të Kukësit. Elmazi e kaloi fëmijërinë nëpër shpatet e Pikëllimës, pas pak bagëtive… U radhit me BrXXIVS me njërin nga vëllezërit, kurse vëlla tjetër shkoi në BrIVS. Babai udhëhiqte një nga njësitet e BrVS për kalimin e Drinit të Bardhë. Familja ishte vënë në shërbim të luftës. Elmazi mori pjesë në tërë inkursionin e BrXXIVS prej Kukësit në Dibër dhe deri në clirimin e Tiranës. Në të gjitha aksionet spikate shpirti i tij sulmues. Lufta për çlirimin e kryeqytetit vazhdoi për shumë ditë…Brigadës i ishte ngarkuar detyra të pengonte tërheqjen e gjermanëve në periferi të qytetit. Luftimet u bënë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, përherë drejt qendrës së qytetit.Tanku ishte afruar, partizanët qëllojnë në të dy anët me breshëri dhe me antitank qëllojnë zinxhirët, po ende s’po e ndalin. Tanku shtonte shpejtësinë dhe qëllonte… Ndërsa partizani me antitank qëndron mbështetur mbi shtratin e armës. Elmazi e shikon i habitur dhe e kupton se ai do të jetë vrarë. Gjëmimi i krismave e ka hutuar dhe nuk po e shikon shokun me antitankun që hesht. Elmazi lë pozicionin dhe shkon me vrap atje. Dikush i thërret të mos luajë. Po Elmazi shtrihet në pozicionin e ri, lëviz me ngadalë shokun e mbytur në gjak dhe merr vetë antitankun. Shënon, qëllon, tanku ndërron drejtim dhe atij i duket sikur sprapset, po gryka e tij është kthyer drejt skuadrës që është në barrikadë. Elmazi do të shohë më mirë dhe ngrihet në këmbë, merr armën dhe qëllon përsëri mbi tankun nazist. Tanku stepet. Po dhe Elmazi e ndien se plumbat e kanë marrë dhe nuk mund të qëndrojë më në këmbë… Ishte 13 nëntor, para dite… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 104 datë 13.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Kukës.

Ballë për ballë me tankun…

Dita e 12 nëntorit 1944 po thyhej në hapësirën e Tiranës. Komandanti Vehbi Ramadan Shehu kishte vendosur kompaninë djathtas rrugës së Durrësit, tek kthesa e Kamzës e tutje. Partizanët me syrin në shënjestër tretnin vështrimin përpara. Atje tej, nga udhët e kryeqytetit, herë pas herë rrëzëllinin drita. Kur u nis nga Luma për të luftuar për çlirimin e Tiranës, as që pati kohë të takonte gruan e fëmijën e t’u thoshte “Lamtumirë”. Që në vjeshtën e 1943-se, ai si pjesëtar i çetës së Lumës, në bashkëveprim me atë të Dibrës, kishin çliruar Peshkopinë. Në maj 1944 ishte vendosur të bëhej një aksion tek Kulla e Lumës, aty ku gjermanët kishin pastbllokun, fortifikatat për kontrollimin e rrugës Prizren-Kukës. Atë ditë të bukur maji, kur pylli i madh i Bugajes fërfërinte nga era, Vehbi Shehu me një sopatë në duar, i veshur si fshatar shkoi atje ku mbaronte pllaja e dushkajës, fare afër gazermave gjermane. I numëroi mirë e mirë një për një rojet, përpunoi taktikën e sulmit dhe çak e çuk me sopatë godiste fort lisin. Shokët e çetës, që prisnin rrëzë Gjalicës, në bazë të zbulimit të tij vendosën që natën vonë të hidheshin rrufe, mbi armikun, ashtu siç u hodhën dhe vranë një e nga një rojet naziste. Mitralozi i Vehbiut gjuante tek dyert e kazermës gjermanët, që përplaseshin në panik. Lufta tek Hani i Laçit akoma i buçiste në veshë Vehbiut. Një autokolonë e tërë gjermane u shkatërrua. Oficerë e ushtarë gjermanë u kapën dhe u asgjësuan. Lufta për çlirimin e dytë të Peshkopisë. Eh, fushë Alie, fushë Alie!… Sa egër hungëriti reaksioni! Ndjeu dhëmbje në zemër. Ktheu kryet në pozicion të shihte siluetat e shokëve partizanë të kompanisë… Në nëntor 1944, Vehbiu kishte parë disa metra para, në anë të udhës, një bunker. Mori kundërtankun, u ngrit drejt tij. Krismat dhe gjëmimet e armëve të brigadave të tjera, të inkuadruara në DIS trondën gjithë atë masë të lagur ajri. Në bunker tashmë së bashku me dy partizanë vullnetarë kishte zënë pozicion komandanti Vehbi Shehu. Ai me të dy partizanët shikonte vdekjen në sy. Me çdo kusht do t’i thonin asaj: “Ndal, mos kalo”! Me vërtik u turr të çajë rrëthimin tanku i parë. Goditja partizane nga bunkeri e gozhdoi në vend. Tanku i dytë vërsulet drejt atij bunkeri, që ta shembë mbi kokat e trimave partizanë. Ballë për ballë me tankun del Vehbi Shehu. Ai, si një kështjellë lëvizëse shpërthen zjarr me breshëri nga të gjitha anët. Komandanti partizan në këmbë drejt tij qëllon e nuk tutet. Partizanët tërë atë ditë sulmuan me tërbim dhe sprapsen armikun. Në një çast kur lufta ishte prerë, shkuan tek komandanti i tyre Vehbi Shehu. Trupin e tij e gjetën të copëtuar. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 104 datë 13.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Kukësit.

Please follow and like us: