Albspirit

Media/News/Publishing

Lazër Stani: Kultura shqiptare unike dhe e përbashkuar në gjuhën shqipe

– Në fillim qe Fjala, fjala si mundësi komunikimi! Pastaj liria e krijimit. Erdhi harmonia e përkryer si dhe krijesat që zotëronin aftësinë për ta kuptuar rëndësinë e baraspeshës së çdo gjëje të krijuar. Popujt, ideologjitë, sistemet që e refuzuan këtë formulë jetësore, përjetuan degradimin, dekadencën, zhdukjen! Le t’i japim këtij definicioni një kuptim estetik! Cili do të ishte ai?

Fjala është në zanafillën e çdo krijimi. Në Ungjillin sipas Gjonit, në paragrafin e parë, “Mishërimi i fjalës”, shkruhet: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perendisë, dhe Fjala ishte Perendi”.

Perendia e krijoi botën nëpërmjet fjalëve. Dhe Perendia tha: “U bëftë dritë!” Dhe drita u bë. Pra sipas konceptit biblik Fjala i ka paraprirë krijimit të Gjithësisë, të Tokës dhe Qiejve, të Dritës dhe Errësirës, të Natës dhe Ditës, të gjithçkaje që ekziston.

Edhe në konceptin shkencor të teorisë së evolucionit, fjala në vetvete është krijuese e njeriut. Pa fjalën njerëzit ende do të endeshin si kope të egra nëpër rrafshinat e kësaj toke, nëse do të kishin mundur të mbijetonin, çka e shoh me dyshim. Nepërmjet fjalës njeriu krijoi vetveten, duke u bërë një gjallëse e ndryshme dhe superiore në krahasim me çdo gjallesë tjetër që ne njohim.

Unë për vete, nga ana tjetër, nuk bëj pjesë tek ata shkrimtarë që e mistifikojnë fjalën, që e shndërrojnë atë në qëllim në vetvete. Në procesin krijues fjalët vijnë natyrshëm, duke gjetur secila vendin e vet në strukturën e fjalisë, të tekstit, pa u ndalur në një kërkim të stërmundimshëm të fjalëve. Ka shkrimtarë që i përmbahen konceptit të Çehovit, sipas të cilit, “letërsia, para së gjithash, është gjuhë. Të tjerat vijnë vetvetiu.” Nuk mendoj kështu, sepse ka shkrimtarë që kanë një gjuhë të begatë, përdorin një leksik të pasur, por nuk arrijnë të thonë ndonjë gjë, përkundrazi, krijojnë një inflacion fjalësh, duke e dhunuar fjalën në vetvete.

Një piktor mund t’i përdorë të gjitha ngjyrat dhe nuancat e mundshme, por nuk është e thënë që nga kjo derdhje e pakursimtë e ngjyrave në kanavacë të krijojë një pikturë magjepsëse. Mundet që rezultati të jetë një kanavacë e ndotur me ngjyra, ashtu siç mund të jetë një tekst proze a poezie i ndotur me fjalë, por i zhveshur nga magjia e krijimit.

Them se krijimi është një akt intuitiv dhe gjuha që e përcjell është një instinkt. Përpjekja për ta dhunuar këtë proces të natyrshëm krijon monstra, siç ishte letërsia e Realizmit Socialist, edhe pse diktaturat komuniste, nuk janë të parat që janë përpjekur ta dhunojnë fjalën, lirinë krijuese. Të gjithë sundimtarët e egër, që nga kohët e lashta e dëri më sot, janë përpjekur ta dhunojnë lirinë e fjalës, sepse njeriu që ka humbur lirinë e fjalës, është njëri i nënshtruar, skllav i sunduesit. Shqiptarët e kanë vuajtur në kurriz të tyre këtë dhunë barbare, edhe në mesjetë, kur shqipja ndalohej të shkruhej, por edhe në kohët moderne të imponuar nga pushtuesit e huaj (Kosove Maqedoni) dhe sundimtarët vendas (në Shqipëri). Edhe sot kjo liri, nuk është në ditët e saj të mira, por nga ana tjetër shkrimtari është një qenie vetmitare, ka një lloj autonomie nga proceset e jashtme, dhe nëse është i vetëmjaftueshëm, di të jetojë në lirinë e tij, pa lejuar askënd që ta cënojë në këtë hapësirë të shenjtë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në revistën HEJZA.

Please follow and like us: