Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Adoleshenca që mund të kapërcejë çdo parashikim njerëzor

Kultura që përfitohet nga metodikat e sistemit arsimor nuk gjendet në rrjetet sociale, në të cilat fëmija ynë informohet ndoshta më shumë sesa në vetë proçesin mësimor. Të përdorësh në formimin e kulturës së fëmijës dy metoda të ndryshme, është përgjegjësi absolute e një sistemi të tërë drejtues. Ky sistem ka në varësi të tij një linjë të gjerë institucionesh, të cilat pretendojnë forma edukimi dhe mirërritje. Por çfarë përfitojmë prej këtij lumi informacionesh në zhvillimin e fëmijës sonë? Është pyetje që mund t’i bëhet çdo prindi por edhe çdo fëmije adoleshent.

Nëse dëshirojmë më të mirën për zhvillimin kulturor dhe arsimor të fëmijës sonë, atëherë do të  zgjedhim më të mirën për të. Por cila është e mira më e madhe e tij? Në këtë mënyrë zgjedhja kthehet në qëllim. Por cili është qëllimi ynë kur zgjedhim? Është vendimmarrja në kohën e duhur. Por cila është koha e duhur? Është ajo sot, ku e tashmja rrezikon të humbet,dhe e ardhmja mund të fshihet.

Përzierja e kulturave të ndryshme, shkakton trazime të cilat prekin shqisat dhe ndjenjat e fëmijës, duke i përplasur me njera-tjetrën në luftë për të fituar terren mbi dijen. Dija e cunguar apo e keqformuar është armiku më i madh i edukimit shpirtëror të fëmijës adoleshent. Nuk mund të pretendojmë, se nëpërmjet përzierjes së kulturës së dijes përfitojmë më të mirën. Rrjetet sociale kanë marrë përparësi në jetën e fëmijëve adoleshentë, duke formuar kështu brenda botës së tij atë që quhet: privatësi e paprekshme. Kjo lloj privatësie është kthyer në armik të padukshëm që lufton mirëqenien e vetë fëmijës sonë.

Kultura e rrjeteve sociale nuk shërben për atë çfarë kemi nevojë më shumë, përkundrazi, lufton vazhdimisht duke na kthyer në qenie kompjuterike, në mënyrë që të mendojmë, të komunikojmë, të ndjejmë vazhdimisht sipas gjuhës dhe kulturës së saj. Të menduarit në mënyrë autodidakte, nuk është shpresë për zhvillimin e trurit të fëmijës sonë. Të vepruarit në mënyrë patologjike, nuk është mënyra më e mirë e zhvillimit të ndjenjave të fëmijës sonë. Të shijuarit në mënyrë virtuale për fëmijën tonë, nuk është mënyra më e mirë për të fuqizuar ndjenjat e fëmijës sonë. Kjo botë virtualiteti, është si ai vullkani që mund të shpërthejë papritur, duke shkaktuar kaos në edukim dhe në kulturë, duke sjellë falimentim në mirëqenien shpirtërore dhe atë edukative të fëmijëve tanë.

 Nëse e konceptojmë jetën e një adoleshenti në bazë të zhvillimeve teknologjike dhe jo ato natyrale të drejtpërdrejta, atëherë me dëshirën tonë po krijojmë burgun tonë, çelësin e të cilit e ka në duar teknologjia dhe format e saj. Ky burg të privon nga liria, tek e cila formohet ndjenja, dëshira, vullneti, pasioni, aq të nevojshme për t’u shijuar pa konceptin e virtualitetit. Ky koncept është dëmi më i madh që po injektohet në fazën e rritjes së çdo fëmije, duke cënuar kështu seriozisht ekzistencën tonë si qenie të lira.

Detyra e çdo prindi, e çdo mësuesi dhe e çdo bashkëqytetari, është të kundërshtojë hapur këtë formim imponues, duke e reklamuar ditë pas dite si mjetin më të panevojshëm për formimin e botës shpirtërore të fëmijëve tanë. Por të bashkëpunosh për një kauzë kaq të rëndësishme dhe jetike, duhet forcë dhe bashkëpunim, që nga instancat më të larta e deri tek baza, sepse mirërritja e fëmijëve tanë është detyrë e përbashkët me qëllim të përbashkët. Angazhimi dhe bashkëpunimi sjell fryte vetëm atëherë, kur duhet të kuptojmë se jemi qenie të lira dhe jo të varura. Në liri të plotë shpirtërore japim dhe marrim atë çka është më e mirë nga vetja jonë.

Please follow and like us: