Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Veli Harxhi, figurë e shkëlqyer e Pavarësisë

Në kuadrin e festës së 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë, studiuesi i njohur lab Fitim Çaushi, na ka prurë një libër, duke sjellë në jetë monografinë “Veli Harxhi, firmëtari i Pavarësisë”. Thënë që në fillim u befasova nga një libër kompleks, ku dritësohet një figurë kombëtare, por dhe shumë figura madhore të Shqipërisë të vitet 1878-1912.

Është e vërtetë se librin Fitim Caushi e nis si monografi, për një figurë kombëtare, por rreth kësaj figure dhe shumë figurave të tjera madhore e kombëtare, libri bëhet shumë dimesional dhe përfshin mbi 300 figura të shquara të kombit shqiptar, por dhe figura të miqve e të shokëve të huaj… me këtë libër të thjeshtë dhe të vogël në dukje hyn një histori e madhe… t’u lumtë i nderuar, se ja ke kaluar dhe Tolstoit që në katër vëllime te “Lufta dhe Paqja” ka rreth 550 personazhe historikë dhe artistikë…

Me këtë prurje të re, Fitim Caushi na vjen si një njohës i ditur i Jugut të Shqipërisë, dhe na vendos në tavolinë një libër që sjell kontributeve të mjaft personaliteteve të viteve mbi një shekull më parë. E sjell këtë kujtesë në ditët e sotme përmes shtypit të kohës, shkrime të natyrës historike, përmes mjaft kronikave e shënimeve, si dhe monografive historike të publikuara, na paraqet një firmëtar, Veli Harxhi një nga njerëzit e rëndësishëm të kohës së Pavarësisë.

Ishte koha kur çështja kombëtare vlonte, kur ndjeshmëria e saj gjendej në çdo fshat, në krahina dhe treva të Shqipërisë. Lëvote shpirti patriotik në Gjirokastër, në Vlorë dhe në Jugun e Shqipërisë. Përballë këtij shpërthimi vullkanik atdhetar, Veli Harxhi veproi, kontribuoi dhe ishte pjesëmarërs si intelektual, atdhetar, patriot dhe luftëtar.

Në këtë atmosferë të shqetësimeve të Rilindjes Kombëtare për fatet e Shqipërisë, Veli Harxhi e kaloi rininë e tij në Stamboll. Në këtë mjedis ai u formua me ndjenja patriotike dhe filloi angazhimin aktiv në veprimtarinë e Rilindjes. Ndikim në formimin e tij pati Lidhja e Prizrenit, si dhe lëvizjet për Pavarësi në fillim të shek. XX ju bënë një kur realitet politik, historik, kulturor dhe ushtarak.

Në jug të Shqipërisë kishte filluar një veprimtari e madhe edhe për shkak të rrezikut grek që shfaqej në forma dhe mjete të shumta u vu në shërbim të mbrojtjes së territoreve.

Në këtë situatë të veprimtarive dhe kontributeve intelektuale, në këtë terren të vështirë të luftës dhe të Shpalljes së Pavarësisë, Veli Harxhi u shqua si njëri nga veprimtarët e kohës, duke demostruar frymë kombëtare, për këtë kishte nevojë Atdheu.

Në shkencat Politiko-Juridike të Stambollit Veli Harxhi ishte formuar dhe shkolluar si një intelektual, i dalluar sinjë veprimtar me dije të gjera dhe njohës i politikës, diplomacisë dhe aktualitetit në Turqi, Ballkan dhe në Europë.

Prandaj i nderuar studiues Fitim Caushi të përgëzoj se ke vepruar mjaft mirë në këtë prurje të figurës së Veli Harxhit. Nëpërmjet kronologjisë historike jepet i plotë kontributi dhe veprimtaria e Veli Harxhit, nëpërmjet deduksionet të autorit, që është në stilin e të shkruarit të tij. Në udhëtimin jetësor të Veli Harxhit, të bie në sy shkollim, profili intelektual por dhe tradita e shquar dhe e trashëguar qytetase e Gjirokastrës.

Në veprimtarinë e Veli Harxhit shpërfaqet vazhdimi i traditës së kuvendeve dhe të mbledhjeve popullore. Ishin të rëndësishëm për Veli Harxhin takimet dhe bashkëpunimi i fmjaft aktorëve vendorë të Shqipërisë së Jugut, si forma praktike të përçimit të ideve kombëtare përparimtare në popullsinë vendase, tregues që ndikoi në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, por dhe të mbrojtjes së territoreve tokësore pas ndarjes së kufijve në korrikun e vitit 1913.

Veli Harxhi në mjedise, takime, kuvende shpalosi shumë qartë idetë dhe mendimet e rëndësishme të Abdyl Frashëri e Naim Frashëri, të Shahin Kolonjës e Hasan Tahsimit, si dhe të Ismail Qemalit. Ai kudo shfaqej si një njohës i rëndësishëm i politikës, ishte aktiv dhe këshillues i ngjarjeve dhe situatave.

Rilindasi Veli Harxhi punoi në mjedisin e nxehtë të luftës dhe të ngjarjeve historike, dhe ndikoi me mendime dhe ide, sepse e kishte shkelur me këmbë të gjithë realitetin shpirtëror dhe gjeografik të jugut të Shqipërisë.

Që student kishte simpatizuar dhe njohur me Abdyl Frashërin, Naim Frashërin, Dervish Himën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, etj. Në cdo kohë të studimeve ishte gjendur afër njerëzve të ndritur të kombit, të cilët po ndikonin në formimin e tij atdhetar dhe universitar.

Këta shembuj të çmuar të patriotizmit të viseve shqiptare, që nga Dibra e deri në Çamëri, përbënin një mësim të madh për rilindësin Veli Harxhi.

Autori në libër sjell tërë veprimtarinë e Veli Harxhit në bashkëpunim me emra të dëgjuar dhe veprimtarë të palodhur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më tej vijohet me dhe figura të tjera të Pavarësisë, dhe na jep një tablo të rëndësishme, të detajuar dhe informacion të dendur të natyrës atdhetare.

Në kohën e Shpalljes së Pavarësisë dihet prania e tij, si një nga firmëtarët e Pavarësisë. Veli Harxhi na dëshmon me personalitetin e tij të padiskutueshëm, me qartësinë, forcën dhe me shërbimin ndaj atdheut dhe kombit. Ai ishte njëri nga të shkolluarit, por dhe njëri nga nëpunësit e rëndësishëm të Ismail Qemalit. Ai u bë dhe njeri që kontribuoi në praktikën e qeverisë së parë shqiptare, e dalë në rrethana dhe kushte të vështira.

Qeveria e Vlorës kaloi sprova të mëdha. Ato vinin nga kursi politik e diplomatik, por dhe çështjet delikate, si sistemi ekonomik, shkolla, kultura, krijimi i administratës, sistemi i taksave, prona, formulimi i ligjeve (Sistemi Gjyqësor), që përbënin bërthamën e shtetit shqiptar. Ky volum pune po bëhej në rrethana të vështira, me perëndimin, me trysninë e shovinizmit ballkanik, me tradhti të eksponentëve të brendshëm shqiptarë, e rrezikuan qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit. Veli Harxhi në këtë situatë ka punuar me përkushtim si patriot dhe i është gjendur pranë Ismail Qemalit, si dhe duke kryer shërbimin e vyer ndaj atdheut.

Mjaft ligje, vendimmarrje, iniciativa ligjore, si dhe “Kanun i administratës civile në Shqipëri”kanë mendimin konkret të Veli Harxhit. Ai gjithashtu ishte dhe njëri nga ekspertët e rëndësishëm të ligjeve për administratën publike. Puna si këshilltar i ministrit të Drejtësisë, bashkëpunimi me Ali Asllanin, me Luigj Gurakuqin, me Dhimitër Beratin, si dhe figura të njohura të Qeverisë së Vlorës të drejtuar Ismail Qemali, tregojnë dhe qartësojnë se në historinë e shtetit shqiptar, ka dorë dhe një figurë e shkëlqyer të quajtur Veli Harxhi.

Libri monografik “Veli Harxhi: Firmëtari i Pavarësisë” studiuesi Fitim Caushi e ka përqëndruar në lëndën rreth situatave historike dhe fëmijërisë së Veli Harxhit, vendlindja, rreth luftërave ballkanike, për ngritjen e Flamurit në Gjirokastër, kundër disa intrigave të brendshme dhe presionit grek, largimin nga jeta të Veli Harxhit, pasardhësit dhe degët e një lisi kombëtar, etj. Të gjitha këto gjatë leximit të librit na lejojnë të mësojmë jetën dhe veprimtarinë e një firmëtari të Pavarësisë.

Autori e shoqëron librin me një paralelizëm të rëndësishëm, ku nga njëra anë janë ngjarjet dhe në anën tjetër dukshëm jepen kontributet e Harxhit.

Libri vjen si një “kalendar”, si një rrëfim për historinë dhe jetën e një figure të shquar, më tej libri shfaqet si një manual me ngjarje, refleksione, momente dhe autori ka ditur të rrëfejë këtë kronologji, të cilën e paraqet në libër nga fillimi në fund shumë këndshëm dhe rrjedhshëm.

Autori si një mjeshtër i monografisë ka ditur të bëjë zbulimin e jetës dhe të veprimtarisë së Veli Harxhit. Këtë rrëfim mjeshtëror e shoqëron me dënduri në ngjarje, në takime me njerëz të shumtë dhe na e jep jetën e tij emblematike, plot vrrull dhe dënduri të ngjarjeve dhe të rrethanave të kohës.

Libri ka një gjuhë të thjeshtë, të pastër dhe të bukur, pasi të bën ta duash personazhin që në hapat e parë të formimit të tij. Autori në libër sjell mjaft burime, kronika, data historike, të dhëna, dëshmi të marra nga arkiva dhe nga dokumente të shkruara, të dhëna nga kujtesa popullore e gjendur në folklor, etj.

Dukuri e re është se na përshkruan frymën e kohës, pra rastin e Veli Harxhit, si atdhetar, ide dhe mendime të Rilindjes Kombëtare, të lëvizja kombëtare për Pavarësi, të ndërgjegjes kombëtare, praktika në frymën kohore si në formulimin e ligjit administrativ, të informimit dhe të konfliktit etj.

Autori ka ditur të na japë një rrëfim të këndshëm, të qartë dhe model për Veli Harxhin. Fitim Caushi e sjell me dashuri këtë figurë të dijes sonë historike si një faqe të re, si një vlerë që edukon, por dhe përçon mundim, sakrifica, fisnikri, mënçuri, besim dhe bashkëjetëse të dekadave më parë të shqiptarëve për Shqipërinë. Libri është dhe një apel, një thirrje për të kuptuar se me ç’dashuri e deshën firmëtarët Shqipërinë. Sakrifica në çdo kohë është vetëm dashuri për Atdheun.

Please follow and like us: