Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Mullahi: Rrëfimi i së shkuarës që shërben si shërim

Romani “Dritarja e Marin Shkrelit”, ndonëse në të vazhdimisht do të përmendet fraza: “do të bëhet luftë” është një roman për lirinë dhe dashurinë. “Do të bëhet luftë” është refreni që do të artikulojë vetë ose do të dëgjojë nga të tjerët personazhi kryesor i romanit. Ky roman është rrëfim i cili do të qendërzohet rreth një personazhi dhe nëpërmjet tij do të hidhet dritë mbi një botë të tërë. Jo rrallë, në letërsinë botërore, romanet mbajnë emrin e personazhi kryesorë në titull dhe ky roman e shfaq që në titull kush është personazhi kryesor, Marin Shkreli.

Marini ndjehet shpesh si i mbyllur në kafaz. Tema e tëhujzimit të individit që vjen si pasojë e shkëputjes nga ëndrrat, frikës nga tjetërsimi prej një realiteti që është dramatik është e veçantë. Shtysat, presioni e bëjnë personazhin të ndjehet dramatik në vendin e tij të robëruar, i cilit është pjesë e memories, ëndrrave, dëshirave të tij, por ai i ruhen me çdo kusht tjetërsimit. Të gjithë miqtë ikin larg, në rrugë nuk është i sigurtë, në shtëpi jo, të bëjë pyetje është e rrezikshme, në një situatë të tillë personazhi bëhet shumë i ndjeshëm dhe persiat mbi mendimet dhe ndjeshmërinë e tij. Përballë frikës njeriu ndjehet përherë i vetmuar. Në rrëfimin e situatave të tilla, romani shpërfaq edhe elemente të teknikës së përroit të ndërgjegjes. 

Shpesh rrëfimi shndërrohet në një monolog të brendshëm ose në një rrëfim të kujtimeve të së shkuarës që janë ngulitur në mendjen dhe kujtesën e personazheve.

Ngjarjet që përshkruhen datojnë në vitin 1989 dhe vazhdojnë deri në bashkohësi, por shpesh ka ndërfutje që sjellin në rrëfim edhe ngjarje të vitit 1990 dhe të vitit 1981. Vëmendja e rrëfimit nuk përqendrohet në kohën objektive, historike por në kohën e përjetuar subjektivisht të ngulitur në thellësinë e psikikës së personazheve.  

Rrëfimi i cili ka në qendër një personazh, Marinin dhe përjetimet e tij, zgjerohet nga ndërfutjet e dijeve filozofike, etike, politike, dhe mbi të gjitha letrare, si një informacion që e mbishtreson kuptimin e tekstit. 

Veprat e letërsisë bashkohore kanë një tendencë të përhershme për të mohuar kufijtë që ekzistojnë midis llojeve letrare duke i shkrirë njëri me tjetrin. Kjo dukuri shfaqet edhe në romanin “Dritarja e Marin Shkrelit” të shkrimtarit Ndue Ukaj. Shpesh elementë të ligjërimin eseistik dhe filozofik, veçori e shkrimit modern dhe postmodern ndërfuten në rrëfimin letrar.

Rrëfimtari nuk është thjesht një urë midis autorit dhe lexuesit; nuk ka qëllim vetëm të sjellë ngjarjet e botës reale në sytë e lexuesit, ai më shumë përqendrohet në botën e brendshme, psikikën, pavetëdijen e personazhit, aty ku koraca është më e fortë dhe këtë e nxjerr në dukje në një mënyrë që nuk ka lidhje me traditën realiste.

Ajo që vërehet vazhdimisht në romanin e Ukajt është edhe prania e intertekstualitetit, lidhja e teksteve me tekste të tjera, në formën e citatit, parafrazës, idesë dhe modusit, nga prania e intratekstualitetit, etj.

Në roman flitet për një kohë reale, një vend real dhe për ngjarje historike, të njohshme. Flitet për demonstratat e studentëve, për heqjen e autonomisë së Kosovës, për burgosjet, për dhunimet dhe përdhunimet që ju bënë popullsisë.

Shenjat gjuhësore stilistike, ideologjike dhe estetike të rrëfimit në vepër mund ta bëjnë lexuesin t’i referohen edhe imazhit të një autori real të veprës letrare. Shenjat gjuhësore mund t’i adresohen jetës së shkrimtari, por nuk mund të pranohet apriori se ngjarja e rrëfyer mund t’i përvijohet jetës së tij. Se ku është kufiri midis trillimit dhe realitetit të jetuar nga shkrimtarët shpesh është vështirë të përcaktohet. Rregulli themelor për t’u qasur me një tekst tregimtar është që lexuesi të pranojë, në heshtje, një marrëveshje të supozuar me autorin, atë që Coleridge e quan “pezullim të mosbesimit”. Lexuesi duhet ta ketë të qartë që ajo që po i tregohet është një histori imagjinare dhe, për këtë arsye, të mos mendojë që autori po e gënjen.[1]

Lexuesi, qoftë model ose empirik, e di se një roman është fusha e imagjinares, e krijimit dhe e fantazisë, por shumë ngjarje dhe data e bëjnë atë të dallojë dhe të evidentojë edhe elementë autobiografik të shkrimtarit.

Proza bashkohore e prish në mënyrë të qëllimshme kufirin ndarës mes autorit dhe narratorit, si dhe kufirin rrëfimtar – personazh, këtë gjë duket se bën me qëllim edhe Ukaj.

Nxitja për të shkruar romanin, mund të ketë filluar të ndërtohet mbi ngjarje reale, por krijimi i është nënshtrruar fantazisë. Konteksti kohor letrar i romanit i përgjigjet kontektit jetësor të shkrimtarit, shumë ndjesi, përjetime e bëjnë lexuesin të gjejë fije që e lidhin me realen e dokumentuar.

Ndodhi të jetës, por edhe ndjesi të tilla si vetmia, pasiguria, frika për jetën, absurdi përkojnë me jetën dhe momente jetësore të shkrimtarit, që janë akumuluar dhe shkrirë në veprën letrare, por e gjitha kjo sepse jeta e tij ka qenë e njëjtë si e gjithë populli të tij.

Referencat burimore të veprës janë kaq të shumta sa që dëshmohet fare mirë se përvojat shkrimore kanë kërkuar një impenjim të madh të autorit për të bërë të njohur botën e tjetrit, Marinit, për lexuesin shqiptar. Rrëfimi për mënyrën sesi e sheh botën Marini, nuk është një teknikë e rastësishme, por përcjellja e mendimeve rreth ngjarjeve historike, ngjarjeve të ndryshme kulturore, fetare të cilat janë prekur nga vetë shkrimtari në jetën e tij.

Përvojat e Marinit, rrëfimtarit personazh, ngjajnë me përvojat e gjithë të rinjve që e kaluan këtë periudhë, sigurisht edhe me ato të autorit që ishte një prej tyre. Ndonëse kanë kaluar vite, e shkuara është në fantazmat që janë brenda tyre e që nuk i largojnë dot.

 T. S. Eliot në esen e tij të famshme të traditës do të shkruajë “jo e shkuara në të shkuarën, por prezenca e saj, pranishmëria e saj në të tashmen” ajo ka rëndësi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur

 Referenca dokumentare të veprës  janë të shumta që dëshmojnë sesa e vështirë ka qenë për shkrimtarin që nëpërmjet rrëfimit dhe teknikave  letrare të krijojë besueshmërinë artistike. 

Një realitet absurd, që mund ta kontekstualizosh vetëm nëse e ke jetuar atë kohë, por për çdo lexues tjetër është i paimagjinueshëm.. Asokohe, ata bënin disa jetë paralele, në një shtet paralel dhe në një gjendje psikologjike paralele. Ata bënin shkollim paralel, të drejtuar nga institucione paralele, bënin mësim paralel, pra jetë paralele.

Marini i shtron pyetje të tilla vetes si: Pse bëhen luftrat? Çfarë është frika dhe si lindi ajo? – që në situata ekzistenciale për individin dhe kombin, shumëkush ia ka drejtuar vetes e ka dashur përgjigje. Pyetja e përhershme ajo që përsërit shpesh në roman: “A mësonte apo jo njeriu ndonjë gjë nga e kaluara, historia, kujtesa?” merr përgjigjen se historia përsëritet. Ai ironizon me “me parullat shterpe, që thoshin se historia është mësuese e jetës”, duke treguar sesa shpesh njerëzit zgjedhin të bëjnë të njëjtat gabime duke mos i vënë fre egoizmit të tyre.

Në roman diskutohen çështje që kanë të bëjnë me probleme të mëdha si lindja e luftrave dhe arsyet pse lindin ato “gjithçka lidhet me nevojën e tmerrshme, që njerëzit kanë për të korrë trofe dhe për t’u bërë pjesë të historisë, të asaj që Milan Kundera e quan Tempulli i Famës, një tokë e përjetësie, që u garanton qenieve të mjera e vdekatare një vend, në atë që pandehet si përjetësi, në kujtesën njerëzore”.

Në diskutimet se çfarë është historia, raporti i saj me kujtesën, dëshira për përjetësi, raporti i luftës me paqen, si vendosen dhe si ndryshohen kufijtë etj., shkrimtari të sjell ndërmend Tolstoi që gjysmën e vëllimit të katërtë të romanit të tij epope “Lufta dhe paqja” trajton këto çështje, por me një stil tjetër.

Nga historia nuk mësohet asgjë, dhe këtë e tregon riciklimi i vazhdueshëm i asaj që ndodh në kohë të ndryshme, por ajo duhet të kujtohet sepse kjo është mënyra e vetme për të njohur veteveten.

Një karakteristikë e dallueshme e romanit të Ukajt është intertekstualiteti që shpërfaqet në formë eksplicite me formë përfaqësuese citimin, që merren nga tekste të ndryshme letrare, biblike, filozofike e historike ose edhe nga tekste të tjera që përmenden në roman. Citimet si element i ndërfutur në roman vijnë nga shkrimtarë të njohur të letërsisë botërore si Dante, Virgjili, Erich Maria Remarques, Primo Levi, Kundera etj.

Disa nga citimet janë të ndërfutuar gjatë rrëfimit, por ndonjëri është vendosurr edhe në fillim të romanit, siç është një shprehje e Zolait që luan rolin e epigrafit.

Referimi i emrave të këtyre shkrimtarëve ose veprave të tyre, është bërë edhe me qëllimin që ato të luajnë rolin e një aluzioni. Ndërtekstoria është krijuar edhe si rimarrje në formë metafore, simboli, rimarrje e arketipeve etj.

Në këtë rast rrëfimtari i drejtohet lexuesit model, i cili zbërthen kodet e fshehura të rrëfimtarit. Intertekstualiteti është një nga tiparet kryesore të letërsisë postmoderniste që mishërohet dukshëm në roman. Roland Bart e pati përkufizuar intertekstualitetin si pamundësi për të bërë jetë jashtë tekstit të pafund[2], ndërsa romani nuk ka relacion vetëm me një tekst, po me një shumësi tekstesh, nga shumësi zhanresh, dhe nga shumë epoka.

Përmendja, citimi i shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore, por edhe shqiptare është tregues i vizionit që ka shkrimtari, Ukaj, për rolin që kanë luajtur shkrimtarët në historinë e kombit të tij.

Mendimin e tij duket se ia ka mveshur personazhit  kryesor. “shkrimtarët shqiptarë e kishin krijuar kombin e tij. Marini besonte në këtë dhe e quante: aksiomë kombëtare. Dhe njerëzit e letërsisë vërtet ngjanin si profetë e mbaheshin si shenjtër të kombit të tij.

Marini rikujton gjithë çfarë ndodhi në jetën e tij, që është tregues i asaj çfarë ndodhi me një popull të tërë, duke shpresuar se mund të lehtësohet. Ripërjetimi i të shkuarës bëhet me synimin për t’u shëruar, është si një formë e mbijetesës së njeriut.

Përpjekja për harresë nuk e shëron invidin, por edhe harresa historike për një popull është asgjësuese. Njeriu duhet të kujtojë çfarë i ka ndodhur atij dhe popullit të tij. Kujtesa është lidhja midis së tashmes dhe së shkuarës. Sipas psikoalanalizës është e domosdoshme për njeriun që ti rikthehet ngjarjeve të dhimbshme të jetës së tij, kjo si një përpjekje për të kaluar traumën në kërkim të gjetjes së qetësisë[3]. Kujtesa e të shkuarës, që bëhet me qëllimin për ti shpëtuar të shkuarës.

Shkrimtari e përshkruan individin e dhunuar a të përdhunuar në një situatë të tillë dramatike ku ata “symrrrolurit” ushtronin dhunë e kërkonin me çdo mjet të “çsyzonin njerëzit” e pafajshëm që jetonin në tokën e tyre.

Në një botë tillë dramatike, Marini del në dritare si një simbol i hapjes me botën, i lirisë, i shpëtimit.

Nga mesi i romanit shkruhet – Dhe pa ditë ç’të bënte, doli në dritare, ku rrezet e diellit të vjeshtës binin pingul. Pas pak u kthye, i bëri vetes një kafe, qëndroi pak si i kapitur përpara figurës së Krishtit të kryqëzuar dhe përsëri doli në dritare, i vetmi vend prej ku kundronte një horizont.

Nga ky pasazh duket se Marini shpreson dhe i drejtohet besimit fetar se gjërat do të ndryshojnë. Ndërsa në fund të romanit kur Marini sërish del në dritare, ai e gjen shpëtimin andej nga perëndon dielli.  Me atë shikim të hutuar, doli përsëri në dritaren kah perëndonte dielli dhe priste mëngjesin e nesërm të fluturonte drejt Berlinit.


[1]  Eko, Umberto. (2007). Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë. (përkth. Diana Kastrati) Tiranë: Dituria, 96.

[2]  Bart, Roland, Mythologies, Vintage Classics, 2009.

[3]  Sigmund Freud, The ego and the id, Courier Dover Publications, 2019.

https://exlibris.al/anila-mullahi-rrefimi-i-se-shkuares-qe-sherben-si-sherim/?fbclid=IwY2xjawG3DmFleHRuA2FlbQIxMQABHTleeonBuVSbbu4lGYZf8M6PkLtyTrdoLYj4qEOIvrytODwqqbjsppWgFQ_aem_ZVTX5WumlfCpYKJ_6M_3hg

Please follow and like us: