Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Vasili: Katina Çipi, emblemë e valles “Lunxhëri plot lezete” 

Katina Çipi, një nga këngëtaret dhe valltaret më të mira të ansamblit “Lunxhëria”.

Katina, për pak kohë qe pjesëmarrëse e ansamblit “Lunxhëria”, pasi u largua për të vazhduar studimet në shkollën e mesme të muzikës “Tefta Tashko”, Korçë  dhe studimet e larta për letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

 Por, për aq kohë, Katina shkëlqeu me zërin e saj, me kërcimin plot elegancë e finesë të valles lunxhe.

Është dhe do të mbetet kërcimtarja emblemë e valles “Lunxhëri plot lezete”. 

Në familjen Çipi, në Qestorat këndonin të gjithë. Prindërit Sofo e Persefoni, fëmijët Natasha, Katina, Miçua dhe Fotinia. Pjesëmarrës në grupet folklorike të fshatit e të krahinës. 

Persefoni realizoi vallen e kënduar “Në divan kur dolle”, si pjesë e grupit të të moshuarve nga Dhoksati, Këllëzi e Qestorati, gjatë ekspeditës së prof. dr. Ramazan Bogdani në vitin 1975.

Natasha Çipi, pjesë e grupit të vajzave të Lunxhërisë (1968-1970), me koncerte në krahina, në Gjirokastër e më tej.

Fotinia, që, nxënëse në shkollë, shkruante tekste këngësh dhe këndonte këngën lunxhote me zë të plotë, të bukur dhe të intonuar.

Ishte Katina, që u bë trashëgimtarja më e denjë e familjes në interpretimin e këngëve popullore lunxhote.

Vetë ajo tregon: 

“Pasioni për këngën popullore më lindi që në vegjëli, kur në familje këndohej në gëzimet familjare. Në fillim mora pjesë në grupet e fshatit, herë marrëse e këngëve e valleve- herë në iso. 

Në vitin 1977, krijohet grupi i përzier Dhoksat, Këllëze Qestorat. Ishte një moment i rëndësishëm dhe gëzim i veçantë, kur u bëra pjesë e këtij grupi. Nder dhe privilegj, por edhe përgjegjësi. Kisha mbaruar shkollën e mesme për muzikë. Drejtori i grupit më ngarkoi të këndoja në valle këngën “Shqipëtare kapedane.”

“ Nënat-o syshqiponja,

vajzat-o lulet tona.

6000 dolët në male.

Latë gajtan e perishanë,

Gjokseve ngjeshur gjerdanë,

Majë gërxheve si shqipe,

Plumb burrat, gosti armiqve…”

Gjatë provave teksti u ndërrua, poeti i madh Agim Shehu krijoi këngën:

 “Ç’nur që ka vallja lunxhote

Lunxhëri plot lezete,

Ç’bukuri ke mbi vete!”

Për ta realizuar vallen duhej korrektësi, seriozitet, pasion dhe dashuri për këngën dhe vallen. E këto cilësi nuk i mungonin grupit. 

Nuk më harrohen momentet kur grupi u ngjit në skenë, djem dhe vajza “si lastarë”, siç e thotë kënga. Përgjegjësi për të kënduar e interpretuar sa më bukur, për të kryer sa më mirë atë detyrë, që e kishim marrë përsipër, për të nderuar Lunxhërinë tonë “plot lezete”.

Duartrokitje të fuqishme nga publiku, buzëqeshje, entuziazëm dhe krenari në fytyrat tona. 

Nën drejtimin e mësuesit Koço Vasili, përgjegjës dhe drejtues i grupit, me punën e tij të palodhur me nivel të lartë artistik, plot energji dhe virtuozitet, njohës shumë i mirë i folklorit lunxhot dhe, me përkushtimin e gjithë pjesëmarrësve të grupit, vallja u vlerësua me çmimin “Laureat i FFK 1978”.

Nuk mund të lë pa përmendur dhe znj. Marina Leka nga Këllëzi, që bëri gjithçka për të veshur sa më bukur vajzat me lunxhe, veçanërisht mua si balli i valles.

Po ashtu edhe Ollga Gudha, tezja ime, që më qëndroi afër me përkujdesjen dhe porositë e saj…”. 

Faleminderit, Katina Çipi! Të jemi mirënjohës për ç’bëre për këngën dhe vallen lunxhote! Dhe ti të jesh krenare!

Sa herë, sa kohë, do të këndohet e do të kërcehet kënga “Lunxhëri plot lezete”, aq herë do të kujtohet emri yt si balli i ndritur i asaj valleje brilante, që është dhe do të mbetet himni madhështor i folklorit të krahinës sonë të dashur, Lunxhërisë!

Please follow and like us: