Ibrahim Emiri: Dy fjalë për librin “Në gjunjë para mirësisë” të Shpëtim A. Emirit
Vëllai im Shpëtimi, ndoshta sepse hyri në moshë të madhe në rrugën e bukur të letërsisë, me krijimtarinë e tij duket sikur kërkon të fitojë sa më shumë “kohën e humbur”. Librat e shkruar prej tij gjatë një periudhe rreth dhjetë vjeçare, dëshmojnë padyshim se tek ai, është gjallëruar muza e shkrimtarit, e ndrydhur deri vonë në thellësinë e ndërgjegjes së tij.
“Shpëtim Emiri, një djalë i mençur gjirokastre, futet vonë në letërsi përmes një ndrojtjeje të bukur, që duket se e ka munduar prej një jete. Është frika e bukur dhe e përgjegjshme ndaj fjalës, njërës prej mjeshtërive më të vështira të kësaj bote, por dhe një prej tundimeve më të mëdha të njerëzve, që e ndjejnë se në shpirtin e tyre flenë bukuri të fshehta”, ka shkruar Petrit Ruka, poeti i shquar e miku i paharruar.
Muza krijuese u çlirua fillimisht me librin homazh, me titull: “ALIZOT EMIRI – Njeriu, Librari e gazet fisnike”, botuar në vitin 2011, që më vonë u pasua edhe me një volum të dytë. Shkrimi i këtij libri ishte një obligim familjar për shpalosjen, jo vetëm të jetës së vështirë e plot peripeci, por edhe të veprës së heshtur të babait, Alizot Emiri, i cili tashmë është i nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.
Më 2014 Shpëtimi botoi librin “Kujtime me buzë në gaz”, i cili, më tepër se një përmbledhje kujtimesh, është një mozaik rrëfimesh plot humor të këndshëm, ku përshkruhen me një gjuhë plot figuracion, ndodhi nga jeta e shkollës, e universitetit, si dhe e punës në kantiere të ndryshme ndërtimi.
Më 2017 Shpëtimi na ka befasuar me botimin e monografisë “Përmendorja e munguar”, kushtuar jetës dhe veprës së mjekut kirurg Vasil Laboviti. Në atë libër shkruhet, jo vetëm për figurën e doktorit të shquar si intelektual e atdhetar, për profesionalizmin dhe humanizmin e veçantë, por sidomos për veprën e tij të pashembullt patriotike për shpëtimin e qytetit Gjirokastër nga shkatërrimi, si dhe nga masakra shfarrosëse e bishës naziste.
Gjatë vitit 2019 Shpëtimi botoi njerin pas tjetrit tri libra, të titulluara respektivisht: “Moj Gjirokastra pa vulë”, “Sot ke qejf të vdesësh” dhe “Studentët janë të vonuar”. Është një triptik me vargje satirike, nëpërmjet të cilave i bëhet një skanim i imtë trupit të sëmurë të shoqërisë shqiptare, e sidomos të racës pushtetare, në periudhën e tejzgjatur të së ashtuquajturit tranzicion.
Më 2021 Shpëtimi erdhi tek lexuesi i tij me librin me tregime “Vjedhësi i librave”, libër që përjetohet veçanërisht nga lexuesi ndërtues, sepse aty autori, me profesion inxhinier ndërtimi, kujton me mjaft nostalgji, si dhe me krenari të ligjshme, punën e jashtëzakonshme, deri edhe heroike, të bërë nga ndërtuesit e ndërmarrjes nacionale NNI Fier për realizimin e veprave të mëdha të industrisë kimike, petrokimike, apo energjitike.
Para një viti Shpëtimi botoi përmbledhjen me tregime “Çmimi i kurajës”, libër me ngjarje të jetuara që përshkohet tërësisht nga vërtetësia jetësore, ku midis rreshtave lexohen qartë elemente karakteristike të psikologjisë së kohës apo vendit, ku zhvillohen ngjarjet e përshkruara. Autori i ka portretizuar me mjeshtëri të spikatur personazhet, njeri prej të cilëve është edhe ai vetë, si autori rrëfyes, duke mos i kursyer dozat e humorit dashamirës, apo të satirës therëse, të cilat, janë karakteristikë e stilit të tij.
Së fundmi Shpëtimi vjen tek lexuesi me librin e tij të dhjetë “Në gjunjë para mirësisë”, përmbledhje me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara, të shkruara jo vetëm me thjeshtësi e vërtetësi, por edhe me mjaft emocion artistik. Ashtu si tek librat e tjerë me tregime jetësore të Shpëtimit edhe tek ky libër gjen vend thënia e Dostojevskit “Jeta e vërtetë nuk janë vitet që ke kaluar, por vetëm ajo kohë, që kujtohet për ta treguar”.
Libri përshkohet tërësisht nga një ndjenjë e thellë njerëzore mirësie e deri në dhemshuri për çdo qënie njerëzore të shpërfillur nga fati, si për fëmijët e njomë, të cilët duke punuar luftojnë me sacrificë të shenjtë për mbijetesë, ashtu edhe për të moshuarit e vobektë e të braktisur, nga indiferenca e pa mëshirëshme e shoqerisë dhe shtetit, derisa detyrohen të shtrijnë dorën për lëmoshë. Ky libër është gjithashtu një mozaik rrëfimesh, ku përshkruhen me një gjuhë plot figuracion situata të ndryshme dramatike me ndjesi therrëse, apo situata komike me humorin e këndshëm karakteristik të autorit.
Në libër spikat veçanërisht respekti për njerëzit e thjeshtë e të mirë të kudondodhur në trevat ku ka punuar autori, si dhe mirënjohja e sinqertë për të gjithë miqtë që i kanë ofruar atij mirësi. Libri karakterizohet jo vetëm nga shtrirja gjeografike pothuaj në të gjithë teritorin e vendit, ku autori inxhinier ka punuar si drejtor teknik për realizimin e infrastruktures rrugore, por edhe nga gjuha e pastër e plot ngjyrë nëpërmjet fjalë-formimeve të reja apo dialekteve të Gjirokastrës, Devollit, Labërise, Mallakastrës e Myzeqesë, të cilat autori i përdor me mjeshtëri në dialogë.
Në libër mund të kontaktosh me një galeri të larmishme personazhesh interesantë të gjinive, moshave, krahinave, përkatësive fetare apo profesioneve të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e çiltër e të shkathët deri tek pleqtë e moçëm me thinja. Aty shfaqet filozofia popullore e xha Bidos nga Gjirokastra, “kryeplakut të kantierit”- xha Lazes nga Mallakastra, labit të mençur vlonjat, burrave “të rëndë” të Dukatit: Tare kockëfortit – “prefektit të Llogarasë”, burrit të çuditshëm i cili turpërohej prej emrit të vet, apo plakut të urtë i cili u bëri urata ndërtuesve. Në faqet e librit përshkruhen kantiere të ndryshme ndërtimi, ku përmenden me respekt të vlerësuarit nga populli si “Lugatë të Punës”: drejtori i kantierit – inxhinier Vasili, teknikët e përkushtuar Neimi e Miçua, brigadierët e palodhur Nekiu, Sazani e Luti, manovratorët e “çmendur” të makinerisë Flamuri e Hyseni, ndërsa përmenden me përbuzje ministri çunak e delirant, apo prefekti kukull i Vlorës. Aty përshkruhen me respekt të veçantë italianët Saverio e Pierro, persona të thjeshtë por me zemër të madhe, kleriku interesant belg don Corrado si dhe ambasadori i Vatikanit në Shqipëri, Monsinjor Ivan Dias. Me humor miqësor e dashamirësi përshkruhen në libër personazhe si Nashua, inxhinieri simpatik në Korçë apo Tomorri, tekniku i ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve, të cilin pija e bënte më të këndshëm. Në rëfimet e librit shfaqen edhe disa personazhe kontraversë si “të fortët” e rrezikshëm të Mamurrasit, trafikantët kriminelë të qenieve njerëzore në Zvërnec, policët fantazmë bashkëpuntorë në krim e deri tek prostituta “e ndershme” pas pallatit të kulturës në Tiranë.
Emocione të veçanta njerëzore përcjellin gjatë leximit të librit:
– Dhimbja njerëzore e autorit ndaj mjerimit, portretizimi psikologjik i lypsarit në përpjekjen e vuajtur për mbijetesë, përbuzja deri sarkastike për institucionet e pandjeshme të shtetit, si dhe respekti për ndjeshmërinë e njerëzve të thjeshtë, por me zemër të madhe kudo ku ndodhen.
– Përshkrimi mjaft rrënqethës deri lemeritës i trafikut kriminal me gomone të qenieve fatkeqe njerëzore, si dhe i absurditetit të shtetit bandit.
– Dhemshuria njerëzore deri në shenjtëri për fëmijët, të cilët mjerimi i burrëron para kohe, duke sakrifikuar fëmijërinë për mbijetesë.
“Ose shkruaj diçka, që ia vlen të lexohet ose bëj diçka, që ia vlen të shkruhet”, ka thënë Beniamin Franklin. Shpëtim Emiri, me përvojën e tij të pasur jetësore e profesionale si inxhinier, sigurisht që ka shumë subjekte, që ia vlen të shkruhen, kurse me përvojën e tij letrare si shkrimtar, tashmë i afirmuar në ambientet letrare, pa dyshim edhe në të ardhmen do të shkruajë letërsi, që do t’ia vlejë të lexohet.
Uroj që libri i ri “Në gjunjë para mirësisë” të mirëpritet nga lexuesi!