Albspirit

Media/News/Publishing

ZAHO GOLEMI: NELI HALOÇI (STAMBOLLIU), LEGJENDA E NOTIT SHQIPTAR

(Në përkujtim të Neli Gani Haloçi Stambolliu, (e lindur më 1.8.1953 në Tepelenë dhe është shuar më 28.3.2007, në Tiranë), në shenjë respekti, nderimi e mirënjohje për talenten dhe legjendën e sportit shqiptar të notit, të ekipit të Butrintit të Sarandës, vajzës me karakter të fortë e sedër të madhe, për sportisten e klasit të lartë të mentalitetit gjithmonë fitues, për sportisten me disiplinë stërvitjeje të paepur, për komunikimin e shkëlqyer me garueset, trajnerët, sportdashësit e njerzit e thjeshtë, për gruan e fortë me personalitet të spikatur që ka ngelur përjetësisht në kujtimet e sportdashësve të Sarandës, komunitetit lab dhe më gjerë, për farmacisten e njohur që shërbeu më shumë se tre dekada njerëzve në Tiranë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Neli vajza labe që ngeli ikonë me gjurmë të thella të notit në Shqipëri

Neli Haloçi ishte lindur më 1 gusht 1953 në Tepelenë. Ajo erdhi në jetë në një familje me tradita të hershme patriotike dhe atdhetare. Për më tepër si nga babai dhe nga nëna ka trashëguar vetitë më të mira të një familje të shëndetshme dhe që kishin dhënë shumë për vendin. Prindërit e saj gëzonin një simpati dhe ndjenjë të thellë respekti jo vetëm në fshat por në mbarë krahinën. Familja e saj ka qenë sikurse i thonë në Labëri bukëdhënë dhe porta e familjes së saj ka qenë gjithmonë e hapur për miq e shokë, për halle e derte. Në këtë mjedis të shëndetshëm familjar erdhi në jetë Neli, që edhe pse lindi në Tepelenë, për shkak të punës së babait u rrit në qytetin e Sarandës. Ajo ishte pjesë e një familje të madhe pasi ishin gjashtë fëmijë, tre motra dhe tre vëllezër. Ka qenë një familje harmonike dhe me norma që janë rritur me frymën e punës dhe përkushtimit ndaj vendit. Babai dhe nëna e tyre ishte udhërrëfyese dhe shëmbull për krenari dhe punë fisnike e të ndershme. Pasi kreu me sukses të plotë shkollat fillore dhe tetëvjeçare “Adem Sheme” (1960-1968) dhe të mesme të përgjithshme në gjimnazin “Hasan Tasin” (1968-1972). Përveçse ishte një notare e shkëlqyer ishte edhe një nxënëse që shkëlqente edhe në mësime. Neli vijoi më tej studimet e larta në degën e Farmacisë në Universitetin e Mjekësisë (1972-1976) në Tiranë. Në pikëpamje sportive fakt është se Neli triumfin e parë e pati që në vitin 1967 kur ka qenë në klasën e shtatë, kur ishte vetëm 14 vjeçe dhe që shpallet për herë të parë rekordmene në 100 metër në stilin bretkosë për të reja në kohën 1.43.2; një vit më vonë në 1968 thyerja e kohës 1’42”8, dhe 1’39”1. Në vitin 1969 e thyen dy herë rekordin me 1.35.9 dhe 1.35.1. Në 1972 sërish me një rekord të ri 1.34.2. Po kështu në vitin 1969 vendos rekord edhe në 200 metra me 3.32.5 dhe 3.29.6 ndërsa në vitin 1970 vends rekord të ri me 3.24.1. Ajo ka qenë edhe pjesë e ekipit të stafetës 4X100 metra e përzier me kohët rekord 6.48.7 më 1967-tën, 6.35.8 në 1969 dhe 6.07.1 në 1970. Ajo thyen disa rekorde në turnetë ndërkombëtare me notarët e Republikës Popullore të Kinës. Në vitet 1971-1972 duke qenë edhe maturante në gjimnazin “Hoxha Tahsin”, të Sarandës stërvit ekipin e pionerëve të ekipit të “Butrintit”. Në vitin 1972, Neli merr udhëtimin e ri të jetës drejt dyerve të Universitetit në Tiranë. Kështu studimet e larta i përfundoi në degën “Farmaci” me rrezultate të shkëlqyera dhe veprimtaria sportive e saj ngelet në kujtesën e brezave si një prej rekordthyerseve më cilësore të sportit të notit në Shqipëri. Ajo diti t’i përballojë dallget e jetës të viteve ’80-të të shekullit të shkuar, duke u bërë kështu një nga farmacistet më të zonja të kryeqytetit si tek “Farmaci 4” tek Rruga e Barikadave një farmaci e rëndësishme për kryeqytetin, ku filloi edhe punë në vitin 1976. Në vitin 1988 vijoi të punojë në “Farmaci 9” tek rruga e Kavajës ku punoi deri në vitin 1997. Më pas bëhet drejtuese teknike e Depos farmaceutike “Ana”, ku punoi deri në fund të jetës së saj dhe që shquhej për devotshmëri, dedikim dhe gjithmonë humane në profesionin e saj, duke merituar respektin dhe mirënjohjen edhe të kolegeve të punës kudo ku punoi. Ajo ndërtoi jetën e saj të thjeshtë, por të bukur me Niko Stambolliun farmacist shumë i njohur dhe i dashur, djalin simpatik të farmaceutikës së Spitalit Ushtarak (bashkëpunëtor i ngushtë i Kastriot Zotos). Niko Stambolliu dhe Neli lindën dy vajza Julinda Stambolliu që ka një djalë dhe një vajzë dhe Besiana Stambolliu (e martuar në Francë). Shërbimi i Nelit ndaj familjes së saj, vajzave të saj, por edhe komunitetit ku shërbeu ishte plot përkushtim dhe meritoi mirënjohjen e njerëzve të thjeshtë. Në breza të tërë notarësh të Butrintit nuk e harruan dhe nuk e harrojnë kurrë Nelin Kampione dhe kjo vërtetohet edhe në shumë publikime në gati në një gjysëm shekulli. Në “Skeda sportive e Neli Haloçit”, gjejmë këto të dhëna: “Ditëlindja: 1.8.1953; Vendlidja: Tepelenë (babai nga Prongjia, nëna nga Fushëbardha e krahinës së Kardhiqit në Gjirokastër); Gjatësia: 170 cm; Pesha: 60 kg; Klubi garues: “Butrinti” i Sarandës 1965-1972 (anëtare e ekipit përfaqësueses së Shqipërisë); Pjesëmarrëse në 14 takime ndërkombëtare; Trofetë: shtatë vjet rekordmene dhe kampione e Shqipërisë në 100 dhe 200 metra në stil “bretkosë”, gjashtë herë kampion kombëtar si ekip me “Butrintin”, notarja më e mirë e kampionatit kombëtar të notit në vitin 1969, fituese e garës së 100 metrave stil bretkosë me kampionen e Kinës në Pekin viti 1971; ka fituar titullin “Mjeshtre e Sportit më 1995”. Nuk është e rastit që shoqet e saj dhe gjithë komuniteti i sportistëve veçanërisht të notit në vendin tonë në ditët e dhimbjes së madhe të vitit 2007 shpreheshin se “Neli Haloçi i shtoi dritën e shpirtit të saj Parajsës dhe la pas kujtime të pashlyeshme të një kampioneje, si dhe ngeli në kujtesën e brezave si një ikonë e legjendës së notit në Shqipëri”. Sa herë të ketë aktivitete sportive të notit padyshim do të kujtohet Neli si legjenda e rekordeve të notit shqiptar.

LEGJENDA E NOTIT SHQIPTAR GJITHMONË KAMPIONE DHE IMAZHI I MIRËSISË NJERËZORE

Neli Haloçi edhe pse është larguar në mënyrë të parakohshme nga jeta, shumë breza e mbajnë të ngulitur fort në kujtesë mirazhin e bukur të notares së talentuar e të madhe të ekipit “Butrinti” të Sarandës e të ekipit përfaqësues të Shqipërisë të viteve 60-70 të shekullit të kaluar. Babai dhe nëna e Nelit e vlerësuan sportin e notit që në fillim, për t’ja futur në gjak dhe për ta zhvilluar si sport dobisjellës pasi ishte e njohur se noti forcon gjithë organet e trupit veçanërisht muskujt e zemrës, lehtëson dhimbjet e shpinës dhe problemet e kyçeve, shërben si një ndihmë natyrale për astmën, eleminon mbipeshën, stërvit gjithë trupin dhe e mban atë të ri. Kështu e vlerësoi në fakt edhe Neli Haloçi nismën e prindërve për ta çuar në ekipin e notit, edhe pse fëmijë këtë sport universal, e vlerësoi si sport, terapi, fitnes, argëtim, është gjithçka për një trup perfekt dhe ja doli të jetë e suksesshme edhe si sportiste edhe si trainere. Ekipi “Butrinti” i Sarandës arriti ta kishte krenari Nelin, pasi theu me dhjetra rekorde kombëtare ne stilin e bretkosës dhe në stafetat 4×100 metra, e duke dhënë një kontribut të madh në shpalljen kampion për 7 vjet rrjesht ekipin e Butrintit të Sarandës, duke e bërë mjaft të njohur në ekipet e njohura të Vlorës e Durrësit. Neli Haloçi (Stambolliu) do të kujtohet gjatë nga sportëdshësit sarandiot, durrsak, vlonjat e më gjerë, për teknikën e lartë në stilin e bretkosës ku rrëshqitja në ujë ka qenë e papërsëritshme, jo vetëm për vajzat por edhe për djemtë të cilët e admironin stilin e saj vital, për karakterin e sedrën e madhe, për mentalitetin e fituesit, disiplinën në stërvitje, për energjinë garuese në sportin e notimit, për komunikimin e shkëlqyer me shoqet, trajnerët, sportëdashësit e njerzit e thjeshtë të cilëve i artkulonte vetëm fjalë bindëse në fitore. Neli e Sarandës kujtohet nga gjithë brezat, ishte frymëzim për ekipin e Sarandës dhe në vitet që pasuan në Tiranë kur përfundoi studimet ishte dhe mbeti deri kur është shuar një familjare e mirë shembullore e korrekte me bashkëshortin e saj të mirë Niko Stambolliu me profesion farmacist ushtarak, por dhe  dhe dy vajzat e saj të mirëshkolluara në perendim. Neli e filloi karrierën e saj në sportin e bukur dhe gjithëzhvillues të notit në muajin prill të vitit 1965 kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe, me një trupt të vogël e të imët. Babai i saj, Ganiu, i cili ka qenë një dashamirës i sportit të notit por edhe i sporteve të tjera, kish shkuar një ditë tek trajneri i njohur i ekipit të notit të Butrintit të Sarandës dhe i ekipit përfaqësues Spiro Koça dhe i kish thënë që ta merrte bijën e tij të brishtë për t’u zhvilluar. Trajneri ja dëgjoi fjalën dhe e mori në ekipin e vajzave duke konturuar në mendjen e tij nxitimthi bretkocisten terribël të së ardhmes, duke projektuar njëherazi edhe kampionen e re për disa vite radhazi. Vajza e brishtë, Neli kishte mundur që me vullnet të hekurt vetëm pas një viti stërvitje të renditej e para për të rejat e në moshën trembëdhjetë vjeçare dhe kështu kapërcen me lehtësi pragun e të rriturave. Ajo do të zninte vendin e parë që kur ishte me ekipin e Butrintit 12 vjeçe. Trajneri Spiro Koça një trajner i shkëlqyer e futi me të rejat, por shumë shpejt do ta kalonte tek të rriturat, pasi zhvillimi i saj ishte tepër i shpejtë dhe i furishëm dhe që kërkonte vetëm vende të para. Familja e mbështeti fuqishëm që ajo të stërvitej 4-5 orë në ditë nga marsi deri në muajin tetor duke sfiduar kushtet e detit të hapur, sepse në atë periudhë nuk kishte pishina moderne si në kohën e sotme. Rekordet e titujt e kampionit u bënë ritual i zakonshëm vjetor. Ekipi i Butrintit krenohej me kampionen në stafetën 4×100 metra duke kontribuar në fitoren e garës ekipore. Butrinti ja dedikonte vendin e parë pikërisht talentit të notares Neli Haloçi. Ndër turnetë ndërkombëtarë Neli mori pjesë edhe në Kinë me ekipin përfaqësues, ku stili i saj ishte shumë i pëlqyeshëm edhe nga notaret e ekipit kombëtar kinez. Në vitin 1969, kur Neli ishte vetëm 16 vjeçe ajo shpallet notarja më e mirë e kampionatit kombëtar shqiptar duke u shpallur kampione kombëtare dhe rekordmene në garat 100 dhe 200 metra në stilin bretkosë si dhe duke fituar titullin kampion si ekip në stafetën 4×100 m. Ekipi sarandiot shpallet kampion, Neli me atë trupin e saj të bukur e me ëngjëllsinë e moshës 16-vjeçare ngjitet në podiumin e nderit dhe merr diplomën e notares më të mirë të kampionatit kombëtar të notit përmes entusiazmit të një publiku të madh që ndiqte me kërshër evenimentin më të rëndësishëm të notit në Shqipëri. Në vitin 1971 grumbullohet me ekipin kombëtar shqiptar nga trajnerët Petrit Caslli e Spiro Koça për të shkuar në Kinën e largët. Ishte koha kur Shqipëria kishte marrëdhënie të ngushta me Kinën edhe në fushën e sporteve. Në Kinë Neli zhvillon gara shumë të bukura në Pekin, Shangai, Çanshasu, Uhan, Futachin etj. Ajo thyen në një garë kampionen e Kinës dhe thyen rekordin kombëtar të 100 metërshit në bretkosë me kohën shumë të mirë 1’36’’e 3/10 duke u nderuar edhe me diplomën e nderit nga përfaqësuesit më të lartë të sporteve ujore kineze. Ekipi shqiptar e kinez të vajzave dhe djemve kalojnë me not lumin e verdhë Jance të Kinës me një gjerësi 7 (shtatë) km, të cilin e kishte kaluar pak kohë më parë edhe udhëheqësi kinez 70-vjeçar Mao Ce Dun, udhëheqësi i asaj kohe të Kinës. Muri kinez, muzetë e shumë vende historike e kulturore kineze që ekipet sportive shqiptarët kishin vizituar i kishin lënë mbresa të thella Nelit. Ekipi shqiptar sipas shumë shkrimeve në gazeta e revista dhe periodikët që gjenden në Bibliotekën Kombëtare, u prit shumë mirë, vizituan Murin e madh kinez, gdhëndën emrat aty në atë objekt gjigand i vetmi objekt në tokë që duket që nga Hëna, bënë fotografi në shtëpinë e Maos, notuan në pishina me ujë të ngrohtë dhe të formatit olimpik. Notaret shqiptare kujtonin stërvitjen në Sarandë në det të hapur në ujë të ftohtë. Vizita për notaret në Kinë ishte mbresëlënëse edhe pse Neli Haloçi në Kinë theu rekordin kombëtar. Në vitin 1972 Neli sërish zhvillon një garë mbresëlënëse me kampionen e Kinës në pishinën e Zallherrit në Tiranë dhe kinezja për të dhjetat e sekondës prek finishin. Neli në moshë fare të re rreth 16 vjeçe bëhet trajnere e ekipit të vajzave të vogla të Sarandës dhe i shpall kampione të vendit në një kohë që stërvitej intensivisht edhe për veten e saj. Në shtator të vitit 1972 Neli vjen në Tiranë për studime në degën e farmacisë e ndonëse kërkohet me ngulm nga ekipet e Tiranës pasi ishte vetëm 19 vjeçe ajo nuk pranon t’i bashkohet asnjë ekipi për t’iu përkushtuar studimeve të larta. Mjeshtre e merituar e sportit nuk ju dha në vitet ’70-të edhe pse e meritonte plotësisht sepse rrezultatet e saj ishin më shumë se rekorde kombëtare pasi ishin të krahasueshme me ato ballkanike e evropiane. Në Tiranë u mor me aktivitete sportive në universitet sidomos me volejbollin ku kishte mjaft talent, ndërkohë që në notim për dhjetë vjet rekordet e saj nuk u thyen nga pasardhëset. Ajo ishte shoqe e bashkëkohëse me notaret e talentuara si Natasha Sami, Pranvera Rrapushi (“Butrinti” të Sarandës), Kudrete Kozmai (Vllaznia), motrat Berkedhuli (“Lokomotiva” e Durrësit). Notarë dhe trajnerë, por edh egazetarë kanë shkruar e folur shumë për Neli Haloçin. Emin Lishi ish-rekordmen i Shqipërisë në stilin shpinë në 100 dhe 200 metra në vitet 1958-1970 dhe trajner i ekipit kombëtar të femrave të Shqipërisë e portetizon kështu Nelin: “Neli Aloçi është një nga notaret më të mëdha që ka nxjerrë vendi ynë deri në ditët e sotme. Ajo nuk ka qënë vetëm një notare e shkëlqyer por edhe një njeri i përkryer. Gjatë kohës që ajo ka notuar të gjithë notarët e Shqipërisë meshkuj e femra kanë patur një zili të veçantë për stilin bretkosë pasi ajo kishte një stil jashtëzakonisht të mirë dhe një fizik të bukur. Me një fjalë ajo kishte lindur për stilin bretkosë. Ajo ka qënë notarja më e mirë e bretkosës në vitet ‘70-’80 në Shqipëri”. Në kujtesën e brezave ka ngelur viti 1972, në një garë të jashtëzakonshme me kampionen e Kinës në pishinën e përmasave olimpike të repartit/detashmentit të Zbulimit në repartin ushtarak elitar të ushtrisë në Zall-Herr, ku është ndarë vendi i parë me të dhjetat e sekondës. Vitet kalojnë, por Neli Haloçi kujtohet si një notare jashtëzakonisht e kompletuar pasi ajo ka lënë emër shumë të madh për sportin e notit shqiptar në kufijtë e një legjende të notit shqiptar. Më shumë se kushdo e kujtojnë notaret e Sarandës, “Butrinti”, që në kohën e saj shkëlqeu në të gjithë veprimtaritë lokale e kombëtare, por edhe më tek duke bërë një përfaqësim dinjitoz në veprimtaritë ndërkombëtare.

NË RRËNJËT FAMILJARË TË NELI HALOÇIT, NË PRONGJI DHE NË FUSHËBARDHË

Babai i saj, Gani Haloçi ishte lindur në Prongji, ndërsa nëna e Nelit, Qeriba Veli Nora (Haloçi) ishte lindur në Fushëbardhë. Nëna e saj Qeribaja ishte motra e dëshmores së Atdheut Latife Veli Nora (Fushëbardhë), e ngelur përjetësisht në malet e Suhagorës gjatë LANÇ-it, si një frymëzim brezash. Prindërit e saj të mirë ishin forca shtytëse e përparimit në jetë, sikurse edhe për gjithë fëmijët e tjerë të oxhakut “Haloçe”. Babi, Ganiu ishte luftëtar e patëriotit atdhetar, simbol i urtësisë dhe dashurisë njerëzore, komisar i formacionit të parë partizan, të çetës “Çerçiz Topulli”, në krahinën e Kardhiqit, të Labërisë. Pas epopesë së madhe të luftës nacionalçlirimtare, babai i saj shërbeu denjësisht si oficer shembullor të strukturave të mbrojtjes e sigurisë në gradën madhore “Nënkolonel”. Biri i fshatit Prongji Gani Haloçi (6.12.1909-2.12.1982), ka qenë partizan i orëve të para, komisar i parë i çetës së krahinës së Kardhiqit, nënkomandant i kësaj çete, Komandant i vendit për Gjirokastrën, komisar i komandës së qarkut në Fushëbardhë, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të krahinës, dhe pas luftës në detyra e funksione me shumë përgjegjësi si ushtarak madhor në Ministrinë e Brendshme, në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë. Gani Haloçi ishte lindur në Prongji të trevës së Labërisë. Ai u lind në një kohë të pushtimit osman, ndërkohë që fshati i tij shquhej për atdhetari e kundërshtim të të gjithë pushtuesve. Babai i tij Hyseni dhe nëna Bejushja trashëgonin vetitë më të mira të urtësisë dhe mençurisë, që kishin përcjellë brez pas brezi historinë e fisit dhe mbarë trevës labe, bëmat nëpër luftra, këngët dhe rrëfimet e trimërive. Në këtë ambjent familjar u rrit dhe u burrërua njeriu që mbarë krahina ja dëgjoi bëmat e tij kur të gjithë e thërrisnin me pseudonimin e LANÇ-it, “Ustai”. Ai ishte dhe ngeli usta i halleve të popullit, u trupëzua njësh me popullin dhe në momentet historike kur në vatrat shqiptare kishte pllakosur zija e pushtimit ai u bë misionar i lirisë dhe çlirimit. Në mars 1927 Ganiu kreu detyrën si ushtar në kohën e Republikës së parë shqiptare në Durrës. Ushtrinë e filloi me Gani Dita dhe bashkëfshatarin Stefan Gogo dhe Hetem Arapin nga Kardhiqi. Nga Durrësi shkon me shërbim në Shkodër, ku në Lezhë takon dhe Iliaz Mehmetin e Medi Pogaçe nga Plesati, Novruz Bello nga Fushëbardha. Në çdo fshat të trevës labe gjen trashëgimi të fuqishme brezash, mençuri natyrale, që mëkohet që në djep, ashtu sikurse u mëkua Gani Haloçi, i cili u kalit në kudhrën e jetës. Pushtimi fashist i 7.4.1939 ngjalli revoltë dhe kundërshtim të hapur në të gjithë Shqipërinë, edhe në Prongji, krahinën e Kardhiqit dhe mbarë Labërinë. Ideali i lirisë, i mbrojtjes së gjuhës, identitetit dhe pavarsia ishin ngulitur thellë në zemrën e Gani Haloçit. Në momentet më deçizive të vendit në vitin 1942 kur flaka e shpërthimit kundër pushtuesve po rritej asnjë shqiptar i ndershëm nuk mund të rrinte duarkryq. Ishte dëshmimtar kur Muzafer Asqeriu, Kapo Boço, Bajram Sinojmeri mbritën në Prongji dhe ndezën zjarrin kryengritës kundër pushtuesve themeluan Këshillin Antifashist të fshatit Prongji. Këshilli Nacionalçlirimtar i Prongjisë ishte i dyti pas atij të Mashkullorës të ngritur në krahinë. Gani Haloçi ishte luftëtar i orëve të para të krahinës së Kardhiqit, njerëzor dhe me vlera të spikatura atdhetare, një bilbil që shumë shpejt do ta gjente veten në radhët e çetës Partizane të krahinës bashkë me Dilaver Habil Poçin, Mitat Kondin etj. Bashkëkohësit e tij e mbajnë mend si burrë me ndërgjegje të rrallë atdhetarie, me rrënjë të thella në traditat e zakonet labe, një degë e mbushur me visare, me muzë poetike, një rapsod e këngëtar, një njeri që sado vite të shkojnë shquhet që larg si majat e maleve labe. Babai i Nelit, Gani Haloçit shkroi një histori suksesi në jetë, me identitetin e vet, krenari, trimëri, mençuri, përfaqësues i një krahine vitale dhe me emër në Shqipëri. Ai diti të veprojë krenarisht në luftë dhe në shërbim të Atdheut, me duke spikatur për dinjitet, dhe si idealist atdhetar. Me urtësi e mençuri që e karakterizonte spikati si intelektual në messhekullin e XX. LANÇ-i vendosi në provë shqiptarët dhe brezit të babait të Nelës që i takoi të bënte luftën, nuk luftoi kurrë për merita, por i dolën me përgjegjësi dhe sfiduan pushtimin nazifashist, duke ngelur të nderuar përpara kombit dhe historisë. Fshati Prongji i krahinës së Kardhiqit të rrethit Gjirokastrës ka një pozicion të veçantë strategjik rrethuar nga male të lartë me shkëmbinj e përrenj, kodra brinja dhe bregore që i japin nje pamje piktoreske. Banorët e këtij fshati dallohen për burrëri, trimëri, urtësi, bujari dhe mençuri. Ky fshat është me një të shkuar patriotike e me tradita të hershme atdhetare, prandaj edhe Gani Haloçi i sillte vazhdimisht në këtë trevë labërie fëmijët e tij, për të mësuar edhe më shumë për njerëz të shquar atdhetarë që kanë nderuar mëmëdhenë duke kulmuar me pjesmarrjen e gjërë të popullit në LANÇ. Edhe vetë babai i Nelit Ganiu ishte një prej figurave udhëheqëse kryesore jo vetëm të fshatit por të mbarë krahinës dhe mbrojtjen e idealeve të lyuftës antifashiste e transmetonte bindshëm tek brezat e rinj. Në memorien e fëmijëve të tij, Ganiu rrënjosi tek fëmijët vepraonumentale të dashurisë për vendlindjen sikurse ishte Barjam Ligu (Prongjia) atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars të vitit 1908 në Gjirokastër, ish-luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli, betejat kundër andartëve monarkofashistë grek që zbarkuan në fshatrat e krahinës së Kurveleshit dhe të Kardhiqit edhe në Prongji më 1913-1944, por kryeveprimtaria luftarake e shekullit të XX ishte lufta çlirimntare. Në këtë luftë babai i Nelit dhe pesë fëmijëve të tjerë, Ganiu ishte pjesë e elitës udhëheqëse të luftës në këtë zonë që ja shtuan lavdinë dhe krenarinë fshatin. Me emrin Gani Haloçit dhe të shokëve të tij lidhen shumë ngjarje për Prongjinë e prongjatasit, por dhe për krahinën e Kardhiqit dhe më gjërë Labërinë. Ganiu aktivizoi gjithë fisin e familjen në shërbim të luftës, në formacionet partizane, në organizatat e rinisë e të gruas, si dhe në batalionin territorial. Bashkëshortja Qeribaja u gjend përherë në krah të tij. Për veprimtarine gjatë luftës e punës Ganiu është vlerësura dhe dekoruar me urdhra dhe medalje lufte e pune. Në ditarin e tij Ganiu shënon dhe detyrat që kreu në vitet e luftës, që nga marsi i vitit 1942, ku u zgjodh sekretar i këshillit të fshatit Prongji, në dhjetor 1942 u caktua komisar i çetës partizane “Çerçiz Topulli”, në mars 1943 kreu detyrën e nënkomandantit të çetës “Çerçiz Topulli”, ndërsa në shtator 1943 kur kapitulloi Italia dhe forcat partizane hynë në Gjirokastër, u caktua komandant i vendit për qytetin e Gjirokastrës, në nëntor 1943 kreu detyrën e sekretarit të celulës së krahinës Kardhiq dhe të komisarit të komandës së vendit në Fushëbardhë, në dhjetor 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar për krahinën e Kardhiqit dhe në gusht 1944 ishte anëtar i Këshillit NÇ krahinor për krahinat Kurvelesh, Bregdet, Rrëzomë e Delvinës dhe Kardhiqit. Komanda e vendit në krahinën e Kardhiqit, e vendosur në Fushëbardhë varej nga Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Këshilli Nacionalçlirimtar varej nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër. Vlerat luftarake të Prongjisë dhe krahinës së Kardhiqit Gani Haloçi i ka përjetësuar në librin “Jeta ime”.

NELI HALOÇI PËRJETËSISHT LEGJENDË DHE IKONË SPORTIT TË NOTIT ME HISTORI SHTATËMIJË VJEÇAR

Noti për Neli Haloçin (Stambolliu) dhe shoqet e saj u bë “gjimnastike e mushkërive” dhe vërtetoi atë që me stërvitje arrihet gjithçka duke u bërë edhe emër i madh dhe i njohur  në historikun 93-vjeçar të notit shqiptar. Që në ditët e para të stërvitjes mësoi shumë gjëra e teknika sportive të notimit; ndërkohë që kur arriti në moshë madhore mësoi se noti ishte sporti më i vjetër që  daton rreth 7000 vjet më parë, nga dëshmitë që vijnë nga pikturat e “Epokës së Gurit”, por referencat e para të shkruara datojnë rreth 2000 vjet para Krishtit. Fakt është se noti në kuptimin e mirëfilltë sportiv ai lindi më 1873, kur Xhon Artur Trudgen e përshiu atë në kompeticionet sportive. Noti u bë pjesë e Lojërave të para moderne “Athinë 1896”, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Notit u themelua në vitin 1908, pra 116 vjet më parë. Në historikun e notit shqiptar ka qindra emra por spikat në mënyrë të artë emri i kampiones Neli Haloçi (Stambolliu) vijuese e sportisteve Suzana Mehmeti, Ermioni Nanaj, por dhe e Natasha Sami, Donika Kaçupaj, Ludmilla Meçe, Kozeta Katundi, Rozeta Simoni, Elsa Mingo etj. Noti shqiptar ka nxjerrë shumë emra të mëdhenj në një histori zyrtare 93-vjeçare, qysh kur u zhvilluar Kampionati i Parë në vitin 1933 në Durrës, megjithëse gjurmët datojnë më herët, në veprimtaritë lokale në Shkodër më 1920, më 1928 në Vlorë. Kampionati i parë shqiptar i Notit është organizuar më 23 gusht 1931, veprimtari e zhvilliuar në  det të hapur në molin e Durrësit, ku janë edhe rrënjët e sportit shqiptar, edhe pse në atë kohë nuk kishte asnjë pishinë. Përpjekjet e viteve ’30-’40-të me klubet pjesëmarrëse: Sportklub Teuta, Sportklub Tirana, Sportklub Vlora, “Bashkimi Sportiv Shkodran”, Dragoi Pogradec. Vitet ’70-‘80-të ishin një shpërthim i cilësisë së notit shqiptar, që përmbysi në mënyre spektakolare tabelën e rekordeve për meshkuj dhe femra do t’i kish zili çdo ekip europian siç ishin Skardilajd Shyti, Shpëtim Kote, Neli Haloçi, Natasha Sami, dhe të tjerë që do të ishin në majën e cilësisë sportive në çfarë do vendi të ndodheshin. Pas zgjedhjes në krye të FSHN-së të zotit Agim Çiraku, ky sport gjeti hapësirë më të madhe komunikimi, organizmi dhe të zhvillimit të eventeve, me gara dimërore në pishinën 25m, ashtu edhe në ato verore në pishinën 50m, janë thyer mbi 300 rekorde kombëtare. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, synimin kryesor ka patur masivitetin, cilësinë dhe organizimin model të çdo veprimtarie kombëtare të notit në Shqipëri. Themelore është se ai nuk harron që, si President i Federatës Shqiptare të Notit të kujtojë gjithë Presidentët e FSHN-së ndër vite të cilët kanë qenë: Rexhep Reçi, Petrit Guma, Kurt Ikonomi, Skënder Muça, Hasan Hafizi, Lirim Fezollari, Bledi Habiti, Artan Dulaku, Ahmet Muça dhe Feim Alliu. Njëherazi në mënyrë të herëpasherëshme kujtohen nderohen e vlerësohen kampionët sikurse ishte nderimi me “Certefikatë Mirënjohje” 23.12.2018 të notares legjendë të notit Neli Haloçi, në gjurmët e së cilës ecin sot dhjetra e qindra sportisë notarë të vendit tonë.

VLERËSIME TË MERITUARA PËR NELI GANI HALOÇI (STAMBOLLIU) KAMPIONEN E NOTIT

Është fakt se vlerësimet për Neli Gani Haloçi (Stambolliu) kanë qenë të shumta. Për vite me radhë, për vlerat e rralla si kampione është nderuar me tituj medalje e dekorata deri në “Mjeshtre e sportit” në janar 1995, certifikatë e lëshuar nga Federata Shqiptare e notit “Për rezultate të larta në sportin e notit” e firmosur nga Presidenti Rexhep Reçi dhe sekretari Sadik Memia; Certifikatë mirënjohjeje e akorduar nga Presidenti i notit në Shqipëri me dedikimin: “Për kontributin e shquar dhe cilësor në zhvillimin dhe forcimin e sportit të notit në Shqipëri nëpërmjet arritjeve të rrezultateve të larta sportive, duke shërbyer si model pozitiv i brezave” (nënshkruar nga shoqata kombëtare e veteranëve të notit. Një prej vlerësimeve është edhe “Diplomë” në kampionatin kombëtar të notit më 20.7.1968, që i jepet Neli Haloçi “Butrinti”, klasifikuar i parë në garën 100 metra bretkosë femra në kohën 1.42.8 pasi theu rekordin kombëtar; “Diplomë” në kampionatin kombëtar të notit për fëmijë, që i është dhënë ekipit “Butrinti”, që doli kampion në garën 4X50 metra stil i lirë me rezultatin 2.57.7/10, zhvilluar në Lushnjë më 12 deri në 15 Gusht 1971, firmosur nga sekretari i Komitetit të Këshillit të Përgjithshëm të Federatës shqiptare të gjimnastikës dhe të notit; në të njejtin aktivitet ju është akorduar edhe një diplomë e dytë për grumbullimin e 365 pikëve duke u klasifikuar i pari ekipi “Butrinti”, Është vlerësuar edhe me “Diplomë në kampionatin kombëtar të notit për të rritur femra pasi Neli Haloçi, zuri vendin e parë në garën 100 metra në 1971 me rrezultatin 1.36.3.”. Ekipi i Butrintit është vlerësuar me Diplomë për kampionatin kombëtar të notit për fëmijë (femra) kualifikuar i pari në stil të lirë me 2.57 e 7/10. Në aktivitetin e zhvilluar në Lushnjë më 12 deri në 15 gusht 1971. Në 7 deri më 10.7.1969 është vlerësuar me Diplomë Neli Aloçi si notarja më e mirë e Kampionatit Kombëtar të të rinjve firmosur nga kryetari i komitetit të këshillit të Përgjithshëm të sporteve Rexhep Doda. Ja çfarë shkruhet në njerën prej tyre: “Neli Haloçi. Aktiviste e dalluar në fiskulturë e sport. Ka ndihmuar në masivizimin e femrës në shkollë për problemet e sportit. I ka dhuruar atdheut dhjetra rekorde kombëtare në not, Sarandë më 24.6.1972; nga Këshilli i Sportit të Shkollës”. Kudo ku ishte Neli ishte fitorja, ishin kampionët, prandaj dhe nuk rreshtin fletët e nderit dhe lavdërimit, diplomat e vlerësimet me tituj nderi brenda e jashtë vendit.

Nisur nga gjithë jeta dhe veprimtaria e Neli Haloçit si mjeshtre e sportit, si kamione kombëtare disa vite radhazi si dhe për mjesëmarrje në aktivitete të shumta kombëtare e veprimtari ndërkombëtare, por edhe si trajnere e fëmijëve notarë të Butrintit, si dhe veprimtare shoqërore e qytetare model e jetës shoqërore në qytetin e Tiranës, në kuadrin edhe të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë si dhe 112 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, Dega e Tiranës, por edhe kërkesat e Nëndegëve të Labërisë të Tiranës, kërkesat e Shoqatave të fshatrave të Krahinës së Kardhiqit e kryesisht asaj “Fushëbardha” duke u nisur edhe nga kërkesat e statutit sipas nenit 26/4, “E drejta e propozimit dhe e dhënies së titujve”, që thotë se, “të drejtën e propozimit për dhënien e titujve e kanë degët e shoqatës, në mënyrë unanime kryesia e Tiranës ka propozuar që Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”, t’i akordojë një diplomë të posaçme Neli Gani Haloçi (Stambolliu) duke i dhënë titullin “Personalitet të shquar të Labërisë” (pas vdekjes) me motivacion: “Për kontribut të shquar si legjendë e sportit të notit në Shqipëri, mjeshtëre e sportit të notit, si kapione kombëtare për disa vite rresht, si notarja më e mirë e kampionatit kombëtar shqiptar, për përfaqësim dinjitoz në Kinë duke lartësuar flamurin shqiptar, për veprimtari edukative të shumë brezave të rinj duke ngelur frymëzuese për sportistët e  rinj nga Labëria dhe mbarë kombi shqiptar, për veprimtari e kontribute të veçanta në jetën shoqërore e qytetare të qytetit të Sarandës e Tiranës, duke përfaqësuar vlerat dhe cilësitë më të larta të trevës së Prongjisë, krahinës së Kardhiqit, të Labërisë dhe mbarë Atdheut”. Neli jetoi në një epokë tjetër. Edhe pse ishte një talent që në kohët tona sportistët vlerësohen me grada të larta ushtarake dhe padyshim për epokën tonë Neli do të ishte “Kolonele” e Forcave të Armatosura Shqiptare, ashtu sikurse janë sot koleget e saj kampionet e sotme. Por kampionet e sotme me siguri shkelin në “rrugë të shkelura”, si përfaqësuese të denja të kampionëve dhe të legjendave që shkruan histori suksesi si kampionë të sporteve, por edhe që lartësuan e lartësojnë flamurin shqiptar në aktivitete kombëtare e sidomos në ato ndërkombëtare, si dikur Neli Haloçi që lartësonte flamurin shqiptar deri në Kinën e largët. Saranda ka qenë qyteti ku ka shkëqyer Neli Haloçi në veprimtari sportive si notare, një qytet me lashtësi, përmendur nga historianë si Straboni, Ptolemeu, Ciceroni etj dhe që njihej si “Onhezmi” (latine, Onhezi ishte një erë juglindore që lehtësonte udhëtimet). Saranda e legjendës së 40-Shenjtorëve ishte vendi i suksesit të parë në jetë dhe ngeli e shenjtë për notaren e shquar pasi Saranda ishte fëmijëria e saj, qyteti me histori të veçantë e të bukur, mitike dhe historike, që sot me të drejtë e thërrasin “kryeqytet i verës” në bregdetin jonian. Në historinë e notit shqiptar ka mjaft portrete, profile, dosier, reportazhe, intervista, histori njerëzore me gjurmë në historikun e notit shqiptar dhe do mbeten përjetësisht në kujtesën e kombit, por është fakt se Neli Haloçi ngelet një ikonë dhe imazh i madh vlerash jo vetëm për Butrintin e Sarandës e trevën e Labërisë nga ka origjinën, por edhe më gjerë në rang kombëtar sepse i dha dimension të ri sportit të notit në një periudhë kur sapo kishte filluar konsolidimi ekipor në Shqipëri.

Burimet e studimit:

https://www.zemrashqiptare.net/news/neli-aloci-stambolliu-notarja-e-madhe-dhe-njeriu-i-perkryer;

https://alb-spirit.com/2022/12/07/gani-haloci-ushtaraku-atdhetari-njerezori/; https://sot.com.al/uncategorized/promovohet-libri-133-iluministet-e-sportit-shqiptar;

https://sarandaneës.com/2021/07/fotot-e-rralla-ekipi-i-notit-per-femra-butrinti
https://telegraf.al/sport/brezat-e-notit-shqiptar-sfiduan-dimrin-dhe-noti-i-nderoi-kampionet

https://telegraf.al/sport/93-vite-histori-e-notit-shqiptar-presidenti-i-fshn-agim-ciraku-historia-na-motivon-per-sukseset/ Të dhëna nga arkivi familjar, dhe federata sportive e Notit.; Irfan Rama, Portali “zemrashqiptare”; Neli Aloçi (Stambolliu): Notarja e madhe dhe njeriu i përkryer, 30.9.2007, Gazeta Telegraf, 29 Prill, 2024, Presidenti i FSHN, Agim Çiraku, “93 vite histori e notit shqiptar,: Historia na motivon për sukseset”; libri Xhevat Lluri, Prongjia, Gani Haloçi, jeta ime…;Xhorxhi Vasilit, “Mozaik noti në Sarandë”; Irfan Rama, “133 iluministë të sportit shqiptar”, Tiranë, Shtëpia botuese “Mediaprint”, 2024, Periodiku i gazetës “Sporti Popullor”, Periodiku i gazetës “Fushëbardha”; Gazeta “Sporti Popullor”, 17 Gusht 1965; Periodiku i gazetës “Labëria”.

Please follow and like us: