Doktori arbëresh që ka mësuar historinë e Çamërisë nga Antonio Belushi
Arben Iliazi
Në qytezën e Poggibonsit në rajonin e Toskanës, gjatë një aktiviteti të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, ku isha i ftuar, u takova edhe me një doktor arbëresh, mjaft të njohur në atë rajon, i cili kishte ardhur, së bashku me zonjën e tij shqiptare, me origjinë nga Dibra, doktoren okuliste Gentiana Haka. Doktor Battista La Rocca, mjek patolog në spitalin e Sienës dhe me banim në Siena, është lindur në vitin 1974 në Frasnita (Frascineto), një nga katundet më të bukur arbëreshë, që ndodhet në krahinën e Kozencës (Kalabri). Në këtë komunë prej 2208 banorësh spikat mikpritja tradicionale shqiptare dhe prej shekujsh trashëgohen gjuha, traditat, zakonet, veshjet, ritet fetare dhe kultura e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Që në fjalët e para që shkëmbyem, dukej qartë se doktori kishte një adhurim të veçantë për Shqipërinë, Skënderbeun, kulturën shqiptare. Madje ishte plotësisht i informuar edhe për çështjet kombëtare, që lidhen me Kosovën, Çamërinë e vise të tjera. Të parët e fisit të tij ka mundësi të kenë ekziluar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Doktori më habiti me bagazhin dhe njohuritë e tij. Me një shqipe të përsosur biseduam gjerë e gjatë. Përmendi Frang Bardhin, Budin, Bogdanin, Pjetër Mazrekun, të cilët kishin studiuar në Kolegjin e Loretos, ose ndryshe Kolegji Ilirik. Madje më foli edhe për poetin e parë shqiptar, Lekë Matrënga, i cili mendohej se ishte me prejardhje nga Çamëria.
Dr. Battista e mbante mend mirë datën 16 qershor 2021, kur kryetari i Bashkisë, Domenico Lo Polito, lëshoi autorizimin për vendosjen e bustit të Gjergj Kastrioti Skenderbe në qytezën antike të Kastrovillarit, 3 km larg nga fshati i tij, Frasnita. Kastrovillari, i vendosur në shpatet e Pollinos, i përket krahinës së Kalabrisë. Mendohet se arbëreshët mbërritën këtu në vitin 1480. Pa skulpturën e legjendës së tyre, Gjergj Kastrioti Skënderbe, kjo provincë nuk do të kishte shprirtin arbëror! Vendosja e bustit të Skënderbeut përfaqëson një shenjë tjetër se italianët janë një komunitet që njohin vlerën dhe pasurinë e shumësisë së popujve, ideve, gjuhëve dhe kulturave. Kultura arbëreshe gjithashtu ka kontribuar historikisht në rritjen e territorit tonë dhe Kastrovillari ka aq shumë bashkëqytetarë me origjinë shqiptare, sa përfaqëson një nga komunitetet më të mëdha.
Kastrovillarin dhe popullin arbëresh, prej shekujsh, i bashkoi edhe ideali për një Itali të pavarur, të bashkuar dhe prosperuar, morën pjesë në revoltën në Unifikimin e Italisë, (1860). Ishte pikërisht, biri i Kastrovillarit Giuseppe Pace, që mbërriti triumfalisht në Kastrovillari, së bashku me vëllezërit arbëreshë. (Arbëreshët dhanë ndihmesën e tyre, konkrete, një shembull i paparë, ku Garibaldit që i çmoi si luanë, “këmishkuqtë” arbërorë. Busti i Skënderbeut është një trashëgimi e përbashkët dhe dëshmon se së bashku kemi bërë një rrugë të gjatë. Figura e Gjergj Kastriotit është një figurë dimensionale. Figurë historike, një figurë që gjatë shekujve, që është akoma gjallë në botën arbëreshe”, thotë dr. Battista për “Diellin”.
Në Frasnita (Frascineto), është edhe një shesh, i emërtuar Sheshi “Kosova”, si dhe biblioteka e At Antonio Belushit. “Jemi rritur me bekimin e At Antonios – thotë doktori, i mallëngjyer nga ikja e tij në parajsë një vit më parë. Nga ai kam mësuar edhe historinë e Çamërisë. Kishte shumë lidhje me arvanitët e çamët në Greqi. Shtëpia e Antonio Belushit tani është më shumë se një shtëpi. Është muze etnografik, është arkiv, mbi të gjitha është bibliotekë e pasur me libra e gazeta të ruajtura prej shumë viteve. Biblioteka e At Antonio Belushit të kujton më shumë arkivat e njohura, sesa thjesht një bibliotekë. Mahnitesh me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi e respekt, thotë i emocionuar doktori arbëresh.
– Po një Shesh “Çamëria” do të ketë? e pyes.
-Patjetër, thotë, Kosova dhe Çamëria janë amanet brezash.
Duke vijuar bisedën, doktor Battista më tregoi se Frasnita (Frascineto) ka simbol të gdhendur në kulturën arbëreshe të komunitetit “Valljen”, aq sa edhe Frasnita quhet ndryshe si “katundi i vallevet”. “Vallja” përjetohet si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin dhe rrënjët historike të arbëreshëve të ruajtura me dashuri dhe përkushtim për më shumë se 500 vjet. Ajo konsiston në një vallëzim në grup, ku gratë e burrat të veshur me kostumet tradicionale madhështore arbëreshe të kapur përmes shamive të bardha kërcejnë nën tingujt emocionues të këngëve me motive dashurie dhe epike ku i këndohet fitoreve dhe arritjeve të heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në aktivitetet kulturore në Frasnita janë të pranishme edhe “Lojërat për nder të Gjergj Katrioti Skënderbeut”, që zhvillohen çdo vit në qendrën historike, ku është ngritur edhe Muzeu Komunal i kostumeve arbëreshe. Gjatë momenteve të lojërave, rrugët dhe sheshet e pjesës historike stolisen, duke krijuar një atmosferë magjike dhe magjepsëse të traditave kombëtare.
Në Frasnita, në vitin 2014, është krijuar një shoqatë kulturore dhe turistike nga arbëreshët, e quajtur “Vorea”, rrëfen më tej Dr. Batista për gazetën “Dielli”. Kjo shoqatë lindi pikërisht me synimin për të ofruar ndihmesën e saj për ruajtjen, promovimin, shpërndarjen e mundësimin e njohjes kudo të gjuhës arbëreshe, të traditave, të riteve të tyre përkatëse fetare, të kulturës, muzikës, letërsisë, përrallave, legjendave tona të lashta e të përbashkëta, të kuzhinës dhe gatimeve tradicionale, si dhe çdo aspekt tjetër identiteti.
– Përse ky emërtim? e pyes, duke sjellë në mendje poetin e shquar, emrin e të cilit e mbaja mend mirë qysh nga koha e studimeve në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë .
– Në nder të poetit të famshëm, më përgjigjet dr. Battista. – Poeti me origjinë shqiptare, Vorea Ujko, lindi në fshatin Frasnita (Frascineto), Kalabri, më 1918 (ka shkrime ku thuhet se ka lindur edhe më 1931); vdiq në një aksidenti automobilistik më 26 janar 1989. Vorea, pos që ka qënë prift, ka studiuar edhe për letërsi dhe si i tillë ka punuar mësues i letërsisë në Firmo, shpjegon Dr. Battista. Ai, ashtu si edhe poetët e rinj arbëreshë, kanë bërë e bëjnë përpjekje që, pos kultivimit të gjuhës së tyre shqipe, që e kanë ruajtë brez pas brezi, e që paraqet një brum të mirë studimi të gjuhëtarëve, t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe. Kjo mundësi tashmë është mundësuar, sepse ekziston liria e lëvizjës, por edhe kanë qasje në programe të ndryshme të mediave elektronike, por edhe të gazetave. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re ndjenja e fortë e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit. Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë.
Cilat janë disa nga veprimtaritë e shoqatës “Vorea”? – e pyes dr. Battistën.
-Shoqatës Vorea” zhvillon shumë veprimtari teatrore në gjuhën arbëreshe, duke sjellë përfshirjen e shumë personave (të rritur, të rinj e fëmijë) dhe gjithashtu, të territorit, me shprehje gjuhësore, pamje dhe tradita nga bota arbëreshe, me synimin për t’iu shmangur humnerës së harresës gjuhësore.
Çdo vit edhe Krishtlindjet arbëreshe kremtohen si festa madhështore ndër arbëreshët e Kalabrisë, që manifestohet përmes riteve, traditës dhe shijes e gatimeve arbëreshe, thotë dr. Batista në mbyllje të bisedës.
Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, miku im Battista la Rocca!