Vajza hebreo-palestineze 14-15 vjeçe ose Maria e Nazaretit
Maria është personazhi i shenjtë më i “parë” apo “dëgjuar” nga njerëzit e zakonshëm, madje më shumë sesa Zoti dhe Jezu Krishti. Prandaj ajo është një figurë disi e sikletshme për Kishën, dhe sipas shumë antropologëve pasqyron nevojën për të riafirmuar një përmasë femërore të feve, si ato që lidhen me pjellorinë dhe tokën, që ishin të pranishme në Evropë për mijëra vjet para Krishterimit.
Por kush ishte Maria në kohën e saj? Sipas ekspertëve, dhe duke pasur parasysh situatën e grave në atë kohë, Maria duhet të ketë qenë një vajzë hebreo-palestineze 14-15 vjeçe, e cila jetonte në një fshat të rëndomtë në provincën e Galilesë, Nazaret.
Më shumë nuk dihet. Praktikisht Maria mungon në shpalljen më të lashtë dhe origjinale të ungjillit, atë të Shën Palit, që thotë vetëm se Jezusi “lindi nga një grua e martuar”. Maria as që përmendet me emër. Ajo nuk shfaqet as në Ungjijtë e Markut, Llukës dhe Mateut.
Madje Maria nuk shfaqet as nën kryq, ku u ndalën disa gra të tjera, përfshirë Maria Magdalenëna. Vetëm në Ungjillin e Gjonit flitet për nënën e Jezusit që ishte para kryqit ku u ekzekutua i biri.
“Ungjilltarët Luka dhe Mateu, nuk kanë ndërmend të na tregojnë asgjë mbi Marian. Përkundrazi ata fokusohen tek ringjallja dhe roli mesianik i Jezusit, i kuptuar si Mesia përfundimtar”-shpjegon historiani Remo Çaçiti, autor i librit “Investigim brenda Krishterimit”.
Sipas tij, duke korrigjuar disa interpretime të bashkësive primitive të krishtera, ishte e nevojshme të pohohej se Jezusi nuk e shfaq veten si Mesia vetëm në momentin e ringjalljes së tij apo gjatë pagëzimit të tij. Ai do të ishte Mesia që nga lindja. Ndaj virgjëria e Marias duhet kuptuar si një nënvizim i statusit unik të Jezusit, dhe jo si një gjendje fiziologjike e gruas nga Nazareti”, -thotë ai.
Po pse figura e saj u bë gjithnjë e më e rëndësishme? Ky është një proces shumë i lashtë, që e përshkon të gjithë të ashtuquajturën literaturë apokrife (pa autor të njohur) të pa njohur nga Kisha, dhe që në përgjithësi e kënaqi kureshtjen popullore mbi Familjen e Shenjtë.
“Në Krishterim, si në Judaizëm, ka mungesë të plotë të një figure femërore. Megjithatë, Krishterimi i kapërceu që në fillim kufijtë e grupit etnik hebre për t’u bërë multietnik. Por duke e bërë këtë, atij iu desh të përballej me traditat fetare shumë të lashta të popujve të tjerë, hyjnitë e të cilëve shpesh ishin femra”- thotë Çaçiti.
Që në shekullin IV Pas Krishtit Maria ishte aq e rëndësishme, sa që u bë objekt përplasje brenda Krishterimit. Teologët janë të ndarë midis atyre që e konsiderojnë gruan antropotokos (gjeneruesin e njeriut Jezus), dhe theotokos, nënën e Krishtit.
Për të gjetur një të mesme të artë, patriarku i Kishës Bizantine Nestor shpiku termin Kristotokos (gjenerues i Krishtit). Por ai e humbi postin e tij të lartë, dhe në fund debatin e fitoi koncepti i theotokos (nënës së Zotit Jezus) i Patriarkut të Aleksandrisë, Kirilit.
Është e sigurt se ajo kishte marrëdhënie të vështira me të birin, siç dëshmohet nga Ungjilli i Markut, që besohet të jetë shkruar në vitin 70 Pas Krishtit. Kur vetë Jezusi rikthehet në Nazaret për të predikuar, ai thotë se nuk kuptohet as nga bashkëqytetarët dhe as nga familja. Dhe kjo do të thotë se nuk e kuptoi as Maria. Një episod tjetër i Ungjijve, tregon varfërinë e Marias, e cila kur paraqitet me Jezusin në tempull bashkë me Jozefin, kur fëmija ishte vetëm 40 ditësh, flijon një çift turtujsh të lirë në vend të qengjit që ishte traditë.
Dhe një grua e varfër në shoqërinë hebraike të asaj kohe, vështirë se mund të kishte qasje tek arsimimi.Por nëse Maria paraqitet në kronikat e hershme të krishtera si një figurë periferike, si mund të shpjegohet popullariteti i saj i mëvonshëm? Arsyet e suksesit të saj janë të brendshme të vetë Krishterimit, por edhe të jashtme.
Sipas Gjonit, që ishte më teolog nga të gjithë ungjilltarët e tjerë, edhe Maria shkoi para kryqit. I biri i kërkoi të bëhej nëna e Gjonit dhe e të gjithë apostujve në vdekjen e saj. Ndaj në vazhdim, Maria do të bëhet nëna simbolike e të krishterëve dhe njerëzimit.
Një arsye tjetër e popullaritetit të Marias gjendet në traditën e lashtë të një hyjnie vendase që i paraprin Krishterimit. Përballë një sërë emrash paganë – Isis, Ishtar, Seres, Demetra, Aveta, Latona, Gea – koncepti i një perëndeshë të madhe gjeneruese mbretëronte kudo në fenë popullore, veçanërisht në Evropë.
Antropologia Maria Gimbutash, argumenton se këto hyjni femërore, të cilat filluan të shfaqeshin në periudhën neolitike si nderuese të pjellorisë, ishin paqësore dhe bujare. Gjërat ndryshuan me valët e ndryshme të pushtimeve të luftëtarëve me kalë nga Deti i Zi.
Ata i përkisnin kulturës së ashtuquajtur Kurgan, bazuar në jetesën në kope dhe plaçkitjet, një shoqëri ku gratë kishin një vend të parëndësishëm. Ato pushtime ndikuan në kulturën e qytetërimeve të hershme në Lindjen e Mesme, Anadoll, Evropë.
Nga sumerët tek egjiptianët tek grekët, hyjnitë femërore, u zëvendësuan gradualisht nga ato mashkullore. Megjithatë, perëndeshat pagane i mbijetuan shumë shekujve të Krishterimit dhe kultet e tyre praktikoheshin mbi të gjitha në zonat malore, larg qendrave të banuara, aq e sa nxitën në shekullin e katërt Shën Jeronimin të sulmonte të gjithë ata që “nuk e njihnin Krijuesin dhe adhuronin gurët”.
Sidoqoftë, duhej të arrihej një kompromis:Shumë vende kushtuar hyjnive pagane femërore u shndërruan në vende të shenjta të Marias, një lloj mekanizmi pedagogjik i Kishës që duhej të merrte parasysh traditën popullore.
Papa Gregori i Madh e pranoi se “në vend që të shkatërrohen vendet e shenjta pagane, është më mirë t’i shndërrojmë ato në Kisha të krishtera, pasi është në fakt e pamundur të pastrohen nga gabimet e tyre dhe me një goditje të vetme ata shpirtra të vrazhdë…”. Kështu, mitet e lashta për entitetet femërore, paqësore, amtare, rigjeneruese dhe në shumë raste mëshiruese përfunduan duke u shkrirë në kultin e Marias. / bota.al