Prof. Bardhosh Gaçe: Tri poezi me dritë për gratë shqiptare nga Lefter Çipa
Lefter Çipa është emblema e imazhit, fuqisë dhe bukurisë që polifonia labe ka përcjellë në kulturën e këngës popullore shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Jugut në veçanti. Duke qenë një njohës i thellë e deri në detaje i kësaj kulture të lashtë, poezia e tij ka qenë dhe mbetet një burim autentik i përsëritjes dhe vitalitetit të kësaj tradite përmes një tematike të gjerë sociale, të lirizmit, dashurisë dhe aktualitetit të vazhdueshëm që zbulojnë perlat poetike, në tekstet e këtyre këngëve që thuri gjatë gjithë jetës Lefter Çipa, “Nderi i Kombit”.
Në shumë raste, në krijimet e tij pleksen mjaft mirë natyra lirike dhe epizmi i ngjarjeve të shënuara të trevës së Bregut, Himara dhe e gjithë Labëria, ku poeti ka gjetur rastin të shpërfaqë historinë në sinteza të mrekullueshme të kohëve të sotme, ku natyrisht urë lidhjeje mbetet njeriu. I lidhur përjetësisht me këtë marrëdhënie, Lefter Çipa vitalizoi njerëz dhe ngjarje, kohë dhe vende, fshatra dhe zakone të njohura të të gjithë Jugut. Po ashtu, ai mbetet një poet i metaforës së imazhit të historisë, bukurisë dhe mbijetesës, një poet në poezinë e të cilit vibron jeta, nanurisin valët e detit, fryjnë erërat e maleve. Edhe luftërat i zbukurojnë fytyrat e bukura të vajzave dhe grave, të cilat shfaqen herë pas here si një vitalitet dhe domosdoshmëri jetësore, si një dialektikë jetësore, si një burim përmes të cilave rrjedh jeta dhe koha.
Ishte 28 nëntor 2005, kur në qytetin e Vlorës, gratë e shquara shqiptare nga tërë vendi, por edhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët e Italisë dhe Diaspora në SHBA e Kanada, ishin mbledhur buzë detit në Skelë, në një takim, në nderim të Ditës së Shenjtë të Flamurit. Së bashku me poetin Lefter Çipa, u gjendëm atje, në këtë kuvendim të mrekullueshëm. Të nesërmen në mëngjes, Lefter Çipa më dha në dorëshkrim tri poezi të frymëzimit të tij, të cilat i ruaj si relike mes dorëshkrimeve të tjera.
1.
Një nga poezitë më të bukura ku lirizmi, kumti i kohërave, bukuria, hyjniteti, fuqia dhe imazhi shqiptar plekset në imazhin e bukur njerëzor femëror dhe kinematografik njësohen në fytyrën e një artisteje shqiptare, është ajo që poeti Lefter Çipa i ka kushtuar Margarita Xhepës.
Margarita Xhepa mbart në imazhin e saj kohën dhe pamjen e saj, bukurinë dhe identitetin femëror shqiptar, ndërsa si një aktore e përkryer e roleve në kinema dhe teatër, në meditimin dhe lirizmin e ngrohtë të poetit Lefter Çipa, ajo duket se i lidh kohët, imazhet hyjnore dhe epike dhe mbi të gjitha, duket se në femroritetin dhe fuqinë që ka krijuar imazhi i saj, sikur janë bërë gjitha perënditë në një.
E zbuluar që nga fuqia e Zeusit, për të bërë Herën (bashkëshortja e Zeusit dhe Perëndia e mbrojtjes së familjes), ajo ngjan të jetë dhe Zhuljeta, të cilën e përshkon një raport i përjetshëm me njerëzit e kohën (“Ti je perëndesha Hera,/ Ti je pranvera dhe vera,…” apo “I ke stolitë të gjitha,/ Si ishte para Zhuljeta,…”), e parë si diell e hënë, dy simbolet e përjetshëm të bukurisë e shkëlqimit, e ndërsa në të është derdhur gjithë kjo bukuri hyjnore, ajo është një bukuri shqiptare.
Poeti shkruan ndër të tjera: “Te ti tërë perënditë,/ Zbresin një herë në ditë,/ Ti je princeshë me kurorë,/ Supet të mbajnë një shqiponjë”, dhe ndërkaq, ajo kthehet në një ndërmjetësim ikonik jo vetëm i bukurisë, por edhe i simbolikave universale hyjnore dhe njerëzore. Diku Çipa thotë për të, se: “Je më shumë se Fatimeja….” apo “Nëse vetë dhe Shën Mëria,/ Po të kishte motër Tya,/ S’do të ish mbërthyer Krishti,/ S’do të kish lotuar ylli.”, madje duke qenë i frymëzuar nga imazhi dhe fuqia që përcjell në kompleks ajo (aktore dhe njeri, bukuri dhe frymëzim që ngjall), i jep asaj fuqinë e një ylli çudibërës, që “… Zgjuan Shqipërinë të gjithë,/ Zgjuan dhe Zotin te froni,/ Nga ti lulëzon Tomori!” mali i perëndive në Shqipëri.
Dhe pse poezia mbart në indin e saj konceptin e bukurisë femërore, poeti në nënshtresën e përshkrimit të kësaj bukurie, e cila është natyrë, personazh hyjnor, personazh mitik i letërsisë së përbotshme, ajo është autentike shqiptare, e lidhur fort me simbolin e shqiponjës.
Ti je perëndesha Hera
(Margarita Xhepës)
Ti je perëndesha Hera,
Ti je pranvera dhe vera,
Ndaj kish të drejtë Zeusi
Që në dorë i ndizej prushi.
*
Ti moj ti, moj Margarita
I ke stolitë të gjitha,
Si ishte para Zhuljeta,
Ti moj Margarita Xhepa.
*
Nëse Hënën lart në qiell,
E ndjek pas vetes një diell,
Brenda shpirtit tënd zbresin
Shpirtin tënd të bukur ndezin.
*
Te ti tërë perënditë,
Zbresin njëherë në ditë,
Ti je princeshë me kurorë,
Supet të mbajnë një shqiponjë.
*
Nëse deti ka plot shkumë,
Ti nga deti je më shumë,
Je më shumë se Fatimeja,
Je bota me gjak në deja.
*
Nëse vetë dhe Shën Mëria
Po të kishte motër Tyja,
S’do të ish mbërthyer Krishti,
S’do të kish lotuar ylli.
*
Ylli yt moj Margaritë,
Zgjuan Shqipërinë të gjithë,
Zgjuan dhe Zotin te froni,
Nga ti lulëzon Tomori!
Vlorë, 28 nëntor 2005.
2.
Një refleksion tjetër i kësaj natyre është dhe imazhi peshërëndë i një gruaje tjetër ikonike shqiptare, e cila lidhet fort me Shqipërinë, me sakrificën dhe himnin e jetës të mbajtur me luftëra, me lindje dhe vdekje, me të rënë e me epopetë e shënuara nëpër shekujt e pushtimeve të perandorive më të fuqishme të kohërave me të cilat u përball bregdeti shqiptar, por edhe Kanina e Ismail Qemalit.
Poezia “Mbi Kaninë rritet zambaku” i kushtohet Nermin Vlorës, mbesës së Babait të Pavarësisë Ismail Qemalit, të cilin pas vdekjes së tij të mistershme e varrosën në Kaninë. Kanina është një nerv i hershëm lavdie i Bregut dhe Labërisë, i Jugut dhe Shqipërisë, ku në monumentalitetin e pamposhtësisë dhe të mbrojtjes së identitetit të lashtë shqiptar një vend të konsiderueshëm zënë dhe gratë, vajzat e Bregut, të bukura si hyjnitë e të pamposhtura dhe luftëtare si perënditë e luftës, ku shquan Rugjina e Kaninës.
Lefter Çipa ka një gjendje të çuditshme poetike, kur brenda tij lëvizin gjendjet e natyrës njerëzore në momente dhe vende ku historia ka shenjat e saj. Në përfytyrimin dhe në gjendjet e tij poetike njëjtësohet natyra, njerëzit, historia, bukuria dhe simbolika e historisë për të jetësuar një mesazh të rëndësishëm dhe kumt për kohët.
Poezia “Mbi Kaninë rritej zambaku”, duke nënkuptuar tipizimin që historia i ka bërë Kaninës, poeti ka përdorur një ritual natyror të ripërtëritjes përmes lules së bukur të zambakut. Nermin Vlora shkon në Kaninë, aty ku babai i saj ka bërë gjumin e rëndë, e toka, natyra, kalaja, malet, deti, gulma e gjakut morën tjetër ritëm. Zambakët e moçëm sikur nga rrënjët kanë biskuar. Poeti përdor mjeshtërisht një personifikim, sikur flasin të gjithë (“Pashë se kjo tokë, Nermin, të ngriti në këmbë…”), flet Ismaili nga thellësia e heshtjes, flet poeti.
Personifikimi që poeti i bën këtij momenti, i lejon atij të bëjë shprehje të gjallërimit, përjetimit dhe të shprehurit të gjithçka i sheh syri dhe i ndjen ndërgjegjja. Mjafton të meditosh mbi strofën e dytë, ku Çipa shkruan: “E ngrita Nermin, kokën përpjetë,/ Pashë se deti është bërë fletëfletë,/Pashë se ty Nermin, t’u hapën sytë,/ Pashë se lule të sillnin Perënditë.”. Më pas përfytyrimi dhe simbolika e historisë dhe përjetësisë vjen përmes “valëvitej Flamuri”, ku dhe gurët këndonin për këtë ditë, sikur nëpër kohë vinte Donika (kjo grua epike e historisë së hershme shqiptare), ndërsa Babai i Pavarësisë bënte kuvend burrash me Çikën, malin që kishte parë luftëra, njerëz dhe histori.
Strofa: “Unë me një qiri të ndezur në dorë,/ Të thashë, fli gjumë, fli moj Zonjë,/ Se për gjumin tënd rri në këmbë një Vlorë,/ Që është Romë e përmbi Romë,” përçon një merak të përjetshëm shqiptar, lidhjen e fortë me tokën e të parëve, e skalitur fort në gjithë traditën arbëreshe, që poeti Çipa e sjell përmes një raporti të shumëfishtë, të qetësimit të shpirtit të Ismail Qemalit mbi fatin e Atdheut e Kombit, kumtin e të cilit mund ta përcjellë veç Nermini, e meraku i Nermin Vlorës në amanetin e gjyshit, për të cilin s’e ka bërë gjumin e qetë, të nderimit që Vlora dhe shqiptarët kanë dhe do të kenë për veprën e pavdekshme të Ismail Qemalit. Prandaj poeti i këndon dëshirës për ta bërë gjumin e qetë në Vlorë Nermin Vlora, që është “Romë e përmbi Romë!”, se “Këtu në Vlorë, çlodhen dhe Perënditë…”.
Poezia kushtuar gruas më me peshë në krenarinë e kombit është një poezi e natyrës lirike, por e mbartur fort mbi elementë epikëhistorikë, përmes kronikave të Kaninës dhe Vlorës, veçmas të figurës historike të Ismail Qemalit nën dekorin e maleve dhe pasqyrën me dallgë e valë të detit.
Mbi Kaninë rritej zambaku
Të erdha sot, atje ku bën gjumin e rëndë,
Pashë se kjo tokë, Nermin, të ngriti në këmbë,
Dhe vërtet Nermin, mua m’u ndez gjaku,
Kur vërtet mbi Kaninë, rritej zambaku.
*
E ngrita Nermin, kokën përpjetë,
Pashë se deti është bërë fletë-fletë,
Pashë se ty Nermin, t’u hapën sytë,
Pashë se lule të sillnin Perënditë.
*
Ty, përsipër ballit të valëvitej Flamuri,
Dëgjova vërtet, se këndonte vetë guri,
Aty m’u kujtua dhe pashë Donikën,
Pashë Ismail Qemalin, që bisedonte me Çikën.
*
Unë me një qiri të ndezur në dorë,
Të thashë, fli gjumë, fli moj Zonjë,
Se për gjumin tënd rri në këmbë një Vlorë,
Që është Romë e përmbi Romë.
*
Bën Nermin, gjumin e Evgjenisë,
Brenda zjarrit dhe gjirit të Shqipërisë,
Këtu në Vlorë, çlodhen dhe Perënditë,
Ku kanë fronin, vërtet tërë Hyjnitë…
Vlorë, 28 nëntor 2005.
3.
Një profil tjetër i femrës shqiptare, ku mbartet fuqishëm kumti i lashtësisë me bukurinë e femrës është poezia “Hënë e bukur për të tërë”, ku siç dhe mund të kuptohet, bukuria e artistes Luiza Laska, e tejkalon kufirin, është gati hyjnore, për shkak të krahasimit dhe ngjashmërive që poeti gjen tek ajo. Është një bukuri për të tërë, një përgjithësim i konceptit shqiptar, pra një hënë shqiptarie.
Ndryshe dy profileve të mëparshme, në këtë rast Çipa e zbulon femrën shqiptare përmes rrugëtimit në profilin e saj, si një artiste, duke kënduar këngën qytetare korçare (“… Nisja këngës shqiptare,/Me melodinë tënde korçare.”; si një model i përkryer i dashurisë së shenjtëruar (“… Moj artistja, Zonjë Arbërore,/ Zonjë e Madhe, Zonjë Vlore.”.
Çipa ka një ndjesi hyjnore, një përçim të shenjtë të lidhjes që arti dhe artistja u bën kohëve në artin e skenës apo kinemasë, ndërsa ato shkëlqejnë në revokimin e kohëve, në fakt bëhen nyje të kohëve, strofa: “Ti kishe lindur për skenë,/ Për të luajtur Ervehenë,/ Nëpër dramat Shekspiriane,/ Ngjall të vdekurit e mbyll varre./ Ti gazmon të gjallët,/ Dhe na mban gjallë të parët.”, e ndërsa perms profilit të saj poeti kujton suljotët, genin e mrekullueshëm shqiptar, nuk harron ta shohë atë në kumtin dhe simbolin hyjnor të hënës, pasi hëna zakonisht është poezi dhe grua, ai shkruan: “… Moj Lizë, ty t’u ngjatë jeta,/ Paç jetë të gjatë si hëna,/ Sepse hënë vërtet ke qenë,/ Hënë e bukur, e pangrënë!”.
Në poezitë që marrin shkas nga profilet femërore të Lefter Çipës ka një mishërim unik të natyrës dhe të detajeve historike, që i bëjnë ato profile të qëndrueshme jo vetëm të natyrës lirike, të imazhit e bukurisë, por edhe të një epizmi historik.
Përmes një stili të thjeshtë, i cili ishte në natyrën e lëvrimit të poezisë, por edhe të thurjes së këngës polifonike, një zhanër mjaft komunikues përmes shfaqjes së tipareve dhe cilësive, Çipa përcjell gjendje shpirtërore të epërme dhe emocione të karakterit të ndjeshëm shqiptar, veçmas së traditës së Bregut, ku shquajnë temperamentet e dukshme burrërore dhe lirizmi i ngrohtë femëror.
Hënë e bukur për të tërë
Dil moj Luiza në dritore,
Dil moj dil, si një vitore,
Nis një këngë, këngë korçare,
Nëpër erë të hollë bore,
Nisja këngës shqiptare,
Me melodinë tënde korçare.
*
Mos e harro dashurinë,
Dashurinë e shenjtëruar,
Mbaje në zemër si dritë,
Moj Artistja e Nderuar.
Moj artistja, Zonjë Arbërore,
Zonjë e Madhe, Zonjë Vlore.
*
Ti kishe lindur për skenë,
Për të luajtur Ervehenë,
Nëpër dramat Shekspiriane,
Ngjall të vdekurit e mbyll varre.
Ti i gazmon të gjallët.
Dhe na mban gjallë të parët.
*
Liza më dukej suljote,
Po moj po, për Perëndi,
Se ti je sua prej molle
Me një shpirt vërtet magji.
Ti je magjia e jetës,
Po dhe mjalti, mjalti i bletës.
*
Ndaj në letër më shket pena,
Dhe shkruan mbi zemrën tënde,
Moj Lizë, ty t’u ngjatë jeta,
Paç jetë të gjatë sa hëna,
Sepse hënë, vërtet ke qenë,
Hënë e bukur, e pangrënë!
Vlorë, 28 nëntor 2005.