Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: AT GJERGJ FISHTA DHE POEZIA “I DBUEMI”

AT GJERGJ FISHTA O. F. M.

LIRIKA

”MRIZI I ZANAVET”

MELBOURNE 2025

I DBUEMI

Në ketë argument lirik të kënduem prej sa poetësh, Fishta ndritë me shumë veti karakteristike, qi e shquejnë: – paraqitje e gjallë tipike shqyptare, – kjartësi e thjeshtësi vargjesh të rrjedhshme, frymzue prej ndjesish njerzore qi nuk njohin flashktësi (ngathsi) sentimentalizmi as trillime konvencionale. Asht nji pasqyrë e vogël, ku mund të vërehet arti i tij shpirtnisht shqyptar e burrnor, dhe nji shkëndi, qi vezullon me dritë të vetën mbi shumë hartime tjera ma të mëdhaja.

Tek ky mergimtar i Fishtës gjejmë: Mallëngjim Shqyptari, nostalgji gjuhe amtare, votret e beset, nanët e motret; përmallim për mbarë botën e thjeshtë e fisnike qi e rrethon, ku asht burrnue: bjeshkë, halë, mriza, kumbonë, livadhe e djerre, e së mbramit përmallim i ndieshëm mikpritjet e armësh, me të cillat u vllaznue.

  1. Lamtumirë! – Vendet e mija,

Qé, po zhduken dalë-kadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka valë mbi valë.

Kah njai diell, qi asht tue flakue

Andej fill un tash do t’veta….

Lamtumirë! Atdhé i bekue!

Lamtumirë! Persa t’ jet jeta!

2. Neser nade kur mbi né

Rrezja e diellit ka me ra,

Kush e din sa ujë e dhé

Mue prej teje ka me m’ da!

E por n’ pvetsha rêt mizore,

E por n’ pvetsha zojt e detit;

Se per ty, moj tokë Arbnore,

S’ ka me m’ folë ma kush mue t’ shkretit…

3. Tjera fushë e tjera zalle

Kam me pa, e tjera dete:

Kam me ndie, po, tjera valle,

Tjera gjuhë, n’ tjera qytete;

Vendin t’em, por, s’ kam me e pa,

Ku kam lé e jam burrnue;

Syt e mi edhe kanë me kja,

Pa u gjetë kush, qi me i ngushllue.

4. Pa kend t’ emin, posë nji Zotit,

Tue shtektue per dhé të huej,

Kanë me m’shkue mue ditt e motit

Sha e perbuzun prej gjithkuej.

Kam me pasë shkretin per voter,

E per shtroje të ndezten ranë;

Kam me pasë ulkojen moter,

Kam me pasë, ehu! Tigren nanë…

                        _____________________________________________________________

1. Lamtumirë: Pershëndetja e fundit e të merguemit, apo të dbuemit i cilli përshkon nëpër mend viset dhe objektet tjera për rreth qi do t’i lanë përgjithmonë. – flakue: shndritë. – fill: drejt, pa u ndalë. – do të veta: do të shkoj, do të vete. – lkundet: lvitet, përkundet.

2. Rêt mizore: rêtë qi sjellin merzi, thellim vetmije. – zojt: zogjtë.

4. shtektue: udhtue. – ehu: nji rrokje e vetme, tue eleminue bashtinglloren h, si latinët.

5. Nana e mbetne per së gjallit

Ka me m’ kja, kushdi, ndo ‘i ditë

Dersa motra, dekun mallit,

Kot ndo ‘i herë mue ka me m’ pritë.

Ka me i njehë, po, krushqt, e mjera,

Me i prue nanës n’ shpi nji ré:

Por i vllaj, kushdi, m’atë hera

Ka me u kalbun per nen dhé!

6. E njai dhé – heu! Kob prej qiellet!

S’ ka me kenë, jo, dheu i t’ Parvet,

Ku ma bukur qiella kthiellet,

Ku ma ambel n’ gjuhë t’Shqyptarvet

Para Hyj’t naltohet luta,

E ku besa asht e shejtnueshme

E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,

E ku bjeshkët janë të madhnueshme.

7. Oh! Ju bjeshkët e Shqyptaris,

Ku ma mirë shndritë dielli e hana,

E ku logu a’ i bujaris

E ku rriten djelm si Zana!

Un ju kurr s’ kam me u harrue,

Kahdo t’ m’jet gjykue me u endë:

Dersa t’ muj me ligjirue,

Ju gjithmonë kam me u permendë!

8. E ato halë e qepariza

Kam me i pasë nder mend gjithmonë,

E ato stane e njato mriza:

E ato berre e ato kumbonë…

Por, oh vàj! Malet e mija,

Qé, po zhduken dalë-kadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka valë mbi valë,

9. Lamtumirë, pra, bjeshkë e male!

E ju krepa edhe ju curra;

E ju breshta e ju gjeth hale,

E ju prroje edhe ju gurra!

Lamtumirë, ju mrize e stana!

                        _____________________________________________________________

5. e mbetne: e motnueme, e mbarueme forcet. – mallit: mallëngjimit. – ka me i njehë: Motren ka me e mblue përmallimi, por njiherit edhe shpresa, prandej vehet me gjetë krushq për me blé nuse për vllanë… Dashnija e motrës për vlla asht e theksueme në poezi popullore.

Ndërsa, në Lahutë spikatë në mënyrë të posaçme motra e Avdis, e sidomos Tringa, tip i pavdekshëm dashnije vllaznore n’epopenë tonë. – nji ré: nji nuse.

6. kob prej qiellet: shplakë, ndeshkim i rrebtë. – tuta: friga, frika.

7. logu: vendi. Në gojën e malësorit ka forcë kjo fjalë, e nuk mund të zëvendsohet me tjera.

– si Zana: të paisun me veti mbinjerzore trimnije e pashije (dukje). – përmendë: me iu kujtue.

8. halë e qeparisa: pisha e selvija. –stane: kësolla për banim e gja të gjallë, kafshë etj.

9 .Lamtumirë: Mbasi i merguemi, premton se nuk ka me i harrue vendet e veta, i përmendë: -(me i zanë në gojë) krepa: shkrepa, shkambij. –curra: krepa të thepisun. – breshta: pyje bredhit. – gurra: burime – ene: edhe. – djerre: tokë e papunueme.

Lamtumirë, kumbona e berr’e!

Lamtumirë, ju fusha t’ gjana,

Ju livadhe, enè ju djerre.

10. Lamtumirë! Ti shpija e t’ Parvet,

    Ku ma s’ parit m’ agoi drita

    E ku strehë u dhaçë shtektarvet

    Miqt e babës edhe ku i prita.

    Lamtumirë, carani m’ voter!

    Lamtumirë, ju armët e shkreta!

    Lamtumirë, ti nanë e moter!

    Lamtumirë, persa t’ jet jeta….

    11. O shtegtar, m’ nji vorr të ri!

      N’ has’sh ndo ‘i herë ti, tue ndjekë shtekun,

      T’ çilun n’ ranë nper ndo ‘i shkreti,

      Aty vetë kam me kenë dekun.

      Nji kryq drunit, t’ kjosha true,

      Ziere e venma permbi krye,

      E, nemose, ti per mue

      Lutju Hyj’t per shka t’ kém fye.

                              ________________________________________________________________

      10. E ku strehë: Mikpritja asht nji zakon i shenjtë për Shqyptarin,  prandej i merguemi pershëndetët me shtëpinë e vet. – strehë perbujtje: jo vetëm me përmallim, por njiheri edhe ngushllim zemre, tue pasë çue në vend testamentin e trashiguem nga të Parët “shtëpia asht e Zotit dhe e mikut”. – carani n’voter: guri i votrës, ku mbështetën drujtë me marrë zjarm. Shqyptari votrën e ka nji vend të shenjtë, aty shtjellohet shkolla e mirërritjes; aty kryesisht prej prindve e të moshumve, mësohen doket (zakonet), trimnitë e virtytet burrnore të fisit të vet. Aty merret edukata e besës dhe e sakrificës për Atdhé e Fé. – armët e shkreta: armët qi do të mbesin shkret, se nuk do të kenë njeri kush me i mbajtë. 

      11. N’ hassh: në kjoftë se ndeshë, në kjoftë se takohesh. – ndjekë shtekun: tue ndjekë rrugën udhën, tue udhtue. –t’kjosha true: po të perbehëm, po të kerkoj, po të vé detyrë. –ziere: me nxjerrë, nga landët e pyellit merr dhe më ndonji daltim të vogël më ven nji Kryq druni té koka. – venma: m’a ven, mënyra urdhnore, mos kalo pa më vue Kryqin! – nemose: nëse nuk e ban ti këte…

      Shenim nga F. Radovani: Asht nder poezitë ma aktuale të At Fishtës. Besoj, ju kujton shumë momente të sotme të Shqipnisë! Komentet janë t’ At Viktor VOLAJ O.F.M. (1941).

      Melbourne, 18 Janar 2025.

      Please follow and like us: