Albspirit

Media/News/Publishing

Shënime për librin “Arkipelagu Gulag” të Aleksandër Sollxhenjicinit

Veledin Durmishi

Unë që gjithë jetën kam qënë i prirur tmerrësisht ndaj lëçitjes së librit, vjen një libër që nuk u bëra pishman që e lexova, por që nuk do t’ja jepja kujt ta lëçiste. Një libër tronditës nga faqja e parë deri në faqen 428. Një libër që dëshmon se ploja njerëzore qënka pa fund. Se urrejtja, dhuna që të jep pushteti, edhe pse nën një okelio komuniste, të trondisin aq thellë në koshiencën tënde, sa një çast sheh qiellin sikur kërkon qetësi diku hapësirave të tij. Sikur edhe unë kërkoj pak qetësi që do të më mundësojë t’i kërkoj falje Zotit. E kërkoj edhe unë këtë pendesë, por në emër të kujt më duhet ta bëj!? Thua të kem edhe unë faj?! Stalini erdhi në pushtet nga revolucioni i vitit 1917 dhe deri në fund të jetës ka dëshmuar se ishte një politikan tmerrësisht mizor, një politikan paranojak që gjatë gjithë qeverisjes së tija snjë çast nuki shte jashtë idesë së tijqë njerëzit mund t’i nënshtrosh vetëm kur u ke rrëmbyer çdo liri e çdo të drejtë, kur pushteti absolut të bën mizor në çdo qelizë,  kur ai eksperimentoi në një popull vital dhunën policore. Me pushtetin në dorë si me një rrufe të totalitarizmit, me pushtetin bolshevik të cilën ai e kishte si një armë e që nuk do të lejonte t’ja merrte askush, gjunjëzoi çdo vullnet të lirë. Pushtetmbajtësi ndërton mjetet e duhura për ta përjetësuar atë. Natyra autoritare, me një energji vitale, perfid, pa asnjë skrupull, ai e shndërroi pushtetin e vet në një diktaturë, ndoshta më të egrat në historinë e botës së shekullit XX.

Shekulli  XX, kur liria po konsiderohej si një e drejtë hyjnore dhe e patjetërsueshme, si një pasuri e njeriut të lirë, pushteti komunist, si nën pushtetin e instikteve ardhur nga errësira mesjetare, instaloi në Bashkimin Sovjetik një pushtet kriminal, një dimër të ashpër diktature. Një realitet diktatorial krejt i mbyllur

“Arkipelagu Gulak” dhe autori, një i burgosur politik, (8 vjet burg dhe 3 vjet internim) një shkrimtar rus që në vitin 197o mori çmimin “Nobel”, Aleksandër Sollxhenjicini (1918-2008). Një libër që të shqetëson thellë qënies, që çdo faqe është një dhimbje, një histori më vete. Sipas gazetës “Le Monde” të Parisit, në vitin 1999, vepra u përfshi në regjistrin e 100 librave më të mirë të shekullit.

“Arkipelagu Gulag” (Drejtoria kryesore e kampeve) paraqet fatet e tmerrshme të burgosurve politikë në BRSS, nga viti 1918 deri në vitin 1956. 50 milionë njerëz provuan kohë të gjatë në ferrin e këtij arkipelaku. Eshtë një libër-kronikë, një libër mes një romani e një vepre historike, ku përmes rrëfimit të 275 personave, sjell gjithë panoramën rrënqethëse të një diktature ndaj njerëzve të vet që ajo i nënshtronte për të përjetësuar pushtetin e vet.

Sollzhenjicin shkruan: “Asnjë s’ka qarë. Urrejtja i thanë lotët… Në burg duhet hyrë pa u dridhur për jetën e ngrohtë të braktisur. Në çastin kur e kalon pragun, duhet t’i thuash vetes: Jeta ime ka marrë fund, pak më herët seç duhej,  por s’kemi ç’të bëjmë. Në liri s’kam për t’u kthyer kurrë. Jam i dënuar të shkatërrohem, tani apo pak më vonë, që është ende më keq; sa më parë – aq më mirë. Tanimë s’më ka mbetur gjë”. 

Gjithë historia e  kësaj perandorie komuniste na vjen në këtë libër duke sjellë aty problemet politike, ekonomike, luftën e klasave, luftën e Dytë Botërore, ndalimin me dhunë të fesë, detyrimi me dhunë i ngritjes së kolkozeve (si kooperativat tona), shkatërrimi i idealeve te njeriu, gjenerimi moral, lufta e egër për pushtet, kulti i individit e kështu ky libër është dëshmia më e plotë se pushteti komunist sovjetik ishte zhveshur nga çdo parim demokratik e human e pushteti ngazëllehej vetëm kur njerëzit e vet klithnin nën pushtetin e dhunës e të vdekjes. 35 metoda ndëshkimi përdoreshin në këto kampe për t’i nënshtruar, gjunjëzuar njerëzit duke  u kërkuar që ata të shkojnë vetë drejt vekjes. Aty mbillej vetëm vdekja e nga dyert e atij ferri njeriu deformohej, tjetërsohej. Pagjumësia, uria, etja, efekti i ndriçimit të fortë, qëndrimi në gjunjë ose në këmbë për orë të tëra, presioni psikologjik, cigarja e fikur në trup, ambjenti me çimka e morra, qëndrimi jashtë në të ftoftë -50 gradë, një makinë për shtypjen e thonjve, nata ishte një institucion që kishte ingranazhet e veta në dhëmbët e së cilës bluheshin fate njerëzish etj.metoda këto që vetëm në mugun e mesjetës janë aplikuar. Mijëra personazhë lëvizin aty, të gjitha moshat, gjinitë, statuset, madje edhe fëmijë kanë provuar thonjtë e egërt të sigurimit komunist që nga koha në kohë rrëzuan mitin entusiast se komunizmi është një e majtë evropiane demokratike. Ja një skenë:

Zhvillohej një mbledhje në një provincë të Moskës dhe i deleguari nga qendra mbajti një fjalim dhe kur zuri emrin e Stalinit, salla shpërtheu në duartrokitje, ovacione, brohorrima, thirrje. Gjendja e gjitha në këmbë. Dy minuta, tre, pesë, tetë… kush do të merrte guximin i pari që të ndërpriste duartrokitjet?! Për një veprim të tillë dikush ishte te Gulagu tetë vjet. Njerëzit u lodhën, shihnin njeri- tjetrin. Më adhuruesit e Stalinit, tashmë të moshuar, ranë në tokë nga dhimbjet që ndienin në duart dhe shpatullat. Kaluan nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë minuta. Guxoi dikush dhe u ul. Si me komandë salla pushoi, por “guximtari” drejtor i një fabrike të qytetit, provoi Gulagun dhjetë vjet. Ja ku shpie çmenduria e pushtetmbajtësve, çmenduri që të merr edhe shpirtin! Dyert e burgjeve rrinin hapur gjithnjë. Të tjerë, të tjerë do të vinin aty dhe mundësia e arratisjes aty ishte si të shkoje vetë drejt vdekjes. Gjirizet e ujërave të zeza ishin gjithnjë me kufoma. Shpirtra njerëzorë që lëngonin të tradhtuar. Ato kanë historinë e tyre; sa fate tragjike kanë humbur poshtë tyre, fate njerëzore nga ata që kundërshtonin sistemin komunist apo edhe kishin guxuar të mbanin në kokë një ide që “babai i madh i njerëzimit” nuk do ta pëlqente.

Aty askush nuk dëgjonte klithmat që njerëzit shpërthenin nën agoninë e vdekjes. Shoqëria duhej pastruar nga këta armiq dhe në ata ishuj të ngrirë ishte ngritur një sistem burgjesh ku pushteti paranojak komunist, aq gjakftohtë, derdhte gjithë urrejtjen e vet patollogjike ndaj popullit të vet.

Syve dhe veshëve të pushtetit komunist nuk duhet t’u shpëtojë asgjë, madje nën kontroll edhe mendimet që njeriu mund të ketë në qelizat e fshehta te trurit. “Nuk duhet të ketë liri, sepse njeriu gjithnjë do të abuzojë me të”. “Liria e mendimit është një doktrinë djallëzore”- ja me këto parime ndërtoi dhunën e vet pushteti i sovjetëve. Mijëra dëshmi, mijëra fate njerëzish që u gjynjëzuan nga torturat çnjerëzore, miliona të shkatërruar e të vdekur janë një akuzë e fortë kundër sistemit sovjetik që më vonë bashkë me të u rrënuan edhe apologjetët komunistë të fundit. Ndërsa në Evropën perëndimore liritë e njeriut po muroseshin në themelet e saj, në B.S. po cënoheshin thellë, po vritej fjala e lirë, diktati, censura, imponimi po injektoheshin me dhunë të pashëmbullt edhe pse shekulli XX po kalonte gjysmën e tij. Politika e lartë sovjetike, e dehur nga instikte pushteti, për 40 vjet e mposhti, e vrau, e mbyti mendimin e lirë.

Pushteti i ktheu në përbindsha bolshevikët e Moskës e nga viti në vit u bënë të padurueshëm me mizoritë e tyre. Intelektualët, fjala e lirë duhet të jenë të pagojë, miliona rusëe dhe nga kombësitë e tjera provuan atë kalvar me Gulagun e Siberisë, ku ushqimi bazë ishte supa me bollgur, madje edhe me graso e kanë lyer bukën si me gjalpë, edhe mish kali të ngordhur kanë provuar, ata njohën dhunën çnjerëzore, poshtërimin, degradimin moral pa menduar për asnjë çast se dikush, dikur do të provojë edhe një herë dehjen nga era e lirisë. Këta vampirë që gjithnjë mbi tavolinë mbanin një pistoletë, kënaqeshin duke vrojtuar efektin e torturave të tyre te të torturuarit, pa menduar asnjë çast se pak nga pak, me sot e me nesër, po shkonin edhe vetë drejt fundit të pashmangshëm si çdo diktaturë. Asnjë forcë regresive, nuk mund të fitojë përjetësisht ndaj shpirtit të lirë njerëzor. Edhe në mesjetën e mugët, ai ka triumfuar përmes plagëve, mjerimit e jo më tani në mesin e shekullit XX.

Dridhej lira nga çmenduria e kohës e përgjegjës për atë kalvar të gjatë vuajtjesh, për ato miliona kufoma ishin komunistët bolshevikë. E çmenduritë e kësaj epoke, jo në një libër, por në dhjetra dokumentarë, filma artistikë, memoriastikë nuk mund ta sjellin dot të plotë plojën komuniste, tmerret shpirtërore; sa fate njerëzish janë varrosur në ishujt e Arqipelakut Siberian sa tragjeditë e Eskilit do të ndihen të varfra në shfaqjet e tyre. Vjen një kohë dhe marrëzitë dhe krimet e diktatorit sovjetik nuk fshiheshin dot. Deri në mbarim të shekullit XX, kur gjithçka kishte mbaruar, komunizmi që prej 70 vjetësh, shkatërroi gjithçka të shoqërisë, tani nuk kishte më kohë. Koha e saj po mbaronte. Kjo perandori e madhe do të shpëtonte nga një mallkim i gjatë sa një jetë.

45 vjet dhe ndërgjegjia e Evropës Perëndimore, te dera e BS nuk u zgjua. Amerika dhe Anglia, që kur Lufta e Dytë Botërore kishte filluar, ishin në udhëkryq se në cilën llogore do të vendoseshin ata, kur Stalini kishte 25 vjet në pushtet dhe diktatura e tij kishte qënë e pashembullt, por, edhe tjetri, ai  mustaqeholli, Hitleri, kishte marrë urën e zjarrit në dorë e po digjte tërë Evropën. Dhe kjo aleancë priti kahun e peshores së luftës që pas Stalingradit anoi nga Stalini dhe u futën në luftë.

ARMËT KUNDËR BASHKIMIT SOVJETIK

Opozita ruse, që ishte farkëtuar në arkipelagun Gulag e që në rradhët e saj kishte plot 700 000 forca nga mosha 20-30 vjeç e që në krye të tyre ishte një general me emrin Vllasova, ngritën armët kundër atdheut të vet duke kërkuar të bëjnë aleancë me pushtuesin gjerman. Ky kontigjent kishin qënë jashtë ndikimit Stalinist e që kërkonin të përfitonin nga kjo luftë për të hequr qafe skllavërinë komuniste. E pa dëgjuar kund, armë kundër atdheut! Të lodhur, të vrarë nga pushteti bolshevik, ata mijëra rusë, por edhe të kombësive të tjera të kësaj perandorie të madhe, ishin gati të bënin pakt edhe me djallin vetëm të largonin nga atdheu i tyre një kastë politike aq vrastare që për 25 vjet rresht masakroi një popull të tërë,  Perëndimi nuk e kishte kuptuar dot se bolshevizmi ishte një armik i demokracisë, një rrezik për gjithë njerëzimin, po ashtu edhe Hitleri nuk arriti ta vlerësonte dot këtë opozitë e cila ishte gati të vinte në llogoret e tij kundër Stalinit, por vetë Hitleri që nuk mundi ta njihte mirë atë situatë nga e cila edhe mund të përfitonte, dhe nga ana tjetër, ai kishte frikë nga ndonjë puç Stalinist që po kërkonte të vendoste pas shpinës së tij një “kolonë të pestë” e cila mund ta godiste atë. Nga ana tjetër Perëndimi kërkoi të mbronte liritë e veta demokratike, ndërsa një shtet stërmadh si Bashkimi Sovjetik e lënë nën thundrën e një pushtet iabsolut kriminel. Se vërtet britanikët dhe amerikanë tmbështetetën bolshevikët komunistë të Moskës kundër Hitlerit, ata nuk menduan asnjë çast edhe për shpëtimin e kësaj perandorie nga kthetrat e sistemit komunist. Këto forca antistalin diku u mbështetën nga Hitleri, dhjetra trupa u veshën me simbolet e tyre, nga ana tjetër edhe anglezët që u premtuan një mbështetje se nuk do t’i dorëzonin te rusët, dolën të pabesë. Mijëra trupa të gjeneralit Vllasova u tradhtuan dhe në 1945 ata u kthyen sërish në arqipelagun e tyre Gulag. Tradhtinë më të madhe e bënë anglezët të cilët me mjetet e  tyre i kthyen përsëri ushtarakët rebelë te kasapi i madh me emrin Stalin. Edhe kur lufta kishte mbaruar, aleatët i kthyen rusët rebelë kudo që i gjenin, madje edhe nga Amerika. Edhe vetë autori i këtij libri, kishte rënë në këtë çark në Prusinë Lindore dhe ditë më pas e kthye në burgun e Gulagut.

Kishte qënë e mjaftueshme gjithë ajo kohë që në shpirtin e njerëzve të ishte grumbulluar aq urrejtje ndaj bolshevizmit edhe te republikat e tjera që revolucioni i vitit 1917 futi nën pushtetin e vet e që tani kishin vetëm një ëndërr: të armatoseshin dhe të vrisnin udhëheqësit e vet që ua kishin nxirë jetën. Edhe fshatarët ishin në të njëjtën llogore. Ato ishin gati të rroknin armët për të shpëtuar nga kolkozet. Elita intelektuale shfaqte çudinë e madhe se si ka mundësi që njerëzimi, inteligjienca e botës nuk po e mësonin dot se regjim më gjakatar, më mizor që kishte parë historia, ishte komunizmi bolshevik. Gjermanët deklaronin se gjatë pushtimit të tyre në Rusi kishin gjetur edhe familje që ushqeheshin vetëm me bukë e kripë. Dhe e gjithë bota e kësaj federate shpresoi te një program i ri politikqë do të mund t’i çlironte ata nga bolshevizmi. Shumë prej tyre më mirë pranuan të zvarriteshinn pas ushtrisë gjermane, kur ajo po tërhiqej nga territoret e pushtuara ruse, se sa të mbeteshin bremda asaj tiranie gjakatare. Si skllevër pa asnjë shpresë për të jetuar të lirë. Ideali i lirisë tani kishte vdekur. Stalini ishte gjallë deri në vitin 1953. Përbindshi i tmerreve të mëdha, “princi i ferrit komunist” që një këmbë e kishte me gjashtë gishta e që kur e ëma plakë e takoi i tha: “Mëkat që nuk të bëra prift, more bir”!

Një libër rrënqethës që të jep dhimbje të gjatë, nëse e mban nëpër duar. A duhet kujtuar ajo kohë që mbajti miliona njerëz poshtë thundrës së vet tiranike, apo duhet lënë vetëm në libra!? Ajo dhemb sa herë që e prek si një plagë. Rusët thonë: “Jo, mos, mos e ngacmo të kaluarën! Po të jetosh me të, do të humbasësh një sy”. Një tjetër proverb thotë: “Po ta harrosh, do t’i humbasësh të dy sytë”.

Please follow and like us: