Prend Buzhala: Një interpretim me pak fjalë për poezinë “Gurët”, Sadik Bejko 1972
Gërmimi poetik i gurëve, ngjall jo vetëm evokime; gurët janë simbolikë gjeopoetike, janë metaforë e historisë, e ekzistencës, gurët poeti i shfletohen si libër i gjallë kujtese. Aty është qëndresa e fortë si gur, aty janë rrënjëzimet e qenies dhe kujtimet e forta për të.
1.
Një autor i sotëm librash spiritualë, thotë: “Ne kemi harruar atë që gurët dhe bimët dinë akoma – ne kemi harruar se si të jemi – të ekzistojmë akoma – të jemi vetvetja – të jemi aty ku jeta është këtu dhe tani”. Meqë kryeleksema gurët shënjon qëndresën, dhe rrënjëzimin, poeti bashkëbisedon me gjuhën e fshehtë të tyre, e, në fatkt, është një bashkëbisedim për jetën, për vendin, për njerëzit, për hallet e tragjeditë. E po, kur poeti nuk harron, kjo do të thotë se ai mban mend më shumë se të tjerët, i monumentalizon nëpër vargje ato mbresa madhështore kujtese:
Gurët, plumbat, sëpatat … u ngulën
Në mishin e saj.
Ajo, e verbër ndaj tyre,
siç fyelli verbohet para se të nisë kënga,
si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna,
si gurët verbuar ngulen vetëm në tokë
ajo gruaja, grate u lidhën me burrin…
Aty lexojmë një verbim të bukur, bukurinë homerike të verbimit (“siç fyelli verbohet para se të nisë kënga”), verbimin si dashuri të pakufishme ndaj ekzistencës dhe vendlindjes për ta mbajtur jetën trashëgimore gjallë (“si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna”, aty është ai i rrënjëzimit, si një fidan që lëshon rrënjë, të tillë janë edhe gurët. Poeti përzgjedh edhe kontrastime ekspresive (mishi i butë i tokës/rrënjët në gur). Mbytja e halleve nuk bëhej duke gjetur zgjidhje në alkool a cigare… Pothujase, secila fjalë merr vlerë metaforike, figurative, vlerë shumëkuptimore poetike.
Duke u dhënë poetikisht pas kësaj figure, pothuajse ky përfigurim transfigurohet, shndërrohet në portretizim të njerëzve (“Guri mori/ natën, dimrin, vetminë e ngriu në përqafim, /në fytyrën e njerëzve “); tutje kjo figurë antropomorfizohet, njerëzit çrrënjëzohen, desocializohet, mërgojnë (“Gurët si kuajt netëve nga vatha, u ikin maleve,/ua zbrazin hambaret,/marrin detet”.)
2.
Artistët ndryshe nga mjeshtri që e gdhend a e përdor për ndërtim (a e vë në hidrocentral), gurët do t’i konsiderojnë si qenie të gjalla, mu ashtu siç shprehet Andy Goldsworth, skulptor e ambientalist anglez: “Ka jetë në një gur. Çdo gur që ulet në një fushë ose shtrihet në një plazh merr kujtesën e atij vendi. Ju mund të ndjeni se gurët kanë dëshmuar kaq shumë gjëra.”
Edhe poeti ynë, Sadik Bejto, te kjo poezi u dha jetë e shpirt gurëve, i diamantizon, sepse ata lëvizin e rrënjëzohen si njerëzit, siç shenjtërohen e shenjëzohen vlerat e jetës e të ekzistencës, ata kanë ligjërimin e tyre të heshtur, komunikojnë vlerat e një kohe, vlerat e kujtimeve, pasi gjithçka tokësore është aq e lidhur me jetën njerëzore. Poeti i beson kësaj bukurie, këtij ligjërimi, dmth i beson tokës dhe njerëzve.
Sadik Bejko: Gurët
Plot me gurë është vendi im,
majëmalet me pak borë,
ullinjtë e hershëm në breg të detit,
në mishin e njomë
thellë-thellë toka mban gurët.
*
Atje në fëmininë time gratë rrobezeza ruanin
Nën shami kujtimet e atyre që mori lufta,
rritnin jetimë
që nesër një luftë mund t’i donte prapë.
Nuk ka pirë cigare e alkool hidhërimi në tokën time,
hapte guva në gurët e ftohtë hidhërimi,
mprehej në shkrepat me thepa kthyer erës.
*
Vendi im në mishin e butë të tokës,
në rrënjë i mban gurët.
Gratë kurrë nuk pinin cigare e alkool.
Gurët, plumbat, sëpatat… u ngulën
Në mishin e saj.
Ao, e verbër ndaj tyre,
siç fyelli verbohet para se të nisë kënga,
si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna,
si gurët verbuar ngulen vetëm në tokë
ajo gruaja, gratë u lidhën me burrin…
Burrat që kur plakeshin merrnin fytyrën e gurëzuar të rrafshnatës
me bimësinë e rrallë rrudhosur
nga erërat që fryjnë nga deti.
*
Guri mori
natën, dimrin, vetminë e ngriu në përqafim,
në fytyrën e njerëzve të mi,
peshë që i rëndoi deri në gjak,
deri në mish tokës sime të bukur…
*
Gurët si kuajt netëve nga vatha, u ikin maleve,
ua zbrazin hambaret,
marrin detet,
kyçin rrezen e diellit, krahun e pëllumbit,
një vetull qielli midis dy shpateve…
në varreza i rekrutojnë sot guroret,
në diga hidrocentrali,
nën tabane
autostradave.