Irena Dono: Mbi romanin “Fshesarja e republikës” të Anisa Markarian
Këtë herë, mjekja urgjentiste Anisa Markarian, që i përvidhet gjumit të natës për të shkruar, sepse ditën i duhet t’i përkushtohet profesionit të vështirë, troket te lexuesi me librin e saj të pestë, “Fshesarja e Republikës”, një roman i llojit të realizmit magjik.
Do të mundohem ta analizoj romanin në dritën e karakteristikave kryesore që përvijojnë një libër të këtij zhanri. Një shkrimtar jo me domosdo u përmbahet në mënyrë strikte këtyre rregullave, por ecën në ato shina paralel me ata shkrimtarë që ngulën gurin themeltar në këtë lloj letërsie.
Ngjarjet në roman rrëfejnë hap pas hapi jetën e banorëve të Bregalumit, një kategori sociale që ka qenë sa e njohur, aq edhe e panjohur për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Edhe sot, ne dimë fare pak për jetën e romëve dhe të egjiptianëve (të ruaj etikën dhe të mos i quaj arixhinj e jevgj) dhe ndodhemi përpara një zbulimi. Prandaj edhe romani i Anisës ngjall fund e krye kureshtjen për të mësuar për copëza jete që ndryshojnë nga jeta e qytetarëve të zakonshëm, ku normat e jetesës janë detyrime dhe parime që duhen zbatuar. Ne shohim një shkrirje mes fantastikes dhe reales, të sendërtuar në një peizazh narrativ ku elementet magjike paraqiten në mënyrë rastësore brenda një mjedisi realist. Ky kalim i qetë e bën lexuesin të rivlerësojë pikëpamjet e tij të paramenduara për realitetin. Dhe ky peizazh është larg të përshkruarit të ngjarjeve dhe personazheve në mënyrë natyraliste, çka do t’ia ulte vlerën narrativës në përgjithësi, kurth të cilin autorja e shmang me kujdes.
Realizmi magjik shpeshherë vepron në mjedise të njohura, ku personazhet jetojnë përditshmërinë e tyre si zakonisht. Edhe në romanin “Fshesarja e Republikës” personazhet përjetojnë gjëra të zakonshme, por njëkohësisht edhe të mahnitshme e të çuditshme pa shfaqur tronditje ekstreme, çka nxjerr në pah bashkëjetesën e drejtpeshuar mes magjikes dhe të përditshmes. Në këtë roman, ajo që shpesh i thuhet lexuesit drejtpërdrejt e pa doreza, sidomos nëpërmjet bisedave mes personazheve, është ajo çka ndodh në jetën e romëve e të egjiptianëve e cila artikulohet si diçka e lehtë, e volitshme dhe e natyrshme. Aty s’ka vend për banalitet, thjesht sepse kjo ndërthurje ka një qasje të këtillë përpjesëtimore mes reales dhe magjikes si elemente përbërëse të qenësishme, saqë i bën këta personazhe krejt të vërtetë, jetësorë dhe të pangatërrueshëm.
Siç ndodh rëndom në vepra të tilla, kufijtë mes reales dhe magjikes janë mjegulluar qëllimisht. Kjo e ndihmon lexuesin ta ndjekë rrëfimin në një nivel soditës dhe përfytyrues çka vihet re, mes të tjerash, edhe në përshkrimin e mjedisit ku zhvillohen ngjarjet. “I zhytur në mjegullën e dendur, i ndriçuar nga reflektimi hënor mbi sipërfaqen e ujit dhe fenerët e mekët të udhëkryqeve, Bregalumi i përngjante një qyteze përrallash. Banesat prej qerpiçi, me suva të rrënuar e çati me fletë llamarine të ndryshkura, mund t’i shkëmbeje lehtas për shtëpiza kukullash. E, nëse u përditësoje historitë që rrëfenin, mirazhi mjegullor bëhej realitet…”.
Të bën përshtypje shumësia e personazheve dhe e karaktereve që përshkruhen gjallërisht në kapitujt e shkurtër të romanit dhe që, nganjëherë, ngjajnë si sekuenca kinematografike. Kjo është një tjetër veçori e stilit të autores, që ka qenë dikur pjesë e botës së filmit dhe e njeh mirë atë. Madje fjala “kapituj”mund të mos i përshtatet plotësisht organizimit të brendshmëm të romanit, aq lehtë dhe me zhdërvjelltësi kalohet nga një ngjarje në tjetrën për t’i lejuar personazhit të radhës, të mirëmenduar nga autorja, të ndodhet në vendin dhe çastin e duhur apo t’u humbasë sysh për do kohë të afërmve të tij e rrjedhimisht edhe lexuesit.
Romani fillon me Vezulloren, vajzën magjepsëse me karakter të fortë, që ëndërron titullin e madh “Fshesare e Republikës”. “Një flamengo vegimore”, e quante mësuesi i kimisë organike; “Ka sensualitetin e një mulateje”, shprehej mësuesi i fizkulturës. Vezullorja nuk është nxënëse shembullore. Përkundrazi, një ngelëse veterane, byk në mësim e byk në stërvitje ushtarake. “Ditën që kishte prekur për herë të parë një armë zjarri, gjithkujt i ishte bërë e qartë se Vezullore Begës nuk mund t’i besohej mbrojtja e kufijve të shenjtë të atdheut”, saktëson autorja. Pasioni i gjimnazistes është pastërtia: “Për pastrim të thante Vezullorja! E kryente me përgjegjësi e përkushtim, si të ishte kryeinspektore e Shërbimeve Higjienike të Republikës.” Për të ndjekur ëndrrën e saj, Vezullorja braktis shkollën e fillon punë si fshesare nate, por shumë shpejt do t’i duhet të përballet me ngacmimet seksuale mashkullore. Finalja e romanit është diçka spektakolare, e përshkruar aq mjeshtërisht nga autorja, që e thur intrigën ca nga ca duke e ruajtur suspansin deri në faqet e fundit.
Një tjetër personazh interesant është Ola B., që ëndërron të bëhet aktore filmi. Personazhe të tjera me emra të çuditshëm si Festimja, Nailja, Ditila, Zjarrmori (shkurt Morri), Naltori, Imrani, Zelltari, Zodiaku, Pikëpyetja, Zbukurimi, Zotimi, Fejzani etj. hyjnë e dalin në roman sipas peshës dhe vendit që u ka dhënë autorja në ecurinë e fabulës. Ja se si përshkruhet Zyhra Qyrashi, drejtoresha e Dikasterit të Hapësirave të Betonuara ku paraqitet Vezullorja për të kërkuar punë: “Ishte një femër autoritare dhe, në shikim të parë, elegante. Mëkatet në veshje e në makijazh dilnin në pah kur të ftonte t’i uleshe pranë. Kishte huqin të bënte bashkë, shtresa-shtresa, stile, ngjyra dhe vizatime të papërputhshme mes tyre. I ngjante një portmantoje familjare ku varen njëra mbi tjetrën rrobat e të gjithë anëtarëve të saj. Makijazhin teatral e bënte allakleopatra. Qepallat të lyera me blu me xixa gjer në kockën e tëmthave, sytë të shkruar me laps të zi, që zgjateshin si bisht dallëndysheje,dhe vetullat të trashura me karbon”.
Ka diçka groteske në këtë thurimë personazhesh. Jeta e tyre është një endje nëpër kazanët e plehrave për të siguruar ushqimin, një mpleksje e vazhdueshme e meshkujve me femra të tjera që sjellin në jetë fëmijëjashtë martese, e kështu me radhë. Shumica nuk kanë ambicie të ndryshojnë ekzistencën; enden në një jetë moçalore dhe po ashtu vdesin. Mentaliteti dhe bota e tyre në përgjithësi janë të rrënjosura thellë në traditat e së kaluarës dhe sistemet e besimit, në bestytnitë etj. Ndonëse romët dhe egjiptianët duket sikur jetojnë në një ishull më vete, autorja nuk i veçon nga konteksti i përgjithshëm i jetës së shqiptarëve në prag të viteve ’90. Në roman përshkruhen ngushtica ekonomike dhe racionimi ushqimor, radhët e zëna që menatë për mallrat e konsumit të përditshëm etj.
Dhe ja ku vijnë ndryshimet në sistem dhe bregalumasit rebelohen; duan të bëhen pjesë vendimmarrëse në shtetin e ri të krijuar në fillim të 90-tës e që kërcënohet nga korruptimi. “Boris Gazepin e gjetën të kredhur në një tymnajë rrëshinore. Rreth e rrotull tij, gjysmë të shtrirë në minderet me postiqe flokëgjata, sytë të perënduar e gjymtyrët të çartikuluara, qëndronin anëtarët e byrosë politike të kryengritjes gabele: Ismet Beqari, Myrto Galliu, zbutësi i Arushës Zana dhe vëllezërit e Borisit. Thithnin avuj hashashi nga një nargjile me shtatë gypa e kafshonin banane kakabubu. Nën ritmin e lojërave erotike te rimorkioja bashkëngjitur, fundi i autobusit tundej e shkundej si ta kishin hipur mbi susta trampoline”, thotë autorja teksa i afrohemi fundit të romanit.
Dhe si në çdo libër tjetër të Anisës të bën përshtypje stili i mëvetësishëm, fuqia shprehëse e fjalës së qëmtuar me kujdes si në pjesën narrative ashtu edhe në gjuhën e personazheve. Ka një koherencë të plotë në gjuhën e përdorur në dialogjet mes tyre, ka një njohje shumë të mirë të gjuhës shqipe në përgjithësi dhe të përdorimit të saktë të saj, gjë që nuk e vërejmë te shumë shkrimtarë të sotëm.
Humori dhe satira janë një armë e veçantë e përdorur me shumë efikasitet nga autorja në të gjithë librat e saj. Humori i hollë, që tregon mprehtësinë e shkrimtares, shfaqet edhe në këtë vepër në përshkrimin e situatave jetësore dhe vizatimin e karaktereve letrare.
Pas gjithë këtyre që shkrova, s’më mbetet veçse t’i dërgoj urimet më të mira shkrimtares sqimatare Anisa Markarian dhe t’i premtoj se do t’ia lexoj edhe librin e ri me tregime “Më përfytyrohesh”, që ajo e paraqiti gjithashtu në panairin e fundit të librit.