Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtim Dashi: Romani “I arratisuri”, humanitet i rrallë e rrjedhshmëri stilitikore

I dashur Taip,

Më në fund u arratisa (e dyta herë) për tek ti, tek “I arratisuri”, yt.

Ma s’parit të uroj për suksesin e merituar të romanit dhe, në të njëjtën kohë, ndjej keqardhje që deri më sot, kujtoj se kisha lexuar pako gjë nga ti, qoftë në prozë apo në poezi, sidomos tani që je në Kanada, në “pritje” të “gllabërimit” të saj prej Trump(u)tinit.

Preferova dhe zgjodha bashkëbisedimin online, me besimin e lajmësit të entuziamuar, se në këtë mënyrë, veç vetjakësisë, mund të rritet njëfarësoj audienca e atyre që ende pyesin “Ç’po lexon?”, për të rekomanduar leximin e romanit tënd vërtet interesant “I arratisuri”, pasi atdheu, qarqet letrare dhe institucionet relevante vazhdojnë padrejtësinë, duke iu parë si “jabanxhi” në letrat shqipe, si Petraq Riston, Roland Gjozën, Arben Kallamatën, Vait Hyzotin etj, pa apeluar këtu ata “autorë” që, pasi kanë kapërcyer Atlantikun, janë konvertuar (të bie ndërmend Haveli?) në antikomunistë të thekur e pastaj për të “përplotësuar” (siç) vetveten janë pahitur me një çikë letërsi (fatmirësisht arteve të tjera nuk u janë qasur!) dhe që numërojnë “veprat” si simitet një, dy, edhe njëzet, që kanë akses të hatashëm mediatik atje, por dhe kur rastisin e kthehen në atdhe me valixhet plot me librat e tyre e ndonjë “të gjelbërt” darovitëse me iu shtue diçka rrogave?!

Edhe për një arsye tjetër bëra këtë zgjedhje. Viteve e kohëve të fundit kam lexuar me etje të pashuar dhe i mrekulluar librat me letërkëmbimin e Lasgushit me Mitrushin, të Sterjo Spasses me kolegë, miq e shokë (madje, i biri, Ilindeni, mik i imi, shkrimtar, në vazhdën e frymën e të atit, më niste kohë më parë një letër miqësore e, për mua model, të këtij lloji, të cilën e bëra publike këtu në facebook për dashamirësinë dhe kompetencën vlerësuese e analizuese për librin tim me tregime e novela “Ejani, mblidhuni pseudonimet e mia”, EMAL, Tiranë, 2019, që, për kuriozitet, e ka pritur ftohtë ndonjë autor i karuselit tonë politiko-mediatik e letrar, pasi ka kujtuar se në novelën homonime, do të gjente pseudonimin e tij apo të ndonjë kolegu të vet në kohën e dikaturës si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, – si në romanin tënd, kur ministri i Brendshëm rekruton si spiun burgjesh një ordiner,- kur në të vërtetë është tjetër gjë) dhe të Prof. Dr. Jup Kastrati (profesori im!) me gjuhëtarin e shquar At Justin Rrota dhe gjendem nën pushtetin e përshtypjeve të pashlyera. Në pikëvështrimin tim, i konsideroj si një “vademecuum” se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin në çdo kohë, por veçmas pas shterëzimeve të mëdha, si e quaj romanin tënd, duke qenë i të njëjtit mendim me ty, të shprehur në intervistën e sinqertë dhënë të përditshmes “Ylli i Shpiragut”, deri në ngjizjen e përfundimin e veprës së re, etj, etj. Sa do të doja ta citoja të plotë këtu ekstraktin!?

Teknologjitë e reja, për fat të keq, po e zhbëjnë epistolarin, këtë pasuri të madhe konfidencialiteti e sinqeriteti, këto bërthamëza shënimesh kritike të ardhshme, që e mban gjallë dhe e ushqen pa pra atmosferën e shëndoshë krijuese, sidomos për ju që jeni larg.

Autori, shkrimtari dhe artisti në njëfarë mënyre janë si fëmija e plaku që i gëzohen vëmendjes të të tjerëve për ta, të një fjale të mirë e të sinqertë për veprën e krijuar për çka jua davarit disi hipokrizinë e “vlerësimit” apriori të veprës si të jashtëzakonshme, antologjike, pa u ndalur për të folur për ndonjë mbresë të veçantë, tipar, detaj a fakt etj. për çka i nxjerr zbuluar dhe pëson zhgënjime.

Hallet tona s’kanë të sosur dhe janë të lashta, por t’i rikthehemi romanit tënd.

Një nga gjërat më esenciale që më ka bërë përshtypje e dua ta vë në spikamë është gjetja e trajtimi mjeshtëror i tharmit universal e të veçantë të temës, një fat jo i shpeshtë ndër autorë. “Arratsjet”, po i themi kështu tani ne kuptimin figurativ, janë diçka e zakonshme për jetën e një njeriu të papajtueshëm me të keqen, vulgaren, banalen, diktaturën me shpresë se do të gjejë shpëtim gjetkë a në aventura të moshës përtej fëmijërores dhe i pazoti për të ndryshuar gjendjen. Dua të tregoj “arratisjen” time të parë, në kontekstin e romanit. Vajtëm nga Shkodra, për të jetuar në Lezhë, sa kishte nisur adoleshenca për mua dhe tim vëlla, dy vjet para meje. Teksa im vëlla po merrej me pëllumbat, unë mendjelehtësisht i hoqa shkallët. Atij iu ça buza dhe i rridhte gjak. Më zuri frika, – sa bukur e me zbirilime të përimta psikologjike e të besueshme i ke përshkruar në roman rastet e Ermirit, gjendjet e tij! – vajta dhe u fsheha poshtë shkallëve që të çonin në kat të dytë (streha ime e mëpastajme deri sa e morën vesh dhe më kapte “I plotfuqishmi yt” dhe dëgjoja me frikë, kur thërrisnin njerëzit jo vetëm të mi se ishte çuar mëhalla peshë, “Dil, mor se s’të themi gjë!” etj. Po arratisjet tuaja në llojin e letërsisë memuaristike, librave biografikë e autobiografikë, por të shkrimtarizuara mirë fiksioni, përshkrimi, reportazhi, natyra, portretizimi i personazheve të parë si në brendësi të një kaleodoskopi etj, merr përgjithësime të mëdha dhe i jep krahë fantazisë së lexuesit, zgjon tek ai kujtime e mbresa të ngjashme. Ti (Ermiri) shkruan per arratisjet vetjake, ndërsa mua me dilnin parasysh ato qindra e mijëra të rinj shqiptarë, edhe adoleshentë që arratiseshin maleve, në kushte të tmerrshme për Greqi e gjetkë, pasi ra diktatura.

Së dyti, pa bërë bilancin si shoku ynë Çerçiz Loloçi (me mendimet e të cilit pajtohem) struktura e romanit, sipas mendimit tim, është sa klasike e aq moderne, mbresëlënëse, ndërsa ndër personazhet, ku dalloj një meritë të veçantë të veprës në karakterizimin e tyre shumëplanëshe, në rrethana e mjedise te ndryshme, pa i apeluar njërin pas tjetrit, sërish dua të vë në spikamë Anjën, ciganen (ku Ermiri bën edhe “trajnimin” në fshatin e ciganëve; merr mësimet e para të lirisë, endjeve), Sidritën, gjyshen. Sidomos mësuese Sosja që simbolizon sistemin e kaluar, anën më të errët e brutale të tij, shokët e Ermirit, Engjëllin dhe teatrin e tij pa zë (çfarë gjetje e bukur!), I plotfuqishmi etj. Sidoqoftë, mendoj se mësuese Sosja (dhe emri i është gjetur simboli) do ta pasurojë galerinë e personazheve të letërsisë shqipe, mbase duke e kthyer edhe si sinonim i së keqes për çka është dhe demitizuar roli i mësuesve.

Në suazën e një letre miqësore, po dhe publike, megjithë dëshirën e mirë, e kam të pamundur, të ndalem në aspekte të veçanta të romanit, i cili, sipas meje, është një prerje disi ndryshe e historisë së popullit e vendit tonë në formën e një ditari te letrarizuar, por pa “koordinata” me atë frazën nistore të përrallave “Një herë tjetër…” etj, ku i gjen dhe i ndesh të gjitha dhënë me një humanitet të rrallë, qetësi e rrjedhshmëri stilitikore ku eshte tretur bukur poeti dhe prozatori që vjen në prozë nga poezia sikur është dergjur shpirti myzeqar në çdo pore të veprës. Më kot i thënkam vetes dhëndërr Myzeqeje, pasi, me sa duket, paskam njohur bulevardin dhe rrugët e Lushnjës e pako gjë tjetër me ç’njoha në roman. Pasi siç kam shkruar në “arratisjen” e parë time për atje tek ti, ashtu si në poezi dhe kur vjen poeti në prozë, sa më e metaforizuar të jetë vepra aq më e realizuar dhe e shumëpritur është. Përkundër, shpesh herë të një gjuhë sahariane, gjuha jote është kaq e pasur, shprehëse, e figurshme, alegorike e simbolika e këndshme. Kam evidentuar mjaft fjalë të padëgjuara që i lipsen edhe Fjalorit të Madh të gjuhës së sotme shqipe që po përgatit Akademia e Shkencave. Sa do të doja të llafosnim për romanin tet â tet, por le ta quajmë këtë si një fillim i mbarë.

Në roman duket se gjen mishërim sentenca e njohur e Gabriel Garcia Marquez, se “jeta nuk është ajo që ke jetuar; është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer”.

Keni përgëzimet e mia më të sinqerta dhe iu uroj sukses dhe mirëutakofshin në çfarëdo mënyre.

Please follow and like us: